...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Degjenerimi i debatit mes Gridës dhe Çupit: karakteristikë e shoqërisë sonë?

Padrejtësia dhe intoleranca karakterizon debatin Grida-Çupi: por cili nga të dy është më i padrejtë dhe më intolerantë dhe përfaqësojnë ata karakterin e shoqërisë sonë?

SHJ

04/12/2020 - 20:59

Grindja mes Gridës dhe Çupit, pas të cilës rendin “tifozët”, tregon dy fakte të dhimbshme të shoqërisë sonë: fakti i parë lidhet me ‘pakumtimësinë’ e shkaqeve të grindjes dhe i dyti lidhet me ‘natyrën dhe rolin’ e femrës në shoqëri. Kuptohet se Grida shkoi në debat edhe për të sulmuar ish-mbështetësin e partisë së saj por që tani mbështet qeverinë kriminale të Ramës ndërsa përpiqet të tregojë pa-anësi. Për pasojë, sulmi ka një synim: baltosjen e Çupit sepse ai ndryshoi parti dhe kritikon partinë që mbeshteste dikur ku bënë pjesë Grida!

Duke ditur këtë fakt por dhe faktin se Grida u bë shkak i degjenerimit të debatit, njeriu i drejtë bëhet kritik dhe dënon sjellje të tilla. Por po dëshmojmë të kundërtën nga “tifozët”! Këtë fakt e bënë më të dhimbshëm fakti tjetër se Grida nuk përfaqëson gruan shqiptare të cilën populli ynë e nderon—domethënë, gruan apo femrën që toleron sjelljen e keqe. Në këtë rast ajo duhet të ishte treguar dy herë tolerante: një herë sepse u bë vetë shkak i sjelljes së “keqe” të kundërshtarit të saj dhe një herë sepse është roli i femrës të jetë tolerante ndaj sjelljeve të këqija.

Se pse femra ka patur këtë rol historikisht lidhet me natyrën e saj: ajo është më pak agresive se mashkulli dhe shpesh më kuptimplotë. Ndaj dhe toleranca e saj buron nga natyra e saj. Një njeri i mençur, themi, është gjithnjë tolerant kundrejt një njeriu agresiv, sepse e di se përballet ose me një njeri të keqedukuar ose të paedukuar, sepse njeriu që nuk kupton - gjithnjë do të dominohet nga emocionet dhe tepëritë në sjellje.

Një aspekt tjetër është fakti se Grida pretendon të drejtojë vendin ndërsa Çupi jo: ky i fundit mjaftohet me bërjen e “analistit”. Me shumë gjasa mund të ndryshojë qendrim nëse Grida fiton në zgjedhje. Mirëpo, ne si popull duhet të na shqetësojë fakti se ajo përfaqëson një parti historikisht të padrejtë dhe katastrofike për vendin tonë për të cilën do të fillojnë hetimet nga SPAK-u vitin tjetër—ndërsa është vetë e padrejtë dhe intolerante në opozitë. Ndaj dhe pyetja që ngrihet është: mund t`i besojmë një njeriu të tillë pushtetin? Kurrë!

Një njeri që mbështet një parti të kriminalizuar për të cilën priten hetime dhe është në opozitë i padrejtë dhe intolerantë - do të jetë shumë më keq në pushtet: sepse është aksiomë tashmë—se pushteti korrupton por korrupton më shumë ata që janë të korruptuar në karakter dhe e tregojnë karakterin e tyre në mënyrë të përsëritur. Grida sigurisht që ka zgjidhje tjetër në politikë siç kishte zgjidhje tjetër në përballjen e saj me Çupin: të përdorte argumentin dhe të vërtetat e saj dhe nëse ndonjëri e tepëronte me sjelljen e tij ajo toleronte dhe kështu fitonte pikë meqë populli ynë nderon njerëzit e mençur dhe të fortë në argument dhe jo zuskat dhe çaprazët.        

T`i kthehemi tani pyetjes sonë: është sjellja agresive dhe baltojsa e tjetrit karakteristikë e shoqërisë sonë? Po! Përsa kohë që thuajse gjithë debatet publike degjenerojnë dhe grindjet shoqërore nuk karakterizohen nga toleranca dhe kuptimi dhe gjykimi i drejtë i tjetrit por nga të kundërtat e tyre. Kemi mundësi ta tejkalojmë këtë gjendje? Sigurisht që po! Por vetëm nëse zhvillojmë njerëz virtuozë.  

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA