...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dhimbja e madhe e shqiptarëve: mungesa e solidarizimit mes organizatash dhe pushtetesh fetare

Pushteti fetar (muslimanët, katolikët dhe të krishterët) nuk solidarizohet për asnjë nga çështjet me karakter kombëtar dhe social-ekonomikë!

SHJ

04/02/2018 - 11:44

Protesta e parë kundër bisedimeve me Greqinë tregoi edhe një herë një dhimbje të madhe mes shqiptarësh: se ata nuk solidarizohen në protesta që organizon një organizatë apo një tjetër. Në rastin konkret, bëhet fjalë për çështje me karakter kombëtar.

Organizata Politike, për shembull, ka organizuar protesta me karakter social-ekonomik, për të drejtat e studentëve dhe puntorëve. Ne jemi solidarizuar dhe me ato. Por kur OP-ja proteston për këto çështje, ‘kombëtaristët’ nuk solidarizohen.

Pushteti fetar (muslimanët, katolikët dhe të krishterët) nuk solidarizohet për asnjë nga këto çështje!

Kështu, qoftë OP-ja, qoftë ‘kombëtaristët’ dhe qoftë pushtetet fetare, gabojnë kur nuk solidarizohen për çështjet përkatëse: OP-ja, sepse nëse nuk zgjidhjen çështjet me karakter kombëtar çështjet me karakter social-ekonomike nuk mund të zgjidhen kurrë, sidomos në kushtet aktuale.

Për shembull, si pasojë e integrimit tonë në bllokun ekonomik europian dhe globalizmin neoliberal, Universitetet janë orientuar drejt eksportimit të dijes – një proces që nënkupton se Universiteti grek, për shembull, do të konkurrojë me Universitetin shqiptar dhe nëse ky fundit nuk i reziston dot, mund ose të blihet nga Uni. grek ose të kthehet në filialin e tij - kur dihet se në Uni. grek është aksionare dhe kisha greke – që nënkupton më tej se kisha greke mund të sponsorizojë Uni. shqiptar! Por edhe nëse Uni. grek nuk e ble shqiptarin, kisha greke ka sërish mundësi të jetë sponsore e Uni. shqiptar.

‘Kombëtaristët’, të cilët i vendos në thonjëza pikërisht për karakterin e dyshimtë që kanë në aksionet e tyre politike, s’e kanë kuptuar ende se çështjet kombëtare nuk mund të zgjidhen pa zgjidhur dhe çështjet me karakter social-ekonomike.

Ndërsa pushtetet fetare, me mosveprimet e tyre për të gjitha këto çështje, tregojnë, edhe një herë, karakterin reaksionar që kanë në raport me popullin shqiptar.

Mes gjithë këtyre grupeve, kemi dhe miliantët e partive të cilët pa thirrjen e udhëheqësit nuk mobilizohen për asnjë çështje!

S'po përmendim parti të llojit 'Libra' e të tjera si këto që e kanë humbur tërësisht ndjesinë e solidarizimit.  

Do të ishte vërtet e vyer nëse të gjithë këto grupe shoqërore solidarizoheshin me dhimbjen tonë të madhe: kërcënimin tonë kombëtar dhe gjithë kërcënimet e tjerë social-ekonomikë.                

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA