...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dhjetë vitet e fundit janë djegur 170 mijë ha pyje në Shqipëri: moratoriumi dhe ligjet s`e kanë frenuar masakrën mjedisore

Shkaqet kryesore janë zjarret thuajse të përvitshme në pyje, keqmenaxhimi dhe prerjet e paligjshme që vazhdojnë, pavarësisht moratoriumit 10 vjeçar që ndalon shfrytëzimin e lëndës drusore në fondin pyjor.

Voa

11/02/2022 - 09:08

Nga viti në vit Shqipëria vazhdon të humbasë pjesë nga sipërfaqja e saj me pyje, gjë që ka ndikuar në dëmtimin e një prej pasurive më të rëndësishme kombëtare, por edhe në mjedisin e vendit.

Eksperti i pyjeve dhe mjedisit, Mark Rupa, i tha Zërit të Amerikës se shkaqet kryesore janë zjarret thuajse të përvitshme në pyje, keqmenaxhimi dhe prerjet e paligjshme që vazhdojnë, pavarësisht moratoriumit 10 vjeçar që ndalon shfrytëzimin e lëndës drusore në fondin pyjor.

“Kemi një zvoglim të dukshëm të pyjeve në Shqipëri, të sipërfaqeve pyjore dhe volumeve të pyjeve. Inventari i fundit jep të dhëna shqetësuese në krahasim me inventarin e bërë para 15 viteve. Kemi një zvogëlim prej rreth 20 përqind të sipërfaqes pyjore. Kemi humbur rreth 15 milion metër kub dru, lëndë drusore, që i bie 10 vite ngrohje për të gjithë shqiptarët”.

Që nga shpallja, në vitin 2016, e moratoriumit për ndalimin e shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor të vendit, sipas Institutit të Statistikave, sipërfaqja e pyjeve jo vetëm që nuk është shtuar, përkundrazi ajo është zvogëluar.

Të dhënat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret e Pyjeve tregojnë se në Shqipëri, në 10-vjeçarin e fundit janë djegur gati 170 mijë hektarë me pyje dhe kullota. Vetëm vitin e kaluar, sipas këtij burimi, u dogjën 29,057 ha , ose rreth 3% e sipërfaqes pyjore.

Specialisti i pyjeve dhe mjedisit, Mark Rupa, thotë se, pavarësisht përmirësimeve ligjore dhe shtimit të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, pyjet vazhdojnë të zvogëlohen dhe degradojnë. Ai thotë se problematike mbetet niveli i administratës që shërben në pyje, ku rreth 50 përqind e të punësuarve janë jashtë profilit përkatës.

“Ne kemi bërë një studim vitin e kaluar dhe, sipas këtij studimi, vetëm teknikë pyjesh për të gjithë Shqipërinë duheshin rreth 700-800 ekspertë të rinj, ndërkohë që në shkollat tona për teknikë pyjesh kemi mangësi nxënësish. Dhe i bie që shkolla pyjore, për 10 vitet e ardhshme do të nxjerrë teknikë pyjesh vetëm për nevojat që ne kemi sot”.

Fakulteti i Pyjeve në Tirane dhe Shkolla Teknike Pyjore në Shkodër janë të vetmet në Shqipëri që përgatisin inxhinierë dhe teknikë për pyjet. Drejtoresha e Shkollës Teknike Pyjore “Kolë Margjini”, inxhiniere Albana Lleshaj thotë se, megjithëse nxënësit përfitojnë një bursë prej 7 mijë lekësh në muaj, ka vite që ka rënë interesi i të rinjve për degët që ofron kjo shkollë, gjë që shoqërohet me mungesë të specialistëve në terren.

“Vitin e kaluar bëmë disa aktivitete promovuese, siç edhe këtë vit do t’i nisim sapo të fillojë muaji mars. Vumë re që në shumë administrata, edhe tek zonat e mbrojtura edhe tek bashkitë, kishte mungesë të teknikëve të pyjeve, sidomos të inxhinierëve të pyjeve. Ne vetë si shkollë kemi problematika me mësues të lëndëve profesionale. Sapo një profesor del në pension, ne kemi vështirësi të jashtëzakonshme për ta zëvendësuar”.

Ndryshimet e herëpashershme në strukturën e administratave të shërbimit pyjor, emërimet pa kriter dhe me korrupsion, si dhe mosrespektimi i ligjit kanë dëmtuar jo vetëm strukturat e shërbimit pyjor, por kanë zbehur edhe interesimin e të rinjve për të ndjekur studimet në këtë fushë.

“Shkolla e mesme nxjerr teknikë pyjesh. Realisht mund të nxjerrë 20-27 teknikë në vit. Por problemet janë edhe të institucioneve pasi, në disa prej tyre, nuk respektohet ligji. Sepse ligji e ka taksative që merret inxhinier ose teknik pyjesh në drejtoritë ose agjencitë rajonale të pyjeve. Fatkeqësisht, kemi vënë re që ky ligj nuk është se respektohet plotësisht nga të gjitha administratat”.

Pyjet janë pasuri kombëtare që trashëgohet nga brezi në brez. Por, prej 30 vitesh ato vazhdojnë të degradojnë në Shqipëri. Përmirësimet e herëpashershme ligjore, të ndërmara nga qeveritë e radhës, nuk kanë arritur të frenojnë dëmtimin e kësaj pasurie të rëndësishme kombëtare.   

dhëna të Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare tregojnë se mes viteve 2015-2020 u proceduan penalisht për zjarrvënie të qëllimshme të pyjeve 134 persona por në këtë hark kohor rezultojnë vetëm 2 persona të dënuar. 

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA