...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Eskobari: bashkësia serbe do të themelohet pranon apo s`pranon Kurti

Bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Voa-SHJ

21/01/2023 - 08:59

Dita e premte e 20 janarit shënoi disa zhvillime mjaft të rëndësishme në Prishtinë dhe Beograd: së pari ishte qendrimi` Eskobarit, i cili foli në emër të bashkësisë ndërkombëtare...se ajo kërkon nga Kosova që të themelojë bashkësinë serbe; së dyti, qendrimi i dytë i Eskobarit se bashkësia do të themelohet pranon apo s`pranon Kurti; dhe në fund qendrimi i Vuçiçit i cili si fillim nuk ishte i sigurt për propozimin franko-gjerman por pasi foli me Eskobarin e pranoi atë duke shtuar se Serbia do të përballej me “probleme dhe sfida nësë nuk pajtohej me të”.

Në fakt, Eskobari përpara se të shkonte në Beograd e bëri të qartë se do ta kërcënonte Serbinë me sanksione nëse nuk pranonte propozimin. Vuçiçi, në fjalë të tjera, bëri sikur nuk do ta pranonte kur Eskobari e kishte bërë të qartë se Kosova do të themelonte bashkësinë serbe, donte apo s`donte Kurti.

Hamendësisht, për t`i dhënë karakter të vështirë vendimit të tij dhe për t`i treguar popullit serb se ai po “vuante” dhe për t`i treguar shqiptarëve se edhe ai po lëshonte pe. Kështu me një “gur” qëlloi dy zogj: fitoi disa pikë kundrejt popullit të tij dhe bindi shqiptarët se ai po lëshonte pe me qëllim që këta mos ta “kryqëzonin” Kurtin për krijimin e bashkësisë serbe. Këtë dinamikë e ndihmoi dhe qendrimi i Lajçakut, sipas të cilit Vuçiçi mori vendim të “vështirë”―duke nënkuptuar pikërisht faktin se ai po lëshonte pe kundrejt Prishtinës.

Lidhur me përpjekjen e Eskobarit për të shpërnjohur vendimin e Kurtit duke mbivendosur vendimin e bashkësisë ndërkombëtare, ngrihen dy çështje: njëra lidhet me faktin se Kurti e kishte pranuar themelimin e saj pavarësisht se përdorte vendimin e gjykatës kushtetuese, fakt i cili e bën të tepërt mbivendosjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe paralajmërimin e Eskobarit, dhe tjetra lidhet me faktin se mbivendosja në fjalë shkel sovranitetin e popullit shqiptar pavarësisht se Eskobari ka një farë të drejte nëse gjykojmë nga tensionet që shkaktoi Kurti. ―Ylli Përmeti

Lexo raportet e Voa-s për më shumë:

Escobar: Bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, tha të premten, se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga më e mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, drejt një paqeje të qëndrueshme. Në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, pas takimeve në Prishtinë dhe në Beograd, zoti Escobar tha se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se kjo çështje dhe propozimi franko-gjerman "nuk janë plotësisht të lidhura" me njera tjetrën. Zoti Escobar tha se fakti që Serbia nuk i ka vënë sanksione Moskës për agresionin në Ukrainë e dëmton imazhin e saj.

Zëri i Amerikës: Ju sapo jeni takuar me udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi, a mund të na thoni nëse bisedimet do të rifillojnë së shpejti?

Gabriel Escobar: Pikë së pari, bisedimet nuk janë ndërprerë asnjëherë. Sfida është se dialogu u shndërrua në instrument të menaxhimit të krizave. Ne duam ta vëmë në nivelin strategjik dhe mendojmë se propozimi franko-gjerman është i mirë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin dhe qëndrimi ynë është se duam ta bëjmë të funksionojë për të dyja vendet. Me fjalë të tjera, duam që ai të funksionojë në atë mënyrë që të hapë ardhmërinë evropiane për të dyja vendet, të hapë mundësitë për bashkëpunim më të gjerë jo vetëm me Evropën, por rajonin dhe Shtetet e Bashkuara në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: A ka një datë për takimin e ardhshëm në Bruksel?

Gabriel Escobar: Jo formalisht, por kjo po diskutohet dhe duhet të ndodhë shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Presidenti (Aleksandër Vuçiç) tha se i janë bërë të qarta pasojat dhe sfidat me të cilat do të përballet nëse nuk e pranon propozimin franko-gjerman. A mund të na thoni se cilat janë pasojat dhe nëse ai i tha po propozimit?

Gabriel Escobar: Nuk dua të paragjykoj diskutimet që zhvillohen në kuadër të dialogut. Por mund të them se diskutuam hollësisht se cilat janë pasojat për rajonin, nëse nuk ecet përpara, për rajonin që të ketë një plagë të hapur, të ketë një konflikt të ngrirë, që në fakt nuk është i ngrirë, për komunitetin, që duhet të jetojë nën në trysni, siç ndodhë në veriun e Kosovës, me bllokada, trysni dhe njerëz në ankth. Kjo është ajo për të cilën po flasim. Këtë duam ta zgjidhin në kuadër të dialogut. Mendoj se patëm një bisedë shumë të mirë, mendoj se të gjithë e kuptojmë sfidën e vazhdimit të situatës aktuale.

Zëri i Amerikës: Ai (Vuçiç) ka thënë më herët se propozimi është i papranueshëm. A e ndjeni këtë pas takimit, apo mbase ai ka ndryshuar qëndrim?

Gabriel Escobar: Mendoj se kemi ecur shumë përpara sot në radhë të parë. Biseda ishte shume konstruktive. Prandaj mendoj se kemi bazë për të ecur përpara.

Zëri i Amerikës: Konstruktive në kuptimin që do të rifilloni dialogun mbështetur në propozimin franko-gjerman?

Gabriel Escobar: Aktualisht ky është propozimi në tryezë. Tani, si do ta negociojmë aneksin mbi zbatimin, është një rrëfim tjetër. Në këtë Serbia ka 50 për qind të pronësisë mbi procesin dhe nuk ka asgjë për të pasur frikë. Propozimi paraqet shumë mundësi.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë shumë të vendosur kur keni folur për detyrimin e zotit (Albin) Kurti për të zbatuar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por edhe ai është i vendosur se nuk do ta zbatojë. Si mendoni se do të funksionojë kjo?

Gabriel Escobar: Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë.

Zëri i Amerikës: Ju kuptova mirë se nëse zoti Kurti nuk e bën do ta bëni ju?

Gabriel Escobar: Do të fillojmë bisedimet në shkallë vendi për atë se çfarë nënkupton ky detyrim për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Nëse zoti Kurti pajtohet në fund ta përmbushë këtë detyrim....

Gabriel Escobar: Më lejoni, Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar...

Zëri i Amerikës: Kurti është kryeministër...

Gabriel Escobar: Po, por si e thashë, një person, një palë nuk mund ta shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet.

Zëri i Amerikës: Nëse zoti Kurti themelon Asociacionin, a është kjo rruga për të inkurajuar Serbinë që të pranojë propozimin franko-gjerman?

Gabriel Escobar: Më lejoni të them se këto dy çështje nuk janë tërësisht të lidhura. Asociacioni është një detyrim ekzistues, që duhet të zbatohet. Propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, drejt një paqeje të qëndrueshme. Ne do të punojmë njëkohësisht, sepse i duam të dyja.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç tha së fundmi se është mirënjohës për mbështetjen e Rusisë, por se Serbia nuk e mbështet agresionin kundër Ukrainës dhe i konsideron Donbasin dhe Krimenë si pjesë të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Flitet shumë për pasojat politike, dëgjuam edhe mesazhin e Parlamentit Evropian. A ka pasoja të mundshme sa u përket investimeve të huaja nga perëndimi, a do të duan kompanitë të investojnë në Serbi, nëse ajo mbetet në këtë anë të historisë?

Gabriel Escobar: Mendoj se do të ketë pasoja. Mendoj se po cënohet imazhi i Serbisë si shtet perëndimor. Është e vërtetë, që kompanitë na pyesin, nëse Serbia është nën sanksione dytësore, nëse Serbia është një partner solid, nëse mund të mbështetesh në planin afatgjatë? Këshilla ime është që Serbia duhet t'i bashkohet Perëndimit në zbatimin e të gjitha masave dhe sanksioneve, në mënyrë që të mos jetë përjashtimi në rajon.

Zëri i Amerikës: Sipas informacioneve tuaja, a kanë marrë pjesë njerëz nga Rusia në tensionet në Kosovë dhe në barrikada?

Gabriel Escobar: Nuk kam ndonjë informacion konkret, kam dëgjuar vetëm thashetheme. Por barrikadat dhe tensionet në Kosovë nuk kanë nevojë që Rusia t'i përkeqësojë ato, ato tashmë janë të këqija.

Zëri i Amerikës: Zoti (Derek) Chollet, shprehu shqetësimin lidhur me akuzat se grupi mercenar rus Wagner po rekruton njerëz në Serbi dhe vende të tjera. Z. Vuçiq e mohoi atë, ashtu si edhe z. Yevgenij Prigozhin, kreu i Grupit Wagner, në një përgjigje për Zërin e Amerikës. Cili është informacioni juaj për të?

Gabriel Escobar: Derek Chollet e tha më së miri. Ai tha se Wagner ka një ndikim shumë negativ në të gjithë botën. Është keq për çdo vend ta bëjë këtë. Është e paligjshme këtu. Qeveria juaj e ka të qartë këtë, ashtu si edhe e jona. Nëse ka, duhet të ndalet dhe qeveria duhet ta ndjekë penalisht. Ata na shprehën vendosmërinë se do ta bëjnë këtë.   

Lajçak në Prishtinë: Kemi pritur më shumë mirëkuptim për propozimin evropian

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha të premten në Prishtinë se ka pritur me shumë mirëkuptim për mundësitë që i ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Lajçak i shoqëruar edhe nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni zhvilloi një takim më shumë se dy orësh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve në dritën e propozimit evropian i njohur si nisma franko-gjermane.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them, por dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha zoti Lajçak.

Zoti Lajçak tha se vet përbërja e delegacionit është një sinjal se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se takimi me kryeministrin e Kosovës nuk ishte i lehtë por ishte i sinqertë dhe shumë i hapur.

Propozimi evropian për të cilin diplomatët do të bisedojmë më vonë gjatë ditës në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e të dyja palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se propozimi është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, por nuk është i sigurt se ai mund të jetë i pranueshëm.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës në fillim të këtij muaji se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme.

Propozimi mes tjerash synon të sigurojë zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova po përballet me trysni ndërkombëtare që të hedh hapa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomatët perëndimorë po kërkojnë nga Kosova që të hartojë një propozim për mënyrën e funksionimit të këtij asociacioni. Por zyrtarët në Kosovë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk mund të bëhet një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Përfaqësuesit politik të serbëve në veriun e Kosovës thonë se nuk do të kthehen në institucione të cilat i braktisën mes tensionesh në nëntor të vitit të kaluar derisa të formohet Asociacioni i komunave në përputhje me marrëveshjen e parë të arritur në Bruksel.

Për gati 12 vjet Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe kanë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por sfidë mbetet zbatimi i tyre që ka çuar shpesh edhe në tensione të larta si ato të vitit që lamë pas.

Vuçiçi pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të premten se Serbia është e gatshme të pranojë dhe zbatojë konceptin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai i bëri këto komente pas takimit me të dërguarit amerikanë dhe evropianë të cilët më herët gjatë ditës qëndruan në Prishtinë.

Pas takimit me presidentin serb, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se ndihet i inkurajuar nga bisedimet, të cilat ai i cilësoi të vështira por të hapura.

“Presidenti Vuçiç demonstroi një qasje të përgjegjshme dhe gatishmërinë për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe të ardhmes evropiane të Serbisë”, tha zoti Lajçak për gazetarët pas takimit.

Duke folur në emër të grupit i dërguari evropian tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është element thelbësor për qëndrueshmëri mes dy vendeve.

Nga ana e tij presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij do të përballej me probleme dhe sfida nëse nuk pajtohej me propozimin evropian. Ai tha se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjes së propozuar, duke ritheksuar rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë shtojnë trysninë për rifillimin e bisedimeve Kosovë - Serbi

Të dërguarit amerikanë dhe evropianë thanë pas vizitave në Prishtinë dhe në Beograd se presin intensifikimin e përpjekjeve për të siguruar një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, situata e pazgjidhur ndërmjet të cilave shihet si një burim paqëndrueshmërie në Ballkan në një periudhë të ndjeshme në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Ata thanë se një propozim evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është rruga më e mirë për një paqe të qëndrueshme.

Në Beograd i dërguari evropian Miroslav Lajçak u shpreh i inkurajuar pas bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Presidenti Vuçiç tregoi qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe ardhmërisë evropiane për Serbinë”, tha ai.

Në Prishtinë ndërkaq tha se “kishim pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim”.

Propozimi nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e të dyja palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i cilësoi të vështira bisedimet rreth këtij propozimi.

“Unë thashë se në ditët dhe javët në vijim do të kem konsultime me anëtarët e qeverisë, deputetët, të gjitha grupet e rëndësishme civile, se jemi të gatshëm të pranojmë konceptin dhe të punojmë për zbatimin e marrëveshjes së propozuar”, tha ai.

Propozimi evropian parasheh zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Diplomatët sërish vunë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Autoritetet në Prishtinë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se nuk mund të bëhet një mekanizëm një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së vendit.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar për Kosovën dhe duhet të zbatohet.

“Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit...Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha zoti Escobar.

Qeveria e Kosovës ritheksoi se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme, por nuk komentoi kërkesën e vendosur për Asociacionin, themelimi i të cilit për Beogradin është kusht që serbët në veriun e Kosovës të kthehen në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar mes tensionesh lidhur me përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zhvillimet e fundit thonë vëzhguesit, e kanë përqendruar trysninë ndërkombëtare në Prishtinë ku qeveria shpesh është kritikuar nga opozita për cenim të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

Të shtunën presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmendi ruajtjen e aleancave gjatë përkujtimit të përvjetorit të vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova.

“Është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura që ta forcojmë shtetin tonë, që e ndërtuam me shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës, prandaj ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, të cilët e mbështeten Kosovën në ditët më të rënda dhe më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara derisa Kosova vazhdon të përballet me sfida”, tha presidentja Osmani.

Muajin që vjen Kosova shënon 15 vjet të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Përditësuar në datën 22/1/2023

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA