...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia feston 200 vjetorin e fillimit të revolucionit me karakteristika shqiptare

Greqia ka më shumë karakteristika shqiptare se sa “helenike”

SHJ

24/03/2021 - 16:34

Greqia sot feston ditën e fillimit të revolucionit “grek” me pompozitet të madh, kryesisht për shkak të fërkimeve me Turqinë. Por me cilin identitet? Për ta kujtuar atë po shkëpusim një pjesë nga studimi i Ylli Përmetit ku tregohet se Greqia ka më shumë karakteristika shqiptare se sa “helenike”. 

Shteti modern grek përbëhet nga popullsi heterogjene (kryesisht pellazge) dhe s’ka asnjë lidhje biologjike dhe fisnore me popullin ionik të antikitetit. Sepse që të ruhet trashëgimnia biologjike në një vend – ai nuk duhet të përfshihet në ‘tallaze’ nga ndonjë shoqëri tjetër me fuqi (politike, ekonomike e ushtarake) më të madhe. Dhe dihet se Greqia e antikitetit u përfshi nga Perandoria bizantine dhe romake - kryeqendrat e të cilave (Roma dhe Konstadinopoja) krijuan kushtet për emigrimin e popujve të Atikës. Gjuha neogreke është vjega kryesore e shtetit modern grek. Ajo bart shkronjat e gjuhës arkaike greke dhe bazën e saj gjuhësore por nuk ka asnjë lidhje sintaksore me gjuhën arkaike.

Greqia moderne ka ngërthyer karakteristikat kryesore të popullit grek të antikitetit dhe të popullit shqiptar të mijëvjeçarit të dytë. Ishte Konstadinos Paparigopulos, babai i historisë greke, i cili u detyrua —sepse pas revolucionit të vitit 1821 Greqia moderne kërkonte të krijonte identitetin kombëtar— të fliste për afrimin e grekëve dhe shqiptarëve të kohës me institucionalizmin e inteligjencës dhe një farë fisnikërie të kulturës së popullit grek të antikitetit dhe gjallërinë, vrullin dhe trimërinë e popullit shqiptar.[28] Këto cilësi burojnë nga arvanitët e Sulit (Boçari etj.) dhe Bregdetit Jugor (Kolokotroni etj.). Këta komponentë, bashkë me fustanellën e gardës greke —veshjen karakteristike të shqiptarëve në Ballkan— karakterizojnë shtetin modern Grek. Por integrimi i inteligjencës dhe fisnikërisë së kulturës greke në shtetin modern grek nënkupton se në institucionet e shtetit modern do të përzgjidheshin, siç përzgjidhen, kryesisht grekë ose individë që, ose nuk e njohin të kaluarën e tyre ose e mohojnë atë për shkak të dinamikës që krijohet.

Ndërsa integrimi i gjallërisë, vrullit dhe trimërisë shqiptare nënkupton se ushtria do të dominohet nga individë që janë me origjinë shqiptare ose arvanitase. Kjo është arsyeja që fustanella mbeti karakteristikë e gardës greke. Dhe kjo është një zgjedhje politike: sepse shtetëtarët neogrekë duhet të kënaqnin disi popullin shqiptar të kohës i cili jo vetëm që jetonte në Greqinë moderne por edhe luftoi heroikisht për çlirimin e saj. Në krijimin e identitetit të shtetit modern grek ndikoi vendimtarisht monarku i Bavarisë, Ludovigu i parë: sepse ai e adhuronte botën antike greke. Ludovigu, ndërsa shkatërroi çdo shenjë që kujtonte perandorinë otomane, rindërtoi Athinën e re duke spikatur ndërtesat e mbetura të antikitetit, integroi modelin institucional të Mynihut dhe filozofinë dhe gjuhën e antikitetit në shkolla.

Ky orientim krijoi dy dinamika: ndërsa populli adhuronte gradualisht botën antike ai braktisi besimin fetar. Kisha greke, ndryshe nga misioni i saj kundër-revolucionar, u përdor nga shteti i ri grek për të revolucionarizuar të rinjt duke sajuar shkolla të fshehta ku mësohësh gjuha greke (“katharevusa”), mbrujtësh atdhedashuria dhe parimet kombëtariste. Gradualisht ngritja e Greqisë moderne u bë projekt europian: sepse Europës i mungonte identiteti filozofik. Greqia moderne, përmes Greqisë së antikitetit, do të zinte një vend shumë të rëndësishëm në identitetin e Europës moderne. Dhe ishte ky proces adhurimi, të cilin e krijuan bavarezët në bashkëpunim me neogrekët, që mundësoi zëvendësimin e gjuhës shqipe me gjuhën e re greke.

Nuk do të ishte, rrjedhimisht, e çuditshme që ky mit të tregohet i zhveshur së fundmi nga dokumentari i televizionit “Skai” duke tronditur mendësinë e popullit modern grek, i cili, për më shumë se një shekull, dhe veçanërisht shekullin e kaluar, është trushpëlare me “pastërtinë” e tij greke. Dhe nuk do të ishte e çuditshme, gjithashtu, që shqiptarët e emigruar së fundmi, bashkë me shqiptarët vendor (“arvanitasit”), të mos përfshihen në institucionet shtetërore dhe masmedia dhe të diskriminohen dhe përbuzen nga “inteligjenca” neogreke.   

Ylli Përmeti: cila është lidhja mes pellazgëve, grekëve, ilirëve dhe shqiptarëve?

*Në fotografinë shoqëruese paraqitet Çelo Picari në parlamentin grek. Ajo është një pikturë që edhe sot qendron në të duke treguar edhe një herë karakterin e tij. Çelo Picari u tradhëtua nga grekët pasi dha kontributin e tij për çlirimin e Greqisë si shumë shqiptarë të tjerë...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA