...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ja cilat janë katër familjet që kontrollojnë masmedian dhe mendësinë e popullit

Në pjesën e transmetimeve televizive katër pronarët më të mëdhenj kontrollojnë së bashku 89.6% të tregut televiziv. Kurse në pjesën e gazetave katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit

Dita

26/03/2018 - 15:31

Përmes një kërkimi tre mujor, rezultatet e “Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri” nga BIRN hedhin dritë mbi këtë treg duke publikuar se kush e ka nën pronësi dhe kush e kontrollon median – shkruan Zëri i Amerikës.

Katër pronarë të mediave private me lidhje të forta politike kontrollojnë shtypin shqiptar

Sipas rezultateve “katër pronarët kryesorë në segmentin e televizioneve janë Familja Frangaj (Klan), Familja Hoxha (TCH), Familja Dulaku (Vizion Plus) dhe Familja Ndroqi (Ora News), televizionet e të cilëve arrijnë gjysmën e audiencës totale (rreth 48.93%) – thuhet në këtë studim.

4 familjet që kontrollojnë tregun televiziv sipas studimit

Ndërsa përsa u përket gazetave studimi identifikon 4 familje të tjera që kontrollojnë tregun. Katër pronarët kryesorë në print janë Irfan Hysenbelliu (Panorama), vëllezërit Dabulla (Dita), Koço Kokëdhima (Shekulli) dhe Henri Çili (Mapo), të cilët kanë një lexueshmëri të kombinuar prej 43.29% – shkruhet ndër të tjera në raport.

4 familjet që kontrollojnë tregun e gazetave sipas studimit

Sipas studimit të 8 këta pronarë kryesorë në Televizione dhe Gazeta arrijnë një audiencë që varion nga 72,1% deri në 80.1% të tregut (tabela e parë poshtë). Në pjesën e transmetimeve televizive katër pronarët më të mëdhenj kontrollojnë së bashku 89.6% të tregut televiziv (tabela e dytë poshtë). Kurse në pjesën e gazetave katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit (tabela e tretë poshtë).

Audienca që kanë 8 pronarët TV-Gazeta bashkë, sipas raportit

4 pronarët kryesorë të TV kontrollojnë 89.6 përqind të këtij tregu, sipas studimit

4 pronarët kryesorë të gazetave kontrollojnë 86.5 përqind të këtij tregu, sipas studimit

Studimi rendit si ndikues në treg edhe mediat ekonomike të vëllezërve Leka, kurse në online veçon Temën Online të Mero Bazes.

Rezultatet e kërkimit, bazuar në metodologjinë e ndjekur, arrijnë në përfundimin se”kontrolli politik mbi mediat në Shqipëri vlerësohet si i lartë”. “Klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë reklamuesit e mëdhenj korporativ dhe institucionet qeveritare.  Gjithsesi, asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një ndikim aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës se sa interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve” – shkruan studimi.

Gjatë prezantimit të raportit, Olaf Steenfadt, drejtori global i Projektit të RSF Monitori i Pronësisë së Medias u bëri thirrje “elitave të kuptojnë vlerën e një sektori mediatik me të vërtetë të shëndetshëm dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme, duke marrë parasysh edhe përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Pronarët e mediave kryesore në Shqipëri sipas studimit:

Vjollca Hoxha (TCH)

Aleksandër Frangaj (Klan)

Irfan Hysenbelliu (News 24 – Panorama)

Ylli Ndroqi (Ora News)

Vëllezërit Dulaku (Vizion Plus)

Vëllezërit Dabulla (Dita)

Koço Kokëdhima (Shekulli)

Henri Çili (Mapo)

****

Mero Baze (Tema Online)

Vëllezërit Leka (Media Ekonomike)   

Ylli Përmeti: mas-indoktrinimi i popujve dhe masmedia

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA