...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kapitalistët shqiptarë kërkojnë ulje taksash nga qeveria; ndryshe falimentojnë nga tregu rajonal!

Biznesi në stres, pezullon 1 miliardë euro në depozita bankare me afat

Voa

12/01/2018 - 16:47

Qarqet e biznesit po hyjnë plot mosbesim dhe skepticizëm në këtë vit të ri ekonomik, ku sic pohojnë përfaqësues të tyre, qeveria nuk u dha asnjë lehtësi dhe nuk u dëgjoi asnjë kërkesë për të përmirësuar punën në një terren me shumë të panjohura.

Përfaqësuesit e organizatave të industrisë prodhuese dhe kompanive tregtare pohojnë se në qarqet e biznesit mbizotëron pesimizmi si në investime, në konsum dhe qarkullim tregtar, dhe kjo do të thotë se nuk do të vijë një rritje ekonomike e qëndrueshme.

“Sipërmarrja ka një tërheqje prapa nga investimet dhe në diversifikimin e portofolit financiar. Sinjalet e 2017 janë jo shumë pozitive: Statistikat e bankave tregojnë se vitin e kaluar sipërmarrja shqiptare ka mbyllur në depozita me afat rreth 1 miliardë euro. Kjo shumë kalon në një status quo vegjetimi në depozitë bankare. Kjo është një masë paradoksale për një vend në zhvillim, ku ritmi i investimeve dhe i rritjes ekonomike duhet të jetë dyshifror” - thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Ai shtoi se qarqet e biznesit diskutuan vjeshtën e kaluar me qeverinë për paketën fiskale, por qeveria miratoi të gjitha ato pika që planifikoi vetë dhe nuk pranoi asnjë ide kërkesë që u propozua nga komuniteti i biznesit.

“Ka shumë ligje fiskale, që e penalizojnë biznesin shqiptar, sidomos firmat prodhuese vendase, të cilëve iu rrit edhe taksa e pronës nga 0.20 u rrit në 0.25. Akoma nuk është vendosur skema e duhur efikase për të nxitur ekonominë dhe tregtinë” - tha zoti Jaka.

Sipas tij, biznesi shqiptar shpresoi për një lehtësim të barrës fiskale, por përkundrazi ajo u ngrit më tej dhe këtë vit është barra më e lartë në rajon, krahasuar me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi dhe gati baras me Serbinë, ku ka shumë lehtësira dhe stimuj për investitorë strategjikë, të cilat këtu mungojnë.

“Shqipëria është ende shumë larg, e papërgatitur dhe jokonkurrente për t’u përfshirë në projektet për rajonalizimin e ekonomisë në Ballkan perëndimor. Ne u kemi shpjeguar autoriteteve rreziqet reale të ekonomisë, nëse Shqipëria përfshihet në rajonalizimin ekonomik të Ballkanit perëndimor. Nëse Shqipëria hyn e papërgatitur në këtë proces, kjo do të jetë e rrezikshme për ekonominë” - tha zoti Jaka.

Qarqet e biznesit i kanë paraqitur qeveritarëve një pasqyrë reale të ekonomisë, firmave prodhuese dhe ndihmës që ato kanë nevojë të përgatiten për t’u futur në procesin e rajonalizimit.

“Nëse hyjmë në këtë proces pa ndonjë orientim, atëherë do të penalizohen bizneset, që nesër duhet të jenë integriteti dhe qëndrueshmëria ekonomike e vendit tonë. Sot edhe Dhoma e Tregtisë edhe Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë kanë ndezur sinjalet e pikëpyetjes së madhe, që mund të sjellë rajonalizimi i ekonomisë së 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, e cila duhet të kalojë fazën e parë të integrimit mes veti, para se të përgatitet për integrim europian” - tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Ai shtoi se bizneset shqiptare janë ende të paorientuara e të paqartësuara edhe nga qeveria shqiptare edhe nga Bashkimi Europian se në cilat fusha mund të jetë ndihma dhe mbështetja europiane për rajonalizimin.

“Autoritetet ende nuk janë të qartë në politikat e rajonalizimit dhe po ecin drejt Brukselit për të fituar pikë politike. Mendoj se duhet hequr dorë nga manipulimi i shifrave, i raportimeve të fryra entuziaste, sepse gjendja reale e ekonomisë ka probleme dhe firmat nuk janë gati për këtë integrim, përndryshe do të shkatërrohen nga gara me fqinjët” - tha zoti Jaka.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i organizatës së bizneseve Alb-Konfindustria, Gjergj Buxhuku, thotë se kriza ekonomike po provokon largime masive të shqiptarëve nga vendi i tyre.

“Ekonomia po pëson ndryshime drastike. Burimet e sotme të financimit nuk do të jenë më. Zhvillimi ekonomik i deritanishëm, ose rritja e pamjaftueshme 2.5 për qind është siguruar nga marrja e borxheve masive. Qeveria shqiptare mori në 3-4 vitet e fundit 1 miliardë e 400 milionë dollarë borxhe. Burimi i dytë janë projekte si TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll, që kanë hyrë në fazën e fundit. Burimi i tretë ishin valët e mëdha të canabisit dhe narkotikëve, pra të tregtive të paligjshme” - tha zoti Buxhuku.

Ai shtoi se të tre këto burime nuk do të jenë më burime për rritje dhe duhen kërkuar burime të reja.

“Trysnia globale dhe ajo rajonale po shtohen. Samiti i Berlinit dhe Triestes e kushtëzuan krijimin e një tregun rajonal ballkanik si një parakusht për të hyrë në tregun europian. Ekonomia shqiptare është jokonkurrente. Të gjitha këto së bashku janë një sfidë shumë e rëndë për vendimmarrjen politike, për biznesin dhe për qytetarët shqiptarë” - tha ai.

Zoti Buxhuku shtoi se nuk mund të bëhet më sikur nuk shihen këto sfida të nxehta, e sa më tepër të shtyhen, aq më tepër do të jenë problematike.

“Vendi mund të përballet me eksode masive, kur edhe këto pak industri që kemi ne nuk do të rezistojnë më. Sidomos industritë për tregun e brendshëm. Në mungesë të alternativës së punësimit, shqiptarët do t’u drejtohen gjithnjë e më shumë vendeve të tjera, si po ikin tani, por mund të ikin edhe më shumë. Shoqëria shqiptare krijon 30-35 mijë fuqi të re punëtore 18 vjeçare në vit, në emigrim largohen 50-60 mijë persona çdo vit. Pra, jo vetëm të parët nuk absorbohen, por ikin edhe të dytët” - tha zoti Buxhuku.

Sipas tij, ekonomia shqiptare nuk prodhon, tregjet janë monopol, shteti është i kapur nga monopolet dhe mungesa e konkurrencës, sistemi ekonomik ka difekte themelore.

“Shpëtimi nga kjo krizë është liberalizimi i tregjeve aktuale të mbyllura e të monopolizuara dhe duke krijuar tregje të reja. Ne po ecim aq keq sa edhe në kushtet e një rritje minimale 2.5 për qind, sërish e njëjta politikë fiskale. Shqipëria sot gjendet me 50 për qind ngarkesë fiskale më të lartë se sa vendet e rajonit. Ne nuk punësojmë dot dhe kjo është fakt dëshpërues, që dëshmon një sëmundje të rëndë të ekonomisë shqiptare. Janë një mori problemesh, që për t’u zgjidhur kërkojnë një sistem shtetëror të qëndrueshëm, dhe masa të forta ekonomike, politike dhe institucionale” - tha përfaqësuesi i Alb-Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA