...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kosova 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe perspektiva e saj e zymtë

10-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me një perspektivë të zymtë. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten pa lëvizje të lirë në zonën Shengen e BE-ja nuk duket e qartë në strategjinë për integrimin e Kosovës.

DW

17/02/2018 - 09:53

Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, projekt ky që u mbështet nga shumica e vendeve demokratike, Kosovën e kanë njohur 114 shtete të botës. Gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare, Kosova përmbylli mbikqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, nisi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili akoma nuk ka përfunduar, themeloi Gjykatën Speciale për Krime Lufte dhe po vazhdon përpjekjet për t'u përfshirë në strukturat evropiane, ndonëse qytetarët  e saj akoma nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.    

Kosova akoma nuk cilësohet shtet i pavarur nga Bashkimi Evropian, ndonëse 23 shtete të BE-së individualisht e njohin pavarësinë e saj. Në strategjinë e fundit të BE-së për Ballkanin, tek pjesa për Kosovën, u tha se "Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane, kur të lejojnë rrethanat objektive”.

Nga politika kosovare pati kritika ndaj strategjisë së BE-së, pjesa për Kosovën. Mirëpo, përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova thotë se në thelb në strategji, "nuk ka ndonjë dallim ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, ndonëse për Kosovën, ende mbetet rrugë e gjatë deri në fazën integruese”.

Kritika ndaj BE

"Kushtet dhe kriteret janë të njëjta dhe procesi i zgjerimit mbetet i mbështetur në meritat dhe nuk ka rrugë tjetër. BE-ja nuk mundet dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje bilaterale, ato duhet të zgjidhen para anëtarësimit. Kosova, e po ashtu edhe Serbia, duhet t'i intensifikojnë përpjekjet për normalizim, ngase nuk ka ndonjë rrugë alternative”, u shpreh Natalya Apostolova.

10 vite pavarësi - përparim por edhe ngecje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, thotë se "dhjetë vitet e fundit kanë qenë vite të përparimit të gjithanshëm të Kosovës, duke u njohur nga 115 vende të botës, kultivim të raporteve të mira me aleatët ndërkombëtarë si dhe vite të relaksimit të raporteve me Serbinë”. Por, shqetësim për Presidentin mbetet "izolimi i qytetarëve të Kosovës nga BE-ja, moslëvizja e tyre e lirë në zonën shengen”.

"Realiteti është që shoqëria kosovare nuk ka pasur përvojë në ndërtimin e institucioneve dhe nuk ka pasur një projeksion se si do të ecin vitet e pavarësisë, si do të duket 10 vjeçari, 20 vjeçari i pavarësisë  e kështu me radhë  dhe premtimet që janë dhënë në atë kohë me shumë kanë qenë shpresë sesa një realitet. Kosova pas shpalljes së pavarësisë është ballafaquar me çështje të mëdha sa i përket sovranitetit të brendshëm dhe të jashtëm dhe kjo e ka vonuar konsolidimin e plotë të pavarësisë dhe ka penguar që të materializohen pritjet që kanë qenë”, thotë Naim Rashiti.Njohësi i zhvillimeve rajonale Naim Rashiti, nga Brupi Ballkanik për Politika, i tha DW-së se pas shpalljes së pavarësisë Kosova u ballafaqua me tema të mëdha që prekën edhe sovranitetin  e saj dhe kjo bëri që pritjet e qytetarëve  të ngecin.

Zoti Rashiti mendon se megjithë ngecjet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, janë shënuar edhe arritje që vlerësohen nga spektri politik. "Megjithatë, arritje ka, sepse është përmbyllur mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, ka 115 njohje dhe shteti deri diku është konsoliduar. Për njerëzit që janë afër proceseve politike këto janë arritje të konsiderueshme, ndërsa, për shoqërinë dhe gjeneratat e reja këto arritje janë shumë të mangëta. Prandaj ky 10 vjetor e gjën shoqërinë kosovare në një lloj depresioni, sepse shteti nuk arritur të plotësojë kërkesat minimale të qytetarëve sa i përket shërbimeve për jetën e përditshme, siç janë shëndetësia, arsimi, shërbimet publike, biznesore e të tjera. Pra progresi i bërë është evident dhe kënaq strukturën politike, por shumë e mangët për pjesën më të madhe të shoqërisë”, thotë Naim Rashiti.  

Dialogu me Serbinë

Një obligim tjetër që Kosova akoma nuk e ka përmbushur nga dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE-ja është  themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, i cili në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit nënshkroi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i rikujton Qeverisë së Kosovës siç thotë "obligimin e paplotësuar ndërkombëtar, që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

"Pra BE duhet më shumë të inkurajoj dhe jep vullnet institucioneve të Kosovës për proceset integruese. BE duhet të përkrah më shumë qytetarët e Kosovës, ata kanë nevojë për përkrahje më të madhe nga BE që të mos jenë të izoluar  nga  Evropa. Qytetarët e Kosovës mbeten miq besnik të BE-së dhe të SHBA-së. Qytetarët e Kosovës besojnë fuqishëm në BE dhe zhvillimet e saj, sepse, kosovarët janë të përkushtuar në rrugën drejt integrimeve evropiane. BE duhet të ofroj me  shumë vullnet për kosovaret”, shprehet Blerim Burjani.Një njohës tjetër i zhvillimeve politike Blerim Burjani, thotë për DW se Kosova  në dhjetëvjetorin e pavarësisë akoma është ne një rrugëtim drejt konsolidimit te institucioneve shtetrore. "Sfidat kryesore të Kosovës mbetën forcimi i rendit dhe ligjit, në veçanti funksionimi i sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, nepotizmi, shtrirja e sovranitetit të plote në veri të shtetit, themelimi i Focave të Armatosura, Implementimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja shëndetësore dhe sociale dhe integrimet evropiane”, thotë Blerim Burjani, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një shtytje më të madhe nga BE në kuptimin e dhënies se vullnetit për proceset integruese.

Nisma kundër Gjykatës Speciale - acarim i marrëdhënieve me ndërkombëtarët

Në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë, Kosova acaroi skajshmërisht marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, kur  43 deputet të kuvendit të Kosovës ndërmorren një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, e themeluar me ligj nga kuvendi i Kosovës në vitin 2015.  Debatet rreth kësaj çështje zgjatën më shumë se një muaj dhe vetëm pas një presioni të madh ndërkombëtar,  udhëheqësit kryesorë të shtetit, Presidenti Hashim Thaci, kryetari i parlamentit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, u deklaruan publikisht se ligji për Gjykatën Speciale nuk do të shfuqizohet, edhe pse Gjykatën Speciale për krime lufte për Kosovën ata vazhdojnë ta cilësojnë si një padrejtësi historike. Për t'u siguruar që këto qëndrime janë të vërteta, me një deklaratë të përbashkët vendet e QUINT, ku bëjnë pjesë, SHBA-së, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, mirëpritën qëndrimet e udhëheqësve politik kosovarë.

Përgjegjësia e klasës politike

"Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta nderojnë këtë gatishmëri. Vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta afirmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për tu integruar tërësisht në Evropë dhe komunitetin ndërkombëtarë. Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT.  

Një analist tjetër politik Imer Mushkolaj, i tha DW-së se para dhjetë vjetësh pritjet e qytetarëve nga shteti i tyre kanë qenë shumë më të mëdha. "Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç mendohej as në aspektin e shtet-ndërtimit, por as në fusha të tjera. Sot Kosova është një shtet më shumë probleme, për shumë kënd vend me perspektive të zymtë që më shumë iu shërben interesave të klasës politike, sesa të qytetareve. Dhe përgjegjësinë për këtë gjendje e mban klasa politike e cila, me veprimet e veta, me qasjen e vet ka bërë që gjërat të ngecin”, thotë Imer Mushkolaj.

Sipas tij, nuk është e lehtë që një shtet të bëhet, por me një përkushtim e përgjegjësi më të madhe të lidershipit politik, gjendja do të ishte shumë më mirë. "Serbia e ka penguar gjatë gjithë kësaj dekade shtet-ndërtimin e Kosovës. Nëse nuk arrihet marrëveshje finale për njohjen e shtetësisë së Kosovës, atëherë problemet vetëm sa do të shtohen. Marrëveshja ndërmjet dy shteteve duhet të arrihet sa më shpejt, me ndërmjetësimin dhe garancën e SHBA-ve dhe BE-së. Kjo do të ndikonte për mirë në shtet-ndërtimin e Kosovës”, thotë Imer Mushkolaj.

Pritshmëritë e qytetarëve

Shumë qytetarë të Kosovës nuk janë të bindur se fundi i dialogut Kosovë-Serbi  i ndërmjetësuar nga BE-ja do të prodhojë si rezultat që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.  Në një hulumtim të opinionit të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), "Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve", konstatohet se 49% e qytetarëve të mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen direkte të SHBA-ve në këtë proces. "Janë 45% e të anketuarve nga komuniteti serb që ndajnë qëndrimin se dialogu duhet të vazhdojë edhe pa përfshirje të SHBA-ve në këtë proces, kundrejt vetëm 29% të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe 24% nga komunitetet e tjera të cilët mendojnë të njëjtën gjë”.

"51% e qytetarëve të anketuar nuk presin që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet gjatë vitit 2018. Qëndrim të ngjashëm ndajnë të gjithë qytetarët e anketuar pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. (48%) janë përgjigjur se nuk presin njohje nga Serbia në përfundim të procesit të dialogut. "Vetëm 1% e qytetarëve të komunitetit serb presin që Serbia do të njohë shtetin e Kosovës në përfundim të këtij procesi, krahasuar me 34% të qytetarëve të komunitetit shqiptar dhe 23% e qytetarëve të komuniteteve të tjera”, thuhet në hulumtimin e opinionit të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) "Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve".   E Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se "pavarësia e Kosovës është arritur në përpjekje të përbashkëta me SHBA-të dhe kjo e bën më të veçantë lidhjen mes dy popujve atij kosovar dhe amerkan.  SHBA-të në krye të NATO-s ka shpëtuar jetët e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj, që së bashku me Presidentin Hashim Thaci ishin në SHBA për lutjet e mengjesit.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA