...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kosova drejt një qeverie të re dhe fillimit të bisedimeve me Serbinë

Nëse gjykojmë nga qendrimet politike të ambasadorit amerikan, Grenell dhe Thaçit, të cilët kërkojnë jo vetëm heqjen e tarifave serbe por dhe ndërsjelltësinë me Serbinë, koncept të cilin kërkoi ta përdorte Kurti...dhe që po e përdor Trampi në marrëdhëniet ndërkombëtare, me siguri do të kemi një qeveri të re dhe një fitore për Vuçiçin/SHJ

Voa

19/04/2020 - 19:38

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell, tha të dielën se “posa të hiqen tarifat dhe reciprociteti, (mbase këtë javë) Atëherë bisedimet fillojnë seriozisht. Unë kam biseduar me udhëheqësit në Serbi dhe në Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë”, shkroi ambasadori Grenell në rrjetin social twitter.

Ai i bëri këto komente duke shpërndarë një postim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili paralajmëroi se “javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë për të luftuar COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”, shkroi presidenti Thaçi.

Më 25 mars parlamenti i Kosovës miratoi një mocion votëbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, i cili qe hedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara.

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i tij u mirëprit nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

Që nga rrëzimi i qeverisëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaci i ka kërkuar katër herë me radhë kryeministrit Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë emrin për mandatarin e ri.

Presidenti Thaçi mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkojnë që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas përfundimit të pandemisë.

Në një letër të së premtes, kryeministri në detyrë shkroi se nuk e refuzon kërkesën e presidentit, mirëpo, “ajo që nuk e kam te qartë është standardi i dyfishte qe Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rruge jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”.

Zoti Kurti i referohet faktit se në vitin 2010 dhe në vitin 2017 me mocion mosbesimi të suksesshëm ka rënë qeveria dhe më pas është shpërndarë parlamenti dhe janë shpallur zgjedhjet.

Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje pas pandemisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA