...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kosovë: 1/4 e fëmijëve nën 5 vjeç jetojnë në varfëri

Në Kosovë një në katër fëmijë të moshës nën 5 vjeç, jeton në ekonomitë më të varfra familjare

Voa

20/11/2020 - 17:11

Në Kosovë një anketë e publikuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, nxjerr në pah se një në katër fëmijë të moshës nën 5 vjeç, jeton në ekonomitë më të varfra familjare. Ndërisa vetëm rreth 40 për qind e fëmijëve të moshës 7 deri në 14 vjeç, kanë aftësi bazike të leximit dhe numërimit.

Bashkërenduesja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Richardson, tha se në Kosovë fëmijët po rriten në mënyrë të pabarabartë, ndërsa shfaqi shpresë që kjo anketë të përdoret për të përmirësuar këtë gjendje dhe për të hartuar politika në favor të fëmijëve.

“Kisha kënaqësinë të bashkohesha në një ditë pune ku uleshim me familjarë, prindër, motra e vëllezër më të rinj e të vjetër dhe debatonim për çështje si qasja në ujë të pijshëm, ngrohje, punësim, të ardhura, edukim dhe arsim. Është interesante se çfarë realitetesh të ndryshme kemi kaq afër nesh në Kosovë. Prandaj do të doja të shihja që kjo anketë të përdoret plotësisht për të përmirësuar politikat, për të rivlerësuar politikat tuaja”, tha ajo.

Anketa që përfshinë edhe vlerësimin e gjendjes së grave dhe të ekonomive familjare, vë në pah se një në dhjetë gra në Kosovë, të moshës 20 – 49 vjeç janë të martuara para moshës 18 vjeçe. Ndërsa te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian 4 në 10 gra janë të martuara nën moshën 18 vjeçe.

Anketa po ashtu tregon se vetëm 1 nga 5 familje jeton në shtëpi që përdorin energji nga lëndë djegëse të pastra dhe se 23 për qind e tyre përdorin ujë të kontaminuar.

Sipas të dhënave të anketës “Çfarë do të thotë të jesh fëmijë në Kosovë”, vetëm 15 për qind e fëmijëve ndjekin arsimimin e hershëm, madje mungon edhe nxitja në shtëpi. Edhe pse arsimi fillor është i detyrueshëm, 2 për qind e fëmijëve nuk vijojnë shkollën dhe kjo përqindje rritet për fëmijë që vijojnë shkollën e mesme të ulët dhe të lartë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria është e përkushtuar t’u sigurojë fëmijëve pa dallim, të gjitha mundësitë që të gëzojnë të drejtat që u takojnë.

“Agjencia e Statistikave e Kosovës, UNICEF-i dhe partnerët e tjerë të përfshirë në këtë projekt na kanë ofruar një tablo me shumë vlerë, nga e cila ne si Qeveri, por edhe institucionet joqeveritare dhe shoqëria civile në përgjithësi, mund të marrim informacione të rëndësishme për hartimin e politikave tona për të ardhmen”, tha zoti Hoti.

Anketa “Çfarë do të thotë të jesh fëmijë në Kosovë”, u publikua të premten, në ditën ndërkombëtare të fëmijëve. Zonja Richardson tha se kjo ditë duhet të festohet këtë vit më shumë se kurrë.

“COVID në të vërtetë ka vënë në sprove shoqëritë tona dhe mënyrën se si ne kujdesemi për fëmijët. Nga fillimi i pandemisë në muajin mars, jeta e 1.6 miliardë fëmijëve është ndikuar nga COVID-i dhe e dimë se një e treta e fëmijëve ishin jashtë procesit mësimor gjatë kësaj kohe. Jemi të vetëdijshëm se miliona fëmijë nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë këtë periudhë të humbur të arsimimit meqë nuk i kanë kushtet e nevojshme”, tha ajo.

Sipas të dhënave të kësaj ankete në Kosovë rreth pesë për qind të fëmijëve janë të angazhuar në punë, ndërsa mbi 70 për qind e fëmijëve disiplinohen në forma të dhunshme.

Në anketë nënvizohet edhe dallimi në mes fëmijëve të komunitetit shumicë në Kosovë dhe atyre të komuniteteve rom, ashkali apo egjiptian, posaçërisht kur flitet për arsimin apo shëndetësinë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA