...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Marrëveshja e qeverisë “Rama-Kurti”: iluzive dhe bumerang

Gjykuar nga karakteri i marrëveshjes (përshtatjes në politikat neoliberale) dhe dinamika e politikave neoliberale, marrëveshja nuk kontribon fare në përparimin e vendeve tona; përkundrazi, ajo krijon përshtypjen (ose iluzionin) se kontribon duke përdorur shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe synimin për të ndihmuar Kosovën gjatë muajve të dimrit me energjinë ujore që prodhon Shqipëria dhe gazin amerikan, sepse kërkesa për energji do të shtohet për sa kohë që shoqëria do të vazhdojë të përqendrohet në metropole, shërbime dhe jetë luksoze dhe për pasojë ndotja e ekosistemit do të vazhdojë ndërsa lidhur me zhvillimin e bujqësisë...

Ylli Përmeti

21/06/2022 - 14:10

Ministrat e qeverisë “Rama” udhëtuan paraditen e datës 20 qershor 2022 me autobus për në Prishtinë ndërsa “shefi” i saj udhëtoi me eskort meqënse nuk u pa në fotografinë e publikuar nga ministri i drejtësisë Manja. Autobuzi ishte më shumë një minibus se sa autobus. Por ishte, sidoqoftë, luksoz dhe me kushte klimatike që e bënte mbajtjen e xhaketës të detyrueshme. Kështu përpjekja për të treguar se qeveria e “Ramës” ka ndryshuar dhe është e thjeshtë apo kryeulët dhe kursen nga djersa e popullit, nuk bindi. Në këtë frymë ajo udhëtoi drejt Prishtinës për të zhvilluar mbledhjen e radhës në kuadër të përparimit të bashkëpunimit mes popullit shqiptar.

Mbledhja mes qeverisë “Rama” dhe qeverisë “Kurti” në Prishtinë u zhvillua sipas “axhendës” ose planit, ku çështjet i paraqesnin kryeministrat dhe i sqaronin ministrat. Pas kumptimit të tyre u nënshkruan 12 marrëveshje, 2 protokolle dhe 4 memorandume. Ato pasuan marrëveshjet e nëntorit të vitit të kaluar. Në marrëveshjet në fjalë kryefjala ishte ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe bashkimi doganor ose heqja e kontrolleve kufitare dhe tarifave doganore. Por po të lexohen me vëmendje marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet, të cilat përfshijnë ministritë tona, kuptohet se ato janë përshtatur në dinamikën kryesore të shoqërisë: në tregun e lirë dhe të hapur mes nesh. Se çfarë efekti kanë ato - do ta sqaroj pasi të krijojmë një tablo të plotë të përpjekjes.

Në konferencën për shtyp Rama njoftoi dhe organizimin e “një kuvendi të përbashkuar të dy republikave, një seancë jubilare ku presidentët e të dy shteteve do të jenë bashkë për të adresuar popullin shqiptar kudo ku ai ndodhet” dhe publikimin e një reviste e cila do të publikohet në fund të çdo viti dhe do të pasqyrojë përparimin e bashkëpunimit. Sipas tyre, kur filloi bashkëpunimi volumi tregtar ishte 136 milionë euro ndërsa në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së re ka arritur 433 milionë euro. Por ata synojnë të kalojnë mbi 1 miliardë dollarë.

Projekti i hekurudhës u paraqit në një video e cila ishte përgatitur nga një ndërmarrje holandeze (Royal Haskoning DHV) ndërsa është firmosur bashkëfinancimi i studimit të zbatueshmërisë (ose “fizibilitetit” siç thanë “patriotët” e gjuhës shqipe). Një tjetër nismë e përbashkët lidhet me hartimin e një Abetareje të përbashkët. Ajo pritet të miratohet nga një komision dhe më pas do të shpërndahet. Dhe një nismë tjetër lidhet me realizimin e enciklopedisë shqiptare, me 10 vëllime, me bashkëfinancim nga të dyja qeveritë.

Nuk mungoi përmendja lidhur memospajtimin për Ballkanin e Hapur mes palëve. Por pavarësisht këtij fakti “marrëdhëniet bilaterale”, tha Rama, ecin përpara. Rama u mundua t`u përgjigjësh dhe aluzioneve (nga Buzhala, Bushati etj.) se ai po komploton me oligarkët e Kosovës për të rrëzuar Kurtin duke thënë se “Unë takohem me bizneset e Kosovës në Kosovë apo Shqipëri dhe kjo nuk është diçka që ka të bëjë me marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës dhe nuk duhet të përfshihet këtu asnjë lloj aluzioni dhe asnjë lloj spekulimi sepse thjesht nuk është i vërtetë”. Madje pyetjes së një gazetari lidhur me aluzionin në fjalë Rama iu përgjigj se “qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit”. 

Mbledhja u kurorëzua me disa fotografi ku në sfondin e njërës prej tyre qendronte “8” horizontale. Disa numerologë thonë se ajo tregon profesionalizëm ose zanat siç do ta quanim në shqip, liri materiale, pasuri, dhe vetë-besueshmëri; të tjerë thonë se ajo lidhet me dhembshurinë, lirinë dhe vetë-mbështetjen; dhe të tjerë, matematicienë, thonë se ajo lidhet me pafundësinë dhe rrjedhën e vijueshme të energjisë dhe fuqisë; balancën dhe harmoninë; pathyeshmërinë dhe përjetësinë.

Ky simbol është bërë i “modës” dekadën e fundit. Se cilin nga këta kuptime kishte “8” horizontale e takimit në Prishtinë mes qeverisë “Kurti” dhe “Rama”, mbetet ta sqarojnë vetë ata; ne vetëm mund të hamendësojmë dhe të hamendësosh saktë ose drejt tregon aftësi leximi të mendjes së tjetrit. Gjykuar nga fakti se ne si popull kemi luftuar bashkë kundër pushtuesve të huaj dhe kemi mbijetuar, nuk kërkon shumë mend për të kuptuar se simboli i kurorëzimit të mbledhjes së radhës me tetën horizontale lidhet me pathyeshmërinë dhe përjetësinë tonë si popull.  

Rama njoftoi, gjithashtu, dhe një nismë tjetër të qeverisë së tij: se do të shkonte në Këshillin Evropian për t`i treguar atij ―përmes një rezolute― se raporti i Martinit është pabazuar në fakte. Sipas tij, ky është hapi i parë “për të paralajmëruar hapin e dytë në shtator në Strasburg ku do të shkojmë për ta ngritur çështjen atje, në Këshillin e Europës, dhe për t`i kërkuar të distancohet nga Dik Marti, se nuk ka asnjë provë”...duke rrëfyer dhe arsyen: se përfaqësia jonë në OKB akuzohet nga përfaqësia ruse atje se jemi mëkatarë: “Është e papranueshme që Rusia na tregon gishtin, shkoni ju dhe jepni llogari një herë për organet që keni trafikuar dhe pastaj hajde flisni këtu sepse sot e gjithë ditën ju s`keni dhënë llogari. Kjo është e papranueshme, dhe ne duhet të reagojmë shumë, shumë fortë në këtë drejtim jo vetëm me llafe por me akte”, tha ai, pa paraqitur ndonjë fakt.

Me siguri ai beson se tani që Rusia u largua nga Këshilli Evropian ky i fundit mund ta kthejë rrotën e historisë në dobi të drejtuesve në fjalë. Ndërsa në faqen e OKB-së nuk gjendet ndonjë fakt lidhur me akuzën e Ramës ndaj përfaqësisë ruse në OKB, kujtoj se që kur qarkulloi raporti i Dick Marty, ish-prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, për UÇK-në, në 16 dhjetor 2010,  thuhet shpesh se Këshilli Evropian ishte politizuar nga Rusia dhe Serbia me qëllim që të damkosnin luftën e shqiptarëve. Kjo akuzë nuk bazohet në ndonjë fakt por veç në hamendësime dhe shpërnjeh faktin se Rusia përpara raportit në fjalë mbështeti ndërhyrjen ushtarake në Serbi në Këshillin e Sigurimit dhe ajo “kurrë nuk ishte përgatitur për të sfiduar aleancën mbi Kosovën” pavarësisht se Jelcini kundërshtoi si fillim. 

Por le t`i kthehemi efekteve të marrëveshjes, sepse kjo çështje është më e rëndësishme.

Gjykuar nga karakteri i marrëveshjes (përshtatjes në politikat neoliberale) dhe dinamika e politikave neoliberale, marrëveshja nuk kontribon fare në përparimin e vendeve tona; përkundrazi, ajo krijon përshtypjen (ose iluzionin) se kontribon duke përdorur shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe synimin për të ndihmuar Kosovën gjatë muajve të dimrit me energjinë ujore që prodhon Shqipëria dhe gazin amerikan, sepse kërkesa për energji do të shtohet për sa kohë që shoqëria do të vazhdojë të përqendrohet në metropole, shërbime dhe jetë luksoze dhe për pasojë ndotja e ekosistemit do të vazhdojë ndërsa lidhur me zhvillimin e bujqësisë, me bashkëpunimin në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes së saj dhe zhvillimit rural, dhe shkëmbimin e përvojave për proceset teknike, nënkuptohet se do të vazhdojmë të mbështetemi kryesisht në fondet e BE-së dhe në të njëjtën dinamikë: konkurrencën e lirë ku kostua e energjisë motorrike dhe plehrave kimike do të vazhdojë të jetë e lartë për gjithë fermerët. 

Pa zgjidhur, rrjedhimisht, çështjen e energjisë motorrike dhe plehrave kimike, dhe disa çështje dytësore që lidhen me bujqësinë, ne kurrë nuk mund të përparojmë edhe nëse vërehen “përparime” në “xhepat” e disa ndërmarrjeve me karakter global si “Devolli Corporation” etj. Kështu përpjekjet për të përparuar në fushat e arsimit, kulturës, mjedisit dhe të sigurisë minohen pikërisht nga ekonomia dhe kryesisht nga sektori i energjitikës dhe bujqësia, dhe i bënë ato fjalë që përkthehen në “vepra” me karakter iluziv (dhe shkatërrues, sidomos lidhur me krizën ekologjike) se sa vepra që themelohen mbi një sektor energjitik dhe bujqësor konkurrent: me kosto të ulët dhe cilësi të lartë.

Në fund, vlen të përmendet fakti se qeveria “Rama” vepron ndërkombëtarisht kur shkelen të drejtat e shqiptarëve si në rastin e luftës sonë kundër agresionit serb. Por kur shkelen të drejtat e shqiptarëve si ato në Luginën e Preshevës apo Çamëri, hesht!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA