Më pak nxënës, më pak shkolla, Shqipëria po rrudhet nga viti në vit
Numri i nxënësve nëpër shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme në Shqipëri po bie në mënyrë drastike nga viti në vit si pasojë e rënies së lindshmërisë. Në shumë zona shkollat po mbyllen ndërsa popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme të pabesueshme.
Birn
11/10/2017 - 10:13
Në vitin arsimor 2012-2013, në Shqipëri numëroheshin 1,472 shkolla nëntëvjeçare me 25,363 mësues. Katër vjet më vonë, në vitin arsimor 2016-2017, numri i shkollave ka rënë në 1,370 ndërsa numri i mësuesve ka rënë në 24,866. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave në raportin Vjetari Statistikor Rajonal, tregojnë një Shqipëri me popullsi që tkurret me disa mijëra vetë në vit, por nëse shihen statistikat e lindjeve dhe të nxënësve më vete, vërehet se rënia e popullsisë pritet të jetë shumë më drastike në vitet dhe dekadat e ardhshme. Statistikat në seksionin e Arsimit në këtë publikim të INSTAT [Link] tregojnë se gjatë katër viteve të fundit janë mbyllur gjithsej 102 shkolla nëntëvjeçare, ose mesatarisht 25 shkolla në vit.
Rënia e numrit të shkollave, dhe rrjedhimisht të mësuesve, është në fakt pasojë dhe jo shkak. Shkaku është rënia dramatike e numrit të lindjeve dhe numrit të nxënësve. Numri i lindjeve shënoi kuotën më të ulët në një shekull në vitin 2016, në më pak se 32 mijë. Katër vjet më parë, në vitin 2012, numri i lindjeve pati qenë 35 mijë ndërsa njëzet vjet më parë, në vitin 1996, qe 68 mijë.
Në vitin 2012, në shkollat nëntëvjeçare shqiptare kishte 391 mijë fëmijë, ndërsa sot ka 328 mijë. Brenda katër vitesh, numri i fëmijëve ka rënë me mbi 63 mijë vetë ose 15 mijë vetë në vit. Rënia kaq e shpejtë e numrit të nxënësve nuk shpjegohet dot vetëm me rënien e lindjeve. Nëse shohim pas në kohë, numri i lindjeve ka rënë me mesatarisht me 2 mijë në vit, ndërsa numri i nxënësve duket se ka rënë me ritëm shumë më të lartë se sa numri i lindjeve. Për rrjedhojë, emigrimi mund të jetë shkaku tjetër i rëndësishëm i rënies së numrit të nxënësve.
Numri i shkollave të mesme dhe i nxënësve në këto shkolla ka rënë gjithashtu ndërsa numri i mësuesve është rritur. Në vitin 2012, në Shqipëri kishte 511 shkolla të mesme ndërsa aktualisht ka 504. Numri i nxënësve në këto shkolla ka rënë nga 154 mijë në në 127 mijë. Numri i mësuesve qe më 2012 8610 ndërsa është sot 9042.
Të gjitha qarqet e vendit kanë njohur rënie të numrit të nxënësve si në shkollat nëntëvjeçare ashtu edhe në shkollat e mesme. Rënia në numrin e nxënësve vërehet edhe në qarqet Tiranë e Durrës, dy qarqet për të cilat, vlerësimet e INSTAT flasin për rritje të popullsisë si pasojë e migrimit të brendshëm dhe jo rënie.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads