...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nisma e Uashingtonit me “Ballkanin e Hapur” dhe mashtrimi i Berishës me projektin serbo-rus: o popull!

Ndryshimi kryesor mes “Procesit të Berlinit” dhe “Ballkanit të Hapur” është se në të parin është protagonist Berlini ndërsa në të dytin është Uashingtoni. Për këtë ndryshim janë shprehur pakënaqësi në Berlin por s`e kundërshtojnë Uashingtonin për nismën e re për sa kohë që ajo përparon të njëjtin proces dhe përmes të njëjtës “strategji”.

SHJ

20/12/2021 - 18:15

Berisha protestoi sot me mijëra mbështetës kundër “Ballkanit të Hapur” dhe korrupsionit të qeverisë “Rama” por duke shtrembëruar plotësisht të vërtetën lidhur me të parin. Ai tha edhe një herë se ai është një projekt serbo-rus dhe shkon kundër “Procesit të Berlinit”. Por e vërteta qendron ndryshe, të cilën e kemi publikuar në një studim të plotë muaj më parë për të njëjtën arsye, falë punës së Ylli Përmetit: për të treguar të vërtetën e plotë.   

Berlini dhe Uashingtoni nxjerr blof opozitën “Berisha”

Në fund, vlen të përmendet fakti se nisma në fjalë nuk kundërshtohet nga Uashingtoni! Përkundrazi, Uashingtoni e mbështet atë: sepse përputhet me globalizmin neoliberal të cilin kontrollon SHBA-ja me gjashtë aleatët e tjerë të G7. Ky fakt u vërtetua pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes pasi u zhvillua një debat në Uashington pikërisht për bashkërendimin e qendrimit të Uashingtonit dhe Berlinit lidhur me nismën në fjalë dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Si fillim u njoftua qendrimi gjerman nga Rama, duke “thumbur” paralelisht kundërshtarët e tij—domethënë, opozitën e Berishës dhe Bashës dhe “profesorëve” që militojnë pranë saj, se projekti i Ramës ishte i Vuçiçit dhe Sorosit dhe jo i Uashingtonit dhe Berlinit. Më konkretisht, zëdhënësi e qeverisë gjermane tha se “çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal” duke përmendur faktin se “gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në mbledhjen e fundit të procesit të Berlinit më 5 korrik”.  

Në një qendrim të vetëm Berlini e bëri të qartë si kristali se jo vetëm e mbështet nismën e treshes por e këshillon atë ta mbajë të hapur marrëveshjen për tre vendet e tjerë që të jetë “gjithëpërfshirës”! Domethënë, që rajoni të integrohet i tëri në BE…duke mos përmenduar fare pabarazitë mes nesh dhe synimet serbe dhe greke në Shqipëri dhe efektet e politikave neoliberale! Pas mbështetjes gjermane pasoi dhe mbështeja nga Uashingtoni: zëdhënësi e departamentit të shtetit u shpreh se “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standarteve të BE-së” ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të rajonit “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”. Nuk harroi të përmendte dhe rëndësinë “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike” në një treg të përbashkët rajonal ku korporatat dhe bankat tregëtare të lëvizin lirshëm duke mos paguar taksa dhe bashkë me to dhe punëtorët, sigurisht, sa herë të lejohen nga të parët, përmes “garantimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”. Në fjalë të tjera, si Berlini ashtu dhe Uashingtoni kërkojnë “gjithëpërfshirjen” e rajonit në nismën e treshes ballkanike me qëllim që të “rriten ekonomikisht”! 

Revolta që pasoi pas nënshkrimit të “Jugosllavisë së re” nga organizata të ndryshme (Organizata Shqiptarët e Bashkuar në Detroit të Michigan-it, etj.), të cilat kërkuan dorëheqjen e Ramës si kryeministër pikërisht sepse përdhos ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës duke bërë aleancë me të papenduarit e Serbisë për krimet ndaj shqiptarëve, është e drejtë. Por ajo nuk e lidh sjelljen e Ramës me politikat neoliberale. Moslidhja me politikat neoliberale i bënë këto “revolta”, më shumë në ‘rrjetat shoqërore’ se sa në terren, iluzive, sepse kushdo që të jetë në vend të Ramës do të vepronte njësoj: së pari, sepsa Rama nuk ka parashturar ndonjë strategji të tijën, ndryshme nga çka këshillon BE-ja, Uashingtoni dhe Sorosi, megjithëse në Bruksel dhe Uashington ka zëra që kërkojnë që Serbia të kërkojë ndjesë për krimet që ka shkaktuar ndaj shqiptarëve por deri tani “strategjia” zyrtare mbetet e njëjta —të anashkalohen çështjet historike dhe të përparohet me integrimin!— në raport me Serbinë. Së dyti, partia e Ramës është neoliberale dhe integrimin në BE e ka pjesë të politikave të saj. Duke qenë një “Ramë” pa strategji dhe me një parti që mbështet politikat neoliberale, ca si pasojë e padijes së saj dhe ca si pasojë e mbështetjes që gëzon nga një përqindje e konsiderueshme e popullit (rreth 800 mijë votues), çfarë mund të presim nga Rama: të sillet ndryshe me Serbinë?!

Qoftë edhe argumenti se fajin e ka Amerika, sepse lejoi nismën përkatëse, është pjesërisht i drejtë: sepse Amerika mbështet çdo popull që kërkon të integrohet në rendin që ajo drejton. Në rastin tonë, shumica e popullit kërkon të integrohet në sistemin që ka krijuar vetë Amerika! Dhe qoftë edhe lejimi i artistëve serbë —dikur frymëzues dhe mbështetës të genocidit ndaj shqiptarëve— është pjesë e “strategjisë” së BE-së: të shikimit përpara duke harruar të kaluarën. Kjo strategji buron nga “ngutja” e BE-së (por dhe e Uashingtonit) për të integruar Ballkanin. Mirëpo, ajo bart pasoja të rrezikshme: sepse shkakton zemëratë më të madhe në popullin tonë. Kjo zemëratë është plotësisht e drejtë.

Qoftë edhe për BE-në dhe Uashingtonin është një “strategji” e gabuar: sepse mban qendrime të ndryshme lidhur me masakrat që kreu Gjermania në Luftën e Dytë Botërore dhe masakrat që kreu Serbia në fund të shekullit të kaluar. Gjermania, siç dihet, kërkoi ndjesë dhe kërkon çdo vit për ato masakra. Në vetë-vete ky veprim e bën atë të matur. Serbia, ndërkohë, nuk ka kërkuar ndjesë! Përkundrazi: ajo ndihet krenare! Pse? Sepse mbizotëron bindja se ajo zhvilloi një luftë të drejtë. Kjo bindje e bën atë tejet të rrezikshme pavarësisht faktit se në Kosovë gjendet një bazë ushtarake amerikane.

Mbështetjen për “Ballkanin e Hapur” e përforcoi Merkeli me vizitën e saj në Tiranë në shtator 2021: ajo tha se “Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha kancelarja Merkel. Duke folur për Procesin e Berlinit, ajo tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit” dhe se ky proces “nuk ka dështuar”. “Mendoj se shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit dhe shumëçka është në rrugën e duhur”, deklaroi Merkel. 

Ndryshimi kryesor mes “Procesit të Berlinit” dhe “Ballkanit të Hapur” është se në të parin është protagonist Berlini ndërsa në të dytin është Uashingtoni. Për këtë ndryshim janë shprehur pakënaqësi në Berlin por s`e kundërshtojnë Uashingtonin për nismën e re për sa kohë që ajo përparon të njëjtin proces dhe përmes të njëjtës “strategji”. 

Për më shumë           

Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA