...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Opozita parlamentare dhe “Nisma Thurje” drejt mashtrimit të emigrantëve?

Sipas INSTAT, të paktën 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. Ata përbëjnë rreth 36% të totalit të shtetasve të Shqipërisë

Voa

28/06/2020 - 09:40

Diskutimet e fundit politike në Tiranë po mundësojnë për herë të parë pjesëmarrjen e emigrantëve shqiptarë në proceset zgjedhore të Shqipërisë. Megjithatë mosbesimi është ende i madh nga pikëpamja politike, po aq sa edhe paqartësia nga ana teknike. 

Sipas INSTAT, të paktën 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. Ata përbëjnë rreth 36% të totalit të shtetasve të Shqipërisë. Kjo shifër e rritur në vite e ka kthyer në qendër të vëmendjes të drejtën e votës së tyre.

“Ne futemi nga ato vendet e pakta në botë ku numri i emigrantëve ëshë gati i barabartë me nr e shtetasve që votojnë në Shqiperi, dhe për pasojë, duke qenë gjysma e popullsisë aktive dhe njerëz që kontribuojnë me të ardhura në ekonominë shqiptare pra mes familjeve të tyre apo investimeve, ata duhet të marrin pjesë në vendimmarrjen politike, një e drejtë që jepet edhe nga kushtetuta e Shqipërisë”,-tha për Faktoje Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike.

Ekspertët e çështjeve zgjedhore vlerësojnë se ka munguar vullneti politik për të realizuar premtimet e shpeshta nga partitë kryesore mbi pjesëmarrjen në votime të emigrantëve. Ky premtim u shpreh qartë për herë të parë në vitin 2013 nga Partia Socialiste dhe që nga ajo kohë tashmë kanë kaluar 7 vjet. Ndërsa në fjalimet e opozitës kjo temë nuk përmendet shpesh.

“Në dijeninë time një gjë e tillë nuk është realizuar, sepse edhe kur është diskutuar, opozita jashtëparlamantare nuk ka marrë pjesë. Në vlerësimin tim, mundësia më e mirë do të jetë ajo përmes postës. Problem tjetër është se çfarë peshe do të ketë vota e emigrantëve. Ne jemi në kushtet kur shqiptarët që ndodhen jashtë vendit përbëjnë një përqindje të konsiderueshme në listën e përgjithshme të zgjedhësve. Sa këto vota do të prodhojnë mandate dhe si do i prodhojnë”, - tha Kristaq Kume, nga Instituti për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore.

Një nga pjesëtaret e Këshillit Politik është Rudina Hajdari, deputete e opozitës e cila ka jetur për shumë vite jashtë Shqipërisë. Ajo thotë se dëshira e shtetasve shqiptarë jashtë vendit për të votuar është e madhe, por politika nguron për ta zgjidhur këtë çështje.

“Duke qenë se kam qenë pjesë e diasporës dhe kam jetuar në Amerikë dhe i njoh mirë këto nevoja dhe dëshira, kam dashur të kontribuoja për vendin tim, të kisha fjalën time, në vendimmarrje. Nuk ka ndodhur, por jemi 30 vite pas. Vendet e tjera të rajonit e kanë bërë. Shikoj një lloj ndrojtje dhe frikë dhe që nuk e do këtë lloj ndryshimi, sepse do ketë një impakt në zgjedhje, është një grupim që nuk e kontrollon dot. Ka elementë teknikë, por nuk duhet të fshihemi pas gishtit”, tha zonja Hajdari për Faktoje.

Atë që nuk e konkretizuan partitë politike për shumë vite, Nisma Thurje e dorëzoi në formën e një projektligji me 56 nene në Kuvend, së bashku me firmat e 50 mijë qytetarëve, ku propozohen disa rregulla për votimin e emigrantëve.

Përfaqësuesi i saj, Endri Shabani thotë se emigrantët sjellin remitanca sa 9% e GDP-së prandaj kanë të drejtë të zgjedhin.

“Ajo që po ndodh është që ata sjellin dhe vendimet i merr dikush tjetër. Vota e emigrantëve mund të ulë manipulimin e vullnetit të zgjedhësve, në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë 1,6 mln votues ndërkohë që në Europë jetojnë 1 mln shqiptarë, nqs do kishim një trup votuesisht që jetojnë të paktën në Europë dhe në botë do kishim dyfishin e numrit të zgjedhësve që dmth çdo tentativë për të vjedhur votat do të relativizohet sepse do kishim një trup shumë të madhe zgjedhësish që nuk i blen dot me 50 Euro siç ndodh me qytetet e varfra apo nuk i kërcënojnë dot bandat e partive politike”, tha zoti Shabani.

Kuvendi miratoi dy vjet më parë, një Strategji për Diasporën. Shqipëria, sipas kësaj strategjie duhej të krijonte një regjistër për diasporën brenda vitit 2018. Sot, pas dy vjetësh, Ministria e Brendshme në një përgjigje zyrtare për Faktoje thotë se procesi i regjistrimit të adresave do të nisë tani në korrik dhe gjatë këtyre dy viteve janë marrë me përgatitje teknologjike, kompjutera dhe IT.

“E gjithë retorika që është përdorur nëpër mbledhje me idenë që të gjenin një zgjidhje, janë diskutuar ide të ndryshme, krijimi i një zonë të veçantë në Tiranë apo forma të tjera kanë qenë më shumë deklarative dhe nuk ka pasur realisht një platformë dhe një draft që jetëson votën e emigrantëve. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me vullnetin politik për shkak se në dijeninë time një nga partitë e mëdha është kundër parimisht votës së emigrantëve por Shqipëria nuk ka një regjistër të emigracionit në botë, e gjithë retorika për votën është për konsum politik dite”, -shtoi zoti Krasniqi.

Vonesat me votimin e emigrantëve kanë vënë në dyshim angazhimin e politikës shqiptare në këtë çështje, thotë Rudina Hajdari, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore.

“Edhe këtë radhë është diskutuar për votën e emigratëve por nuk është marrë seriozisht. Edhe këtë herë ne dështuam duke bërë telenovela se çfarë do të ndodhë brenda asaj tryeze. Flitet për të dhe ia mbajmë shpresën diasporës dhe në fund i zhgënjejmë. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë më sepse kanë të drejtën e tyre dhe ndihen të përdorur nga politika”, - tha ajo.

Përfaqësues të mazhorancës kanë thënë se votimi i emigrantëve do të jetë përgjegjësi e KQZ. Por edhe ky qëndrim shihet me dyshim nga ekspertët e pavarur.

“Është jonormale dhe e paparanueshme që e gjitha kjo të realizohet nga KQZ që është institucion që vetëm mund të ndërtojë rregullat nënligjore por e ka të pamundur që të jetë ai që t'u japë zgjidhje atyre që ju thashë. Mund të arrihen vetëm me dakortësi, duhet të fiksohen në Kodin Zgjedhor”, - tha studiuesi Kristaq Kume.

Përfaqësuesit e Diasporës shqiptare vazhdojnë të mbledhin nënshkrime në peticionin e tyre për të bindur ligjvënësit që të trajtojnë shpejt dhe me kujdes çështjen e votimit të tyre në atdhe.

Ekspertët mendojnë se përfshirja e emigrantëve në zgjedhjet e Shqipërisë është një e drejtë e tyre njerëzore dhe kushtetuese.

Për më tepër ky është edhe një shans për të futur mendësi dhe kulturë të re demokratike në atdheun e tyre ku politika ekzistuese bie shpesh në kriza dhe ngërçe.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA