...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse ranë shpenzimet në edukim dhe sport përgjatë viteve 1991-2016?

SHJ

24/08/2017 - 10:40

Qeveria e Shqipërisë socialiste i dha përparësi edukimit dhe sporti ishte pjesë e tij. Si rezultat, në krye të dyzetë vjetëve të socializmit marksist, u ndërtuan 28 stadiume, 11 pallateve sportive dhe 17 pishina. Rezultati i mëtejshëm ishte se përgjatë dekadës ’80-90 sporti shqiptar arriti në nivele botërore.[1]

Shpenzimet për arsimin në vitin 1991 ishin 5 për qind të PPB-së. Si pasojë e kaosit ekonomik dhe veçanërisht të krizës që shkaktoi Berisha në ’97, shpenzimet në edukim ranë në 2.8 për qind në vitin 2002. Përqindja nga buxheti shtetëror ra nga 12 për qind në vitin 1994 në 10 për qind në vitin 2003. Si përqindje e PPB-së, shpenzimet publike në edukim ishin poshtë mesatares së OECD-së prej 5.5 për qind. Si përqindje e buxhetit shpenzimet publike ishin gjithashtu poshtë mesatares prej 12 vs. 14.5 për qind të OECD-së. Shpenzimet tërësore në vitin 2003 ishin 18.9 miliard lekë ose thuajse sa gjysma e vitit ‘91. Reduktimi i shpenzimeve dëmtoi veçanërisht të varfërit: sepse qeveria filloi ta zhvendoste barrën e shpenzimeve të librave drejt prindërve.[2]

Shpenzimet kanë qenë, siç shqyrton Banka Botërore, për shkak se janë kryer, në një mënyrë ‘jostrategjike’ dhe janë keqadministruar në sektorin përkatës. Për të njëjtën arsye ajo propozonte në atë kohë një sërë masash duke përfshirë dhe rritjen e përqindjes së shpenzimeve në edukim. Megjithë pritshmëritë ndjellamirë të asaj kohe dhe rritjes ekonomike në shifra të pazakonta (kryesisht si pasojë e remitancave dhe investimeve të huaja), qeveria Berisha nuk e nxori dot vendin nga varfëria në të cilën e zhyti dhe bashkë me të dhe edukimin: kështu ia la “stafetën” partisë “socialiste”, e cila e ka zhytur edukimin, si pasojë e politikave kursimtare që ka adoptuar, edhe më shumë!

Në vitin 2016-të shpenzimet kanë rënë në 2.24 për qind të PPB-së dhe shpenzimet publike ishin 7.61 për qind ose 36 miliard e 461.3 milion lekë.[3]Kjo përqindje është më pak se gjysma e vitit 1991 kur Shqipëria ishte në kulmin e krizës! Në të vërtetë, në kulmin e krizës ekonomike, Shqipëria kishte një përqindje shpenzimesh në sektorin e edukimit dhe sportit mbi mesataren e vendeve të OECD-së.



[1]Vështrim historic: 85-vjetori i krijimit të federatës sportive dhe evoluimi i saj në vite, Panoramasport, 26 qershor, 2015.

[2]Albania, Poverty and education in Albania: who benefits from public spending? World Bank, March 2005, Report No. 31983-AL.

[3]Raport monitorimi, Ministria e arsimit dhe sportit (Janar-Dhjetor 2016)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA