...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria rrënon edhe më shumë bujqësinë duke ulur fondet

Edhe pse është një sektorët më pak të financuar nga buxheti i shtetit, fondet që qeveria jep për bujqësinë pritet të ulen më tej gjatë viteve në vijim

Top Channel

26/08/2018 - 21:39

Në programin buxhetor afatmesëm, qeveria ka vendosur që buxheti për Ministrinë e Bujqësisë të ulet vit pas viti, duke zbritur nën 0.5 për qind e prodhimit kombëtar.

Sipas të dhënave zyrtare në buxhetin e vitit 2018, qeveria ka parashikuar 10.9 miliardë lekë ose 0.66 për qind të prodhimit kombëtar për Ministrinë e Bujqësisë.

Por për vitin e ardhshëm, financimi për bujqësinë do të ulet në 0.53 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vitin 2021 ai do të zbresë edhe më në 0.48 për qind e PBB-së.

Aktualisht bujqësia është sektori që siguron pjesën më të madhe të punësimit në shkallë kombëtare, duke punësuar gati gjysmën e popullsisë. Paralelisht prodhimi që vjen nga bujqësia përbën rreth 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Por ndonëse është sektori që punëson më shumë njerëz dhe një nga kontributorët më të mëdhenj në prodhimin total që gjeneron ekonomia shqiptare, financimet publike për bujqësinë janë gati të papërfillshme dhe madje do të rrudhen më tej gjatë viteve në vijim.

Në kuadrin makroekonomik dhe fiskal qeveria është angazhuar që të ulë borxhin publik nga rreth 69 për qind që është aktualisht, në 63.5 për qind brenda vitit 2020. Ky shtrëngim i politikës buxhetore pritet të prekë edhe sektorë të tjerë përveç bujqësisë, pasi qeveria do të ketë më pak hapësirë për të marr borxh të ri.

Me rënien e financimeve publike, shpresa e vetme që fermerët të marrin më shumë mbështetje financiare mbeten grantet nga Bashkimi Europian. Por ndonëse qeveria ka lajmëruar se nga këto grante do të jepen rreth 100 milionë euro, deri tani disbursimi i tyre s’ka filluar ende.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA