...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Raporti i BERZH: Ballkani Perëndimor, prodhim të ulët - të rrisë privatizimet

Ballkanit Perëndimor i duhen dekada për të arritur standardin mesatar të jetesës në BE

DW

27/02/2018 - 13:18

Shënim: kujtojmë se kur dëgjojnë politikanët e rajonit raporte të tillë - binden menjëherë: sepse s'kanë dije sistemike. Ndaj mos të befasohemi nëse ata propagandojnë tezat e raporteve që paraqet BERZH-i e institucione të tjerë me karakter global. Për të kuptuar se BERZH-i gabon, mjafton të përmendim një fakt: kur tregon se rajoni s'ka produktivitet argumenton se për ta rritur atë duhet të rritet konkurrenca përmes privatizimeve dhe rendit ligjor. Dhe ne pyesim: sa mundësi kanë vendet e rajonit të konkurrojnë me vendet perëndimore kur këta të fundit kanë krijuar plotë avantazhe?  

Nga dështimi i “politikave subvencioniste” të Rumanisë në ngritjen e “nacionalizmit neoliberal” në Poloni e më tej

Produktiviteti i ulët shkak themelor i zhvillimit të ulët ekonomik në BP

Produktiviteti i ulët reflekton institucionet e dobëta dhe mjedisin e vështirë të biznesit në BP, konstaton raporti. Sfidat më të mëdha që gjashtë vendet e rajonit duhet të fitojnë janë ato në fushat e konkurrencës dhe qeverisjes së mirë. Realiteti aktual në BP është i tillë ku ''institucioneve të dobëta u shtohet edhe prania e madhe e shtetit në industri të caktuara, gjë që frenon  sektorin privat, kontribuesin kryesor të prodhimit ekonomik nga arritja e potencialit të plotë të tij."

Raporti vëren se produktiviteti i sektorit privat në të gjithë BP është vetëm 60 % i nivelit të BE në tërësi, ku industritë përpunuese kanë 55 % produktivitet dhe shërbimet kanë një mesatare prej 70 %. Përveҫ kufizimeve në produktivitetin e ekonomive dhe rritjen e tij  raporti identifikon nivelin e ulët të përfshirjes së të rinjve, konkurrencën e pandershme nga sektori informal, korrupsionin, administratën e rëndë tatimore dhe probleme me energjinë elektrike. Kjo situatë lë një zonën evropiane me rreth 20 milionë njerëz, të rrethuar nga vende të BE-se, të ketë Prodhimin e Përgjithshëm Brutto, (PPB) me një mesatare për individ që është vetëm një e katërta e shumës që ka një individ në vendet më të pasura të BE-se në Evropën Perëndimore.

Si mund të mbyllet hendeku i mireqënires mes BP dhe BE?

Peter Sanfey, kryekonomist, Zëvendës Drejtor i BERZH në Departamentin për Ekonominë dhe Politikat është optimist se situata mund të ndryshojë për mirë. "Hulumtimi ynë tregon çështjet që duhet të adresohen. Por është gjithashtu e rëndësishme të shihet se këto janë sfida, jo pengesa të pakapërcyeshme. Ato tregojnë nevojën për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës dhe të gjerë reformash”

Për të mbyllur hendekun e produktivitetit ekonomik dhe nivelit të mirëqënies së qytetarëve të BP me ata të BE fjala kyҫ është intensifikimi i reformave [privatizimet] që kanë për qëllim ndërtimin e ekonomive të qëndrueshme të tregut. Raporti u bën thirrje vendeve të BP të nxisin një sektor privat dinamik dhe të gjallë, të mbështetur nga flukse të fuqishme të investimeve vendase dhe të huaja ku "shteti duhet të luajë një rol të rëndësishëm duke siguruar sundimin e ligjit, një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik dhe rregulla të qarta loje për bizneset. "

Platformë rajonale elektronike ''one shop stop" për investime në BP

Burime nga BERZH bëjnë të ditur se në konferencën për investimet në rajonin e BP u paraqit edhe kjo platformë. Ajo pritet të rrisë forcën tërheqëse të rajonit për investime të huaja direkte, si motori kryesor i rritjes ekonomike. Platforma Rajonale do të ofrojë shërbime ''one shop stop" për investitorët e huaj të interesuar për Ballkanin Perëndimor. Ajo është frut i bashkëpunimit mes Dhomave Kombëtare të Tregëtisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Platforma do të luajë rol të rëndësishëm për iniciativa që do të eliminojnë barrierat e biznesit dhe krijojnë një harmonizim të rregulloreve, procedurave dhe praktikave për operacione më efikase të biznesit të kompanive. Kjo platformë e ngritur me mbështetjen e BERZH shihet si një investim kryesor institucional në Ballkanin Perëndimor.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA