...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Regnum: një “fije” ruse që drejton Serbinë kundër shqiptarëve?

Broshura është një Përmbledhje e 11 shkrimeve të autorëve rusë dhe serbë, të botuara në kohë (data) të ndryshme në faqen e agjencisë, i quajtur REGNUM (regnum është fjalë latine për mbretëri).

Adil Fetahu

04/10/2021 - 09:32

Më 25 shtator 2021, në kulmin e “Krizës së targave” në  kufirin verior  të Kosovës, të cilën e shkaktoi pushteti kriminal i Serbisë, përmes  ekspoziturës së vet në Kosovë, e quajtur “Lista srpska” dhe ekstremistëve të tjerë serbë,- një agjenci informative i gënjeshrave dhe propagandës ruso-serbe botoi dhe lëshoi në qarkullim një broshurë të titulluar: “Kosova, Serbia dhe Rusia”.  Broshura është një Përmbledhje e 11 shkrimeve të autorëve rusë dhe serbë, të botuara në kohë (data) të ndryshme në faqen e agjencisë, i quajtur REGNUM (regnum është fjalë latine për mbretëri).

Shkrimet e botuara në atë borshurë kanë të bëjnë kryesisht me statusin e Kosovës, ndërsa përmbajnë edhe kritika të ashpra kundër regjimit aktual të Serbisë dhe konkretisht kundër Aleksandër Vuçiçit, për gjoja se në dialogun që po zhvillon me përfaqësuesit e Kosovës, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por pa pjesëmarrje të përfaqësuesit të Rusisë,  ka bërë e po bënë lëshime, të cilat mund të quhen tradhti e interesave të popullit dhe të shtetit të Serbisë, por edhe të Rusisë.

Në faqen e portalit të Agjensisë REGNUM, më së shumti ka shkrime të njëfarë Mllagjan Gjorgjeviç, që është lider i Lëvizjes “Oslobodjenje”(Çlirimi) dhe rusofil i thekur. Por në borshurën e përmendur në mesin e 11 shkrimeve të botuara, në gjuhën serbe dhe ruse, është vetëm një shkrim i Gjorgjeviçit. Ja pasqyra e përmbajtjes së Broshurës së REGNUM-it, me emrat e autorëve dhe titujt e shkrimeve të botuara:



1.Mdest Kollarov:  “Marri apo tradhti? A do ta njohë Rusia Kosovën”

2.Jellena Guskova: “Beogradi ka bërë gjithçka që Shqiptarët e Kosovës ta ndiejnë se janë të pavarur”

3. Dragan Trifunoviç: “Vrasje, pogrome, pavarësi: Një kurs i shkurtër për historinë më të re të Kosovës”

4. Mllagjan Gjorgjeviç: “Pas çështjes së statusit të Kosovës fshihen krimet dhe tradhtia”

5. Ana Fillimonova: “Shqiptarët e Kosovës nuk kanë asnjë të drejtë për të patur shtetin e tyre”

6. Stevan Gajiç: “Dështimi i politikës së Aleksandër Vuçiçit”

7. Dejan Miroviç: “Ndarja e Kosovës – projekt i përbashkët i pushtetit të Serbisë dhe i shërbimeve speciale të SHBA-ve”

8. Marko Jakshiç: “Kosova serbe e vitit 2020:  Njerëzit e kanë humbur krejtësisht besimin ndaj Vuçiçit”

9. Zoran Çvoroviç: “Nëse Rusia e njeh Kosovën, Serbët do të shndërrohën në “polakë të Ballkanit”

10. Tatjana Stojanoviç (që është edhe përkthyese e të gjitha teksteve): “Pas Vuçiçit Serbia nuk ka më se çfarë të dorëzojë në Kosovë”

11. Vlladimir Zotov: “Kosova është Rusi; Çfarë të bëjë Moska që të mos ia rrëmih varrin vetes në Ballkan”.

    

* **

Shkrimet në këtë edicion janë botuar paralelisht në serbisht dhe rusisht. Broshura ka gjithsej 40 faqe, dhe një tirazh prej 1000 copë; me gjasë për t’ua shpërndarë ekstremistëve serbë në barrikadat në Jarinje e Bërnjakë.

Agjensia REGNUM ka filluar punën në vitin 1999, ndërsa është regjistruar dhe ka marrë licencën në vitin 2002. Thonë se kanë më se 400 korespodentë nga agjensi të ndryshme të lajmeve në tërë botën, me të cilat janë të lidhur dhe kanë partneritet.

Zyrtarët e pushtetit aktual të Serbisë REGNUMIN e konsiderojnë se është kundër politikës zyrtare të Serbisë, dhe se është e lidhur me opozitën aktuale të Dragan Gjilasit dhe Mllagjan Gjorgjeviçit, prej të cilëve merr edhe mjete financiare.

Agjencia drejtohet nga Kolerov i cili ka shërbyer në ministrinë e jashtme ruse dhe bashkë me themeluesin e saj, Sorokin, mbështesin një Rusi të fortë në kufijtë e afërt të saj. “Regnumi” është një vegël e sistemit propagandistik të Rusisë dhe Serbisë për agjendën gjeo-politike të këtyre shteteve antishqiptare, antikosovare, antiamerikane, anti BE-së dhe anti NATO-s.

Përveç shkrimeve të botuara në edicionin e kësaj broshure, në faqet e “Regnumit” ka edhe shumë shkrime të tjera propagandistike kundër Kosovës dhe kundër regjimit aktual të Serbisë. Me këto shkrime, edhe kundër Kosovës e Shqiptarëve, edhe kundër regjimit të Serbisë, “Regnumi” e ka bërë tërkuzë, sa që e ka prishë konceptin filozofik se “armiku i armikut tim – është miku im”!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA