...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja dhe Gjermania bashkërendojnë përpjekjet për Ballkanin Perëndimor në Uashington

Bashkërendimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është thelbësor për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor

Voa

05/08/2021 - 19:00

Ish i dërguari amerikan për Ballkanin, James O’Brien, aktualisht zëvendëskryetar i “Albright Stonebridge Group” dhe Peter Beyer, bashkërendues i qeverisë gjermane për çështjet transatlantike, thanë të mërkurën se bashkërendimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është thelbësor për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Ata i bënë këto komente gjatë diskutimit me temën Qasja e re e Politikës Transatlantike ndaj Ballkanit Perëndimor, në kuadër të një serie debatesh të organizuara nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare me seli në Shtetet e Bashkuara, që përfshinë edhe qasjen e Gjermanisë në përfundim të epokës së kancelares Angela Merkel.

Zoti Beyer, që është edhe raportues për Ballkanin në parlamentin gjerman, shfaqi shpresën se politika e këtij vendi ndaj Ballkanit Perëndimor nuk do të ndryshojë as pas largimit të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ishte edhe nismëtare e procesit të Berlinit, i krijuar në vitin 2014, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Zoti Beyer tha se duhet një qasje më e përkushtuar e Bashkimit Evropian ndaj rajonit.

“Ende kemi pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është e turpshme. Ka shumë shpjegime pse nuk e kanë bërë këtë, sigurisht për shkak të politikave të brendshme”, tha ai duke theksuar se rajoni është shumë i rëndësishëm dhe duhet një qasje transatlantike për ta ndihmuar atë, tha ai.

James O’Brien tha se më e rëndësishmja është jo që Shtetet e Bashkuara të mbështesin ardhmërinë evropiane, por të punojnë me Bashkimin Evropian për ta bërë reale atë ardhmëri.

“Ajo çfarë dëgjoi gjithandej gjashtë vendeve të rajonit, është se ata nuk besojnë më në këtë dhe kjo u jep fuqi disa impulseve më të këqija nacionaliste e populiste por edhe disa impulseve pozitive”, tha zoti O’Brien duke theksuar se të dyja palët duhet të jenë në gjendje t’u japin shpresë të vërtetë këtyre vendeve.

Ai tha se ndër simbolet më të rëndësishme që në ditët e para të qeverisë së re Gjermane do të ishte mundësia e hapjes së kapitujve të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zoti O’Brien kishte qëndruar në Shkup javën e shkuar duke ndjekur nga afër nismën e përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut e njohur si mini-Shëngen e cila tashmë ka marrë emrin Ballkani i Hapur. Ai tha se një nismë e tillë që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ishte edhe qëllim i procesit të Berlinit.

Kosova ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj nisme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja.

“Vërtetë shpresoj që Kosova do të gjeje rrugën për të marrë pjesë në këtë nismë”, tha zoti O’Brien.

Peter Beyer tha se shumë udhëheqës në rajon ndjehen rehat me situatën e tyre ndërsa përmendi barrën historike që bartin me vete Kosova dhe Serbia në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se palët u takuan në Bruksel dhe asgjë nuk ndodhi.

“Nganjëherë shtrohet pyetja nëse vërtetë ka vullnet politik për t’i përmirësuar gjërat? A duan vërtetë lojtarët aktual të çojnë përpara procesin e normalizimit, zgjerimin e Bashkimin Evropian apo bashkëpunimin rajonal?”, tha zoti Beyer.

“Mendoj se aktualisht është shndërruar në cirk të cilin secila palë e përdorë për nevoja të brendshme”, tha zoti O’Brien duke nënvizuar se palët u takuan dy javë më parë, por nuk arritën asnjë përparim.

“Por, kur u pyetën nëse do të kthehen në vjeshtë, të dyja palët thanë; absolutisht, sepse është politikë e mirë në shtëpi”, tha ai duke nënvizuar se duhet gjetur rrugën që kjo të shndërrohet në çështje transatlantike ku Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë për të dy udhëheqësit e rinj në Kosove se duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, ndërsa pala evropiane duhet ta bëjë të qartë për Serbinë se ka vërtetë ardhmëri evropiane, por duhet të bëjë pjesën e saj.

“Me zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm në Serbi dhe me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që po dëgjoj thashetheme, jam skeptik që do të ketë ndonjë rezultat”, tha zoti O’Brien.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA