...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si do t’ua shpjegoja qasjen “shkencore” të Marksit nxënësve të klasës dytë?

Bëhet fjalë për qasjen e tij se historia mund të kuptohet vetëm në terma klasor — domethënë, mes klasës sunduese dhe klasës së shfrytëzuar, puntorët

SHJ

07/05/2018 - 15:31

Ja, të dashur nxënës, që të kuptojmë se qasja marksiste klasore NUK është shkencore e kuptojmë kur ne kuptojmë natyrën e shkencës: se ajo kundron shkaqet e dukurive. Një dukuri –mes shumë të tjerash— është dhe dukuria klasore, se shoqëria jonë zhvillohet përmes luftës së klasave meqënse ajo është vërtet klasore. Por të dashur nxënës, ne thamë se shkenca kundron shkaqet e dukurive dhe nuk na tregon thjesht dukurinë ashtu siç është. Marksi thotë se shoqëria ‘është’ klasore dhe na tregon shkakun: sepse mjetet e prodhimit janë në duart e klasës kapitaliste. Por nuk thotë se si i fituan mjetet e prodhimit kapitalistët. Kështu ai mjaftohet duke na treguar një tjetër dukuri ashtu siç ‘është’ jo pse është ashtu siç është!

Për të njëjtën arsye ai na thotë se puntorët, nëse organizohen politikisht dhe emancipohen me ideologjinë marksiste, ata duhet të zotërojnë dhe administrojnë mjetet e prodhimit që zotërojnë në kushte kapitaliste dhe elitash borgjeze, kapitalistët. Dhe kështu ka ndodhur dekadat e fundit që kur qasja marksiste është përqafuar nga partitë (si fillim nga lëvizjet) komuniste. Rezultati është se një shoqëri tjetër me klasa ka lindur, e cila, çon ose në parti kapitaliste të cilat mjetet e prodhimit ua japin pronarëve të rinj si në rastin e Shqipërisë ose në parti të tipit korean ku mjetet e prodhimit administrohen nga klasa puntore. E gjithë kjo, sepse qasja e Marksit është klasore. Domethënë, ajo na tregon një dukuri sociale pa na treguar shkaqet e vërtetë të klasave: sepse nuk janë mjetet e prodhimit shkaku pse krijohen klasat. Por është delegimi i pushtetit në duart e elitave, ose komuniste ose kapitaliste.

Ja, shikoni se çfarë bëjnë prindërit tuaj në kushtet aktuale: votojnë një herë apo dy herë në katër vjet dhe zgjedhin njerëz të “aftë” ose hamendësisht më të “aftë” se ata, sepse kështu ua paraqet një parti apo tjetra dhe sepse kështu është kuptuar “demokracia”, dhe presin nga ata ta shpërqendrojnë pushtetin — domethënë, pushtetin politik, ekonomik dhe social. Domethënë, të kijojnë kushtet institucionale që të përfshihen edhe prindrit tuaj në ushtrimin e pushtetit. Në të vërtetë, prindërit tuaj nuk e kërkojnë as këtë: çfarë ata kërkojnë është pak më shumë pasuri — ekonomike: sepse përmes saj mund sigurojnë të ardhmen. Kështu krijojnë klasat!

Mirëpo, të dashur nxënës, prindërit tuaj, pavarësisht se kanë kaluar dekada, dhe në disa vende shekuj, s’e kanë kuptuar ende se ata që u paraqiten nga partitë si më të “aftë” janë atje për të përqendruar edhe më shumë pushtetin ekonomik (ja shikoni rrogat që i vendosin vetes) përmes pushtetit politik, jo vetëm sepse e kanë në objektivin e tyre përqendrimin e pushtetit ekonomik (të kenë rroga të majme) por edhe sepse nuk dinë të zhvillojnë gjendjen ekonomike të një shoqërie me qëllim që bashkë me zhvillimin e gjendjes ekonomike të pasurojnë veten dhe prindërit tuaj: si mund të pretendojmë, të dashur nxënës, një shoqëri më të barabartë me njerëz të tillë?

Ja pse themi se ‘marksizmi’ nuk është qasje shkencore. Por qasje shqisore: sepse klasat kuptohen edhe me shqisa e jo më me mendje...         

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA