...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Studentët ‘përleshen’ me dekanin e Universitetit dhe policinë

Studentët: Me secilin shok klase, me secilin shok që takojmë, pohojnë që në datën 4 dhjetor do të dalim të gjithë në protestë

Shekulli

20/11/2019 - 14:38

Studentët kanë vendosur zyrtarisht të nisin protestat më 4 dhjetor, datë kjo e cila përkon me 1 vjetorin e tubimit që nisi nga fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës. Në këtë mënyrë, të rinjtë janë duke u organizuar me tryeza të shumta studentore në çdo fakultet, duke rritur masivizimin për datën që është vendosur të rinisni protestat. Edhe pse pjesëmarrja në tryezat studentore është e lartë dhe gatishmëria e të rinjve për të rinisur nuk mungon, këta të fundit janë përballur herë pas herë me punonjësit e administratës në fakultete e po ashtu me policinë. Ditën e djeshme, në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Tiranës, studentët u përplasën me zv/dekanin, Gentian Stroni, ku ky i fundit nuk i lejoi të zhvillonin takimin, duke lajmëruar forcat policore që të largonin të rinjtë nga ky takim që do të organizohej. Studentja Albina Ruko, tregon se zv/dekani i ka kërcënuar se do të ngrejë padi kundër tyre. “Zv dekani kërcënoi se do të ngrejë padi kundër studentëve, ndërkohë që padia duhet të ngrihet kundër ligjit të arsimit të lartë, i cili sjell tregtarizimin e fakulteteve”, u shpreh studentja.

Ambienti

Zv/dekani i fakultetit, i kërkoi të rinjve që duhet të paguajnë qira për të pasur një sallë e cila konsiston në organizmin e tryezave studentore, ku në thelb janë diskutimet për problematikat mbi arsimin e lartë. Mes debateve të shumta dhe konfrontimit fizik të studentëve me zv/dekani, bëri që ky i fundit të lajmëroi policinë në fakultet, për t’i përzënë ata. “Në përputhje të plotë me logjikën e ligjit famëkeq, zv/dekani i këtij fakulteti deklaroi që duhet të paguajmë qira për sallën me justifikimin se një pjesë e jona nuk janë studentë të fakultetit. Policia ishte prezente në fakultet duke i kërkuar një pjese nga ne të dalin jashtë ambienteve të fakultetit, e megjithatë studentët rezistuan. Dekanati i alarmuar për situatën dhe i frikësuar nga studentët, zhvilloi një mbledhje urgjente të administratës për të ndaluar organizmin e tryezës, dhe u bëri thirrje studentëve te FSHMT mos t’i bashkoheshin këtij organizimi sepse sipas tyre qeveria i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve. Megjithatë kjo thirrje e dëshpëruar dështoi”, tregoi Albina më tej.

Përplasjet

Kristjan Zoto, student dhe aktivist i Lëvizjes për Universitetin thotë për “Shekulli”-n, se ky nuk është rasti i parë, kur të rinjtë janë dhunuar nga policia dhe janë ndjekur prej saj, duke mos lejuar takimet në fakultete. “Që prej fillimit të vitit të ri akademik, Lëvizja për Universitetin po zhvillon tryeza informuese dhe ndërgjegjësuese lidhur me ligjin e arsimit të lartë dhe Paktin për Universitetin. Tryezat kanë për qëllim prezantimin e problematikave kryesore të ligjit , mënyrën se si këto problematika ndikojnë në përditshmërinë e jetës universitare dhe organizimin nëpër fakulteteve për protestën e 4 dhjetorit. Shpesh herë burokracia universitare ka tentuar të ndalojë organizimin e këtyre tryezave ,duke i mohuar kështu studentëve një nga të drejtat e tyre themelore. Një rast i tillë ishte dhe FSHMT, ku zv/ dekani Gentian Stroni bashkë me pjesën tjetër të administratës, jo vetëm që nuk pranuan kërkesën për një tryezë studentore, por lajmëruan forcat policore, duke na cilësuar si persona me rrezikshmëri të lartë brenda fakultetit. Fakulteti duhet të jetë nxitës i mendimit kritik dhe studentët pjesëmarrës aktiv në demokracinë e drejtpërdrejtë universitare, pra në të tilla kushte me rrezikshmëri të lartë është vetë burokracia universitare, e cila tenton të pengojë organizimin studentor”, tha ai.

Takimi

Pavarësisht përplasjeve, të rinjtë arritën që në orën 11:00 te të organizonin tryezën e diskutimit me një pjesëmarrje të lartë të rinjve nga ky fakultet. “Burokratët e fakultetit ishin kujdesur të kyçnin sallën e paracaktuar për zhvillimin e takimit. Ndërkohë dekania, zv-dekani dhe administratori i fakultetit, në bashkëpunim me studentë të forumeve partiake, vijuan të kërcënojnë organizatorët dhe t’u kërkonin studentëve të fakultetit që të mos merrnin pjesë në asnjë lloj takimi. Madje nuk nguronin t’i gënjenin haptazi studentët se qeveria tanimë i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e tyre dhe nuk kishte arsye të protestonin. Ndërkohë në oborrin e fakultetit qëndronte në gatishmëri një grup policësh. Pavarësisht presioneve dhe gënjeshtrave, studentët e gjetën një sallë dhe zhvilluan një prej tryezave më të gjalla dhe të zjarrta të këtij turi diskutimesh. Nuk munguan vërshëllimat e tyre ndaj burokratëve që herë pas here futeshin në klasë për t’i bindur që të dilnin jashtë”, u shprehën ata. Më tej shtuan se asgjë nuk do i ndali në fillimin e protestave më 4 dhjetor dhe vazhdimin e tyre deri në rrëzimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Sipas tyre “Pakti për Universitetin”, nuk ka përmbushur asnjë kërkesë të tyre dhe situata në arsim vazhdon të jetë me mjaft problematikat, ku mungon cilësia në arsim, kërkohet veting akademik, rritja e peshës studentore si dhe karat e studentit të jetë funksionale.

Debati

Gjatë përfundimit të takimit të studentëve teksa u diskua mbi mobilizimin e nisjes së protestave në 4 dhjetor, hyr në sall zv/dekani Gentian Stroni. Studentët e përcollën me thirrje “O sistem i korruptuar ,ti arsimin po e vret. Ju zyrtarët me kollare, vratë arsimin veç për pare “, duke bërë që zv/dekani të largohet.

Studentët: Me secilin shok klase, me secilin shok që takojmë, pohojnë që në datën 4 dhjetor do të dalim të gjithë në protestë.

Zv/dekani: Sa prej jush do të marrin pjesë në protestë?

Studentët: I ngritën duart njëherë, çfarë do tani?

Zv/ dekani: Ju nuk jeni student!

Studentët: Ne jemi student që po organizojmë protestat studentore. Sot (dje) në këtë tryezë studentët folën për problemet dhe këtë tryezë ju nuk mund ta pengoni. Kaq! Tryeza mbarojë!

Zv/ dekani: Këtë do ta shohim, largohuni nga këtu!

Studentët: O sistem i korruptuar ,ti arsimin po e vret. Ju zyrtarët me kollare ,vratë arsimin veç për pare!

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA