Studentët protestojnë para kryeministrisë për ulje të tarifave në universitet
Qindra studentë të universitetit të Tiranës marshuan të mërkurën nga Korpusi drejt Kryeministrisë me thirrjet "ulni tarifat", ndërsa i denoncuan tarifat aktuale të universiteteve publike si të rënda për ta dhe familjet e tyre.
Birn
25/01/2018 - 11:06
Një valë prej qindra studentësh, si dhe aktivistësh të lëvizjes “Për Universitetin” marshuan të mërkurën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrjet “ulni tarifat” dhe qëndruan përpara zyrës së kryeministrit Rama për të detajuar tre kërkesat e tyre.
Ata kërkuan përgjysmim të tarifave të studimit për ciklin bachelor dhe master në të gjitha universitetet publike; heqjen e të gjitha detyrimeve financiare të gjuhës së huaj si kriter për studimet master dhe heqjen e tarifave shtesë që rëndojnë mbi ata që nuk arrijnë të mbyllin studimet master brenda afatit të caktuar.
“Këto kërkesa i gjykojmë të arsyeshme duke i krahasuar me modelin arsimor të shumicës së vendeve të Bashkimit Europian, ashtu edhe me nivelin ekonomik të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare,” thanë studentët protestues në deklaratën e tyre.
Duke mbajtur në duar diplomën e studimeve 3-vjeçare bachelor, një student i fakultetit të gjuhëve të huaja shprehet pesimist për të ardhmen e tij, pasi pamundësia për të paguar studimet master i ndali kualifikimin për tregun e punës.
“Sot mora kartonin e diplomës, por nuk e di si do t’ia bëj, masterin nuk kam mundësi financiare ta ndjek. Do të kërkoj punë për degën që kam mbaruar, por me shumë mundësi do të përfundoj në ndonjë call center,” tha për BIRN një student i diplomuar në gjuhën angleze dhe gjermane.
“Deri më tani arsimimin e kam përballuar me vështirësi falë mbështetjes së prindërve dhe ndonjë pune që kam bërë,” shtoi ai i zhdekurajuar.
Studentët qëndruan përpara kryeministrisë duke ndarë historitë e jetës studentore dhe vështirësisë financiare të përballimit të saj.
Aktivisti Klodi Leka iu drejtua studentëve duke denoncuar kalvarin që të rinjtë shqiptarë u duhet të ndjekin për të mbaruar studimet e larta.
Sipas tij, studentët ndodhen në një cikël vicioz të një diplome që nuk u siguron punë, dilemës për t’u larguar nga vendi dhe lodhjes për të punuar me synim të përballimit të studimeve gjë që çon në gjoba nga ministria e arsimit për vonesën në diplomim.
“Kjo është e padrejtë, e paarsyeshme dhe e papranueshme. Prandaj jemi sot këtu për t’i thënë ndal zhvatjes së xhepave tanë dhe për të kërkuar perspektivë të re jetësore për 120 mijë studentët që ka sot Shqipëria,” tha aktivisti Leka.
Një studente tjetër mori megafonin për të shprehur atë që ajo e quajti skallvëri të studentëve.
“Ne po na kthejnë në skllevër. Po punojmë me orë të zgjatura. Nuk ngopemi me gjumë. I kemi zhytur prindërit në borxhe dhe kredi,” e nisi studentja e histori-filologjisë fjalën e mbajtur në protestë.
“Ata e kanë zhytur demokracinë dhe po e shkelin me këmbë. Ne po na skllavërojnë që fëmijët e tyre të shkollon në Vjenë, të shkollohen në Zvicër,” u shpreh studentja e revoltuar, ndërsa tregonte me gisht nga kabineti i ministrave.
“Na keni mbytur, po na e pini gjakun me taksat tuaja,” përfundoi ajo, ndërsa studentët e tjerë nxorën britma pakënaqësie duke mbështetur fjalën e saj.
Studentët paralajmëruan përshkallëzim të protestave në ditët e ardhshme, ndërsa aktivistët i bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të mos i paguajnë tarifat e studimit derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
Pas protestës së studentëve, Ministria e Arsimit reagoi duke publikuar një deklaratë në Facebook, ku thuhet se tarifat e studimeve për ciklin bachelor nuk janë ndryshuar në katër vitet e fundit në universitetet publike.
Ministria u shpreh se këto tarifa tashmë mbeten në dorë të universiteteve për t’u vendosur, në kuadër të autonomisë universitare.
Institucioni gjithashtu mbrojti tarifat që universitetet u vendosin studentëve që nuk e mbyllin në kohën e caktuar ciklin e studimeve duke thënë se “studentët që nuk performojnë nuk mund të kthehen në kosto për studentët që dëshirojnë të përfundojnë studimet”.
Sipas ministrisë gjuha e huaj dhe procesi i certifikimit të saj nga institucionet ndërkombëtare “është parë si mundësi që çdo student që diplomohet të jetë konkurrues në tregun e punës, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 6 reads