Tumori po vret të rinjtë shqiptarë, mjekët: Katastrofë
Monitor
22/03/2017 - 10:23
Po shtojmë se 'siguria ushqimore' nuk mund të rritet nëse nuk ndryshojnë mënyrat e prodhimit; duhanpirja nuk mund të frenohet nëse të rinjtë nuk përfshihen në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit; dhe ndotja, nëse nuk ndryshojnë mënyrat e prodhimit dhe kultura jonë lidhur me ekosistemin.
Mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes, nëse nuk rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, nuk frenohet duhanpirja dhe nuk ulet ndotja në mjedis….
Prevalenca për mijë banorë më të sëmurë më kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70 për qind gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, sipas të dhënave spitalore, të bëra të ditura me kërkesë të Monitor.
Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë.
Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014 në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje.
Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.
Por burimet nga instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikën duke hedhur dyshime se ajo është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.
Gjithsesi të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% për qind e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7 për qind i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22 për qind janë të moshës 55-64 vjeç.
Një dekadë më parë përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.
Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në Rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Ne Rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.
Ekspertët në spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë zonat e ndotura të vendit sidomos, qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këto faktorë rreziku nuk frenohen mjeket pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 75 reads