...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vrojtim: Plani për rininë i qeverisë “Rama 1” është përdorur vetëm për politikë partiake

Mungesa e monitorimit për afro 3 vjet, bashkëpunimi i përciptë me shoqërinë civile sollën dështimin në këtë fushë, ku mungon edhe mbështetja politike, ku të rinjtë përdoren vetëm si sfond në veprimtari të ndryshme, por jo në politikë-bërje dhe vendim-marrje

VOA

24/11/2017 - 08:54

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve dhe 18 organizata dhe forume rinore pohuan [dje] se Plani Kombëtar për Rininë është zbatuar nga qeveria vetëm në 20 për qind të tij.

Kjo ishte gjetja kryesore e Raportit Alternativ të monitorimit mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë 2015-2020.

Plani u miratua në vitin 2014 por nuk u zbatua, dhe gjatë periudhës 2015 - 2016 janë përmbushur vetëm 10 nga 48 veprimtari në mbështetje të rinisë.

Për zbatimin e këtij plani kombëtar pro rinisë munguan strukturat në nivel qendror dhe vendor dhe një grup ndër-ministror i parashikuar nuk u ngrit apo nuk funksionoi asnjëherë.

Megjithatë vendi ka dy struktura; një të Politikave Rinore dhe një të Shërbimit Kombëtar për Rininë, me mungesa të informacionit transparent mbi punën e tyre.

Për zbatimin e Planit Kombëtar të Rinisë ka munguar baza ligjore, ka munguar një Ligj për të Rinjtë. Plani Kombëtar i Rinisë asnjëherë nuk është mbështetur me buxhete për të qenë i suksesshëm, thotë Altin Hazizaj nga CRCA.

Mungesa e monitorimit për afro 3 vjet, bashkëpunimi i përciptë me shoqërinë civile sollën dështimin në këtë fushë, ku mungon edhe mbështetja politike, ku të rinjtë përdoren vetëm si sfond në veprimtari të ndryshme, por jo në politikë-bërje dhe vendim-marrje, pohuan autorët e studimit.

Plani Kombëtar për Rininë përmban politikën e qeverisë për ta me gjashtë objektiva dhe mbi 48 aktivitete, që duhet të ishin përmbushur ndërmjet vitit 2015-2016.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA