...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vuçiçi: Serbia është aleate me Rusinë, Kinën dhe BE-në ndërsa e quan Kosovën...

Serbia, bashkë me aleatët e saj Rusinë dhe Kinën, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare

Voa

11/06/2020 - 20:06

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë si dhe të arrijë një marrëveshje me Kosovën, ndërkohë që përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Presidenti Vuçiç i bëri komentet të enjten në prag të zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit.

Para se të anëtarësohet në BE, Beogradi duhet të normalizojë lidhjet me Prishtinën.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e anëtarëve të BE-së. Por Serbia, bashkë me aleatët e saj Rusinë dhe Kinën, e ka bllokuar anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Zoti Vuçiç, Partia Progresive Serbe e të cilit është në krye të garës për zgjedhjet e 21 qershorit, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë me Prishtinën “në mirëbesim” dhe "pa një afat kohor", por njohja e ndërsjellë nuk është në rendin e ditës.

"Ne jemi gati për bisedime por … pa flamur të bardhë," tha ai në një intervistë për Reuters. "Dialogu është i mirëpritur, nëse është një dialog ... në të cilin të mund të shihet se çfarë është e mundur, se ku mund të arrihet kompromis.”

"Ne besojmë se është në interesin e shqiptarëve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare ... të flasim për një rrjedhë të lirë të kapitaleve, njerëzve dhe shërbimeve", tha zoti Vuçiç.

Bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës, u pezulluan në vitin 2018, kur Kosova futi një taksë prej 100 për qind për importet nga Serbia.

Heqja e barrierave tregtare nga qeveria e re e Kosovës këtë muaj hap rrugën për rifillimin e bisedimeve.

NGA NACIONALIST I ZJARRTË NË 'EURO-REALIST'

Vuçiç ka qenë një nacionalist i zjarrtë gjatë luftrave ballkanike të viteve1990, por tani mbështet partneritetin me BE-në.

Presidenti serb shprehu bindjen se partia e tij do të marrë shumicën e votave më 21 qershor, ndërkohë që zgjedhjet presidenciale janë vitin tjetër.

Opozita dhe vëzhguesit e kanë akuzuar shpesh atë dhe partinë e tij në pushtet për autokratizëm, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, manipulime zgjedhore, korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që ata i kanë mohuar me forcë.

Zoti Vuçiç tha se Beogradi nuk ka në plan të zgjedhë midis Rusisë, aleate e natyrshme sllavo-ortodokse, BE-së, partnerja kryesore tregtare e Serbisë dhe Kinës.

Në muajin mars, Kina dërgoi ndihmë mjekësore dhe mjekë në Serbi për të ndihmuar në frenimin e koronavirusit dhe Beogradi flet për një "miqësi të hekurt”. Gjatë dekadës së kaluar, Kina i ka dhënë Serbisë miliarda dollarë kredi me kushte të favorshme.

"Ne kemi axhendën tonë, një karrige, jo dy. Si mund të themi ne "Rroftë Hong Kongu apo rroftë Tajvanini dhe pastaj të presim mbështetjen kineze për integritetin tonë territorial (me Kosovën), pa përmendur faktin që ata janë miqtë tanë që na kanë ndihmuar," tha Presidenti Vuçiç.

Serbia mbetet e varur energjetikisht nga Rusia, me të cilën ajo gjithashtu bashkëpunon ushtarakisht. Presidenti Vladimir Putin e ka vizituar Beogradin dy herë që kur zoti Vuçiç erdhi në pushtet në vitin 2012, ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të shkojë atje javën tjetër.

Por Serbia do të vazhdojë gjithashtu përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me të cilin ajo ka një marrëveshje asociimi dhe është kandidate për anëtarësim, edhe pse BE-së aktualisht i mungon oreksi për anëtarë të rinj.

Zoti Vuçiç e quan veten "euro-realist", duke shtuar se anëtarësimi në BE mbetet synimi stratregik i Serbisë. "Përveç vlerave të përbashkëta, 67 për qind e shkëmbimeve tona tregtare janë me BE-në,” tha ai.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA