...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Pse bisedimet me Greqinë nuk i paragjykoj por i parashikoj dhe nuk jam ‘nacionalist’?

Kam marrë disa kritika në mënyrë private nga lexues dhe shokë, lidhur me qendrimin tim në studimin që kam parapublikuar: “Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë”. Jam akuzuar si ‘paragjykues’ dhe ‘nacionalist’!

SHJ

02/03/2018 - 15:35

Kam marrë disa kritika në mënyrë private nga lexues dhe shokë, lidhur me qendrimin tim në studimin që kam parapublikuar: “Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë”. Jam akuzuar si ‘paragjykues’ dhe ‘nacionalist’! Kështu mbetet t’u përgjigjem këtyre akuzave me shkrim meqënse nga afër kushtet s’na lejojnë.

Së pari, dyshoj se nuk e kanë lexuar studimin. Por (para)gjykojnë vetëm nga titulli. Së dyti, dhe për të njëjtën arsye, nuk e kuptojnë diplomacinë pavarësisht se ne jemi munduar të publikojmë qendrime “diplomatësh”. Së treti, studimi përkatës lidhet drejtpërdrejt me një studim tjetër lidhur me Greqinë. Pa lexuar, shqyrtuar dhe kuptuar atë studim, lexuesi nuk mund të ketë një tablo të plotë të problematikës.

Sidoqoftë, disa argumente është e rëndësishme t’i përsërsim duke filluar nga parimi kryesor: se në diplomaci përdoret drejtësia dhe vetëm drejtësia. Që nënkupton se kur ulesh me një palë për të zgjidhur çështje të mbetura pezull mes dy popujve, do të përdoret drejtësia, si nga këndvështrimi historik ashtu dhe këndvështrimi juridik. Në raport me palën greke, janë parashtruar nga pale greke tre çështje kryesore për t’u zgjidhur: (1) çështja e detit; (2) çështja e varrezave; dhe (3) çështja e librave shkollor. Nga pala jonë është parashtruar mbështetja e Greqisë për të hapur negociatat me BE-në. Nuk duhet të ngatërrohet me këto bisedime “tarifa apostile”: sepse pala jonë ka vetëm një kerkesë dhe “urgjencë”: të fillojë negociatat se...’mbytet’! Këto bisedime kanë filluar me qeverinë e partisë “demokratike” dhe vazhduan me qeverinë “Rama2”. Thuhet se bisedimet i ka kërkuar pala jonë (shpesh herë e pranon dhe Rama). Kjo është e vërtetë nëse e shohim nga “urgjenca” që kanë patur të dyja qeveritë.

Nga ana tjetër, pala greke, në dijeni të plotë të kësaj “urgjence” ka pritur ftesën për bisedime. Nga pozicioni i saj —me pavarësi ekonomike dhe politike nga Tirana ndërkohë që vetë Tirana është e varur nga ajo, në një përqindje të madhe— ftesa për bisedime është dy herë në dobi të palës greke: sepse “lakun” në fyt e ka Tirana dhe jo Athina dhe sepse Athina do të mund, nga pozicioni i saj, të shkëmbejë kërkesat e saj pa vështirësi. Kështuqë, argumenti i Kotzias se në diplomaci kërkon negociata kur kushtet janë të dobishme për vendin tënd, sepse kështu mund të realizosh objektivat e tua, përputhen me qendrimin ‘diplomatik’ të Athinës: pritjen e palës me çështje të pazgjidhura sesa e kundërta. Dhe Kotzias flet për “kushte gjeopolitike”. Jo për “kushte” abstrakte, të cilët, Greqia filloi t’i krijonte me rënien e socializmit. Kërkon, në fjalë të tjera, bisedime në kushte gjeopolitike të pabarabarta. Kushtet në fjalë i kam përshkruar në studimin e përkatës. Kështu, Kotzias, dhe çdo “kotzis” grek, përdor që në fillim padrejtësi sesa drejtësi: sepse drejtësi mes dy palëve të pabarabarta nuk mund të ketë, as në formën e saj abstrakte e jo më në formën e saj konkrete.

Kështu, duke shpërnjohur padrejtësitë historike, kushtet në fjalë dhe rolin e shkencëtarit politik —të parashikojë— dhe drejtësinë, kritikët nxitojnë dhe më quajnë ‘paragjykues’ dhe ‘nacionalist’! Nuk u mjaftoi, siç duket, fakti se pala jonë pranoi krijimin e varrezave greke në Shqipëri, në kundërshti me praktikat që ka ndjekur vendi ynë, dhe duke shpërnjohur faktin se çfarë synojnë grekët me varrezat në fjalë. Por duhet të presim nënshkrimin e dy kërkesave të tjera pastaj të flasim! As u mjaftoi fakti që partia “demokratike” e nënshkroi detin si pasojë e padijes (në raport me kushtet gjeopolitike) dhe presioni nga pala greke. Dhe as u mjaftoi fakti se Tsiprasi dështoi në negociata me trojkën pikërisht sepse trojka kishte krijuar për një kohë të gjatë armët diplomatike për çdo qeveri në Greqi — njëlloj (megjithëse në shkallë të ndryshme) siç ka krijuar Greqia në raport me ne. Por duhet ta ‘provojmë’ një herë —pushtetin— pastaj të reflektojmë!

Në fakt, edhe Rama kështu pretendonte kur Berisha negocioi me Greqinë: se ai do të sillte rezultate të tjerë — më të mirë se të Berishës! Por në shkencë është e thjeshtë të tregoshë se nuk mund të sjellësh rezultate të tjerë kur kushtet...s’kanë ndryshuar. Nuk është e rastit që kolegët e mi në Greqi e paraqesin ndryshe gjendjen: se Rama po përdor Erdoganin për të realizuar një marrëveshje më të mirë me Greqinë. Domethënë, një pushtet tjetër që kërcënon Greqinë. Sigurisht që ata spekulojnë: sepse jo vetëm që Rama nuk mund ta “përdor” Erdoganin për një marrëveshje më të mirë por nëse e përdor do t’i duhet t’i lëshojë më shumë konçesione Erdoganit. Dhe nëse fillojnë “përdorimet” e kësaj natyre, Greqia mund të “përdor”, siç e ka përdorur, Brukselin dhe Uashingtonin. Kështu kjo lloj mendësie është vërtetë qesharake dhe naive: sepse nuk do të përputhësh as me të drejtën ndërkombëtare e as me realitetin: se Rama ulet të negociojë me një vend përballë të cilit është i varur dhe kërkon t’i bëjë nder: ta mbështesë në integrimet europiane!

Shkurt, në diplomaci mes dy vendesh nuk mund të përdoret asgjë tjetër veç drejtësisë. Ata që s’e kuptojnë drejtësinë —që në këtë rast përshihen dhe padrejtësi historike por dhe padrejtësi të karakterit shtetëror (dhunë sistemike mbi pakicat shqiptare autoktone etj.)— do të përdorin kushtet dhe presionet, armët diplomatike dhe padrejtësinë, si Greqia. Ata që rradhiten me këta, në emër të zgjidhjes së çështjeve...nuk janë as diplomatë të mirë as gjykatës të mirë dhe për të njëjtën arsye nuk duhet t’u besohet as diplomacia as drejtësia.                   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA