...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Shqipëria socialiste kishte tre klasa; neoliberalja 10 klasa - më keq se Egjipti i Lashtë

Shqipëria po institucionalizon njëherësh klasën e lartë (oligarët) klasën gjysmë të lartë (sipërmarrësit e huaj), klasën e mesme (të punësuarit në to) dhe klasën e varfër (nënklasën e papunë etj.). Shkurt, mund të themi se në Shqipëri bashkëjetojnë dhjetë klasa

Ylli Përmeti

21/09/2020 - 11:42

Klasat në socializmin marksist

Nënparadigma e socializmit marksist bart gjithashtu klasat e saj nëse konsiderojmë kriterin ekonomik, politik dhe social. Ndryshe nga nënparadigma e konsesusit social-demokrat, ku elita ekonomike është më dominante, qoftë mbi elitën politike dhe vendimet që i korrespondojnë, qoftë mbi punëtorët që punësojnë, në ish-socializmin ekzistent, elita politike është më dominante: sepse ajo qëndron në majë të piramidës. Poshtë saj, qëndrojnë drejtorët e spitaleve, fabrikave, uzinave, fermave dhe kooperativave. Këta bashkëpunojnë ngushtë me një elitë më të vogël politike: elitën e kryetarëve të bashkive dhe këshillave. Kjo e fundit mund të konsiderohet si klasë e mesme —ose e lartë në raport me komunitetin ku vepron. Nënklasa përfshin punëtorët e strukturave të sapopërmendura. Në këtë kuadër vendimet burojnë nga elita politike në bashkëpunim të ngushtë me “ekspertët” e regjimit. Kështu, ndërsa elita politike periferike filtrohet nga elita qëndrore, njëlloj ndodh edhe me elitën e drejtorëve të sektorit ekonomik: ata operojnë në bazë të një kuadri që buron nga elita qëndrore. Vullneti popullor, në këtë kuadër dhe proces, nuk mund të merret në konsideratë: sepse teoria marksiste nuk lë shumë hapërisë për devijime. Elita politike, për të siguruar konsesus sa më të gjerë popullor do të mundohet të ngrejë mirëqënien e tij: këtë objektiv do ta kërkojë nga “ekspertët”. Kështu, ky kuadër, përtej faktit që krijon burokraci dhe padrejtësi në sektorët e ekonomisë, imponon, në njërën anë tej-shfrytëzim e natyrës dhe në anën tjetër, ngritjen e kostos së prodhimit. Shkurt, mund të themi, se atje ekzistojnë tre klasa: klasa politike, klasa ekonomiko-politike periferike, dhe klasa e punëtorëve.

Klasat në Shqipërinë e globalizmit neoliberal

Shqipëria, si rezultat i integrimit të pjesshëm në tregun ndërkombëtar të marketingut gjëndet thuajse në të njëjtën gjendje me perëndimin në përgjithësi: ndërsa në vitin 1989 niveli i punësimit ishte 85% për gratë dhe 94% për burrat, në vitit 1990, si pasojë e prishjes së sistemit dhe kalimit të pasurive publike në duart e ish-burokracisë socialiste, te të ashtu-quajturit “komunistë”, punësimi u ul në 50 - 60%, dhe në vitin 2004, më shumë se një dekadë më vonë, niveli i punësimit u ul më shumë, përkatësisht 38.3% për gratë dhe 60.1% për burrat[27] dhe, përgjatë vitit 2012-të u punësuan mesatarisht 28% në sektorët e industrisë përpunuese, ndërtimit, informacionit, shërbimeve dhe tregëtisë (me shumicë dhe pakicë), në shkallë vendi,[28] me një ulje totale prej më shumë se 40%! Një raport tjetër,[29] tregon se për gjashtë mujorit të parë të vitit 2013-të shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind, ndërsa për meshkujt 71.8 për qind dhe papunësia është rreth 13%, me një rritje prej 1.1 për qind. Por nëse i ndajmë shqiptarët në klasa sipas të ardhurave - rezultojnë tetë klasa:

1.      rreth 242 mijë shqiptarë kanë pagë mujore më të ulët se 30 mijë lekë; (klasa e ulët)

2.      rreth 39 mijë shqiptarë kanë pagë më të ulët se 40 mijë lekë; (e ulët-e mesme)

3.      rreth 45 mijë shqiptarë kanë pagë mes 40 dhe 50 mijë lekë; (relativisht e mesme)

4.      rreth 20 mijë të tjerë kanë pagë deri në 60 mijë lekë; (e mesme)

5.      rreth 9800 shqiptarë kanë pagë mes 80 dhe 90 mijë lekë; (e mesme e lartë)

6.      rreth 3700 shqiptarë kanë pagë deri në 100 mijë lekë; (relativisht e lartë)

7.      rreth 16 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 100 mijë lekë; dhe (relativisht e lartë)

8.      rreth 5 mijë shqiptarë kanë pagë më të lartë se 200 mijë lekë në muaj.[30] (e lartë)

Sigurisht këtu nuk përfshihet klasa më e ulët e shoqërisë: pensionistët, rrogat e të cilëve nuk tejkalojnë ‘dyshemenë’. Kjo klasë mund të konsiderohet mjerane. Por në majë të shoqërisë qëndrojnë oligarkët që kanë të ardhura më shumë se 200 mijë lekë në muaj. Kështu, si pasojë e privatizimit të pasurive, klasa politike shqiptare ka krijuar 55 individë që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Në total, pasuria e 55 individëve në Shqipëri arrin në 7 miliardë dollarë, ose gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Njëlloj si në të gjithë vendet e tjerë, që janë integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut,[31] pasuria e miliarderëve shqiptarë u rrit me 4.1 për qind, pavarësisht amullisë në Perëndim![32] Piramida e ndarjes së pasurisë kombëtare vjen duke u ngushtuar më shumë — sepse atje qendrojnë dhjetë (10) të tjerë mbi 55 individët e sapo cituar[33] —që zotërojnë, kontrollojnë dhe shijojnë pasurinë më të madhe të kombit shqiptar. Përqindja që zotërojnë, duhet të jetë më shumë se 60%. Dhe nëse gjykojmë nga 2,499 leje pune për të huajt që janë dhënë përgjatë vitit 2012, ku udhëhiqnin turqit (me 474 leje: 19%), grekët (me 388 leje: 15%), italianët (me 372 leje: 14%), kinezët (me 188 leje: 8%), kanadezë etj.,[34] dhe nga varfëria e skajshme në çdo periferi, Shqipëria po institucionalizon njëherësh klasën e lartë (oligarët) klasën gjysmë të lartë (sipërmarrësit e huaj), klasën e mesme (të punësuarit në to) dhe klasën e varfër (nënklasën e papunë etj.). Shkurt, mund të themi se në Shqipëri bashkëjetojnë dhjetë klasa.   

Shkëputur nga studimi,

Zhvillimi historik i klasave: shkaqet, pasojat dhe koncepti i një shoqërie pa-klasa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA