...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulohet plani i fondacionit ‘Soros’ për Kosovën: 4 komunat e veriut i kalojnë Serbisë pa shkëmbim!

Qendra e Studimeve Euro-Atlantike në Beograd, e financuar nga Soros, ka përgatitur një studim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, ku 4 komunat në veri i jepen Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk përmenden

Shekulli

14/08/2018 - 13:19

Raporti është një bombë me sahat për rajonin pasi përfshin në negociata për ndryshime kufijsh edhe Shqipërinë, Bosnjën dhe Kroacinë.

Një organizatë e financuar nga Fondacioni Soros me qendër në Beograd ka përgatitur në qershor 2018 një propozim për shtetin serb për zgjidhjen e Mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës. Plani i bërë publik nga “Qendra për Studimet Euro-atlantike” në Serbi është më i keq se sa e mendonim, sepse nuk flet për shkëmbim territori, por për dhënie pa shkëmbim të 4 komunave të Veriut të Kosovës. Kjo organizatë, e drejtuar nga Jelena Miliç, ka bërë një studim në lidhje me të ardhmen e këtyre negociatave.

Nga shqyrtimi i studimit, arrihet në konkluzionin dhe idenë e ndryshimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Në studimin në fjalë, çështja e shkëmbimit të territoreve nuk është përmendur, por theksohet togfjalëshi “Linjat Administruese” një koncept për të fshehur qëllimin e vërtet të këtij plani, i cili ka të bëjë me lëshimin e Mitrovicës Veriore ndaj Serbisë.

Pjesë nga raporti:

“Ne sugjerojmë, nën mbikëqyrjen e Perëndimit, se negociatat, midis Serbisë dhe Kosovës, duhet të drejtohen drejt korrigjimit të linjave administrative, të cilat do të shkojnë, ku më shumë e ku më pak, tek katër komunat kryesore në Veriun e Kosovës, që janë të banuara me shumicë serbe.

Këto korrigjime duhet të shoqërohen nga një marrëveshje e menjëhershme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. CEAS (Qendra e Studimeve Euro-Atlantike), propozon se kjo duhet të arrihet në një format më të gjerë, e cila mund të përfshijë, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjen dhe Kroacinë. Me këtë rast do të mund të rregullohen mosmarrëveshjet për kufirin mes Bosnjes dhe Kroacisë.

Frika aktuale, se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojë një efekt domino, me pasoja të dhunshme, në vitin 2018 nuk qëndron. Kjo për faktin se Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtar të NATO-s, ndërsa Maqedonia është në rrugën e saj për tu anëtarësuar shpejt dhe Kosova si dhe Bosnja, janë të sigurta nga prezenca e KFOR-it dhe EUFOR-it. Ky propozim nuk është një propozim për një ndarje etnike të Kosovës. Duke marrë parasysh të gjitha argumentet e dhënë më sipër, CEAS thekson se një lidership i fortë politik i  anëtarëve të NATO-s, nga Ballkani Perëndimor, pra një prani më e madhe e NATO-s në Ballkan, do të ishte një format më i mirë për të kaluar mosmarrëveshjet aktuale, midis Kosovës dhe Serbisë, në negociatat e tyre.

CEAS, propozon që hapi i parë për tu marrë në konsideratë midis Kosovës dhe Serbisë, është rregullimi i linjave administrative, në katër komunat kryesore të veriut të Kosovës. Këto Komuna janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi, me popullsinë serbe në Kosovën e Veriut, pa asnjë qëllim për të ndryshuar territore, e cila, do të përfshinte edhe komunat me popullsi shqiptare në jug të Serbisë. Kjo do të shoqërohej nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis, Kosovës dhe Serbisë. Propozimi për të korrigjuar linjat administrative, nuk ka të bëjë me idenë e kufijve apo delimitimit etnik.

Kjo ka ardhur si shkak, i opinionit publik, pasi, si Perëndimi, si Kombet e Bashkuara, kanë theksuar qartë dënimin ndaj Serbisë për krimet e Milosheviçit në Kosovë. Propozimi për të korrigjuar linjat administrative, është prezantuar në vitin 2018, 19 vite pasi NATO ndërhyri në Serbi, kur u pa e qartë që, një seri negociatash për kufirin dhe statusin e Kosovës nuk po arrinin në asnjë përfundim. Kjo amulli për Kosovën, është e dëmshme për të dyja palët, si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për Perëndimin. Qytetarët e Serbisë, të cilët janë në përgjithësi kundër çdo zgjidhje, e cila do të mund të arrihet me Perëndimin, duhet të kihet parasysh, se sipas shkencave sociale, demokratizimi është i pamundur, nëse një entitet homogjen në një pjesë të vendit, sistematikisht, refuzon autoritetin e qeverisë qendrore”.

Cila është zgjidhja?

Zgjidhja e sugjeruar, nuk parashikon përfshirjen e komunave në Jugun e Serbisë, të populluar nga shqiptarët, në projektin e rregullimit të linjave administrative. Ajo përfshin çështjen e Jugut të Serbisë, e cila do të pësojë vetëm një tërheqje nga statusi i mëparshëm i Kosovës, si një rast “Sui Generis”, (Rast i veçantë), të cilën CEAS e ka analizuar seriozisht, duke dhënë edhe rekomandimet përkatëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kryeministrit Zoran Djindiç, e zgjidhi çështjen e rebelimit në Jugun e Serbisë, e cila filloi mbas bombardimeve të NATOS, në vitin 2001, sapo ai erdhi në pushtet. Rebelimi përfundoi nga bashkëpunimi më NATO-n, pas asnjë civil të vrarë ose nevojën për të përdorur forcën.

Kjo metodë ishte krejt e kundërta e asaj që përdori Milosheviçi në luftën e Kosovës, e cila solli si rrjedhojë rezolutën 1244. Mosmarrëveshjet për sistemin ujor në Gazivodë, e cila ka një rëndësi të madhe për Kosovën dhe sistemin e saj ujor, por e vendosur në pjesën e Serbisë, me një hapësirë të vogël të saj, në pjesën veriore të Kosovës, në rast korrigjimi të linjave administrative dhe disa çështjeve me rëndësi strategjike për Perëndimin dhe veçanërisht, për NATO-n, mund të zgjidhen me anë të një konference ndërkombëtare ose me formate të tjera nën kujdesin e shteteve anëtare të NATO-s. Këtu mund të gjenden arsye për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbartura, që nga viti 1990.

Thaçi vazhdon lojën me Luginën

Në një postim në Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar përsëri, çështjen e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Në postimin e tij, Thaçi shprehet se, “Edhe njëherë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës”- përfundoi Thaçi. Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat, për situatën në Veriun e Kosovës. Në fakt ideja e shkëmbimeve territoriale, duke përfshirë Luginën, nuk përmendet nga asnjë lider. Këtë ide e ka pranuar vetëm Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Cilat do të jenë dilemat e Serbisë për Kosovën?

Në studimin e tij, për Serbinë, raporti thekson se: “Serbia duhet të premtojë që nuk do të pengojë përfshirjen e Kosovës, në të gjitha strukturat qeverisëse të Interpolit. Kjo qasje nuk duhet të lejojë infiltrimin e Rusisë në rajon, as në Serbi, ku industria e gazit dhe e naftës është nën pronësi të shumicës ruse. Këto kanë ardhur si rezultat i vendimeve të qeverive të mëparshme. Nuk është akoma e qartë, se sa njerëz ka arritur të rekrutojë shërbimi inteligjent i Moskës. Gatishmëria e Perëndimit, për të bërë disa lehtësira autoriteteve të Beogradit, ku përfshihet rezoluta 1244 dhe statusi “Sui Generis” i Kosovës, mund të lehtësojë procedurat për të arritur një marrëveshje të pranueshme, nga ana e Serbisë dhe ndaj së cilëve Kremlini nuk do të kishte asnjë kundërshtim.   

Krahasimet e Vladimir Putin për korrigjimet e linjës administrative, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të justifikuar statusin e Krimesë, nuk qëndrojnë për shumë arsye. Rezoluta 1244 parashikon që qytetarët e Kosovës, pas negociatave për statusin e ri, kanë një shans për të shprehur opinionin e tyre për statusin e ri. Nëse këto negociata dështojnë, qytetarët do të kenë të drejtë të specifikojnë statusin e ri. Asnjë rezolutë e tillë nuk është vendosur nga Kombet e Bashkuara për qytetarët e Krimes dhe Katalonjës. Korrigjimi i linjave administrative dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, do të mënjanojë disa argumente, të cilat qeveria e Serbisë është duke i theksuar tani, por të cilat janë duke mënjanuar mbështetjen e Serbisë në procesin e integrimit Evropian. Nëse Serbia arrin të normalizojë marrëdhëniet më Kosovën, do ta mundësonte atë të hynte në një ndryshim logjik të kushtetutës dhe të adoptojë një doktrinë të re, pa pasur limitet e çështjes së Kosovës dhe sidomos peshën e Rusisë.

Me këtë lëvizje, Perëndimi do të përballet me një risk të ulët dhe ka një shans për të arritur një përfitim të madh dhe mund ta vendosin Presidentin Vuçiç, në një situatë pozitive përballë integrimit Evropian. Kjo do të sillte fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe reduktimin e influencës ruse në Serbi. Në radhë të parë, nuk duhet të injorohet fakti se, opinioni publik në Serbi, tregon se qeveria ka një shumicë absolute, por nuk e ka këtë shumicë mbështetjeje, kur vjen puna në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Edhe Perëndimi e di këtë gjë”. Mbështetja nuk është e madhe, edhe në rastin kur mosmarrëveshjet për kufirin mund të vendosen sipas mënyrës së propozuar nga CEAS. Kisha Ortodokse Serbe, strukturat e krahut të djathtë dhe strukturat e sistemit të sigurisë, të cilët favorizojnë kriminelët e luftës dhe publikisht kërcënuan Presidentin Vuçiç, për shkak të marrëveshjes së Brukselit, duhet të merren në konsideratë. Qëndrimet armiqësore në Serbi, për çështjen e Kosovës janë të njohura.

E ashtuquajtura opozita demokratike po punon intensivisht për të reduktuar hapësirat manovruese për këtë qeveri, duke refuzuar çdo propozim të Perëndimit dhe duke kundërshtuar çdo plan për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në vend të veprimit të përgjegjshëm për interesat e shtetit, ata kërcënojnë duke e dënuar lidershipin aktual për “Tradhti të lartë”. Duhet theksuar se qeveria aktuale, akoma nuk i ka dhënë një status diplomatik, të ashtuquajturave Qendrat e Ndihmave Humanitare në Nish, edhe pse nën një presion të madh nga Rusia, për të bërë një gjë të tillë. Aq më tepër, mbas transferimit të qendrës në aeroportin e Nishit, qeveria mori kontrollin e aeroportit, e cila përbën një lajm të mirë. Presidenti Vuçiç, ka pasur një numër takimesh të nivelit të lartë, në Këshillin e Bashkëpunimit, midis, Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Takime të cilat fokusohen në fuqizimin e marrëdhënieve të këtyre vendeve, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Normalizimi i marrëdhënieve, midis Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të arrihet me korrigjimin e linjave administrative, si një koncesion i vogël për Serbinë, do të krijojë kushte më të mira për bashkëpunimin e NATO-s me Serbinë brenda planit të Aksionit dhe Partneritetit Individual. Absurde ose jo, por në rast të një ngadalësimi të procesit të integrimit dhe dështimit të marrëveshjes me Kosovën, autoritetet aktuale serbe, mund, shumë lehtë të fitojnë zgjedhjet e ardhshme duke garuar me një mbështetje të fortë nga ana e Rusisë, Kinës dhe Turqisë. Vende këto, me të cilat, Serbia ka marrëdhënie të ngushta bilaterale, duke vënë theksin tek rëndësia gjeopolitike dhe demografia e Serbisë. Ky është një realitet i cili duhet të merret në konsideratë, nëse merret në shqyrtim përfundimi final i mosmarrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Kush është CEAS-i?

Qendra për Studimet Euro-Atlantike është një organizatë e pavarur Social-Liberale, e themeluar në Beograd në vitin 2007. CEAS mbështet nga: Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, organizatë e themeluar në Hungari, Shoqata Kombëtare për Demokraci, e themeluar në SHBA, Fondi i Vëllezërve Rokfeller në SHBA, Komisioni Evropian, Fondi Ballkanik për Demokraci, në Serbi, Divizion i Diplomacinë Publike në NATO, OSCE, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd, Fondi i Vishegradit Sllovaki, Fondacioni Friedrich Ebert në Serbi, Ambasada Amerikane në Serbi. Qëllimet kryesore të organizatës janë: Theksimi i rëndësisë së të drejtave individuale, mbi të drejtat kolektive, pa përjashtuar të drejtat të cilat njerëzit mund t’i arrijë me aksione kolektive.

Fuqizimin e shteti sekular, promovimin e besimit dhe kuptimin e botës. Zhvillimin dhe promovimin e një shoqërie më të hapur, më shumë rend ndërkombëtar liberal e themeluar nga globalizmi funksional. Puna jonë fokusohet tek: Politikat dhe Siguria, rajonale dhe transatlantike e Serbisë, anëtarësim i plotë i Serbisë në BE dhe NATO. Analizën për prezencën dhe influencën e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Rëndësia e lidhjeve, midis reformimit të sektorit të sigurisë dhe drejtësisë trans nacionale, në Ballkanin pos-konfliktual. Promovimi për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe doktrinën e sigurisë. Kapërcimin e deficiteve demokratike te multikulturalizmit. Që nga viti 2014, kjo organizatë, është treguar shumë aktive në botime dhe propozime për çështjen e Serbisë. Këtu mund të përmendim, “Putinizmi, 2014”, “Orkestra e Putinit” 2014, “Vettingu i Sigurt” 2015, “Një guidë përmes informacioneve për sigurinë në Republikën e Serbisë”, 2016, “Fuqizimi i fuqisë së Butë të Rusisë në Serbi, qëllimet, instrumentet dhe pasojat”, 2016.

Merkel: Nuk ka ndërrim të kufijve në Ballkan

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, gjatë vizitës së tij në Gjermani u takua me kancelaren Angela Merkel dhe pas takimit të tij, ai bëri të ditur se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë dhe mbështetje nga shteti i Gjermanisë. Kancelarja Merkel tha se ka tendenca të caktuara në Ballkanin Perëndimor dhe se po flitet për rivendosje të kufijve, gjë e cila, sipas mendimit të saj, nuk mund të bëhet. “Ekziston një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina përpiqet të bashkohet me Bashkimin Evropian, prandaj është dashur që t’i përgjigjet qindra pyetjeve dhe ne kemi inkurajuar qeverinë që të përgjigjët në këto çështje shtesë,” tha Merkel, citon Radio Evropa e Lirë. Merkel gjithashtu bëri të ditur se “Ne u pajtuam mbi tri çështje, të cilat janë mbi të gjitha të tjerat: çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë dhe këtë duhet ta përsërisim gjithherë, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet edhe ardhmëria evropiane e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dhe Bosnjë e Herzegovina aspirojnë arritjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, tha kancelarja Merkel.

Ditëve të fundit janë shtuar idetë për ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo “korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë. Marrëveshja është kusht për të dyja palët që të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Deklaratat e Angela Merkelit, vijnë në një moment, kur çështja e kufijve në Veriun e Kosovës, është hapur përsëri. Prej disa ditës është duke u folur nga ana e liderve kosovarë, posaçërisht Presidenti Hashim Thaçi, sipas të cilit, kufijve të Kosovës do t’i bashkëngjitet edhe Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Kjo është deklarata e parë e bërë nga një liderë botëror. Kjo të bën të mendosh se Hashim Thaçi, është duke testuar opinionin publik në Kosovë, rreth kësaj situate. Pra ajo që po konsumohet tani, është vetëm deklaratat për konsum të brendshëm.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA