...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Prapaskena e marrëveshjes me Emiratet dhe Alabarin dhe përpjekjet e Ramës për të shpëtuar veten dhe mbytur popullin

Bëhet fjalë për një nismë idiote për mos të thënë kriminale. Ajo krijon një tjetër iluzion ekonomik, sepse jodobitë i tejkalojnë disafish dobitë: sepse është e vërtetë se projekti mund ta përmirësojë gjendjen e portit, të kontribojë në turizëm dhe mund të krijojë disa qindra vende pune siç pretendon Rama, por fakti që porti ndërtohet nga një “investitor” që nuk i ka paratë e nevojshme dhe porti synon të mbulojë nevojat rajonale dhe jo nevojat kombëtare, dhe nuk paguan taksë infrastrukture, dhe ndihmohet në shitjen e apartamenteve duke përdorur shtetësinë shqiptare, dhe nga xhirua e tij vjetore në port paguan vetëm 2 për qind, kur shteti shqiptar mban 33 për qind të aksioneve, kuptohet se kush fiton dhe kush humbet.

Ylli Përmeti

06/04/2021 - 18:25

Në shtator të vitit të kaluar qeveria “Rama-3” nënshkroi një marrëveshje (shih në fund formatin në pdf) me Emiratet e Bashkuara Arabe për zhvillim ekonomik të ndërsjellë por duke u përqendruar në vendin tonë dhe joanasjelltas dhe në tre sektorë: 1) zhvillimin e Portit të Durrësit; 2) mundësinë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil; dhe 3) investime në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Për këtë marrëveshje ishte vetë Këshilli i Ministrave nxitës dhe jo pala e emirateve. Njësoj ka vepruar kryebashkiaku Veliaj: ka ftuar emiratet të investojnë në projekte të ndryshme në Tiranë. Përpara kësaj marrëveshje princi i emirateve ofroi ndërtimin e 2 mijë banesave si ndihmë pas tërmetit.

Për këtë “bamirësi” Rama njoftonte nga Abu Dabi në nëntor të po të njëjtit vit se nënshkroi marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të ndërtuar 2000 apartamente të reja në Spitallë dhe godina të tjera “në vend të pallateve të shembura në Durrës nga goditja e 29 nëntorit”. Në Spitallë infrastruktura do të financohej nga qeveria e tij ndërsa pjesa tjetër nga emiratet. Ai tha, gjithashtu, se me princin e kurorës do të zhvillonte “disa zona të tjera” me investime direkte në projekte të mëdha, “në radhë të parë në turizëm, por jo vetëm”. Rama tha për këtë investim —lidhur me dyshimet se mos qeveria jonë ia dha emirateve portin si këmbim për banesat— se s`ka lidhje me portin e Durrësit!

Sidoqoftë, marrëveshja citon se “kontratat, programet dhe projektet strategjike të rëna dakord në përputhje me...Marrëveshjen nuk do të jenë në asnjë prej Palëve që i nënshtrohen prokurimit publik, tenderit publik, procedurës konkurruese publike ose ndonjë procedure tjetër të përcaktuar në legjislacionin kombëtar të Republikës së Shqipërisë ose Emiratet e Bashkuara Arabe pas ratifikimit të kësaj Marrëveshje” (Neni 6). Aktualisht po përflitet për fillimin e projektit të Durrësit, i cili, sipas Ramës, do të jetë 2 miliardë euro; do të hapë 12 mijë vende pune; do të shërbejë si port mallrash por duke e zhvendosur këtë të fundit në Porto Romano; do të rehabilitohet porti aktual dhe bashkë me të parin do të klasifikohet si zonë e lirë ekonomike, me një linjë hekurudhore për të lehtësuar lëvizjen dhe qarkullimin e mallrave; ndërkohë më herët Balluku, ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, ka përmendur dhe krijimin e një hapësire për jahtet e të...pasurve!

Qasja e përgjithshme e qeverisë për Durrësin përputhet me qasjen e përgjithshme të saj për zhvillimin e turizmit, të cilin e kam shqyrtuar në vend tjetër dhe kam treguar se pse ka dështuar dhe si mund të zhvillojmë turizëm të qendrueshëm.

Kryefiaskua e qeverisë “Rama” me “turizmin elitar” dhe si mund të krijojmë turizëm të qendrueshëm

Kur kjo marrëveshje filloi të përsëritësh shumë në media, filluan dhe kritikat. Një analizë tregon disa “dritëhije” të projektit të Durrësit ku inxhinier Geri Selencia e mirëpret ndërsa është skeptik lidhur me zhvendosjen e portit të mallrave në Porto Romano sepse studimet tregojnë se ai është “det i hapur dhe i pambrojtur nga erërat, deti është i cekët dhe aktualisht veprojnë dy terminale private dhe nuk ka shumë hapësira portuale dhe ligjore për manovrim”. Një inxhinier tjetër, Osman Metalla, e konsideron vendim strategjik sepse është “mendim strategjik, i mbështetur në studime”!

Përgjithësisht, ata përqendrohen në aspekte teknike të cilët hamendësohet se i qartëson plan-projekti ose “masterplani” siç përmendet zakonisht nga armiqt e gjuhës shqipe, politikanët profesionistë, profesorët dhe gazetarët. Të paktën, nuk harrojnë të përmendin faktin se aktualisht porti i Durrësit, ndërmarrja më e madhe shtetërore, prej të cilit zhvillohet gati 80% e tregtisë së mallrave, gjeneron pak të ardhura me një xhiro vjetore 1.6 miliardë lekë që bashkë me konçesionarët e tjerë të Portit realizon xhiro vjetore 2.4 miliardë lekë ose 19 milionë euro. Siç citon, për më shumë, analiza:

“Duke marrë në konsideratë se në Porto Romano do të transferohen vetëm mallrat, atëherë xhiroja do të jetë më e ulët. Në këto kushte, leverdia për të investuar mbi 500 milionë euro për portin e ri zbehet po të marrim në konsideratë rezultatet aktuale të të ardhurave në Portin e Durrësit. Përpjekjet për të transferuar shërbimin e kargos nga Porti i Durrësit kanë dështuar më herët. Studimet që nga viti 2000 kanë vërtetuar se, zgjerimi i Portit të Durrësit për të përpunuar më shumë mallra në perspektivë është i pamundur për shkak të mungesës së hapësirave. Porti, brenda në qytet, është i rrethuar me ndërtime dhe për më tepër deti është shumë i cekët që nuk siguron ankorimin e anijeve me tonazh të lartë. Transferimi i shërbimeve të kargos u synua edhe nga qeveria e zotit Berisha. Në vitin 2011, Agjencia Shqiptare e Investimeve ftoi investitorët të shndërronin Porto Romanon në një port për përpunimin e mallrave së bashku me zhvillimin e zonës ekonomike të Spitallës kundrejt një investimi prej 800 milionë eurosh. Por kriza globale e pas vitit 2008 pengoi interesin e investitorëve potencialë”. (Dritëhijet e projektit të ri në Portin e Durrësit, AZ, 30/01/2021)

Por inxhinierët harrojnë se Rama e ka projektuar Shqipërinë si qendër neoliberale prej të cilës do të furnizohen vendet fqinje dhe veçanërisht Serbia përmes federatës ballkanike të Brukselit! Në fjalë të tjera, ai synon të rrisë tregtinë dhe transportin në port dhe kështu të rrisë xhiron dhe fitimet. Gazetarët e oligarkisë nuk ndryshojnë shumë nga inxhinierët që sapo përmenda. Ata u përqendruan tek darka që zhvilluan palët në Dubai dhe kërkonin të hidhnin dritë mbi të kur dihet se qeveria “Rama” dhe pararendësja e saj ka vite që “negocion” pa protokoll me shtetet e huaj!

Ndërsa nga inxhinierët dhe gazetarët e të nguliturve (nomenklaturës) nuk mund të presim të na thonë ndonjë të vërtetë të plotë që lidhet me të mirën e përgjithshme të popullit tonë, Rama dhe qeveria e tij i ka bërë hesapet —siç i ka bërë kaq vite— pa hanxhinë!

Marrëveshja me Emiratet dhe Alabarin

Me rëndësi për ne është të kuptojmë se çfarë fiton privati dhe çfarë fiton shteti ynë me marrëveshjen mes qeverisë “Rama” dhe Alabarit―në fakt, mes Emirateve dhe Shqipërisë, sepse qeveria e Dubait ka 32% të aksioneve në ndërmarrjen e tij. Sipas marrëveshjes ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, SH.A. (kjo përfaqëson interesat e shtetit shqiptar), dhe NSHMI Development L.L.C., për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, e cila u miratua me procedurë të përshpejtuar në kuvend gjatë ditëve të para të nëntorit, përfshin një pikë në nenin 2 me rëndësi të madhe:

• e para parashikon përjashtimin “nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social”. Në të sqarohet se “vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontibutit të shtetit shqiptar në investim”;

Marrëveshja nuk përmban të dhëna të tjera por shtypi njoftoi të dhëna të tjera bazuar në raportin apo relacionin e marrëveshjes. Sipas tyre shteti shqiptar do të mbajë 33% të aksioneve ndërsa Alabari 67%. Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe tokësore prej 812, 600 m² në portin e Durrësit dhe marinën e portit; do të krijohen 80, 000 m² hapësira publike të gjelbërta; do të ndërtohen 280 vende ankorimi për jahtet, 12,000 apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma.

Investimi ndahet në dy faza, me të parën të nisë në vitin 2023 dhe me vlerë 595 milionë euro ndërsa e dyta fillon në vitin 2028 me vlerë 1 miliardë e gjysmë euro. Ngaqë investitori strategjik s`i zotëron të gjitha paratë e nevojshme, qeveria jonë lejon përdorimin e pesë mënyrave të financimit për të siguruar paratë.

Sipas mënyrës së parë ajo kërkon nga privati të ketë në llogarinë e tij bankare ―pa filluar investimi― vetëm 30% të investimit tërësor ose 180 milionë euro vetëm për fazën e parë ose 9 për qind të shumës së kërkuar për gjithë investimin. Mënyrat e tjera të financimit janë “financimi i borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, Eagle Hills-it; të ardhurat e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga Eagle Hills-i”.

Sipas përfaqësuesit të shtetit tonë, Erlis Hereni, faza e parë nuk pengon punën e portit. Gjatë kësaj faze bonikohen 700 metra linearë tokë të cilat kthehen në ranishte. Në fund, privati do t`i paguajë shtetit nga shfrytëzimi i Marinës ose Portit Turistik, një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore.

Investitorët e huaj që blejnë prona nga “investitori strategjik” do të kenë të drejtë të kërkojnë shtetësi dhe banim të përhershëm në Shqipëri. Përdoret, në fjalë të tjera, shtetësia shqiptare për të nxitur blerjen e pronave të “investitorit strategjik”. Kjo politikë ka dhe një efekt tjetër: ajo përputhet me politikën (ose qëllimin) tjetër të elitave neoliberale për të përzier racat (melting pot) e popujve në emër të prishjes së kohezionit të kombeve me homogjenitet të lartë si populli ynë.

Kundrejt këtyre fakteve dhe efekteve, Rama në kuvendin e datës 24 nëntor të vitit 2022, përdori ―deri diku me të drejtë― kritikën e Konicës kundrejt opozitës së Berishës por nuk përmendi gjithë faktet e marrëveshjes së tij as edhe gjithë efektet e saj. Një ndër faktet kryesore të marrëveshjes së tij është fakti se “investitori strategjik” nuk i ka kursimet e nevojshme për të mbuluar projektin, as edhe të fazës së parë!

Madje ai shtrembëroi dhe faktin se Alabari bëhet “pronar” i portit. Për të mbuluar këtë të vërtetë ai përdori argumentin se shteti ynë do të jetë bashkaksioner me 33% të aksioneve dhe si pasojë do të ketë të drejtë “vetoje” në vendime dhe veprime! Vetëm se harroi të përmendte faktin se “krahazuesi” ka shumicën e aksioneve dhe me to ai dikton vendimet dhe veprimet e projektit; madje ka dhe mundësinë të korruptojë qeveritarë që e kanë vërtetuar se janë të korruptueshëm.  

Opozita e mjerimit dhe “ekspertët” dhe gazetarët e saj u përqendruan tek karakteri i ndërmarrjeve të Alabarit duke i dyshuar ato meqënse përbëhen nga anëtarët e familjes së tij dhe janë “offshore”; të tjerë hodhën dyshime për lidhjet politike të Alabarit me krerët e qeverisë dhe Bashën (Kalaja, një avokate me lidhje politike me PD-në argumentoi në Syrinet se kunati i Bashës është administrator i Eagle Hills).   

Por le kuptojmë si fillim efektin e megaprojekteve në kursimet e popujve nga një perspektivë historike duke gjykuar nga vendet e tjerë

Lojrat olimpike dhe megaprojektet greke kontribuan në falimentimin e vendit

Gjithë veprat (stadiume, autostrada etj.) për zhvillimin e lojrave olimpike në Greqi u ndërtuan për të rritur rrjedhën e turizmit dhe investimeve të cilët, me radhë, do të mbështesnin një rritje të qendrueshme ekonomike në afat mesëm. Por tashmë, shkruante Financial Times kur mbaruan ndërtimet, është e qartë se kostua e lojrave do të jetë shumë më e madhe se sa u projektua dhe dobitë nuk janë të sigurta në asnjë mënyrë. Në terma praktikë, synimi i Greqisë është të rikrijojë atë çfarë njihet si “efekti i Barcelonës”. Pas vendosjes në skenë të lojrave olimpike në vitin 1992, qyteti i dytë i Spanjës u bë një ndër drejtimet më popullore të Evropës për turizmin e shtrenjtë. Një dekadë më pas Barcelona është një qendër rajonale për turizmin, edukimin dhe shërbimet. (Counting the cost of the Athens Olympics, FT, August 15 2004).

Parashikimi fillestar ishte 5 miliard dollarë por kur mbaruan ato u dyfishuan: në 11 miliard dollarë. Një profesor grek në atë kohë thoshte se ndryshe nga qytete të tjerë ku u përfshin struktura të parafabrikuara dhe të rrënueshme, Athina zgjodhi ndërtimin e ndërtesave të rënda të cilat u shërbyen vetëm interesave të kontraktorëve. Por kjo është një qasje problematike sepse përqendrohet vetëm në aspekte teknike. Dyfishimi i kostos nuk çuditi studiuesit e Universitetit të Oksfordit (Flyvbjerg etj.) të cilët kishin studiuar lojrat që nga viti 1960, ku tregojnë se megaprojektet e tjerë zakonisht u qendrojnë buxheteve fillestare, ndërsa lojrat olimpike i tejkalojnë ato me 100 për qind. Greqia shpenzoi 11 miliardë dollarë kur ajo kishte borxh 360 miliardë dollarë. Por që nga ajo kohë borxhi i saj ka katapultuar: është disafish më i lartë.

Lojrat kontribuan në borxhin e saj dhe nuk ishin vendimtare: sepse vendimtar është orientimi i Greqisë për t`u integruar në globalizmin neoliberal. Pas gati 20 vjetësh veprat kanë mbetur fantazmë dhe po rrënohen (për shkak se kanë kosto të lartë mirëmbajtje dhe klubet sportive mjaftohen me më pak hapësira sportive) bashkë me turizmin e shtrenjtë. Turizmi do të vazhdojë të rrënohet për shkak të pandemisë dhe të ardhmes e cila parashikohet të pushtohet sërish nga epidemitë, parandalimin e të cilave nuk mund ta realizojnë qeveritë as me strukturat aktuale as edhe me ato që planifikojnë në të ardhmen. Turizmi do të rrënohet edhe për një arsye tjetër: sepse superfuqitë —Kina dhe SHBA-ja— po shkojnë drejt pavarësisë ekonomike dhe globalizmi neoliberal i kohës kur Greqia ndërtoi veprat olimpike nuk do të jetë kurrë i njëjtë: kryesisht sepse ai është shkaku kryesor i katastrofës ekologjike.

Rama kërkon të shpëtojë veten me një emirat në prag falimentimi: Dubain

Emiratet kanë shkaktuar një dafrungë ndërtimesh në Dubai ndërsa vendi është në prag falimentimi. Ndërtuesi më i madh i Dubait, Muhamed Alabbar, me ndërmarrjen e tij të pronave “Emaar”, me të cilin qeveria “Rama” ka zhvilluar disa takime dhe është pjesë e marrëveshjes së qeverisë sonë me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, e nënshkruar në shtator të vitit të kaluar, por që fillesat e saj i ka në vitin 2014, një vit pas ardhjes në pushtet të qeverisë “Rama-1”, vitin e kaluar, pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy qeverive, deklaroi se do të ndalonte përkohësisht projektet ndërtuese në vendin e tij sepse kishte ngopje pronash. Domethënë, kishte më shumë ofertë se sa kërkesë! Paralelisht qeveria atje vendosi të ndalonte ndërtimet e reja. Emaar-i u kishte rezistuar prej vitesh thirrjeve për të ndaluar ndërtimet qoftë edhe kur pronësi të reja mbysnin tregun dhe ulnin çmimet. Në Dubai çmimet e banesave kanë rënë më shumë se 30 për që nga viti 2014 duke detyruar qeverinë të krijonte një komitet për të balancuar ofertën dhe kërkesën. Emaar-i është akuzuar nga rivalët e tij si shkaku kryesor për mbiofertën. Në fakt, siç do të tregoj në vijim, përgjegjëse është qeveria dhe jo Emaar-i.

Një studim mbi ndërtesat urbane në Dubai tregon se megaprojektet zakonisht të shoqëruar me fragmentime urbane, lejojnë përmes formave dhe proceseve të tyre shfaqjen e formave dhe rregullimeve që artikulojnë aktorët, institucionet, interesat, burimet, hapësirat dhe shkallët. Këto adaptime dhe negociata orkestrohen në një mënyrë strategjike pilotazhi, përmes hapësirave ad hoc informale dhe zakonisht të pazbuluara. Synimi është të sigurohet një sinkronizim e njëfarë lloji mes pronarëve dhe projekteve përmes një logjike të vazhdueshme plotësuese dhe konkurruese. Në fakt, qoftë edhe ndërmarrja “Emaar” nuk është e Alabbar-i por e sundimtarit të Dubajit, Sheikh Mohammed, e thememlur në vitin 1990 bashkë me një ndërmarrje tjetër, Nakheel—të dyja në sektorin e pronave.

Planifikimi dhe zhvillimi realizohet në përputhje me vizionin e Sheikh Mohammed. Dubai drejtohet nga një elitë dominante individësh të cilët janë të afërt me Sheikun. Dubai është konceptuar si një qytet “neoliberal” që magjeps. Konsiderohet si një qytet në kërkim të spektaklit dhe superlativave dhe politikat e tij janë orientuar kryesisht drejt tregut duke gërshetuar uljen e taksave dhe një kuadër rregullator të dobët. Qeverisja bazohet në lidhje ndërpersonale dhe kompromise, udhëheqje privilegjuese dhe besim në vend të ligjeve dhe rregullimeve, dhe nga kufizimet e paqarta mes publikes dhe privates, meqë shumica e zhvilluesve kyç kontrollohen nga Sheiku. Duke qenë kontrolluesi dhe pronësuesi i shumicës së tokës në Emirate, Sheiku ndan toka te zhvilluesit kyç me qëllim që të ndërtohen megaprojekte. Kostot e megaprojekteve, rrjedhimisht, nuk zbulohen nga elita. Për të mos tejkaluar kostot është përdorur qasja e “ndashmërisë” (“divisibility”) së megaprojekteve. Ajo përbëhet nga nënprojekte mbi të cilët mund të punohet në pavarësi nga njëri-tjetri (Urban Megaprojects-based Approach in Urban Planning: From Isolated Objects to Shaping the City, The Case of Dubai, Université de Liège Faculty of Applied Sciences, 2016).

Duke mos patur raporte për kostot e megaprojekteve kritikat përqendrohen kryesisht tek kostua e mirëmbajtjes së tyre: sepse ajo vërtet është e lartë. Këtë fakt e përmendi dhe Alabbar-i në një intervistë ku tha se si pasojë e pandemisë ndërtesat magjepsëse kanë mbetur bosh por mirëmbahen me punëtorë të cilët paguhen. Pandemia e goditi Dubain më shumë se çdo vend tjetër në rajon: sepse ekonomia e tij u bazua në eksportet e naftës, turizëm (përpara pandemisë Dubai vizitohësh nga rreth 25 milion njerëz në vit) dhe zhvillimin e teknologjisë kryesisht përmes korporatave të huaja. Por me plasjen e pandemisë Dibai u trondit më shumë. Siç citon një analizë e FT:

Pasojat ekonomike të pandemisë, të shoqëruara me rrënimin spektakolar të çmimeve të naftës, kanë shkaktuar kërdi në Golfin e pasur me naftë ndërsa mbylljet mbysin bizneset dhe ministrat e financave shkurtojnë shpenzimet shtetërore. Pak në rajon janë të ekspozuar sa Dubai; fuqitë që e kanë bërë për një kohë të gjatë qytetin të shquhet —dhe vendosën Emiratet në hartë— e bëjnë atë më të cënueshme. Për dekada, mbrothësia e Dubait është ndërtuar mbi shndërrimin e tij nga një moçal i peshkatarëve të perlave në një entrepôt (port hyrës) botëror me disa nga portet dhe aeroportet më të ngarkuar, gjithashtu dhe qendra financiare ku bujtinojnë kryebankat ndërkombëtare — variantin e Lindjes së Mesme të Singaporit ose Hongkongut. Por sot drejtuesit kryesor ekonomik të Emirateve —treg, transport, turizëm, shërbimet dhe tregëtia e pronave — po mbyllen me përplasje me botën në izolim. Dubai ka burime nafte të vogla dhe i mungojnë muskujt financiar të fqinjëve të tij më të pasur si Abu Dhabi dhe Katari për të zbutur ndikimin ekonomik të pandemisë.

Expo 2020, e cila ishte planifikuar për t`u hapur në tetor, është shtyrë me 12 muaj — duke u rreshtuar në një listë të gjatë të ngjarejve botërore që kanë rënë viktimë e pandemisë. Kriza botërore ka rritur shqetësimet rreth barrës së madhe të borxheve të emirateve — të cilin FMN-ja e llogarti vitin e kaluar të tejkalojë 100 për të PPB-së së Dubait, duke përfshirë entitetet e lidhura me qeverinë, dhe zgjoi kujtime të dhimbshme. Gjatë krizës 2008-09, Dubai ishte në buzë të falimentimit dhe u detyrua të tkurrësh dhe të shpëtonte me kursime publike entitete shtetërore të zhytura në borxhe. Ai mbijetoi, dhe më pas shkëlqeu, falë kryesisht shpëtimit me borxhe prej 20 bilionë dollarë të mbeshtetur nga Abu Dhabi, kryeqyteti i pasur i Emirateve. Por kriza u përmbajt kryesisht brenda sektorit të pronave të Dubait dhe entiteteve të lidhura me qeverinë, të cilët ishin zhytur në borxhe ndërsa qyteti zgjerohësh. Por këtë herë ndikimi është më i gjerë, që në skenarin më të keq mund të rezultojë në variantin e holluar të Dubai Inc [ndërmarrje për t`u përzgjedhur nga qeveria e Dubait]. Qoftë edhe përpara goditjes së pandemisë, Dubai ishte në rënie. Çmimet e pronave ranë më shumë se 30 për qind që nga viti 2014, dhe bankierët dhe analistët spekulonin se modeli “ndërto se ata do të vijnë” kishte dalë nga binarët. Modeli tani pritet të vijë nën trysnisë më të keqe financiare dhe të detyrojë emiratet të rivlerësojnë politikat. Zyrtarët qeveritarë pranojnë se nuk do të jetë “biznes si zakonisht”. (Dubai contemplates a downsized future after the pandemic, FT, May 10 2020).

Përfundime

Alabari pranon në intervistat e tij —të paraqitura plotë pompozitet kryesisht nga televizioni “Topchannel”, se ai e shikon Durrësin nga “këndvështrimi global”. Domethënë, ai “krahason gjithçka”. Por nuk sqaron se çfarë krahason! Sidoqoftë, dihet se ndërtuesit nuk janë studiues dhe globalizmin neoliberal nuk e kuptojnë shumë për mos të thënë fare. Në rastin konkret, kemi një ndërtues që vjen nga një vend që ka krijuar një bum ndërtimesh duke shpresuar se do të blihen nga të huajt. Fakt është se vendi përkatës është në krizë të thellë ekonomike pikërisht për shkak se e bazoi zhvillimin ekonomik kryesisht tek të huajt—zhvillim të cilin ne të filozofisë politike e quajmë “zhvillim ekonomik ekstrovert”—kuptimin e të cilit e kam treguar në një studim tjetër.

Por ndryshe nga krizat e tre dekadave të kaluara, kur globalizmi neoliberal ishte në marshin e tij rreth botës, dhe rritja ekonomike ishte relativisht konstante, dhe siç ishte rritja ekonomike ashtu vepronin dhe qeveritë dhe ndërtuesit, aktualisht i njëjti globalizëm përballet me dy kriza jetike për jetën e planetit: pandemitë —të cilat do të jenë më të shpeshta dhe më të dhimbshme nëse masa sistemike nuk merren nga qeveritë e integruar në të siç nuk po merren— dhe katastrofa ekologjike për të cilën qeveritë e superfuqive —SHBA dhe Kina— janë deri diku në dijeni dhe po marrin masa që nuk mbështeten në globalizmin neoliberal por në pavarësinë e tyre ekonomike dhe teknologjike.  

Niveli i detit rritet 3m, Holanda rikoncepton dumat ndërsa Rama premton investime arabe në Durrës

Kujtoj se arkitektët dhe inxhinierët jo vetëm që s`kanë dije nga globalizmi neoliberal dhe efektet e tij katastrofike mbi popujt dhe ekosistemin e planetit por megaprojektet i mirëpresin sepse përmes tyre majmen më shumë. Gjykuar nga veprimet e qeverisë “Rama” lidhur me emiratet, të cilat janë pasojë e orientimit të vendit tonë për t`u integruar në globalizmin neoliberal dhe padijes lidhur me efektet e tij, si nga qeveria ashtu nga populli, pala e emirateve ka një avantazh: kërkesën e qeverisë sonë për të sjellë kapitalin e saj në vendin tonë. Ky është avantazh për emiratet sepse nuk kanë kërkuar ata të investojnë por kërkojmë ne. Kur njëra palë kërkon kapitalin e palës për investime krijon menjëherë pabarazi në negociata. Këtë pabarazi e kanë të qartë emiratet. Ndaj dhe do të kërkojnë të investojnë —nëse dalin nga kriza e rëndë në të cilën janë zhytur— duke kërkuar më shumë avanatazhe ekonomike.

Por le të hamendësojmë se pala arabe nuk do ta përdor këtë avantazh dhe të parashikojmë të ardhmen. Marrëveshja e parë nënkupton se porti i Durrësit do të merret me konçesion (Neni 5) nga emiratet ndërsa citohet se marrëveshja do të mbetet në fuqi për dhjetë vjet. Por marrëveshja e dytë ndryshoi thuajse gjithçka: ajo zgjatet në kohë dhe përfshin vetëm një individ: Alabarin.

Duke hamendësuar se porti i Durrësit ndërtohet nga emiratet me konçesion dhe me kursimet e tyre, një variant që e ka përdorur qeveria dhe në konçesione të tjerë, çka nënkupton se ne nuk paguajmë për ndërtimin e tij, por as edhe kërkojmë të fitojmë nëse rritet tregtia, për një afat 25 vjet, ne do të na mbetet një port i madh pas 25 vjetesh që synon të mbulojë nevojat rajonale kur e ardhmja dihet se si do të jetë: me epidemi dhe katastrofa ekologjike ndërsa do të kemi humbur 25 vjet nga të ardhurat që siguron aktualisht porti!

Domethënë, ne humbasim të ardhurat e pakta që siguron ai aktualisht ndërsa trashëgojmë një port me përmasa që synon të mbulojë kryesisht nevojat rajonale se sa nevojat vendore — mirëmbajtja e të cilit do të kërkojë shuma marramendëse: jo vetëm sepse pas 25 vjetësh do të jetë amortizuar por edhe për shkak të përmasës!

Rama, për më shumë, publikoi video ku tregohet se me ndërtimin e portit do të ndërtohen dhe banesa të reja. Nëse ky synim përfshihet dhe realizohet, ai do të shtohet në sasinë aktuale të banasave që janë jo thjesht të tepërta por unë e kam përshkruar si një qytet fantazëm pikërisht për faktin se janë ndërtuar shumë pallate kur dihet se është një qytet sizmik dhe një tërmet tjetër do t`i rrafshonte ndërtesat ekzistuese. Duke marrë si të mirëqenë faktin se tërmete nuk bien dekadat e ardhshme dhe ndërtesat aktuale mund të përdoren, banesat arabe do të shtojnë ofertën edhe më shumë dhe do të shkatërrojnë edhe më shumë çmimet e banesave pronarë të të cilave janë inxhinierët e brendshëm me lidhje të ngushta partiake!

Në fakt, në vend të investojnë arabët në vendin tonë, do të investojmë ne në Arabinë Saudite në nismën e saj për mbjelljen e 50 miliardë pemëve, duke dërguar fidanë dhe punëtorë, të cilët nuk i përmendi por s`ka se si të jetë pjesë e nismës përkatëse meqënse vendi ynë mund të prodhojë fidanë me kosto të ulët dhe ka forcë punëtore me përvojë në mbjelljen e pemëve dhe që mund të punojë po ashtu me kosto të ulët. Por për këtë rast, hipokriti, përmendi faktin se ne do të kontribojmë në “aleancën e madhe të vendeve...për përballuar sfidën e madhe të mjedisit dhe ngrohjes globale”.

Kështu në vend të gjelbërojë vendin tonë të cilit i kemi shkatërruar pyjet (Rama, në fakt, gjatë zjarreve të këtij viti tha se “ne jemi vend i pasur me pyje” kur dihet se pyjet tanë janë gjymtuar që kur ra socializmi marksist dhe po shkretohen çdo ditë dhe vit), gjelbërojmë Arabinë Saudite dhe e paraqesim atë, siç paraqiti Rama, si kontribut në ndalimin e ngrohjes globale! 

Qartësisht, bëhet fjalë për një nismë idiote për mos të thënë kriminale. Ajo krijon një tjetër iluzion ekonomik, sepse jodobitë i tejkalojnë disafish dobitë: sepse është e vërtetë se projekti mund ta përmirësojë gjendjen e portit, të kontribojë në turizëm dhe mund të krijojë disa qindra vende pune siç pretendon Rama, por fakti që porti ndërtohet nga një “investitor” që nuk i ka paratë e nevojshme dhe porti synon të mbulojë nevojat rajonale dhe jo nevojat kombëtare, dhe nuk paguan taksë infrastrukture, dhe ndihmohet në shitjen e apartamenteve duke përdorur shtetësinë shqiptare, dhe nga xhirua e tij vjetore në port paguan vetëm 2 për qind, kur shteti shqiptar mban 33 për qind të aksioneve, kuptohet se kush fiton dhe kush humbet.        

Përditësuar    

Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)

It appears your Web browser is not configured to display PDF files. Download adobe Acrobat or click here to download the PDF file.

Click here to download the PDF file.
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA