...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bashkëfajtorësia e përmbaruesve dhe bankave në krimin shtetëror

Përmbaruesit kundër bankave; mbrojnë ministrat për tarifat e reja

Genta Kaloçi

07/08/2017 - 15:05

Më në fund erdhi reagimi i përmbaruesve. Kaq ditë mediat, politika dhe bankat ishin bërë palë për t’ia ‘futur’ qytetarit dhe shtetit që humbte nga tarifat e shërbimit përmbarimor. Bankat nga ana e tyre reaguan duke nxjerrë kokën me shpresën se kjo është thjesht një lojë politike për shantazh ndaj palëve të përfshira në këtë ligj. Bankat u bëjnë shantazh përmbaruesve me iluzionin se kanë përkrahjen e politikës qendrore. Por “harrojnë” se gjërat kanë ndryshuar. Politikës dypartiake (PD/LSI) nuk u intereson t’ua bëjnë të qartë se gjithçka ka mbaruar. Por i përdorin shantazhet se mbase mund të shpëtojnë marrëveshjet informale të kuotave dhe përqindjeve përfituese poshtë tavoline siç kanë bërë prej 27vitesh.

Bankat reaguan kundër ligjit që u bënë shantazh biznezeve dhe individëve jo subjekt ligjor të cilët deklarojnë falimentim, por edhe ndaj firmave të përmbarimit për t’u treguar se ata bëjnë ligjin e shantazheve financiaro-politikë në vend. Megjithë këtë akt kundërshtimi, bankat janë totalisht të ekspozuara duke treguar shantazuesin e vërtetë, cubin financiar të politikës qendrore dhe vendore që ka mbizotëruar prej afro tre dekadash.

Reforma e drejtësisë, riformulimi, rithemelimi i kornizave ligjore të strukturave shtetërore i kanë nxjerrë zbuluar të gjithë faktorët dhe protagonistët e krimit të organizuar politik. Shoqata e prokurorëve, gjyqtarëve, noterëve, juristëve, bankierëve janë pozicionuar kundër vetingut dhe drejtësisë meqënse u hiqen përfitimet financiare pasurore prej afro tre dekadash për të cilat do të kalojnë në filtirim të hollësishëm, të përbërë nga filtri profesional, filtri me botën e krimit, dhe filtri i deklarimit të pasurisë.

Në listën e kundërshtarëve të reformës në drejtësi shtohen edhe bankat të cilat pozicionohen hapur kundër ligjeve dhe vendimeve që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë me to. Pikërisht këtu ngrihen pyetjet përse bankat ngrihen kundër tarifave të përmbaruesve, përse kaq interes ndaj fitimit të këtyre bizneseve ndërkohë që bankat nuk kanë ndonjë rol aktiv në këto marrëveshje.

Banka merr përqindjen e saj nga lëvizja e shumave të mëdha që realizojnë palët. Por mesa duket thela ka qënë më e madhe në mënyrën e funksionimit informal të cilin e mbulonin bankat. Bankat e nivelit të dytë e të tretë në rang vendi dihet tashmë se qarkullojnë dhe bëjnë lavazh parat e krimit të organizuar që burojnë nga trafiqet e ndryshme (njerëz, droga, kontrabanda e naftës, mineraleve, cigareve, ilaçeve etj.). Mesa duket nuk mjaftonin vetëm këto përqindje por morën -me ndihmën e politikës- edhe përqindjet e tarifave më të larta në rajon ndaj pagesave dhe rrogave të gjitha profesioneve që bëheshin nëpërmjet bankave.

Është e ditur se çdo zyrtar merrte një përqindje nga banka me të cilën kishte firmosur marrëveshje për kalimin e pagesave të punonjësve të institucioneve shtetërore. Prandaj ndryshimi i titullarit sillte edhe marrëveshje të re me bankën në fjalë ose ndonjë tjetër që plotësonte kushtet e gjobës së zyrtar-politikanit. Bankierët nuk u mjaftuan vetëm me kaq por prej vitesh kishin edhe kontrollin e përmbarimit të procesit të falimentimit. Ishin cubat financiarë të veshur me petkun politik që zhvasnin përmbarimin por edhe duke mashtruar shtetin me deklarimin e shitjeve fiktive të bizneseve dhe pronave. Në shumicën e rasteve kjo bëhej pa djeninë e përmbaruesve ose me shantazhimin e përmbarueve duke u dhënë një përqindje qesharake sa për të justifikuar ekzistencën e tyre ligjore në vend. Gjithçka kryhej në bashkëpunim me abuzuesit, pronarët e firmave që kishin detyrime ndaj shtetit — në disa raste edhe me ndihmën e firmës së përmbarimit — këto zakonisht, janë zyra të hapura nga familjarë të politikanëve, deputetëve ose me lidhje të forta me ta, duke u paguar përqindje të lartë për çdo biznes që kalonte nga kjo fazë.

Konkludojmë se bankat kanë marrë/përvetësuar/vjedhur gjithmonë pjesën që i takonte shtetit duke implikuar përmbaruesit dhe detyrimet e papaguara. Në këtë rast bankat janë në kundërshtim me ligjin ndërsa bënin ligjin tërthorazi me ndihmën e politikanëve  PD/PS/LSI duke zhvatur shtetin dhe qytetarin edhe një herë. Pavarësisht përpjekjeve të shoqatave të ndryshme me aktakuza kundër paketave ligjore – le të kuptojnë se asgjë nuk mund të ndryshojnë. Numërimi mbrapsht ka filluar për çdo abuzues dhe kriminel. Nuk mbrojn as petku i shoqatave dhe as petku i politikanit. Të gjithë duhet të përballen me ligjin dhe drejtësisë.

   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA