Kushtetuta e Kosovës (Ahtisarit) dhe nevoja për rishkimin dhe miratimin e saj nga populli
Duke qenë se nuk është gjetur deri më sot asnjë dokument burimor i këtij “grupi të punës”, kjo e përforcon dyshimin e popullit në lidhje me punimet që ky grup ka bërë për të arritur deri tek ky akt përfundimtar – çka ngre paragjykimin se kjo Kushtetutë është përpunuar dhe është dorëzuar si e gatshme në duart e z. Arsim Bajramit, i cili, më pastaj, veçse e ka paraqitur para institucioneve të Kosovës
Vjollcë Drugzani*
10/04/2025 - 14:07
Më 9 prill shënojmë Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në përvjetorin e saj të shtatëmbëdhjetë. Kushtetutat janë akti më i lartë juridik i një shteti; me fuqinë më të lartë juridike. Ato shënojnë juridikisht ekzistencën e shteteve meqenëse janë dokumente themelore të organizimit të tyre – gjë që nuk e përjashton mundësinë që të ketë shtete si Anglia tek i cili nuk kemi një kushtetutë të shkruar. Ajo përbën një përjashtim ku kemi të bëjmë me rregulla zakonore, ligjore apo edhe të jurisprudencës, të cilat, edhe pse jo të kodifikuara, përbëjnë norma kushtetuese (...).
Krejtësisht në një formë dhe përmbajtje tjetër prej asaj të Anglisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua më 9 prill 2008, ndërsa hyri në fuqi me 15 Qershor të të njëtit vit. Kjo kushtetutë vjen, për herë të parë, si akt i plotë i një shteti të pavarur siç edhe u bë Kosova më 17 shkurt 2008. Në këtë aspekt, ajo dallon dhe shkëputet nga periudha e më hershme kur Ligji Kushtetues i 1968 apo Kushtetuta e vitit 1974 vinin si akte nën-themelore dhe të një krahine autonome në kuadër të Jugosllavisë. Disa vite më vonë, pas heqjes së autonomisë së Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut ishte dhe mbeti një tentativë nën pushtim për ta mbivendosur një rend sfidues ndaj pushtimit. Ishte lufta e UÇK-së me aleatët e saj ajo që e ndryshoi, së pari, raportin real ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që, më vonë, bëri që të kërkohet, bazuar mbi realitetin e ri, një rend të ri kushtetues. Korniza Kushtetuese e vitit 2001 erdhi si pasojë e Rezolutës 1244, e cila u dha si ndërmjetësuese ndërmjet rendit kushtetues që nuk ishte më e atij që do të vinte më vonë.
Më 2008, kjo Kushtetutë erdhi si pasqyrim i Pavarësisë dhe e bëri Kosovën de jure me Republikë dhe me elemente të tjera të mëvetësisë shtetërore. Në njërën anë, ajo krijoi disi qytetarin e saj identifikues, pra të dalluar nga çdo identifikim jugosllav, por, në anën tjetër, erdhi në jetë me shumë të meta duke filluar që nga mënyra e hartimit e deri tek shumë mangësi thelbësore në “brendësinë” e saj.
- Së pari, ajo kushtetutë nuk ka buruar nga vullneti i popullit, sepse nuk është miratuar asnjëherë nga populli përmes një referendumi apo përmes një kuvendi kushtetues. Ajo është miratuar nga një kuvend legjislativ i zakonshëm përmes një miratimi solemn në kuvend – gjë që e bënë Kushtetutën të jetë pa ligjshmëri në rrafshin politikë. Edhe më keq, në rrafshin institucional dhe juridik, një ligjësim i tillë e bënë Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetutese të pafuqishme përballë institucioneve të tjera për arsye sepse këto të fundit burimin nuk e kanë tek populli, por tek ligji i një kuvendi legjislativ – gjë që e bënë të mangët autoritetin dhe besueshmërinë e saj për verifikimin e ligjshmërisë së një ligji kur vetë kjo Kushtetutë e ka bazën tek ligji.
Pasi është mënjanuar populli si burim i saj, kësaj Kushtetute i mbetet i vetmi burim, Pakoja e Ahtisarit. Andaj edhe u quajt me të drejtë: “Kushtetuta e Ahtisarit”. Për më tepër, shpërfaqja e një “krenarie” vetëlavdëruese të z. Arsim Bajrami si udhëheqës i grupit punues tregon se kjo Kushtetutë del të jetë vetëm një përkthim e kodifikim i Planit të Ahtisarit; dhe duke qenë se nuk është gjetur deri më sot asnjë dokument burimor i këtij “grupi të punës”, kjo e përforcon dyshimin e popullit në lidhje me punimet që ky grup ka bërë për të arritur deri tek ky akt përfundimtar – çka ngre paragjykimin se kjo Kushtetutë është përpunuar dhe është dorëzuar si e gatshme në duart e z. Arsim Bajramit, i cili, më pastaj, veçse e ka paraqitur para institucioneve të Kosovës.
-Kushtetuta jonë, që nga parathënia, të themi të vërtetën është e “çuditshme”. Në këtë parathënie nuk përmendet as shumica shqiptare e as e komuniteteve të tjera. Pra, mungon ose mohohet historia e komuniteteve dhe, në veçanti, ajo e popullit shqiptar të Kosovës. Kjo do të thotë se, në mënyrë mashtruese, mohohet identiteti i popullit shqiptar.
-Pastaj, nene të caktuara pajambajnë grupe të unitetit të pakicave serbe që mund të bllokojnë vendimarrjen e shumicës. Pra, Kushtetuta është më shumë bllokuese se sa zgjidhëse e rrethanave pasi ajo nuk e njeh plotësisht realitetin e vendit tonë as në rrafshin historik dhe as në atë aktual – gjë që dëshmohet më së miri me jetën institucionale ne vend. Ajo mbeti për shumë kohë pështjelluese me krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe qeverinë që formohet nga ato. Kjo paqartësi ka krijuar “ngërçe” të gjata institucionale dhe sot fryma e saj krijon papërgjegjësi të madhe në të gjitha nivelet e pushtetit. Në një farë mënyre, ajo është bërë kushtetuta e analistëve dhe e interpretimeve. Edhe ashtu, gjatësia e saj e pazakontë me 162 nene apo 65 faqe A4 e bënë atë një kushtetutë të panjohur për popullin.
Pra, nga të gjitha “amullitë” e neneve të përmendura dhe të tjerave të papërmendura, lind natyrshëm pyetja se a ka nevojë Kushtetuta jonë për ndryshime dhe përshtatshmëri me realitetin e ri, apo duhet të “kënaqemi” vetëm në rolin e saj historik që ka luajtur në pasqyrimin e aspiratës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi?
Pyetja, në fakt, është retorike sepse kjo Kushtetutë nuk mund të vazhdojë t`i kompensojë mangësitë e veta në ligjshmëri popullore dhe institucionale përmes krijimit të një feste zyrtare për ta kremtuar Ditën e saj. Nuk mund të festohet një kushtetutë, që në fakt, nuk është miratuar asnjëherë prej popullit apo prej qytetarëve të Kosovës. Sot, është koha të rimendohet themelimi i rendit juridik pasi jemi shtet i pavarur dhe sovran (...). Dhe si shtet i pavarur dhe sovran ne kemi të drejtën e plotë që ta rithemelojmë rendin tonë kushtetues mbi bazën e asaj që jemi vërtet dhe mbi bazën e nevojave tona.
Kushtetutat duhet t’u prijnë kohërave e jo të jenë forma që e ngecin rendin shoqëror, ekonomik e politik në kohë duke krijuar pështjellim në popull e në institucione. Përkundrazi, ato duhet të jenë të mirëpërcaktuara që t`i përgjigjen kohës. Duke i thënë këto, ne nuk kemi harruar që Kushtetuta e Kosovës bënë pjesë tek ato që i quajmë “kushtetuta të forta” e që, për rishikimin e saj, kërkohet shumicë e dyfishtë apo dy të tretat; duke përfshirë edhe komunitetet jo shumicë që janë të përfaqësuara në Kuvend. Kështu që, në fazën e tanishme, mbetet e ndërlikuar për t`u bërë ky ndryshim i kushtetutës.
Megjithatë, për Kosovën e pavarur ky është akti i parë historik dhe i tillë do të mbetet. Si e tillë, Dita e Kushtetutës, duhet të festohet vetëm si një ditë simbolike, porse, në të njëjtën kohë, ky rend kushtetues duhet të përmbyset nga një rend tjetër i cili e njeh historinë, identitetin, kulturën, simbolet e popullit shqiptar dhe të komuniteteve të tjera pakicë. Një kushtetutë që miratohet ose nga një referendum popullor ose nga një kuvend kushtetues; një kushtetutë e thjeshtë, e shkurtër, por e qartë mbi raportin ndër-institucional që ndihmon në veprimtarinë politike, zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor.
*Sekretare e Përgjithshme e AAK-së , Dega Viti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 22 reads