...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nexhmie Hoxha qendroi stoike përballë përbaltjes së klasës politike

Ikja e saj vulosi një epokë ku më shumë se gjysma e saj ishte ngritja, lulëzimi, zhvillimi, mirëqënia, arsimi, kultura, dhe krenaria kombëtare në nivelin e saj më të lartë historik

Genta Kaloçi

28/02/2020 - 18:41

Data e vdekjes së Nexhmije Hoxhës hynë në historinë e kombit shqiptar. Kjo ditë i vendos kufirin një epoke dhe ikja e saj nga kjo jetë përcakton më së miri se si duhet të fillojmë të reflektojmë për veten, jetën, vendimet, zgjedhjet tona.

Mendimi im është se këto tre dekada e gjysmë natyra i dha pushtokracisë shumë shanse. Tre dekada pushtokracia pati shansin dhe mundësinë për të ndryshuar sjellje dhe për të marrë përgjegjësitë që i takonin si klasë politike.Ajo që unë dëshifroj nga natyra me aktin e fundit të jetës së shoqes dhe luftëtares Nexhmije, ishte se sa më shumë që qëndronte në jetë aq më shumë i jepte një mundësi të gjithëve përpara se të shkruhesh akti i fundit të jetës së saj por edhe juaji.

Anashkalimi, fyerja, shpërnjohja, shtrembërimi, goditjet nga të gjitha drejtimet, ndaj familjes stoike Shqiptare, nuk është traditë e popullit tonë. Ju që e keni goditur dhe e godisni edhe në këto çaste pas tre dekada e gjysmë, tregon më së miri llumin në të cilin keni zhytur popullin. Sjellja juaj ndaj familjes së kolosit Enver Hoxha tregon më së miri qorrsokakun në të cilin ka rënë familja, individi, shoqëria, duke prodhuar dhunë, krim në mënyrë që të fshehë dhe të mbulojë pislliqet e bëra nga ju në kurrizin e jetesës, mirëqënies, kulturës sonë mijëra vjeçare.

Ikja e saj vulosi një epokë ku më shumë se gjysma e saj ishte ngritja, lulëzimi, zhvillimi, mirëqënia, arsimi, kultura, dhe krenaria kombëtare në nivelin e saj më të lartë historik. Ndërsa pjesa tjetër e viteve të mbetura ishte degradimi, regresi, deformimi, degjenerimi i shoqërisë shqiptare në një rreth vicioz vetshkatërrues.

Kurba e zhvillimit të një populli i përmban të dyja, pikën më të lartë të saj dhe pikën më të ulët. Nëse matematikisht, aq sa është ngritja është edhe degradimi, atëherë në bazë të shifrave mund të themi se nga viti i luftës `41 - `91 janë 50 vite zhvillim, që i përkasin 50 viteve regresit social. Atëherë përllogarisim se nga `85 janë 35 vite që na mbeten edhe 15 vite lufte e vazhdueshme ndaj regresit. Por, nëse e marrim nga viti `91, kemi edhe 21 vite për të arritur pikun e zhvillimit, pas zbatimit të reformës në drejtësi.

Megjithatë përtej llogaritjeve mund të them se Nexhmija ishte e përkëdhelura e jetës, sepse jetoi në tre dimensionet politiko-sociale jetën e saj shekullore. Këtë shans nuk e kanë të gjithë. Pikërisht si e tillë ajo me qëndresën e saj na tregoi se njeriu është i fortë nga përmbajtja për t`u përballur me të gjitha stuhitë e jetës.

Ikja e saj u shoqërua me ndryshimet e motit, i cili “qau” dje edhe sot ashtu siç ndodhi edhe me ikjen e Xhaxhit. Por ajo që u vu re sot ishte se qielli u hap nga dreka, që tregon se kjo klasë politike i ka ditët të numëruara, sepse dielli do të lindë sërish.

Natyralistët thonë se kur ikën edhe shtegtari i fundit atëherë fillon stuhia e vërtetë. Në tre dekada e gjysmë bëtë gjithçka për të përmbysur Shqiptarizmin, Shqipërinë, dhe në vend që ta merrnit si paralajmërim qëndresën e saj, për t`u përmirësuar dita ditës, në të kundërt me sinjalet e natyrës, ju shkatërruat habitatin e të gjithëve dhe si rrjedhojë edhe tuajën. Kjo prirje vetshkatërruese për t`u shpallur si shpëtimtarë ishte edhe fundi juaj.

Kupola tridhjetvjeçare duhet ta nënvizojnë këtë datë, sepse është fillimi i një epoke të re. Kjo epokë do të sjellë fundin e tranzicionit më të egër që ka parë vendi, rajoni, bota (qëllimisht po përdor të njëjtin fjalor që keni përdorur ndaj nesh para `90-ës) në këto tre dekada të mbrapshta. Të gjithëve u është pështirosur fakti që hidhni akuza e poshtërsi nga më të ndryshmet, ndaj Luftëtares Nexhmije dhe familjes së saj duke harruar se ekosistemi të sjell mbrapsht atë që prodhon në të njëjtën formë.

Qëndrimi i saj për kaq dekada, ishte një thirrje revolucionare në heshtjen e saj ndaj të gjithëve që e përcaktojnë veten si elitë, intelektualë, mediatikë, popull, politikë, biznes, diplomaci. Në këto tre dekada e gjysmë ajo përcolli një shembull për brezat e ardhshëm se vetpërmbajtja, disiplina, respekti, heshtja, mirënjohja, janë cilësi që nuk i zotëron çdokush. Stoicizmi i saj ndaj përndjekjeve tuaja ishte një goditje tjetër ndaj klasës suaj politike.

Përndjekjet tuaja në këto tre dekada ishin forma më e ndyrë e sjelljes njerëzore ndaj një gruaje pa mbështetjen e bashkëshortit të saj, në çastet që kishte më shumë nevojë ajo dhe vendi. Sjellja juaj jo shqiptare, tregon se sa poshtë ka rënë ky vend, shtet, popull. Pikërisht kjo sjellje kriminale ka sjellë edhe shtrembërimin e shtetit si në politikën e tij ashtu dhe në sjelljen e shoqërisë shqiptare ndaj çdo gruaje me burr apo pa burr, që dhunohet e përdhunohet çdo ditë në emër të pasurisë e përfitimeve të padrejta.

Mbi atë femër, grua, nënë, gjyshe, stërgjyshe, shoqe, luftëtare, shkarkuat gjithë mllefin tuaj. Paaftësia juaj për të kontrolluar mllefin, urrejtjen, pakënaqësinë tuaj, u përqendrua në drejtimin e gabuar mbi një grua të moshës së tretë. Kjo sjellje nuk na nderon si individ, shoqëri, popull, kulturë, por na kthen në gurë shahu për lojrat politike. Shqiptari nuk e ka pasur zakon të zhvarrosë të vdekurit, heronjtë e tij. Kultura jonë shekullore nuk vepron në këtë mënyrë dhe nuk ka vepruar as me armiqtë e tradhtarët e saj shekullor; përkundrazi u ka dhënë varret edhe kur nuk i meritonin, si vlerësim ndaj jetës, natyrës, qënies njerëzore. Megjithatë ju mund të gëzoni për ikjen e luftëtares Nexhmije. Por të jeni të sigurtë se ky është fillimi i fundit tuaj.

Verbimi juaj ju ka bërë që mos të dëshifroni sinjalet e përllogaritjeve matematikore të universit në të cilin jetoni. Ajo ju paralajmëroi prej dekadash, por ju nuk mësuat ta kuptonit. Ajo ju përkrahu të gjithëve si të ishit fëmijët e saj duke vuajtur padrejtësisht krimet tuaja ndaj saj dhe popullit të saj. Ajo duroi si çdo nënë që krenohet me fëmijën e mirë, por vuan në heshtje për fëmijën “e llastuar”, “të mbrapshtë”, duke i qëndruar pranë, pavarësisht rrugës që ka marrë.

Ajo priti që ju të reflektonit për gjithçka që i keni shkaktuar vendit, vetes, shoqërisë, së shkuarës, së tashmes, së ardhmes…me vendimarrjet tuaja. Por në vend të ndërgjegjësimit tuaj, egërsoheshit dita-ditës me qetësinë, krenarinë dhe lartësinë e një gruaje që mbetet simboli i gruas, nënës Shqiptare në shekuj.

Pa e kuptuar, goditjet ndaj Nexhmijes, ktheheshin shumëfish drejt jush, nëpërmjet vrasjeve, dhunimeve, përdhunimeve, trafikimeve femrore, motrave, nënane, grave, vajzave tuaja, që i keni sakatosur në këto tre dekada mbrapshtësie kombëtare.

Balta juaj nuk i bëjnë dot asgjë Asaj, as kur ishte nën kthetrat tuaja dhe as tani që u çlirua prej marrëzisë suaj. Këto cilësi iu tërbonin, sepse siç thotë psikologjia moderne, “të tërbon ajo çfarë nuk ke, ajo që të mungon”. Të tillë ishit dhe jeni deri në këto çaste të fundit të ikjes së saj: inferiorë, të ulët, që keni prodhuar vetëm krim në të gjitha format dhe llojet e tij në familjen shqiptare.

Sjellja juaj ndaj familjes Hoxha reflekton se jeni të shitur. Deformimi i tranzicionit ju ka shndërruar në përbindsha që për të mbajtur tutorët tuaj politikë në pushtet, privilegjet, postet, pasuritë tuaja, jeni të gatshëm për të gjitha ligësitë e mundshme.

Ajo si një Nënë ju priti kaq kohë që ti thërrisnit mendjes. Gabimi i saj i vetëm mbase ishte se ajo ju besoi më shumë se ç`duhej. Mbase ajo vuante në heshtje për tradhtinë tuaj ndaj femrës, gruas shqiptare, pa burrë, por që para jush nuk u dorëzua kurrë. Ajo vuajti gjithçka që i imponuat por nuk u dorëzua ndaj jush deri në çastet e fundit të saj.

Ju tmerronte, egërsonte ekzistenca e saj, sepse ju tregonte dyfytyrësinë, kriminalitetin, tradhtinë, papërgjegjshmërinë, ligësinë tuaj, që e keni riprodhuar në tre dekada në vend, mbi popullin tuaj, me shpresën se nëpërmjet dobësimit të figurës së saj do të zbehnit sadopak vlerat e Kolosit, Enver. Menduat se me vdekjen e saj do të shpëtonit nga vetja juaj konfliktuale.

Ajo vërtet iku, por ju la të përballeni me errësirën tuaj. Si psikologe ju kujtoj se kur nuk pajtohesh me anën tënde të errët, ajo të gllabëron, ashtu siç po ju gllabëron frika juaj ndaj reformës në drejtësi dhe gjithçka që ajo përmban.

Akti i saj i fundit ishte t`ju thoshte se koha juaj mbaroi.“Koha për vetpastrim, vetpërmbajtje, vetreflektim, ndërgjegjsim, mbaroi me ikjen time. Këtej e tutje do të përballeni me ato që i keni bërë këtij vendi në emrin tim”.

Ju mund të qeshni, gëzoheni, zgërdhiheni, shani, mallkoni, por Ajo iku si Luftëtare, Stoike, si Gruaja e Kolosit, kurse ju do të ikni si tradhëtarë dhe do të hidheni në koshin e plerave të historisë.

Shpreh mirënjohjen time si një shqiptare e vogël ndaj Shqiptarëve të mëdhenj si Shoqja Nexhmije dhe Familjes së Kolosit  Enver Hoxha. Pas një kohe të gjatë sprovash personale dhe familjare, tani do të jeni sërish bashkë, ashtu siç ishit të pandarë deri në `85.

*Autorja është mbështetëse e socializmit marksist dhe reformës në drejtësi. Opinionet, e të gjithë llojeve, janë të mirëpritur për personazhet kryesore të socializmit marksist, mjafton t`i përmbahen etikës dhe kritereve të parashtuar nga ne. Redaksia

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA