...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nexhmije Hoxha theu qorrsokakun shekullor të kombit shqiptar dhe qendroi stoike përballë reaksionarëve

Asaj në një moshë të tretë dhe pleqëri të thyer iu desh të luftonte sërish me antishqiptarët por Ajo e vetme tregoi se mundej të luftonte kundër fashistëve të rinj antishqiptarë duke kthyer rrotën e historisë dhe duke mbyllur qorrsokakun ikjes - e kësaj dukurie të rrezikshme që gërryen si një mallkim shekullor tokën dhe popullin tonë.

Genta Kaloçi

26/08/2020 - 12:39

Studimet socialokulturore të periudhave historike janë të domosdoshme për një shoqëri që të eci përpara lidhur me faktorët që kanë lozur rol negativ, shkatërrues ndaj kombit, shtetit, unifikimit tonë në një grusht të vetëm. Nëse brezat njihen me këta faktorë atëherë do të mund të përballojnë vështirësitë në çdo kohë të jetës së tyre dhe do të mbyllin më lehtë plagët, qorrsokakët përsëritës të së shkuarës sonë të përçarë. Në këtë tekst dua të bëj një krahasim dhe se si jeta, natyra, universi, gjithësia në ndërveprim me njeriun në shoqëri përsërit situatat deri sa ne të mësojmë e të shërohemi prej tyre për të mos i përsëritur më kurrë.

Studiuesit janë marrë me luftërat, betejat, sukseset e Gjergj Kastriotit. Janë marrë me jetën, punën, veprën atdhetare të Ismail Qemalit deri në fund të jetës së tij. Janë marrë me baltën, akuzat, shpifjet, shtrëmbërimet, ofendimet ndaj luftëtares komuniste Nexhmije Hoxha. Por asnjë studiues nuk është marrë me arsyet dhe me analizën e ngjarjeve, njerëzve, individëve, shoqërisë në këto periudha kohore që ndikuan në ikjen, braktisjen, largimin e figurave historike nga vendi. Historia përsëritet derisa dikush të tregohet trim/e të përballet me të gjitha pasojat me të vetmin synim të mbylli rrethin vicioz historik të disa shekujve vetshkatërrues.

Unë si psikologe duke studiuar sjelljet njerëzore si dhe ndikimin e tyre tek individi dhe te shoqëria jam e mendimit se Nexhmije Hoxha bëri atë që askush para saj nuk arriti ta bënte.

Shoku i jetës së saj, udhëheqësi Enver Hoxha, organizoi, luftoi, ndërtoi, dhe krijoi një jetë të re nga e para për shqiptarizmin. Por Nexhmija nuk tregoi, as nuk u sprovua nga jeta për aq kohë sa ishte Enveri gjallë. Ajo ishte e sigurtë nën hijen e tij, si çdo grua kur ka shokun e jetës pranë.

Shkencat sociale thonë se sprovat, vështirësitë, problemet, tregojnë dhe nxjerrin në pah karakterin dhe personalitetin e njeriut. Pikërisht këtu dua të theksoj se Ajo me sjelljen e saj ka ndikuar në formimin dhe shpëtimin e këtij kombi nga sjellja vetshkatërruese ndër shekujsh. Në vijën historike të kombit tonë të gjitha figurat pozitive dhe ato negative (Zogu, Toptani etj.) në momente e rrethana të caktuara kanë ikur nga vendi. Këto largime të shfajësuara ose jo në emër të sigurisë personalefamiljare dhe të “së mirës së vendit” duhen parë e analizuar ashtu siç janë — pa emocionet e ndikushmërisë ndaj këtyre figurave historike.

Rasti i parë i ikjes së madhe ishte Donika Kastrioti që u largua në Napoli/Itali e më pas në Valensia/Spanjë. Cilado qoftë arsyeja e largimit të saj dhe eksodit të banorëve të Krujës dhe përreth, shoqëruesve të saj, nuk janë të mjaftueshme për ta lënë vendin në mëshirë të fatit në ditë të vështira pa asnjë figurë shtetërore në krye të saj. I kuptoj kundërshtimet, shfajësimet për ta mbrojtur si femër, grua, nënë, gjyshe, njeri, por si b/shortja e Kastriotit duhej që linja e gjakut të Tij të luftonte e të punonte në vendin ku ra Babai i tyre. Largimi i tyre është përdorur gjithmonë nga armiqtë tanë kundra nesh me sulme si, nuk keni shtet; Gjergji është turk, grek, sllav, princ katolik e të tjera si këto, që kanë rënduar në formimin e shtetit tonë në shekuj. Ata të ikur nëpër botë nuk ishin më as për veten, as për Babain, as për luftën, e as për veprën që ai la pas. Më kryesorja, nuk ishin në krye të luftës, punës, nevojave të vendit në ato çaste të vështira që kalonte Arbëria jonë.

Populli e kombi ynë ka kaluar vështirësi të jashtëzakonshme ndër shekujsh. Ky është fakt i pakundërshueshëm për cilindo që njeh historinë. Kokave të kombit (të gjithë pa përjashtim edhe Rilindasit) në periudha kohore të ndryshme u është dashur të largoheshin, të emigronin, që të luftonin në të gjitha format e mënyrat sipas rrethanave dhe kushteve. Të gjitha këto i pranoj dhe i kuptoj për aq sa nuk rëndojnë dhe nuk shkojnë kundër interesit kombëtar. Por ky faktor përsëritës në vijën historike është therës. Psikologjia na mëson se Ikja nuk është zgjidhje; mund ta quash për momentin një taktikë: sepse nëse ikën, largohesh nga problemi, ai përsëritet në vijën e gjakut familjar dhe në linjën e historisë kombëtare deri në momentin që dikush do të përballet me të, sipas thënies, “o të gjitha, o asgjë”, ose thënë ndryshe, “liri a vdekje”.

Jeta që nga fillesa e saj deri sot ka treguar se gjithmonë ka mbrojtur dhe përkrahur guximtarin me qëllim sublim. Prandaj në linjën e historisë kombëtare kjo prirje përsëritëse është një tregues se diçka nuk e kanë menduar mirë paraardhësit tanë.

Rasti i dytë është Ismail Qemali që u largua për në Itali e më pas në Spanjë. Sërish prirja përsëritëse e nyjës kombëtare që karakterizohet me ikjen. Aspak rastësi vendarritjet e tyre (Itali/Spanjë). Universi të tregon se diçka nuk shkon, prandaj si njeri duhet ta rregullosh. Nuk merrem me analizën e punës së tyre por me shkaqet e vendimit të ikjes si njerëz të thjeshtë ndërkohë që nuk ishin të tillë. Ata ishin më shumë se kaq për postet, titujt, dijet që mbanin, zotëronin dhe përfaqësonin. Mos harrojmë ikjen e Zogut, figurën më negative të historisë shqiptare në çastet më të zeza dhe të vështira të pushtimit fashist të shtetit të ri shqiptar.

Rasti i tretë:  qëndrimi i Nexhmije Hoxhës pas `90 së bashku me familjen e saj dhe përballja e saj me lukuninë antishqiptare. Sipas kësaj logjike i bie se ajo kishte frikë se mos pësonte si Donika, Ismaili dhe Zogu e të tjerë, ndaj dhe e përballoi me dinjitet revanshin e reaksionarëve të rinj. Asaj i ra barra më e rëndë historike që është ndryshimi i një prirje socialokulturore nëpërmjet shembullit të saj personalofamiljar. Pikërisht kjo sjellje, ky qëndrim dhe përballje bëri thyerjen dhe kthesën e madhe të rrotës historike për popullin tonë. Asaj në një moshë të tretë dhe pleqëri të thyer iu desh të luftonte sërish me antishqiptarët por Ajo e vetme tregoi se mundej të luftonte kundër fashistëve të rinj antishqiptarë duke kthyer rrotën e historisë dhe duke mbyllur qorrsokakun ikjes - e kësaj dukurie të rrezikshme që gërryen si një mallkim shekullor tokën dhe popullin tonë.

Shkencat sociale thonë se një gabim përsëritet deri sa ta pranosh/kuptosh atë për të mos e bërë sërish. Gjithashtu ne shërojmë te vetja plagët e brendisë sonë duke kuptuar, analizuar, përqafuar veten, por edhe ata që kemi përreth kur është nevoja për të shëruar në vijën e gjakut familjar dhe në vijën e historisë, atë që na dobëson më shumë. Pikërisht këtu roli i Nexhmijes është i pazëvendësueshëm për të sotmen dhe të nesërmen që ajo na la duke bartur e vetme barrën e përndjekjeve dhe sulmeve jo vetëm të tre dekadave por të disa shekujve të popullit nga antishqiptarët. Ajo nuk tradhtoi veten, luftën, bindjet, ideologjinë, partnerin dhe familjen e saj por mbi të gjitha vendin, kombin, atdheun e saj. Jo siç ndodh rëndom në çdo epokë dhe sistem ashtu siç ndodh për tre dekada ku gruaja tradhton burrin, dhe shoku tradhton shoqen për një dorë pare, pushtet, rroba firmato, luks e sende pa vlerë. Ajo u përballë me të gjithë dhe doli më e fortë në betejat e saj. Ajo i mundi të gjithë si në luftë, në paqen e realizmit socialist e në reaksionin berishist. Këto dekada mbrapshtësie i duheshin popullit që të dilte i rilindur sërish nga plagët e pambyllura që mbante prej shekujsh.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA