...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse “dënimet alternative” janë të dobishme për komunitetet?

Dënimet alternative duhet të jenë një instrument juridik i domosdoshëm në praktikën e dënimeve nga gjykatat shqiptare — një praktikë që ndiqet nga vendet e zhvilluara dhe ka rezultuar në dobi të jetës së komunitetit.

Genta Kaloçi

23/07/2017 - 19:32

Dënimet alternative duhet të jenë një instrument juridik i domosdoshëm në praktikën e dënimeve nga gjykatat shqiptare — një praktikë që ndiqet nga vendet e zhvilluara dhe ka rezultuar në dobi të jetës së komunitetit.

Burgu nuk është zgjidhje për çdo shkelje civile dhe penale të kryer, përgjatë praktikës së gjykatave shqiptare. Përkundrazi duke marrë parasysh koston që ka një ditë e vetme për çdo të burgosur ose të paraburgosur, ai është një abuzim i buxhetit të shtetit.

Kostua për një ditë arrin mesatarisht deri në 50 mijë lekë për çdo person, e cila shkon për nevojat bazë (ushqimin, ujin, higjenën etj.) si edhe sigurinë e tij. Shkelje të vogla mund të përballohen me ndihmën e shërbimit të provës (kjo është arsyeja e ngritjes së saj) dhe jo si një dritare dhe rrugëdalje për ata që kanë parë për t'iu shmangur dënimeve të krimeve të rënda e për të qarkulluar të lirë në komunitetin tonë me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe me një nivel të lartë statistikor përsëritjeje të krimit.

Dëgjojmë shpesh krime si zjarrvënie, vjedhje pusetash, stolash, portofolash, një bukë, një konservë, një sallam...shkaktarët e të cilëve përfundojnë në burg me dënime të larta dhe me urdhra sigurie përtej çdo fantazie. Për këto raste drejtësia dhe gjyqësori i vendeve të zhvilluara (që pushtetarët vendas na i kanë bërë si kar-amele këtë shprehje) veprojnë me “Dënimet Alternative”.

Amerika ka një praktikë edhe më të rëndë: “Three strikes/ tre goditjet” (një çështje që kërkon diskutim nga të gjitha palët dhe institucionet e përfshira). Praktika amerikane është paksa e ashpër. Personalisht nuk pajtohem sepse kjo praktikë nuk ka reduktuar krimet për të cilat zbatohet. Por përkundrazi, ka tejmbushur dhe mbipopulluar burgjet amerikane.

Me “tre goditje” nënkutohet se në dy dënimet e para merr dënime simbolike dhe nëse kapesh për të njëjtën krim tre herë atëherë dënimi mund të shkojë deri në dënim të përjetshëm akoma edhe për shkelje të vogla.

Kështu që kjo praktikë nuk është në dobi të vendit tonë për shkak të popullsisë së vogël dhe nivelit të ulët social-ekonomik. Sipas kësaj praktike do të duhej të mbyllnim në burg 90% të popullsisë që për shkak të politikave anti-sociale të politikanëve dhe pushtetit, dënojnë më të dobtit duke i burgosur për t’i treguar dhe pasqyruar artificialisht në konferenca, brenda dhe jashtë vendit, me shifra, punën inekzistente të gjyqësorit shqiptar. 

Krimi i organizuar dhe krimi politik në të gjitha format e tij nuk është goditur në këto vite. Përkundrazi ka pasur rritje duke u gëzuar mbështetjen politike të partive në pushtet. 

Duke marrë shkasë nga deklaratat e ditëve të fundit nga Min. i Brendshëm z. Demiraj, që zotëron rripat e ngjyrave të ylberit në brez, do të duhet të bëjë një përpjekje serioze që “Dënimet Alternative” të praktikohen edhe në gjykatat e vendit tonë dhe t’i lërë kërcënimet e dënimeve të ashpra se nuk pinë ujë në një shoqëri të demoralizuar, depresionuar dhe të shkërmoqur si shoqëria shqiptare.

Për shembull, për rastin e zjarrvënieve, të dënohet me vendim gjykate duke mbjellë të gjithë sipërfaqen që ka djegur me pemë. Ose të jetë me orë pune si ndihmës i rojeve të pyjeve dhe inspektoriatit të mbrojtjes së territorit që kanë shkurtime në punonjës dhe inspektorë.

Gjithashtu, nëse kapet duke ndotur ambjentin me plehra jo gjithmonë gjoba në formë monetare e ndërgjegjson qytetarin. Përkundrazi jep shembullin e keq brezave të rinj se nëse kanë lekë mund të bëjnë ç’t’u dojë qejfi – meqënse kam dhe paguaj dhe kështu vazhdoj sërish sapo të ma kris tepeleku i kokës.

Shkurt, duhen dënuar aty ku u dhemb, të bëjnë atë që zhbënë: me punë në komunitet dhe në dobi të komunitetit. Dënimi duhet të jetë gjithpërfshirës duke përfshirë ndërgjegjësimin, përgjegjësinë, ndëshkimin juridik, rehabilitimin, ndëshkimin e fenomenit dhe jo ndaj njeriut, si edhe të jetë kontribut ndaj komunitetit duke kaluar me mësimin nga përvoja produktive ndaj komunitetit dhe shoqërisë.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA