...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga kriza politike në krizë sociale: depresioni, ndarjet, droga...gjymtojnë shoqëritë*

‘Ekonomia e rritjes’ ka krijuar tashmë një ‘shoqëri rritëse’ karakteristikat kryesore të së cilës janë konsumerizmi, privacia, tëhuajësimi dhe desintegrimi vijues i lidhjeve sociale. Shoqëria rritëse, me radhë, në mënyrë të pamëshirshme, çon drejt...

Ylli Përmeti

22/07/2017 - 11:10

Gjykuar nga fakti që shoqëritë moderne nuk objektivizojnë, racionalizojnë dhe ndërgjegjësojnë objektivat social-ekonomike të shoqërive përmes përfshirjes në vendim-marrje (në ushtrimin e pushtetit sesa në delegimin e tij) dhe popujt nuk kontrollojnë asnjë proces demokratik, përveç përfshirjes së tyre në votime një herë në katër apo më shumë vjet dhe në debate rrugësh, dhe nuk zhvillojnë mjaftueshëm asnjë virtyt etikë dhe intelektual, kriza politike dhe ekonomike ka çuar në një krizë të thellë sociale: depresioni, ndarjet, droga, vrasjet e të tjera si këto janë bërë pjesë e shoqërive moderne. ‘Ekonomia e rritjes’ ka krijuar tashmë një ‘shoqëri rritëse’ karakteristikat kryesore të së cilës janë konsumerizmi, privacia, tëhuajësimi dhe desintegrimi vijues i lidhjeve sociale. Shoqëria rritëse, me radhë, në mënyrë të pamëshirshme, çon drejt një ‘jo-shoqëri’, d.m.th zëvendësimi i familjeve atomike dhe individëve për shoqërinë - një hap vendimtar drejt barbarizmit.[1] Kriza sociale, me rradhë, shkakton krizë te fëmijët. Sipas një studimi,[2] numri i fëmijëve që vetë-dëmtohen (për shkak se vuajnë nga çrregullime ushqyese, nga depresioni dhe çrrekullime të tjera psikologjike) ka arritur një numër rekord krahasuar me një dekadë më parë. Përqindjet e depresionit dhe ankthit mes adoleshentëve janë rritur me 70 për qind 25 vitet e fundit.[3] Në Britaninë e Madhe, Kanada dhe Francë, adoleshentët mësojnë njëri-tjetrin se si të vetëvriten ose se si të eksitohen përmes çarjeve të fytit ose mbytjes së njëri-tjetrit. Edhe në këtë rast “ekspertët” e establishmentit nuk i kuptojnë shkaqet duke u mjaftuar me qasjen e përgjithshme të “faktorëve të shumtë”![4]

Por kjo gjendje shkaktohet për dy arsye kryesore: sepse gjëndja e përgjithshme shëndetësore e shoqërive është përtokë dhe sepse fëmijët bombardohen me filma monstruozë. Këtë e vërteton edhe një studim i Universitetit të Cambridge-it sipas të cilit ‘një pakicë keqbërësish ka shkaktuar mesatarisht 86 krime pa arritur ende moshën 16 vjeç, me më pak se 4 për qind përgjegjës për thuajse të gjithë gjysmën e krimeve të adoleshentëve’.[5] Krimet kanë ndodhur kryesisht në qytetet e mëdha — aty ku ‘individualizmi’, ‘konkurrenca’ dhe ‘ndotja’ është më e madhe, ku getot dhe keqedukimi mbizotëron. Shkatërrimi i familjes, virtyteve dhe shoqërizimit të njeriut, ka rritur numrin e pedofilëve. Tashmë ata shfrytëzojnë rrjetet sociale përmes të cilëve mashtrojnë fëmijët. Shkatërrimi i familjes ka çuar, gjithashtu, shumë Nëna të kryejnë vrasje. Për shembull, në Britani ‘15 vitet e fundit, numri i Nënave në burgje është më shumë se dyfishuar. Si pasojë, 17, 240 fëmijë jetojnë larg Nënave’.[6]

Papunësia dhe mungesa e virtyteteve krijon kushtet për krime: Anglia dhe Uellsi, për shembull, kanë përqindjen më të lartë të përdhunimeve, vjedhjeve dhe bastisjeve, midis shteteve të zhvilluara.[7] Në anën tjetër, masmedia ka parafabrikuar burimin e “lumturisë” për shumicën e popullatës: tashmë ajo buron nga parája![8] Vetmia, në anën tjetër, ka marrë përmasa dramatike: në Britani rreth 2.5 milion njerëz ndiehen vetëm, dhe më shumë se gjysma janë 75 vjeç ose më të moshuar.[9] Miliona nuk kanë asnjë shok të vetëm dhe një në pesë vetë ndiehet i padashuruar.[10] Më shumë se gjysma e popullatës së Britanisë është vetëm.[11] Paralel me ‘vetminë’ është ngritur një industri “krushqish” e parregulluar me ligj që vlerësohet në miliona stërlina: sepse anëtarët e elitave përkatëse, në pamundësi për të gjetur njeriun e ‘duhur’, paguajnë mijëra stërlina tek agjentët e njohjeve. Kryeqyteti i të padashuruarve është Amerika. Sipas një raporti[12] rreth 50.2 për qind e Amerikanëve të rritur mbi moshën 16 vjeç — mesatarisht 124.6 milion njerëz — ishin beqarë deri në mes të vitit 2014-të. Për krahasim, në vitin 1976-të, në prag të shpërthimit të globalizmit neoliberal, Amerikanët beqarë përbënin 37.4 përqind. Numri i njerëzve që nuk janë martuar kurrë u rrit në 30.4 për qind nga 22.1 për qind që ishte më shumë se tre dekada më parë. Amerikanët e ndarë tashmë përbëjnë 19.8 për qind të popullatës, krahasuar me 15.3 për qind. Familja shqiptare gjendet në krizë të thellë gjithashtu: ndarjet janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2007: nga 14.8 për qind në 31.2 për qind në vitin 2016-të![13]

Orët e gjata në punë janë një tjetër burim krize: pavarësisht zhvillimit ekonomik dhe tekno-industrial në Britani dhe Amerikë shekullin e kaluar —një zhvillim që sipas ekonomistëve të fund-shekullit 19-të dhe fillim shekullit të 20-të (nga Karl Marksi deri tek Aleksei Gastev),[14] do të zvogëlonte orët e punës së punëtorëve dhe do të siguronte kohë të lirë për t’u shlodhur, zhvilluar intelektin dhe për t’u kënaqur më shumë— Perëndimi ka krijuar kushtet e kundërt: për shembull, Britania, sa i përket orëve të punës brenda një jave, gjendet në vendin e dytë pas SHBA-së’.[15] Kur rriten orët në punë - kriza zemre dhe shumë sëmundje të tjera shkaktohen![16] Amerika njihet si një “komb papushime”. Punëtorët me orar të plotë vendosin thuajse 30 për qind më shumë orë përgjatë një viti se sa Gjermanët, kryesisht sepse ata kanë vetëm gjysmën e javëve të paguara.[17] Vetëm Hollanda ka krijuar kushtet ku rreth 46.1 për qind e forcës punëtore punon me kohë të pjesshme. Si rezultat ata renditen në njerëzit më të lumtur në botë.[18] Mënyra e jetesës ka çuar në një problem tjetër: në dëmtimin e trurit. Sipas një studimi, kur njerëzit lexojnë “online” përmes aparateve elektronikë (celular, kompjuter etj.) — informacioni që lexohet me të vërtetë skanohet nga truri i njeriut por truri nuk procedon aq sa do të procedonte në praktikë![19] Orët e gjata në punë kanë çuar në braktisjen e shtëpive: tashmë ne jetojmë në to mesatarisht katër vjet më pak sesa në të kaluarën.[20]

Përdorimi i drogës veçanërisht nga të rinjtë është një tjetër pasojë e sistemit aktual. Shqipëria ka rritur numrin e përdoruesve të drogës në më shumë se 40 mijë vetë (dërsa në vitin 1995 flisnim për qindra raste, në vitin 2011-të u shtuan rreth 2.148 raste të reja).[21] Shqipëria ka përhapjen më të madhe në botë në përdorimin e kokainës. Pas saj qendron Amerika. Lidhur me këtë gjendje, ish-Ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Petrit Vasili propagandonte masat e homologëve të tij — d.m.th, duke reduktuar sasinë e drogave që hyjnë në tregun e brendshëm dhe duke ndaluar kultivimin e saj në vend! Masën e fundit filloi ta konkretizonte qeveria “Rama”. Edhe në këtë rast, në vend që të kuptonte shkaqet dhe t’i luftonte ata, tashmë ajo lufton kultivuesit (pasojat) - me policë e shërbime të tjera, si macja – miun. Nuk mungojnë naivët që mbështesin lirinë e shitjes së marihuanës. Ndoshta gjykojnë nga Hollanda dhe Urugai: ky i fundit, në një përpjekje bombastike shtetëzoi industrinë e drogave – me qëllim që të eliminonte bandat gjithashtu dhe zvogëlimin e numrit të përdoruesve. Në Britani, një në dy persona përdorin drogra të ndryshme dhe vendet e tjera nuk shkojnë më mirë.[22] Vetëm fitimet nga krimi i organizuar ose nga grupet që kontrollojnë drogën (politikanët profesionistë, bankat tregëtare dhe korporatat), për 270 milionë njerëz, përllogaritet të jetë më shumë se $330 bilionë në vit.[23] Britania është gjithashtu kryeqyteti i Europës me numrin më të lartë të narkomanëve.[24]

Por narkomania është një fenomen i ri: ajo ka shpërthyer kryesisht katër dakadat e fundit. Në njërën anë, kemi rritjen e kërkesës në Veriun e “zhvilluar”, kryesisht për 2/3 e shoqërisë: kjo klasë shoqërore vuan nga papunësia dhe pasiguria në shkallë më të lartë se 1/3 e shoqërisë.[25] Në anën tjetër, kemi Jugun, i cili është lënë në dinamikën e tregut dhe është ekspozuar paralelisht në kërkesën e Veriut. Se çfarë nënkupton kjo dinamikë është e qartë: se popujt e Jugut do të vazhdojnë të prodhojnë prodhime narkotike pavarësisht se elitat do të përpiqen gjoja ta pengojnë — sepse popujt e Veriut do të vazhdojnë të konsumojnë. Këtyre u shtohen edhe përdoruesit e popujve të Jugut — veçanërisht klasat e ulëta të shoqërisë. Dhe përsa kohë që kërkesa do të riprodhohet (në disa raste do të shtohet), për aq kohë industria e drogës do të jetë mes nesh dhe përsa kohë që papunësia dhe pasiguria që e shoqëron këtë proces do të jetë mes nesh për aq kohë përdoruesit e drogës dhe mbrojtësit politikë...do të jenë mes nesh.

Ndryshe nga kjo qasje, qeveria “Rama” paraqiti një “strategji të re”: do të godasë qysh në fazat e hershme të mbjelljes së bimëve narkotike dhe do të kapë autorët duke bashkëpunuar më ngushtë me institucionet vendore, policore dhe inteligjencën (ose spiunët). Paralel më këtë objektiv ajo do të zbusë varfërinë në zonat e kultivimit të bimëve narkotike përmes projekteve të zhvillimit dhe kreditimeve për ngritjen e bizneseve të tjera agro-përpunuese! Domethënë, do të financojë praktikat primitive të ndërmarrjeve bujqësore të kapitalizmit shqiptar kur dihet se sfidohen nga prodhimet e huaja. Goditja e prodhuesve me helikopterë ose mbikqyrje ajrore nga misioni italian i “Guardia di Finanza” —policia financiare e vendit— tregon pikërisht pamundësinë e qeverisë “Rama” për të përgatitur policë të ndershëm dhe të aftë për të goditur prodhuesit. Njëlloj veproi edhe mbrojtjen e kufijëve shtetërore: solli policët francezë. Të gjitha këto, në kohën kur dihet se Shqipëria është “çerdhe” e kalimit të kokainës dhe heroinës dhe kur tregu i kontrabadës administrohet nga baronët lokalë të drogës që kanë lidhje me grupet kriminale të Amerikës Latine dhe Turqisë dhe, gëzojnë mbrojtje politike nga klasa jonë politike. Është e qartë se me këto masa, lidhje pushtetore dhe sistem - aspirata e qeverisë “Rama 2” për të integruar vendin herët në vitin 2020-të në BE, është thjesht një tjetër haluçinacion e tij, ashtu siç është “lufta” kundër prodhimit të drogës.

             

*Shkëputur nga një studim më i gjerë i autorit me titull, Kriza shumë-dimensionale.



[1]Recent Theoretical Developments, IJID, Takis Fotopoulos.

[2]True scale of child mental health crisis uncovered, The Times, March 12 2015.

[3]Teenage mental-health crisis, The Independent, 27 February 2016.

[4]Teenagers risk death in internet strangling craze, The Independent,06, 01, 2010.Paedophiles blackmail thousands of UK teens into online sex acts, The Independent, 20 September 2013.

[5]The 16-year-olds who have committed 86 crimes each, The Independent,24 June 2012.

[6]Children in peril as women are jailed in record numbers, The Independent,17 September 2012. 

[7]Crime rates in England and Wales 'worse than US',Press Association,3 August 2010.

[8]Happiness revisited: Does money make us happy after all?BBC, 28 January 2010.

[9]Lonely Britain: Tens of thousands of elderly men and women are left home and alone, The Independent, 29 June 2014.

[10]One in 10 do not have a close friend and even more feel unloved, survey finds, The Guardian, 12 August 2014.

[11]Single, dating and paying a very high price for ti, FT, March 11, 2016.

[12]Single Americans become majority for first time, RT,September 10, 2014.

[13]Lexo për shkaqet e ndarjeve, “Fëmija mes heteroseksualizmit dhe homoseksualizmit”.

[14]It's the 21st century – why are we working so much? The Guardian, 1 July 2012.

[15]Put down that tool, The Economist, Jan 8th 2004.  

[16]We don't need this culture of overwork, Johann Hari, Britain now has the longest work hours in the developed world after the US, The Independent.Americans Work Too Much for Their Own Good: de Graaf and Batker,Bloomberg, Nov 4, 2011.

[17]The laziness dogma, Paul Krugman, N. Y. Times, July 13, 2015.

[18]How part-time work and exercise may explain why Holland is one of the happiest countries in the world, The Independent, 17/05/2015.

[19]The world in 2020: A glimpse into the future, The Independent.Shih për më shumë, Nga keq-edukim në arsim demokratik.

[20]Po aty.

[21]Gati strategjia, Vasili: Kemi 40 mije perdorues droge, Koha Jonë, 24 Qershor 2012.

[23]The war on drugs has brought only casualties, The Guardian, 28 June 2012.

[24]UK is the 'addiction capital of Europe' report claims, The Independent, 01 September 2013.

[25]Lexo, për më shumë, Drugs: beyond Penalisation and Liberalisation, Takis Fotopoulos, Athens 1999.    

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA