...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Keqparaqitja e takimit “Tramp-Putin” nga masmedia (mbi)kombëtare, rëndësia e marrëveshjes për botën dhe rendi i “ri” i tyre

Politika e Trampit me Rusinë është e drejtë dhe meriton mbështetje: sepse lufta mes dy superfuqive mund të çojë në shkatërrimin tërësor të jetës planetare. Mund të çojë, gjithashtu, në rritjen e pavarësisë së Evropës. Shenjat e para tashmë janë shfaqur. Merkeli, për shembull, argumentoi së fudmi edhe një herë, se “Evropa nuk mund të mbështetet më tej mbi Shtetet e Bashkuara për të imponuar rend mbi botën [...] dhe se ajo nevojitet të sjellë çështjet pranë shtëpisë në duart e saj [Evropës]”...

Ylli Përmeti

18/07/2018 - 09:41

Takimi i Trampit me Putinin u zhvillua në kohën kur kishte “ngrirë” thuajse gjithçka mes dy vendeve: “shumica e kanaleve që u themeluan tetë vitet e fundit kanë ngrirë duke përfshirë kanalet në çështje shumë të rëndësishme, si lufta kundër terrorizmit dhe kiberlufta”. Pala ruse shpresonte se takimi do të rihapte gjithë kanalet e dialogut në çështje ndarëse dhe çështjet ku mund të bashkëpunojnë. Ky do të ishte rezultati “ideal” i takimit, sipas Lavrovit, ministrit të jashtëm rus. Në prag të takimit mes dy presidentëve establishmenti juridik amerikan njoftoi akuzat —tashmë zyrtarisht— për 12 ushtarakë rusë të cilët kanë vjedhur në bazën e të dhënave të demokratëve amerikan hollësi që dëmtuan Hilarin...me qëllim që të pengonin takimin dhe hamendësisht të vazhdonin politikat armiqësore. Por Trampi u paraqit i vendosur duke i konsideruar akuzat dëm për marrëdhëniet me Rusinë dhe duke nënkuptuar se ai kërkon përmirësimin e marrëdhënieve. Demokratët përdorën dhe një argument tjetër: se donin nga Trampi të bënte përgjegjës Putinin për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, hamendësisht për ta paralajmëruar. Por këshilltari i Trampit, Roger Stone, i cili hamendësohet se ka komunikuar me “Guccifer 2.0”, një nga kibernetistët rusë, kundërshtoi se s’ka asnjë fakt për një akuzë të tillë: “Unë jam ndoshta njeriu që përmendet në akuzë. Akuzat janë përgjegjësi dhe deri sa të ketë një gjykim - pretendimet mbeten të paprovuar”, citoi Stone. Është e qartë se demokratët këmbngulin në një çështje që Trampi nuk do ta pranojë kurrë (megjithëse një lloj pranimi pasoi por ai ishte lidhur me faktin e mosveprimit të administratës “Obama” kundrejt sulmeve...) për sa kohë që pretendimet nuk kanë shkuar në gjykatë dhe për sa kohë që pranimi do të nënkuptonte se Trampi nuk i fitoi zgjedhjet me aftësinë e tij por me ndihmën e rusëve. Pas gjithë këtyre tensioneve Trampi tha se kishte pritshmëri të pakta nga takimi me Putinin dhe se do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes ruse.

Putini, në anën tjetër, kupton mjaft mirë qasjen e Trampit —“Amerika e para”— sepse, sipas tij, çdo udhëheqës në politikën e jashtme do të kujdesësh së pari për interesat e vendit të tij. Por kjo qasje nuk do të ishte e drejtë në politikën globale, sepse ka prirjen të rezultojë në izolim, përveç rastit kur plotësohet me parimin e respektit të ndërsjellë dhe njohjes së interesave të partnerëve. Kjo qasje duhet të bazohet në angazhimin e zhvillimit të bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë, e cila merr në konsideratë interesat e vendeve të tjerë gjithashtu. Gjithë këta faktorë bashkë mund të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e bashkëpunimit. Ky ishte qëllimi i Putinit në takim: një hap i vogël për të tejkaluar gjendjen aktuale kritike në raportet e tyre dypalëshe. Këto ishin disa nga tensionet dhe qendrimet e palëve përpara takimit. Pas tij —në konferencën e shtypit— palët u paraqitën plotë vullnet për dialog për çështjet që nuk pajtohen. Konferenca filloi me Putinin i cili citoi që në fillim se epoka e luftës së ftohtë ka kaluar dhe se Rusia dhe Amerika përballen me sfida të reja duke përfshirë mekanzima të keqhartuar për mbajtjen e sigurisë dhe qendrueshmërisë ndërkombëtare, krizat rajonale, kërcënimet nga terrorizmi, krimin transnacional, ortekun e ekonomisë dhe mjedisor dhe rreziqe dhe sfida të tjera. “Ne mund të përballemi me të gjitha këto nëse punojmë bashkë”. Hapi i parë për të realizuar këto synime, sipas Putinit, “është të kthejmë nivelin e pranueshëm të besimit dhe të shkojmë pas në nivelin e ndërveprimit të së kaluarës në të gjitha çështjet e mëdha të ndërsjella. Si fuqi bërthamore ne bartim përgjegjësi të veçantë për të ruajtur sigurinë ndërkombëtare dhe të bashkëpunojmë për çarmatimin ushtarak dhe teknik duke përfshirë zgjerimin e ofensivës strategjike, traktatin e kufizimit, gjendjen e rrezikshme për sistemin anti-raketor...dhe sigurisht synimin e mosvendosjes së armëve në hapësirë. Ne mbështesim masat kundër-terroriste dhe ruajtjen e sigurisë kibernetike. Shembuj për këtë bashkëpunim ishte kupa botërore e futbollit dhe Siria. Amerika dhe Rusia mund të ndihmojnë krizën në Siri duke mundësuar njerëzit të shkojnë në vendet e tyre...dhe duke sjellë më shumë paqe mes Sirisë dhe Izraelit. Deri diku, suksesi në Siri ishte rezultat e dialogut të Trampit”. Nuk harroi të përmendte Iranin —marrëveshjen për armët bërthamore— dhe Ukrainën duke falenderuar popullin finlandez për mirëpritjen e takimit dhe duke kërkuar ndjesë për disa telashe që ka shkaktuar Rusia tek ata.

Pas Putinit foli Trampi i cili si fillim falenderoi mikpritësit dhe Putinin duke cituar se “ne kishim dialog të drejtëpërdrejtë dhe të thellë i cili shkoi shumë mirë...jam këtu sot të vazhdoj traditën krenare të Amerikës se diplomacia dhe angazhimi është e parapëlqyer përpara konfliktit dhe armiqësisë dhe se raporti i keq që është krijuar mes dy vendeve vitet e fundit ndryshoi pak orë më parë”. Pasi kritikoi median dhe demokratët për pengimin e paqes dhe angazhimin, Trampi citoi se “unë më mirë do të merrja një rrezik politikë në emër të paqes se sa të rrezikoj paqen në emër të politikës”. Lidhur me akuzat e “ndërhyrjes ruse” në zgjedhje Trampi citoi se çështja u shqyrtua ndërsa Putini propozoi një ide të mirë për zgjidhjen e saj (flas në vijim për propozimin). Koreja e Veriut dhe terrorizmi në Lindjen e Mesme u përmend në raport me kontributin e Rusisë. “Takimi i sotëm është vetëm fillimi i një procesi shumë më të gjatë. Ne kemi ndërmarrë hapat e parë drejt një të ardhme më të ndritur — një të ardhme me dialog të fuqishëm dhe shumë mendim. Pritshmëritë tona mbështeten në realizëm por shpresat tona në dëshirën e amerikanëve për miqësi, bashkëpunim dhe paqe”...duke falenderuar edhe një herë Putinin për angazhimin. Dëshirën e amerikanëve për miqësi e sqaroi më shumë kur tha se përgjatë fushatës qendrimet e Trampit për paqe me Rusinë u mbështetën nga votuesit. Pyetjes se si do të zgjidhet çështja e gazit në Evropë – Trampi e quajti Putinin një konkurrent të mirë dhe se amerikanët do të konkurrojnë me linjën ruse...por Putini plotësoi duke sugjeruar se ata mund të bashkëpunojnë për ta rregulluar tregun e gazit sepse ndryshe do të dëmtohen ndërmarrjet e përfshira në prodhim. Pyetjes se nëse Trampi bënë përgjegjëse Rusinë për ndonjë gjë Trampi u përgjigj se ai bënë përgjegjëse të dy vendet. Lidhur me akuzat për përzierjet ruse ai ritheksoi se s’kishte ndonjë marrëveshje të fshehtë (“collusion”) dhe se fushata ishte e pastër dhe e shkëlqyer dhe Klintonin e mundi me fushatën e tij dhe se akuza për përzierje në zgjedhje erdhi si pasojë e justifikimit të humbjes së Klintonit. Lidhur me akuzën e 12 ushtarakëve rusë Putini propozoi përdorimin e një traktati ose marrëveshje ekzistuese mes Amerikës dhe Rusisë që nga viti 1999: ndihma e ndërsjellë mbi rastet kriminale. Ky traktat është në fuqi të plotë dhe mund të përdoret për këtë akuzë gjithashtu siç është përdorur për shumë raste të tjerë duke mundësuar FBI-në të hetojë në Rusi dhe anasjelltas, një propozim që e mbështeti dhe Trampi duke përmendur edhe një herë faktin se FBI-ja nuk e ka hetuar asnjë herë serverin e demokratëve dhe se ai kërkon të shikojë serverin për të hetuar email-et e Klintonit dhe se, sidoqofshin email-et, ai ka besim te të dyja palët: akuza amerikane dhe Rusia. Lidhur me besimin si koncept, Putini shtoi se “as unë kam besim të plotë te Trampi as ai tek unë”...duke nënkuptuar se besimi fitohet.

Por masmedia ndërkombëtare e paraqiti ndryshe takimin: sikur Trampi mbrojti Rusinë dhe jo shërbimet amerikane, duke shpërnjohur faktin se Trampi pohoi se ka besim te të dyja palët, faktin se ai kërkon paqe dhe angazhim dhe jo konflikt dhe armiqësi me Rusinë dhe se çështja “ruse” ka aspekte të tjerë (serveri) pa u hetuar dhe, në fund, akuzat duhet të provohen në gjykatë. Çështjen kryesore —se Trampi kërkon paqe me Rusinë— masmedia mbikombëtare as që e përmendi fare! Si duket, ajo kërkon luftë! Parimet e drejtësisë —se çdo akuzë duhet të provohet në gjykatë— gjithashtu, nuk i përmendi. Ajo vazhdoi —dhe do të vazhdojë— përsëritjen e recitalit tashmë të ditur: se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane dhe sanksionet dhe klima armiqësore duhet të vazhdojë. Në këtë keqparaqitje ra dhe masmedia jonë: ajo ndoqi verbërisht qasjen e masmedias mbikombëtare dhe mbivendosi mbi paqen...luftën — një luftë provat e së cilës s’janë vërtetuar ende në gjykatë! “The Guardian”, për shembull, nuk u mjaftua me qendrimet por kërkoi “komunikatë” — sepse “mungesa e saj lë sekret statusin dhe shtrirjen e çdo marrëveshje praktike të realizuar ose nga presidentët ose në mbledhjet e mëvonshme mes zyrtarëve”. Qoftë edhe kur i referohet qendrimeve të konferencës nuk përmend fare çështjet që u përmendën më lartë dhe veçanërisht paqen mes dy vendeve![1] Thuajse njëlloj e paraqet takimin e dhe FT.[2] Tregoi, të paktën, gjendjen mendore të republikanëve: sepse, sipas një sondazhi, në vitin 2016 - 85 për qind e tyre besonin se ndërhyrja ruse ishte “shkatërrim” për vendin ndërsa në vitin 2018 - 79 për qind miratoi qendrimin e Trampit në Helsinki.

Disa nga titujt e lajmeve që shtrembëruan përfundimin e bisedimeve “Tramp-Putin”, ishin si vijon: “Trump pranon përfundimin e zbulimit amerikan për ndërhyrjen ruse”: Voa; “Trump e “dredh”: Rusia mund të ketë ndërhyrë në zgjedhje”: Top Channel. Me këta tituj dhe të ngjashëm si këta, këto agjenci lajmesh dhe qendra mediatike tregojnë mungesë hetimi. Voa, për shembull, megjithëse në brendësi të lajmit paraqet gjithë qendrimet, në tituj shtrembëron qendrimet. Njëlloj u paraqit dhe rezultati i bisedimeve: “Vladimir Putin nuk fitoi asgjë nga takimi me Trump në Finlandë”: Shekulli...kur e kundërta është e vërtetë: sepse ndërsa pritshmëritë ishin modeste nga të dyja palët para takimit – pas tij, rezultoi se palët shkuan përtej “kanaleve të ngrirë”. Dhe fakti që BBC, Voa, DW...shtrembëron realitetin, ashtu veprojnë dhe mediat kombëtare: mjaftohen me “hetimin” e tyre. Pas gjithë këtyre lajmeve nuk do të ishte e çuditshme që Trampi t’i “fusë” ato në një thes dhe t’i quajë...“armiq të popullit”: sepse ndërsa kundërshtarët e Trampit në Amerikë kanë çdo arsye ta keqparaqesin Trampin - shtypi supozohet se nuk do të jetë i njëanshëm por objektiv (i drejtë).

Keqparaqitja e gjendjes botërore nga aktorë prominentë të gjeopolitikës botërore

Henri Kisinger, babai i gjeopolitikës amerikane, bashkë me Brzezinskin dhe bashkë-arkitekti i rivendosjes së marrëdhënive miqësore me Kinën dhe detantës me Bashkimin Sovjetik, për shembull, vrojton një botë në të cilën Kina dhe Rusia po sfidojnë rendin botëror të Amerikës, zakonisht në bashkëpunim me njëri-tjetrin; ndaj, sipas tij, “ne jemi në një periudhë shumë, shumë të rëndë”, duke argumentuar se: “perëndimi hamendësoi gabimisht në vitet përpara se Putini të aneksonte Krimenë, se Rusia do të adoptonte rendin perëndimor të bazuar në rregulla. NATO-ja keqlexoi dëshirën e thellë të Rusisë për respekt. Gabimi që bëri NATO-ja është se atje është një lloj evolucioni historik që do të marshojë përgjatë Evropës dhe mungesën e kuptimit se diku në këtë marsh ajo do të përballet me diçka shumë më të ndryshme nga entiteti Westphalian [ideja perëndimore e shtetit]. Dhe për Rusinë kjo është një sfidë për identitetin e saj”.[3] Kisinger, në fakt, keqparaqet  qoftë perëndimin qoftë Rusinë në raport me perëndimin: sepse në rendin botëror, për të cilin ai flet, Rusia është pjesë e tij, të paktën në disa institucione (OKB, OBT etj.). Kisinger ngatërron —ndoshta nga padija— rendin botëror që administron G7 me Amerikën në krye, me Krimenë dhe veçanërisht me puçin e shtetit që organizoi perëndimi në Kiev: sepse ishte puçi që shkaktoi perëndimi me reaksionarët e brendshëm (megjithëse jo të gjithë ishin ‘reaksionarë’) që shkaktoi reagimin e Moskës dhe aneksimin e Krimesë pas referendumit (shih në vijim).

Përfundime

Politika e Trampit me Rusinë është e drejtë dhe meriton mbështetje: sepse lufta mes dy superfuqive mund të çojë në shkatërrimin tërësor të jetës planetare. Mund të çojë, gjithashtu, në rritjen e pavarësisë së Evropës. Shenjat e para tashmë janë shfaqur. Merkeli, për shembull, argumentoi së fudmi edhe një herë, se “Evropa nuk mund të mbështetet më tej mbi Shtetet e Bashkuara për të imponuar rend mbi botën [...] dhe se ajo nevojitet të sjellë çështjet pranë shtëpisë në duart e saj [Evropës]”.[4] Përtej faktit se me këtë qendrim Merkeli tregon pakuptimësi në raport me Amerikën dhe rendin përkatës —sikur Amerika është tërhequr nga roli i saj apo mund të tërhiqet vetëm sepse Trampi mban qendrime kontradiktore— kur thotë se “Evropa nuk mund të mbështetet më tej te Shtetet e Bashkuara për të imponuar rend mbi botën”...një qendrim që mund të kritikohet edhe për karakterin e saj të padrejtë kur kërkon të “imponohet” mbi botën...se sa mundësi ka Evropa të shkëputet nga patronazhi amerikan dhe cilin karater mund të marrë është një tjetër çështje të cilën do ta shqyrtoj në vazhdim. Nëse gjykojmë nga veprimet e fundit të Evropës me Japoninë ajo kërkon të ruajë rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal. Nëse gjykojmë nga qendrimet e ministrit të financave amerikane në “G20: Argjentinë”, Amerika kërkon ta thellojë rendin përkatës (veçanërisht në Kinë) por duke rishikuar marrëveshjet — dhe duke kërkuar të zvogëlojë deficitin. Në Kinë, për shembull, ajo kërkon nga e qashtuquajtura qeveri “komuniste”, përveç zvogëlimit të deficitit me të, dhe çlirimin dhe liberalizimin e plotë të tregut.

Në këtë kuptim, politikat e Trampit janë “proteksionste” brenda të njëjtit kuadër. Me vend argumenti i Monbiot kur thotë se Trampi po vepron drejtë me përditësimin e traktateve: sepse ky është një parim bazë demokratik, në teori dhe praktikë, një parim i frymëzuar nga Thomas Pain, filozof amerikan e shekullit 18-të.[5] Njëlloj duhet të kuptojmë dhe qendrimet e tjera të Trampit. Për shembull, kur mbështeti arsyetimin e gazetarit që e intervistonte se cila është arsyeja që ne, amerikanët, duhet të mbrojmë malazestë duke shtuar se ata janë shumë njerëz agresivë dhe se mund të çojnë në luftën e tretë botërore...janë përpjekje të Trampit për të përditësuar NATO-n. Ja si paraqitet deficiti i Amerikës me blloqet ekonomikë aktualisht:

           

Qartësisht, deficiti i saj më i madh është me Kinën ku ajo është përqendruar. Dhe gjykuar nga fakti se qoftë Amerika qofte BE-ja kërkojnë të ruajnë rendin përkatës – tensionet do të ulen veçanërisht tani që kontributet në NATO do të rriten nga anëtarët. Trampi mund ta realizojë objektivin e tij qoftë edhe me Kinën. Aktualisht ka një zhvendosje në establishmentin amerikan sa i përket “faktit” se nga kush kërcënohen interesat amerikane: nga Kina. Ngadalë po kuptohet dhe rendi i “ri” i Trampit dhe Putinit. Ja se ç’citon presidentja e “New America”, një agjenci inteligjente amerikane, lidhur me rendin përkatës:

Trampi dhe Putini mbështesin një kthim në një epokë të çliruar nga sovraniteti shtetëror. Ata do të çmontojnë organizatat ndërkombëtare dhe supranacionale të gjithë llojeve dhe do të kthehen në politikat multipolare të “Fuqive të Mëdha”, në të cilat aleancat zhvendosen dhe janë transnacionale. Siç ka thënë Trampi, aleatët e Amerikës mund të jenë “armiqë” në disa çështje dhe “miq” në të tjera, pa besnikëri shumë të rëndësishme të bazuara në bukuri si angazhimi i përbashkët në demokracinë liberale [...]. Mbi të gjitha kombet nuk do të jenë subjekt i diktatit globalist se si ata duhet t’i gjykojnë njerëzit brenda kufijëve...nga kjo pikëpamje avantazhi, NATO-ja dhe BE-ja janë shembuj të patolerueshëm të “rendit liberal ndërkombëtar” — një rend i ndërtuar në mbeshtetje të një serie vlerash anti-nacionaliste që u përmblodhën në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Parathënia në Traktatin Verior të Atlantikut riaformon “besimin në qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuar”, duke përfshirë parimet universale të “demokracisë, lirisë individuale dhe sundimin e ligjit”. Ngjashëm, BE-ja deklaron si “vlera fondamentale”, dhe vërtet kërkesa për anëtarësi në union, “respekt për dinjitet dhe të drejta njerëzore, liri, demokraci, barazi dhe sundimi i ligjit”. Jo dinjitet dhe të drejta kombëtare por njerëzore.[6]    

Qartësisht, autorja niset vetëm nga deklaratat e Trampit dhe nuk bën lidhjen me rendin e ri botëror i cili u kompletua pikërisht kur agjencia përkatëse u themelua: në vitin 1999. Si e tillë, ajo gabon tre herë: një herë kur nuk lidh deklaratat e Trampit me rendin përkatës; një herë kur thotë se Trampi dhe Putini do të çmontojnë organizatat ndërkombëtare kur jo vetëm që s’është kështu por as kanë mundësi në kushtet aktuale të veprojnë ashtu dhe një herë tjetër kur paraqet “vlerat” e rendit të ri botëror si më të mira pavarësisht se vlerat përkatëse janë në dobi të elitave që administrojnë rendin botëror dhe jo të popujve dhe vlerave përkatëse. Duhet thënë se demonizimi i shtet-kombit nga globalistët dhe nga disa “marksistë” dhe spikatja e vlerave perëndimore (sundimi i ligjit, konkurrenca etj.) buron kryesisht nga padija: sepse s’kanë treguar kurrë shkaqet e dështimit të shtet-kombit shekullin e kaluar dhe ku(r) s’ka kuptim – s’ka as kundrim të drejtë... 

Pjesë nga një studim më i gjerë...   



[1]Helsinki summit: what did Trump and Putin agree? 17 Jul 2018.

[2]Helsinki is turning point in Republican relations with Trump, FT, 20 July 2018.

[3]Henry Kissinger: ‘We are in e very, very grave period’, FT, 20 July 2018.

[4]Merkel vows to work at ‘under pressure’ U.S relationship, Reuters, 20 July, 2018.

[5]Sunset for liberal democracy, The Guardian, 18th June 2018.

[6]Donald Trump and Vladimir Putin want to create a new world order, Anne-Marie Slaughter, FT, July 22, 2018.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA