Përtej ekonomisë marksiste dhe ortodokse (politike) (3)
Ylli Përmeti
18/08/2017 - 19:20
Përpara se të shqyrtoj ekonominë marksiste, hyrja e së cilës u bë më herët, të cilën Marksi e quan “shkencore”, ndryshe nga Aristoteli por dhe nga mendimtarë të tjerë, përveç, sigurisht ekonomistëve ‘ortodoksë’ të tipit Krugman, i cili e konsideron ekonominë “ndoshta shkencë”,[1] hamendësisht sepse i tillë kërkon të konsiderohet meqënse ka marrë çmim nobel në ekonomi, ose në “shkencat ekonomike”, siç e quajnë në kohët tona, mirë do të ishte të përmblidhnim natyrën “shkencore” të ekonomisë marksiste: se ajo është “shkencore” sepse buron nga “ligje të hekurt” të cilët i kuptoi për herë të parë Marksi!
Shkenca teorike shqetësohet me ‘shkaqet’ e dukurive sociale dhe natyrale dhe i përket rendit të tretë të shkencave — domethënë, epistemologjisë.[2] Ajo procedon nga e veçanta drejt të përgjithshmes dhe anasjelltas dhe në qendër të analizës së saj ka ‘pse-në’: sepse është kjo ndajfolje që të çonë në shkaqet e dukurive dhe për më tepër, në shkakun përfundimtar të një dukurie. Ndryshe nga antikiteti kur me të drejtë ekonomia nuk konsiderohësh shkencë, por art, fundi i të cilit është prodhimi, sepse çdo art varet (ose buron) kryesisht nga urtësia praktike, modernistët e kanë keqkuptuar atë: sepse ata e lidhin me botën e numrave dhe, për pasojë, e konsiderojnë ekonominë “shkencë” ekzakte! Në këtë mënyrë, ata nuk synojnë të zhvillojnë urtësinë e të rinjve, kryesisht urtësinë praktike, e cila është e nevojshme për ekonominë; urtësinë juridike, e cila është e nevojshme për vlerësim dhe gjykim të drejtë; dhe urtësinë teorike, e cila është e nevojshme për të kundruar dhe kuptuar shkaqet e dukurive; por i vendosin ata nën diktatin e numrave dhe ligjeve parlamentarë, të cilët, me rradhë, hartohen dhe kontrollohen nga elitat moderne. Ata shfrytëzojnë, në fjalë të tjera, aftësinë e të rinjve në shkenca ekzakte dhe nuk u zhvillojnë aftësitë e tjera në shkencat sociale. Siç citon Aristoteli për arsyet se përse të rinjt shkëlqejnë në shkenca ekzakte dhe jo në shkencat e tjera:
Ndërsa të rinjtë bëhen gjeometër dhe matematicienë dhe të zgjuar në çështje të tilla, ende mendohet se të rinjtë me urtësi praktike nuk mund të gjenden. Shkaku është se urtësia shqetësohet jo vetëm me të përgjithshmet, por edhe me të veçantat të cilat bëhen familjare nga përvoja. Por një i ri nuk ka përvojë, sepse është koha e gjatë që ofron përvojë...në fakt, dikush mund të pyesë njëlloj se përse një djalë bëhet matematicien, por jo një filozof ose fizikant, sepse objektet e matematikës ekzistojnë në abstraksion, ndërsa principet e parë të këtyre subjekteve të tjerë vijnë nga përvoja, dhe sepse të rinjtë nuk kanë bindje rreth të dytës, por thjesht përdorin gjuhën e përshtatshme, ndërsa esenca e objekteve matematike është mjaft e thjeshtë për ta.[3]
Të rinjt shkëlqejnë në shkencat ekzakte, në fjalë të tjera, sepse ata vetë janë si “sfungjer” —të gatshëm të përthithin çdo lloj dije — dhe sepse didaktika e përgjithshme e shkollave moderne përqendrohet kryesisht në mësimin përmendësh të disiplinave shkencore sesa në përdorimin e metodologjive shkencore nga një këndvështrim dyshues. Domethënë, duke arsyetuar se përse është adoptuar një lloj metodologjie në një lloj disipline dhe çfarë nënkupton ajo. Kjo qasje, për pasojë, paaftëson të rinjët për të kuptuar se shkenca që ka mësuar, nuk është, në të vërtetë, “ekzakte”. Qoftë edhe nëse konsiderojmë fizikën, e cila konsiderohet nga shkencat më ekzakte, ne vërejmë se fizikantët ndryshojnë interpretim, nga viti në vit, për ligjet e natyrës dhe universit. Krijon, për më shumë, “shkencëtarë” të paaftë për të përdorur metodogji shkencore, ose të aftë, për të përdorur vetëm metodologjitë e pararendësve, siç janë, për shembull, ekuacionet. Didaktika heteronomike, në kuptimin që arsyetimi (ose autoriteti) i pedagogut nuk duhet të dyshohet nga studentët, kalon sa në një gjeneratë në tjerën, dhe krijon stereotipe didaktike që nuk e zhvillojnë shkencën ose një disiplinë shkencore. Vetëm kur ndonjë student shkëputet nga didaktika tërësore e shtetit modern, si pasojë e intuitës racionale (një burim origjinal i njohurisë shkencore), dhe zhvillon një punë shkencore jashtë kuadrit institucional të shtetit, ai konsiderohet revolucionar — nëse puna e tij njihet nga të njëjtët institucione. Ndryshe, nëse nuk njihet, ajo “varroset” dhe nuk përdoret nga didaktika e shtetit modern. Në këtë mënyrë vazhdojnë të riprodhohen stereotipet didaktike që e zhvillojnë shkencën shumë ngadalë. Siç argumenton Fotopoulos, keqkuptimin e ekonomisë nga Marksi dhe Prudoni:
Nuk është vetëm në metodologji dhe, veçanërisht, besimi në të vërtetat “objektive” ose “shkencore” sa i përket shoqërisë që Marksi dhe Prudoni kishin të përbashkët, por njëlloj janë teoritë e tyre ekonomike, pavarësisht disa ndryshimeve të qarta midis tyre. Kështu, zgjidhja klasike për të shprehur vlerën e të mirave materiale dhe shërbimeve në terma të orëve të njeriut, e cila ishte zhvilluar nga ekonomistët ortodoksë (politikë) të kohës, u adoptua nga të dy, Proudoni dhe Marksi. Por, teoria e vlerës së punës përveç faktit që ajo krijon të gjithë llojet e problemeve rreth barasvlerës së të gjithë tipave të punës, “konvertimi” i veglave/pajisjeve që përdoren në orët e njeriut, etj., është në mënyrë themelore e papërputhshme me një shoqëri të lirë, siç ka treguar, midis të tjerësh, Kropotkin. Për më shumë, ajo është e papërputhshme me një sistem shpërndarjeje bazuar në liri dhe zgjedhje. Arsyeja është se edhe nëse teoria e vlerës së punës mund të japë një tregues (të pjesshëm) të disponueshmërisë së burimeve, ajo sigurisht që nuk mund të përdoret si një mjet për të shprehur parapëlqimet e konsumatorëve. Pamundësia e planeve qendrore të Europës Lindore për të shprehur parapëlqimet e konsumatorëve dhe shkurtimet që rezultuan, që karakterizoi sistemin, nuk ishin pa lidhje në faktin që sistemi ishte bazuar mbi një sistem çmimesh të influencuar nga teoria e vlerës së punës. Pra, teoria e vlerës së punës nuk mund të shërbejë si bazë për një sistem për shpërndarjen e burimeve që synojnë të përmbushin nevojat dhe, njëherësh, të sigurojë sovranitetin e konsumatorit dhe lirinë e zgjedhjes.
Kjo është arsyeja që Fotopoulos propozon një model për demokraci ekonomike, dhe për arsyet që sqaroj në vend tjetër,[4] i cili (ndryshe nga modeli Prudonian) presupozon një ekonomi pa shtet, pa pará dhe pa treg, dhe përjashton institucionalizimin e privilegjeve për disa seksione të shoqërisë dhe grumbullimin privat të pasurisë, pa qenë e nevojshme për t’u mbështetur mbi një gjendje mitike post-pamjaftueshmërie të pasurisë. Ky sistem përbëhet nga dy elementë bazë, një element “tregtar” që përfshin krijimin e një “tregu” artificial, i cili do të sigurojë një liri të vërtetë të zgjedhjes pa shkaktuar efektet e pavolitshme që shoqërojnë tregjet e vërteta dhe një element planifikues që përfshin krijimin e një procesi këshillimor (feedback) të planit demokratik midis asamblesë së punës, asamblesë komunitare dhe asamblesë konfederale. Në një sistem të tillë nuk është e nevojshme për vlerësim objektiv të të mirave materiale ose të forcës punëtore, i cili do të bënte të nevojshme përdorimin e një teorie “shkencore” si ajo e vlerës së punës për ta arritur atë. Në vend të saj qoftë vlera e të mirave materiale dhe qoftë e punës përcaktohen përmes zgjedhjeve individuale dhe kolektive të qytetarëve.
Fakti që Prudoni nuk e përjashton sistemin e tregut e çon atë në festimin e konkurrencës, ndryshe nga Marksi dhe pjesa më e madhe e socialistëve dhe anarkistëve të cilët kishin një ide të qartë të rëndësisë negative të konkurrencës, njëherësh brenda kuadrit të ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë alternative. Kështu siç citon Prudoni:
Gabimi më i vajtueshëm i socializmit përbëhet nga vështrimi i (konkurrencës) si subversion i shoqërisë. Rrjedhimisht atje nuk mund të ketë pyetje për të shkatërruar konkurrencën, siç është e pamundur të shkatërrojmë lirinë; problemi është të gjejmë ekuilibrin e tij, unë do të thosha me plotë dëshirë policin e tij (...) Konkurrenca, si një pozicion ekonomik ose fazë, e konsideruar në origjinën e saj, është rezultati i nevojshëm i intervencionit të makinerisë, i themelimit të ofiçinës, dhe i teorisë së uljes së kostove të përgjithshme; e konsideruar në rëndësinë e saj dhe tendencës së saj, është mënyra përmes së cilës veprimtaria kolektive manifeston dhe ushtron veten, shprehjen e spontanitetit social, emblemën e demokracisë dhe barazisë, instrumenti më energjitik për përbërjen e vlerës, mbështetjen e shoqërisë (...) Monopoli është opozita natyrale e konkurrencës. Ky vrojtim i thjesht mjafton, siç kemi vënë në dukje, të rrëzojmë utopistët bazuar në idenë e ndalimit të konkurrencës, sikur e kundërta e saj është shoqëria dhe vëllazëria. Konkurrenca është forca vitale e cila gjallëron qenien kolektive: për ta shkatërruar atë, nëse ky hemnedësim do të ishte i mundshëm, do të ishte sikur të vrisnim shoqërinë.
Atje janë dy mënyra përmes së cilave ne mund të interpretojmë qendrimet e Prudonit mbi konkurrencën. Një mënyrë është ta shohim atë brenda kuadrit institucional të ekonomisë së marketingut, siç bëri me vend Marksi dhe kritikoi qendrimet e Prudonit lidhur me këtë çështje. Mënyra e dytë është t’i shohim ato brenda ekonomisë federaliste të Prudonit. Në rastin e parë, qendrimet e Prudonit mbi konkurrencën shprehin një kuptim të varfër të rëndësisë së tij ekonomike si mekanizmi i cili siguron dinamikën e sistemit të ekonomisë së marketingut. Kjo është e qartë për shembull nga qendrimi që vijon në të cilin Prudoni e bënë të qartë se ai e shikon shoqërinë aktuale antagonistike si “çështje ekuilibri”—i cili ka qenë gjithnjë problemi, (domethënë qoftë edhe përpara krijimit të ekonomisë së marketingut),—dhe jo si rezultat i pashmangshëm i dinamikave të këtij sistemi i cili u shfaq vetëm dy shekuj më parë, siç ka treguar Polani:
Socializmi (...) akuzon shoqërinë për antagonizëm, dhe përmes të njëjtit antagonizëm ai kërkon të ndjekë reformat. Ai kërkon kapitalin për punëtorët e varfër, sikur mizerja e punëtorëve nuk buron nga konkurrenca e kapitalistëve gjithashtu dhe nga kundërshtia artificiale e punës dhe kapitalit; sikur çështja nuk është sot pikërisht siç ishte përpara krijimit të kapitalit, domethënë, ende dhe gjithnjë një çështje ekuilibri; sikur, shkurt, le ta përsërisim pa ndërprerje, le ta përsërsim deri në vjellje,—çështja ishte këtej e tutje e diçkaje sesa një sintezë e gjithë principeve e sjellë në dritë nga civilizimi, dhe sikur, duke siguruar këtë sintezë, ideja që udhëheqë botën, njohëse, atje s’do kishte ndonjë nevojë për intervencion të kapitalit dhe Shtetit për t’i bërë ato evidente.
Marksi rrjedhimisht kishte një kuptim shumë më të lartë të rëndësisë së konkurrencës ekonomike, megjithëse dhe ai vetë ra viktimë e interpretimit të tij “shkencor” të historisë, siç tregohet nga fakti në skemën e tij dialektike ku ai e konsideroi konkurrencën si “të shkaktuar nga mnopoli feudal” i cili paraqet tezën, ku konkurrenca është antitezë dhe monopoli modern është sintezë. Në fjalë të tjera, Marksi e shikon establishmentin e sistemit të ekonomisë së markentingut si një fryt të evolucionit. Por, siç jam mundur të tregoj në vend tjetër,[5] atje s’ka asnjë fakt bindës për të mbështetur qendrimin e Marksit se një lloj procesi evolucionar mund të sqaronte lëvizjen nga format e “ekonomisë parakapitaliste” të organizimeve ekonomike në ekonominë aktuale të marketingut të ndërkombëtarizuar. Në të vërtetë, vetë ekonomia e marketingut nuk “evoloi” nga epoka feudale por në kuptimin e mirëfilltë shpërtheu, veçanërisht në Angli, përgjatë shekujve tëtëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë. Rrjedhimisht, ndryshe nga çfarë pohojnë liberalët dhe Markistët, marketizimi i ekonomisë nuk ishte thjesht një proces evolucionar që pashmangshmërisht pasoi shtrirjen e tregut merkantelist.
Sidoqoftë, nëse pranojmë hipotezën se konkurrenca është motorri i ekonomisë së marketingut do të thotë se përqendrimi aktual i pushtetit ekonomik dhe ndërkombëtarëzimi i ekonomisë së marketingut nuk janë thjesht rezultat i politikave të “këqija” qeveritare, ose “dështime tregëtare”. Siç jam munduar të tregoj në vend tjetër,[6] lëvizja nga kapitalizmi i pronarëve (ose ndërmarrës) në ekonominë aktuale të marketingut të ndërkombëtarizuar, ku pak korporata gjigande kontrollojnë ekonominë botërore, nuk ndodhi, siç e paraqet për shembull Çomski, si rezultat i një “reaksioni të madh të dështimeve të tregut në fund shekullit nëntëmbëdhjetë”. Ishte konkurrenca, e cila çoi nga ndërmarrjet e thjeshta në korporatat aktuale gjigande. Dështimet e tregut nuk janë një gjëmë e dhënë nga Zoti. Duke përjashtuar rastin e monopoleve, thuajse të gjithë dështimet në histori lidhen drejtpërdrejt apo tërthorazi me konkurrencën. Ishte konkurrenca, e cila çoi në shpërthimin e shkrirjeve dhe bashkimeve në vendet e zhvilluara kapitaliste, gjithashtu dhe “aleancat e ndryshme strategjike”. Në këtë problematikë, nuk është e mundur, brenda kuadrit institucional ekzistues të demokracisë parlamentare dhe ekonomisë së marketingut, për të kontrlluar procesin e përqendrimit në rritje të pushtetit ekonomik. Por festimi i konkurrencës nga Prudoni është i qortueshëm jo vetëm nëse ne e shohim atë brenda kuadrit institucional të ekonomisë së marketingut por, siç do të shohim më poshtë, qoftë edhe nëse e shohim atë brenda sistemit të tij federalist. Le të shohim më tej konceptin e demokracisë krahasuar me atë të Marksit dhe Prudonit.
[1]Maybe economics is a sciece, but many economists are not scientists, Paul Krugman, New York Times, October 21, 2013.
[2]Lexo, për më shumë, Miti i progresit dhe themelet e njohurisë.
[3]Aristotle, N.M. Ethics, f, 54.
[4]Drejt demokracisë virtuoze.
[5]Takis Fotopoulos, Towards An Inclusive Democracy, ch.1.
[6] Shih Takis Fotopoulos, ‘Mass Media, Culture and Democracy’, Democracy & Nature, Vol. 5, No. 1, pp. 33-64.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 141 reads