Pse tradhtojnë meshkujt dhe femrat dhe si mund ta parandalojmë?
Në vijim do të tregoj tre arsyet kryesore pse tradhtojnë meshkujt dhe femrat: arsyeja e parë lidhet me moskuptimin e dashurisë si koncept. Shumë e ngatërrojnë dashurinë dhe e lidhin me seksin. Por dashuria është koncept shumë më i gjerë dhe seksi është pjesë e saj por jo kryesorja. Arsyeja e dytë lidhet me mungesën e kuptimit të karakterit të tjetrit; pak njerëz studiojnë dhe kuptojnë karakterin e njeriut që zgjedhin. Kjo mungesë krijon çifte me karaktere të ndryshme dhe si pasojë krijohen përplasje të shpeshta mes tyre deri sa shumë prej tyre ndahen. Arsyeja e tretë lidhet me moskuptimin e nevojave biologjike të tjetrit. Ky moskuptim çon shpesh në tradhti dhe ndarje.
Ylli Përmeti
10/06/2018 - 15:28
Femrat duhet të kërkojnë nga meshkujt dashurinë dhe vityte të zhvilluara që të kenë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur; ndryshe ato do të vuajnë pasojat e vendimeve të tyre kur shkojnë me një mashkull pa e bërë atë të dashurohet dhe pa kuptuar se ai gëzon disa virtyte ndërsa synon të zhvillojë të tjerë dhe synon t`i përsosë ata. Gjykuar nga sistemet arsimore të kohëve tona, kjo çështje jo vetëm që nuk është pjesë e edukimit por ajo është tejet e paqartë dhe për ata që pretendojnë se kuptojnë natyrën e dashurisë dhe rolin e saj në shëndetin dhe lumturinë e një çifti. Ndaj ky studim ndriçon për herë të parë gjithë çështjen e dashurisë dhe jetës bashkëshortore dhe synon të jetë pjesë e sistemeve arsimore. Derisa sistemet arsimore të bëjnë pjesë të tyre studime si ky dhe të ngjashëm si ky, femrat janë në “mëshirë” të “fatit” ose të kureshtjes së tyre për të mësuar se si të kuptojnë karakterin e një mashkulli dhe ta përputhin atë me karakterin e tyre.
Se pse tradhtojnë politikanët zotimet e tyre parazgjedhore e kam shqyrtuar në vend tjetër.[1] Këtu do të shqyrtoj arsyet kryesore pse tradhtojnë mashkujt dhe femrat dhe si mund ta parandalojmë. Sipas studimeve, më shumë se 75% e meshkujve dhe 68% e femrave kanë tradhtuar në një farë mënyre gjatë marrëdhënies së tyre në çift; rreth 70% nuk kanë folur kurrë me bashkëshortin/ten se çfarë kuptohet me ‘tradhti’ dhe më shumë se 90% donin të dinin se nëse i kishte tradhtuar bashkëshorti. Tradhëtia është shkaku kryesor i ndarjeve në Amerikë.
Një studim që shqetësohet për tradhtinë bashkëshortore dhe dëmet që shkakton ajo si në çift ashtu dhe në shoqëri, e ndan atë në dy kategori: në “tradhti ngashënjuese” (emocionale) dhe “tradhti seksuale”. Sipas tij, femrat ndikohen më shumë nga tradhtia ngashënjuese se sa nga tradhtia seksuale ndërsa meshkujt ndikohen më shumë nga tradhtia seksuale; për femrën, sepse ajo është lindëse dhe rritëse të fëmijëve, për sigurinë e të cilëve përgjigjet mashkulli që ka zgjedhur ndërsa për meshkullin sepse nga tradhtia seksuale ai ndihen i pasigurtë për fëmijën e lindur.
Megjithatë, kjo është një qasje e ngushtë sepse tradhtia bashkëshortore nuk duhet të lidhet vetëm me sigurinë familjare por me sigurinë shpirtërore në tërësi. Sidoqoftë, ajo tregon (edhe një herë) të vërtetën e madhe, se femrat janë më ngashënjuese se meshkujt. Kjo është arsyeja se pse ato përjetojnë dhimbje më të madhe kur tradhtohen dhe dhimbja me radhë i çon shumë prej tyre në dëshpërim dhe vetvrasje. Siç citon studimi:
“Tradhtia mund të ndihet si një shqetësim i pandalshëm që mund të shkaktojë mendime për ide vetëvrasëse dhe vetëvrasje...Këto çështje mund të ndikojnë si tek autorët ashtu edhe tek partnerët e dëmtuar...Për palën e dëmtuar, ndjenjat e luhatshme të tërbimit, pafuqisë, braktisjes dhe viktimizimit mund t`i lënë të tronditur dhe të paaftë për të mbështetur veten pasi mësojnë për tradhtinë e partnerit të tyre. Kjo (gjendje) mund të çojë në ide vetëvrasëse…autorët e tradhtisë mund të përjetojnë reagime të ngjashme ngashënjuese pas zbulimit të lidhjes së tyre, si depresioni, ankthi akut dhe vetëvrasja. Kjo besohet të ndodhë vazhdimisht pas kërcënimeve për ndarje martesore”.
Studimi tregon, gjithashtu, se njerëzit jo-fetarë tradhtojnë më shumë se njerëzit fetarë dhe njerëzit me edukim të lartë tradhtojnë më shumë se ata me më pak edukim, kryesisht sepse atyre u paraqiten më shumë mundësi për tradhti. Rreth gjysma e atyre që tradhtuan në këtë kategori, e gjetën partnerin e ri në punë. Veçori individuale si neurotisizmi (ose paqendrueshmëria ngashënjuese), tradhtia pararendëse, numri i partnerëve seksualë përpara martesës, dhe prejardhja nga një familje me tradhti bashkëshortore, sipas tij, shtojnë gjasat e tradhtisë në martesë.
Për të njëjtën arsye psikologët e establishmentit këshillojnë shoqëritë të flasim më shpesh për tradhëtinë bashkëshortore me qëllim që të kuptohet si çështje: sepse disa quajnë tradhti marrëdhënien seksuale me një tjetër; disa flirtin; dhe të tjerë thjesht mendimin e tjetrit në marrëdhënie seksuale. Por si në çdo shqetësim tjetër, psikiatrit, psikologët dhe sociologët nuk tregojnë natyrën e tradhtisë as dhe shkaqet e vërtetë të saj. Kjo është arsyeja që pas këshillës së përgjithshme për të folur për tradhtinë këshillojnë tradhtarin të mos e tregojë tradhëtinë që mos të lëndojë bashkëshortin/en dhe nëse e tregon të kërkojë falje!
Ç’është, nga buron dhe si edukohet dashuria? (1)
Një çështje që shqetëson çiftet heteroseksuale është ‘kënaqësia seksuale’ e njëanshme. Edhe në këtë rast ne duhet të kuptojmë shkaqet. Sipas një studimi,[2] mesatarisht meshkujt kanë përqindje më të lartë orgazmash se femrat - dhe lezbiket kanë mundësi më të mëdha orgazmash se sa femrat heteroseksuale dhe biseksuale. Përqindja lidhur me raportin e orgazmave të meshkujve dhe femrave është edhe më e lartë në Shqipëri.[3] Kjo tregon se meshkujt vazhdojnë të jenë së pari me dije të pjesshme seksuale dhe së dyti egoistë: së pari me dije të pjesshme sepse është dija që çon në egoizëm dhe jo anasjelltas dhe është dashuria që çon në dije. Kjo është një ndër arsyet kryesore se përse femrat detyrohen të kërkojnë dhe të ndryshojnë partnerë dhe shpesh ato e gjejnë kulmin e kënaqësisë, siç duket, tek e njëjta gjini. Por ndërsa ky është njëri shkak, atje është edhe një shkak tjetër, që varet drejpërdrejt nga kuptimi shoqëror (ose bota moderne, e cila propagandon kënaqësitë duke shpërnjohur zhvillimin paralel të virtyteve dhe një shoqërie etike): se femra duhet të kërkojë ‘kulmin’ orgazmik të saj.
Ky botëkuptim krijohet kryesisht nga filmat pornografikë dhe industria mediatike dhe është një ndër shkaqet kryesor të tradhëtisë bashkëshortore. Tradhëtia bashkëshortore, rrjedhimisht, varet nga një mashkull dhe një femër të mirë-edukuar dhe të barabartë. Barazia ekonomike luan rol vendimtar në këtë rast: sepse shkak tjetër i tradhëtisë bashkëshortore është pasuria e një mashkulli në njërën anë dhe nevoja e një femre në anën tjetër. Rasti i parë lidhet me pabarazinë ekonomike; i dyti, me shoqërinë, e cila nuk i punëson të gjitha femrat: sepse ato, në këtë rast, si pasojë e nevojës, tradhëtojnë.
Mashkulli, në anën tjetër, tradhëton për dy arsye kryesore: njëra është biologjike, tjetra sociale. Rasti i parë lidhet ngushtë me sasinë dhe cilësinë e spermatozoareve (dhe këto, me radhë, ndikohen nga niveli i testosteronit): sa më e lartë të jetë sasia aq më shumë ka nevojë një mashkull për marrëdhënie seksuale dhe e kundërta. Shkaku tjetër lidhet me botëkuptimin modern: meqë mashkulli dominon në jetën sociale, ai, përgjithësisht “lejohet” dhe shpesh inkurajohet të abuzojë, ndërsa një femër, jo. Në rastin e parë, kur një mashkull nuk mbulon nevojat e tij me një femër, mundësitë për tradhëti shtohen; në rastin e dytë kur një femër nuk lufton për barazi, ndodh njëlloj.
Nga e njëjta qasje duhet të kuptohen femrat nimfomanike. Por vendimtare në tradhëti është mungesa e virtytit të besnikërisë. Ky i fundit nënkupton se njeriu besnik është konsistent jo vetëm me dijen e fituar por dhe me ndjenjën. Kur tradhëtia lidhet me ndjenjën, ajo s’ka qenë e plotë. Kur lidhet me dijen, ajo ka qenë njëlloj: e paplotë. Dija, në këtë rast, lidhur me tjetrin, luan rol vendimtar. Nëse ndjenja zhvillohet pa dije – domethënë, pa kuptuar virtytet e tjetrit, dhe përputhshmërinë e tyre, dashuria dështon: sepse ai që ka zhvilluar ndjenjat zhgënjehet kur bashkëjeton dhe kur zhvillon dijen lidhur me tjetrin. Kur të hashë bukë me tjetrin, thotë populli, do të kuptosh se sa i/e mirë është. Kjo thënie nënkupton ndërveprimin bashkëshortor përmes të cilit krijohen plotë dinamika të cilat ose përballen dhe zgjidhen ose çojnë në ekstreme. Femrat zhgënjehen më shumë, për dy arsye kryesore: sepse për shkak të natyrës së saj dhe konceptimit nga shoqëria si monogamike, ato zhvillojnë më shumë fantazinë për një njeri. Zhgënjimi në vetë-vete krijon dinamikën ose të tradhëtisë, nëse nuk ndahet dot, ose të ndarjes.
Lidhur me tradhëtinë, luan rol vendimtar zakoni i hakmarrjes. Nëse një njeri e ka zhvilluar zakonin e hakmarrjes – ai tradhëton fare lehtë. Fakti që besimi buron nga dija (për shembull, kur ‘besojmë’ mjekun, sepse ai ka ‘dijen’ ose kur besojmë një fakt sepse e kemi studiuar vetë) dhe ndjenja (për shembull, kur ‘besojmë’ tjetrin, sepse ai ka ‘dashurinë’ ose kur besojmë veten sepse kemi ndjenjën e dashurisë për tjetrin) - zakoni i besnikërisë zhvillohet duke zhvilluar njëherësh mendjen dhe ndjenjën e njeriut. Njeriut hakmarrës, rrjedhimisht, i mungon qoftë mendimi qoftë ndjenja: sepse, siç citon Aristoteli, “njeriu bujar dhe zemërbardhë nuk është hakmarrës, por në një farë mënyre ka prirjen të lejojë tjetrin të sillet ashtu siç sillet pavarësisht se nuk e pranon zakonisht”. Zemërbardhësia (“εὐθυμία” mund të përkthehet “zemërim i mirë”; e kundërta e saj është “οξυθυμία” – “zemërim i keq”)është një mesatare lidhur me zemërimin; gjendja mesatare nuk është emëruar, dhe tepëritë e saj janë pa emër gjithashtu, ne vendosim zemërbardhësinë ne mes, megjithëse ajo anon nga mungesa, e cila është pa emër.
Tepëria mund të quhet një lloj ‘gjaknxehtësie’: sepse pasioni [në këtë rast] është zemërimi, ndërsa shkaqet e tij janë shumë dhe të ndryshëm. Njeriu që zemërohet me çështjet u duhura dhe me njerëzit e duhur, dhe, për më shumë, siç duhet, kur duhet, dhe sa kohë duhet, lavdërohet. Ky do të ishte njeriu zemërbardhë meqë temperamenti i mirë lavdërohet: sepse njeriu zemërbardhë ka prirjen të jetë i qetë dhe nuk pushtohet nga pasioni por zemërohet në mënyrën, për gjërat dhe për kohëzgjatjen që dikton virtyti.[4] Ja pse themi se njeriu që është zemërbardhë ose edukohet të jetë i tillë nënkupton se ai ka mësuar të kontrollojë zemërimin - ka zhvilluar virtytin e vetëpërmbajtjes.
Argumenti që përdorin shumë seksologë, se kur një mashkull është më inteligjent se femra ose anasjelltas —domethënë, kur janë të pabarabartë në dije seksuale— kanë jetë më të mirë seksuale, sepse hamendësisht “më inteligjenti” çon tjetrin (më pak inteligjentin) drejt kënaqësive më të mëdha —një deduktim që buron ndoshta nga përvoja e tyre— nuk qendron: sepse seksi nënkupton kuptimin e nevojave të tjetrit dhe kuptimi zhvillohet vetëm kur njeriu procedon nga dija teorike drejt dijes empirike —domethënë, nga zhvillimi i dijes së jetës seksuale dhe kuptimi i rezultatit të saj — se çfarë synon jeta në përgjithësi, jeta seksuale në veçanti dhe cili është përfundimi ose fundi i saj.
Një dukuri tjetër e dhimbshme është vrasja e femrave nga meshkujt dhe anasjelltas. Megjithëse meshkujt udhëheqin edhe në këtë dukuri. Vitet e fundit ajo është shpeshëtuar. Për këtë dukuri meshkujt fajësojnë femrat ndërsa femrat meshkujt. Zakonisht mashkujt përdorin argumentin se ato vishen në mënyrë të provokueshme; të tjerë, se ato i shfrytëzojnë – duke nënkuptuar se ato janë materialiste. Në rastin e parë harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë se një mashkull që nuk përmbahet kur provokohet nga veshja e një femre tregon se nuk është burrëruar — sepse supozohet një ‘burr’ ka mësuar të përmbajë veten ose ka zhvilluar virtytin e përmbajtjes.
Në rastin e dytë harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë të përmendin faktin se marrëdhëniet njerëzore nuk zhvillohen në bazë të disa parakushteve që vendosin dy njerëz përpara se të krijojnë një marrëdhënie: por janë të dy krijues të disa kushteve që pranohen nënkuptueshëm. Për të njëjtën arsye, femrat që provokojnë apo shfrytëzojnë meshkujt, duhen parë jo si shkak përmes të cilit ligjësohet (justifikohet) sjella e mashkullit por e drejtë e saj. Duhet parë, gjithashtu, nga një qasje pedagogjike: se kur ajo provokon në jetën sociale, me veshje ekstravagante, kur tregojnë pjesë intime, ato tregojnë se nuk kanë zhvilluar virtytin e estetikës - i cili synon mesataren: sepse një njeri me virtytin e estetikës kurrë nuk do të provokojë me veshjen në jetën sociale kur dihet se femra ka plotë rrugë të tjera për të ngashënjyer një mashkull.
Femrat që shfrytëzojnë meshkujt tregojnë, për më shumë, mungesën e largpamësisë: sepse do të ishte e dëshirueshme që ta shikonte një mashkull si një mundësi për të kaluar jetën me të. Për të njëjtën arsye, femra duhet të edukohet për t’u aftësuar se si të kuptojë tjetrin —mashkullin— se nëse ai përputhet me të apo jo. Kjo është një ‘aftësi’ që supozohet se zhvillohet në shkollë – duke filluar në shkollat e mesme: sepse femra ‘piqet’ më herët se meshkulli. Ndërsa meshkujt duhet të aftësohen të kuptojnë natyrën e femrës dhe të zhvillojnë kryesisht bujarinë dhe zemërgjerësinë: sepse kur ata aftësohen në këtë drejtim ne mund të shmangim shpagimet dhe dhimbjet sociale.
Por në dijeninë time shkollat s’kanë institucionalizuar punë shkencore për këtë çështje përtej disa punëve të seksologëve të cilët janë problematikë në qasjet e tyre për mos të thënë të padëshirueshëm. Për shembull, një seksologe greke,[5] në librat dhe “leksionet” e saj mediatikë, mëson meshkujt dhe femrat se si të tradhëtojnë dhe shumë veprime të tjerë që janë të dënueshëm. Në vendin tonë nuk mungojnë “seksologë” të tillë meqënse dëshira për t’u pasuruar shpejtë dhe universiteti dhe masmedia pa dije dhe jodemokratike nuk u mungon.
Një tjetër çështje që shqetëson njerëzit dhe shoqëritë janë shpimet në pjesë të ndryshme të trupit, tatuazhet dhe pantallonat poshtë vithjeve, kryesisht nga meshkujt. Vathët dhe varëset e tjera në trup kanë një histori të gjatë dhe shpesh janë përdorur për të treguar një status social. Në kohët tona njerëzit i përdorin kryesisht për t’u dukur “seksi”. Kjo mendësi në vetë-vete është e kritikueshme: sepse nënkupton se pa varëse e metale të tjerë ata nuk janë “seksi”. Me “seksi” njerëzit kuptojnë ‘tërheqjen’ e tjetrit. Në vëtë-vete kjo qasje është problematike: sepse njeriu është i aftë të ‘tërheqë’ pa metale. Sidoqoftë, shpimi i trupit me metale ka një tjetër përmasë: se ai krijon vatra të ndryshme në trup për infeksion dhe ky i fundit shkakton dobësim të sistemit imunitar: sepse është një “alarm” i përhershëm për sistemin.
Vatrat ku metalet shpojnë dhe qendrojnë janë gjithnjë “plagë” të hapura: ato gjithnjë do të luftohen nga organizmi për t’i kuruar kur dihet se metalet gjithnjë hapin plagë të reja: sepse njeriu është gjithnjë në lëvizje. Shpimi në pjesën fundore të veshit nuk është rastësor: atje ka pak nerva dhe pak nevojë për organizmin për të luftuar. Për të dyja këto arsye, mirë është që trupi mos të shpohet. Tatuazhet bëhen për të njëjtën arsye —për t’u dukur “seksi”— dhe kanë të njëjtin efekt infektues në trup. Ndërsa mbajtja e pantallonave poshtë vithjeve, për t’u dukur, sërish, “seksi”, një sjellje që është përhapur kudo dhe veçanërisht nga të rinjtë, duke na treguar mbathjet...përtej faktit që nuk është e hijshme dhe ka filluar si protestë nga të burgosurit në Amerikë shekullin e kaluar, kryesisht nga zezakët, për të përbuzur represionin shtetëror, nuk është as praktike dhe as higjenike. Ja pse njerëzit duhet të adoptojnë një qasje kritike për këto sjellje: sepse estetika synon kryesisht shëndetin e njeriut dhe shëndeti nuk mund të sigurohet me sjellje të tilla. Sjellje të tilla shpesh çojnë në përplasje dhe çiftet: sepse ‘besime’ të tjerë krijon njëri dhe të tjerë tjetri.
Shumë meshkuj ‘besojnë’ se femrat me tatuazh janë ndryshe nga të tjerat — me prirje ‘kurvërie’, dhe ngaqë nuk adoptojnë një rol edukativ në shoqëri përveç rolit të shfrytëzuesve, si fillim i pranojnë ato siç janë dhe më pas, pasi “ngopen”, i degdisin duke i damkosur! Kjo është një arsye tjetër pse femra duhet të aftësohet të shqyrtojë ‘besimet’ e mashkullit që zgjedhë në veçanti dhe besimet e njerëzve në përgjithësi. Mashkulli, gjithashtu, duhet të mësojë të shqyrtojë ‘besimet’ e femrës: sepse nga ‘besimet ndryshe’ krijohen tensionet dhe kur një njeri nuk është mësuar të shqyrtojë dhe përmbajë veten, tensioni mund të çojë në zemërim, përplasje fizike dhe ose ose.
Besimet janë të natyrës së përgjithshme dhe të veçantë. Për shembull, ne besojmë përgjithësisht se të gjithë njerëzit janë të ‘barabartë’. Por se në çfarë janë të barabartë kërkon shqyrtim. Kur një njeri beson te tjetri, ai beson të përgjithshmet e tij — ato që i paraqet tjetri. Por të veçantat kërkojnë hetim dhe shqyrtim. Për shembull, se çfarë beson mashkulli për femrën: ku janë të barabartë dhe ku s’janë dhe pse (s)’janë të barabartë. Objektivi në këtë lloj shqyrtimi duhet të jetë kuptimi i tjetrit dhe nëse ai beson ndryshe nga ne, besimet të shikohen në dritën e të vërtetës. Për shembull, kur një mashkull ‘beson’ se femra është inferiore kundrejt tij. Kuptimi se pse e beson ashtu siç beson këtë çështje do të ishte e dëshirueshme: sepse mund ta edukojmë duke i treguar se ne jemi edhe të barabartë dhe të pabarabartë. Në çështjet sociale jemi të barabartë; në çështjet biologjike të pabarabartë. Kur kuptojmë se jemi të barabartë në aftësinë tonë për të fituar virtytet – kuptojmë se jemi të barabartë; kur kuptojmë se në çështjet biologjike nuk jemi të barabartë –nevoja për raport seksual për shembull është më e madhe te meshkujt në përgjithësi por ky besim mund të përmbyset nga një femër me nevoja të veçanta siç janë ‘nimfomaniket’— kuptojmë nevojat e tjetrit dhe u përgjigjemi.
Dhe në fund, është çështja e virgjërisë, e cila shqetëson shoqëritë ndoshta më shumë se çdo çështje tjetër. Në antikitet, pellazgët e Athinës klasike i dhanë një kuptim “hyjnor” virgjërisë - jo të lidhur me perëndinë por me shoqërinë dhe natyrën njerëzore. Aristoteli e konsideron virgjërinë virtyt sepse ajo nënkupton vetë-përmbajtje dhe vetë-përmbajtja një njeri virtuoz.[6] Shoqëria e Athinës klasike i ndërtoi virgjërisë tempullin e Parthenonës për të treguar natyrën e pastër të Athinës. Sidoqoftë, që virgjëria nënkupton vetë-përmbajtje dhe vetë-përmbajtja nënkupton një njeri virtuoz, është e qartë kur kundrojmë se cilin njeri lavdërojmë: njeriun e shkujdesur apo njeriun e vetë-përmbajtuar? Qoftë edhe nëse e kuptojmë virgjërinë si ‘pastërti’ ajo nënkupton sërish një njeri virtuoz: sepse njeriu i pastër nënkupton se ka zhvilluar virtytin e pastërtisë.
Qartësisht, virgjëria e femrës nënkupton se ajo është virtuoze në sytë e një mashkulli dhe si e tillë duhet të nderohet dhe synohet. Por pasionet janë pasione (në këtë rast, ‘kënaqësitë’ që nënkupton raporti me një mashkull) dhe mund –në procesin e zhvillimit— të mposhtin virtytet, veçanërisht në një moshë adoleshente dhe në një shoqëri pa parime, pa virtyte dhe pa orientim të qartë edukativ. Gjykuar nga fakti se femrat rriten në një shoqëri pa parime, pa virtyte dhe pa edukim të mirë-orientuar dhe të mirë-balancuar, dhe nga fakti se përsosja e njeriut realizohet në shkallë të lartë rreth moshës 40 vjeç —gjithnjë, nëse synohet përsosja— femrat jo të virgjëra nuk duhet të dënohen dhe damkosen nga shoqëria: sepse sjellja e njeriut dominohet nga shoqëria pavarësisht se familje të veçanta mund t’i kushtojnë rëndësi të veçantë kësaj çështje.
Shqipëria çështjen e virgjërisë e kishte “kult” shekullin e kaluar: sepse e drejta zakonore në disa aspekte i mbizotëroi ideologjisë komuniste, e cila, në shumë çështje nuk ishte e qartë për sa kohë që Marksi dhe ndjekësit e tij nuk kanë kontribuar në këto çështje. Për të njëjtën arsye, martesa me një femër jo të virgjër për një mashkull ishte e rëndë dhe femrat jo të virgjëra shpesh detyroheshin të “qepeshin” me qëllim që t’i tregonin “burrit” pastërtinë. Por ndryshe nga populli pellazg i Athinës klasike, populli ynë nuk i ndërtoi asaj kult social të tipit “parthenist”; as e përdori virgjërinë për të treguar pastërtinë e ideologjisë dhe shoqërisë komuniste.
Kështu, virgjëria mbeti një “kult” pellazg që shprehësh përmes të drejtës zakonore. Këtë shekull, me ndryshimin e paradigmës sociale dhe braktisjen e zhvillimit të vlerave njerëzore dhe vërshimin e pornografisë dhe pornotelvizioneve, shoqëria shqiptare është dorëzuar në epshet e sistemit (përqendrim pushteti, mashtrime etj.) dhe orgjive. Por kjo gjendje s’tregon se kanë ndryshuar dhe bindjet e meshkujve: ata vazhdojnë ta vlerësojnë virgjërinë – jo sepse e kanë të qartë se çfarë nënkupton ajo për sa kohë mendjet e tyre janë të keqedukuara por sepse e lidhin me “burrërinë” — domethënë, me faktin se i morën virgjërinë një femre – për hir të zotësisë dhe krenarisë dhe jo për hir të dashurisë dhe kuptimit të rëndësisë së saj. Ndaj është e rëndësishme që një femër të kuptojë se me cilat bindje mund të përballet në jetë dhe të veprojë përputhshëm.
Ndryshe nga meshkujt, për shembull, femrat virgjërinë e lidhin kryesisht me nderin sepse shoqëritë quajnë femra të çnderuara femrat jo të virgjëra. Sidoqoftë, e rëndësishme është se virgjëria duhet të kuptohet drejtë: se ajo nënkupton një njeri virtuoz ose të mirë-edukuar dhe ky lloj njeriu është i dëshirueshëm për çdo shoqëri. Dhe gjykuar nga fakti se shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm do t’i nevojiten shumë vjetë për të mirë-edukuar veten —gjithnjë nëse sitemi arsimor dhe edukativ dhe shoqëria ndryshon orientim dhe dinamikë— dhe nga fakti se shumica e meshkujve janë të keqedukuar, mirë është që femra të edukojë veten dhe ta bëjë njeriun që zgjedhë kuptimplotë të çështjes në fjalë me qëllim që të mësojë të nderojë dëlirësinë e saj. Kjo lloj femre kontribuon edhe në shoqëri: jo vetëm duke edukuar veten por dhe njeriun që zgjedhë. Idealja do të ishte të bashkë-edukoheshin. Ndaj ky lloj edukimi fillon në shkollë dhe vazhdon në ndërveprimet shoqërore. Por pa krijuar parakushtet —mirë-orientimin e arsimit dhe ndryshimin e dinamikës sociale— çdo përpjekje individule do të ishte e pamjaftueshme.
Lidhja e dashurisë me orgazmat femërore
Qoftë edhe ‘orgazma’ duhet parë nga këndvështrimi i dashurisë: sepse megjithëse njerëzit mund të arrijnë shpesh herë në orgazëm pa dashuri, kjo e fundit është vendimtare për orgazmat, veçanërisht tek femrat. Me fjalën “orgazëm” kuptohet shpërthimi seksual i karakterizuar nga ndjenja të forta kënaqësie të përqendruara rreth organeve gjenitale. Fjala “orgazëm” vjen nga fjala greke “orgazmos”. Ajo buron nga folja “orgo” (όργώ) e cila ka kuptimin e dëshirës së fortë, kryesisht për seks. Në shqip ne përdorim kryesisht fjalën “prishje”. Por si fjala greke ashtu dhe jona nuk tregojnë realitetin e plotë të orgazmës: sepse e para lidhet me fillimin (dëshirën) ndërsa e dyta me fundin (shpërthimin) dhe nuk përfshijnë procesin e fillimit dhe fundit dhe substancat kimike që çlirohen gjatë tij.
Dashuria dhe virtytet: burim lumturie dhe eudemonie
Sidoqoftë, shoqëritë shqetësohen më shumë për orgazmat femërore se sa mashkullore. Një arsye lidhet me faktin se orgazma mashkullore shoqërohet me ekspermatim dhe me faktin se në atë fazë arrijnë gati të gjithë meshkujt ndërsa orgazmat e femrave janë në përqindje më të ulëta. Sipas një studimi të kryer nga tre universitete amerikane, femrat heteroseksuale kanë më pak orgazma se lezbiket ose biseksualet (65% përkundër 66% dhe 86% ndërsa meshkujt heteroseksualë kishin përqindje më të lartë se dy kategortitë e tjera (95% përkundër 89% dhe 88% për meshkujt homoseksualë dhe biseksualë).
Studimi tregon një lidhje të qartë mes seksit oral dhe orgazmave ndërsa vetëm për meshkujt heteroseksualë nuk kishte lidhje të ngjashme. Sjellje të tjera të lidhura me orgazma më të shumta te femrat ishin plotësimi i dëshirave të tyre në shtrat; lavdërimi i partnerëve të tyre për diçka që bën në shtrat; thirrje telefonike ose postime elektronike (email) me gacmime rreth bërjes së diçkaje seksuale; veshja seksuale; stimulimi anal; biseda rreth ose luajtja e fantazive seksuale; përfshirja në bisedë seksi dhe shprehja e dashurisë gjatë seksit.
Rolin e dashurisë në orgazmat femërore e vërteton dhe një studim i publikur në revistën shkencore “Socioaffective Neuroscience & Psychology i zhvilluar në Finland. Megjithëse ai nuk bazohet mbi premisën e dashurisë (se nëse çiftet e studiuar ishin bashkë si pasojë e dashurisë) ai parashtron përcaktuesit e orgazmave. Sipas tij, ndryshe nga sa pritësh, femrat nuk kishin orgazma më të dendura duke rritur përvojën dhe praktikën e tyre në masturbim, ose duke eksperimentuar me partnerë të ndryshëm. Faktorët kyç për të patur orgazma lidhen me faktorë mendorë dhe marrëdhënien.
Këta faktorë përfshinin rëndësinë e orgazmave, dëshirën seksuale, vetë-vlerësimin seksual, dhe biseda e hapur seksuale mes partnerëve. Studimi tregon, gjithashtu, se femrat vlerësonin më shumë orgazmat e partnerëve se sa të tyret. Përcaktues të tjerë ishin aftësia për t`u përqendruar, nxitja seksuale e ndërsjellë, dhe teknikat e mira seksuale të partnerit. Një marrëdhënie që ndihësh mirë dhe vepronte po aq mirë emocionalisht, dhe ku qasja ndaj seksit ishte e hapur dhe mirënjohëse, sipas tij, nxiste orgazma.
Madje një studim tjetër tregon lidhjen mes orgazmave dhe tradhëtisë. Sipas tij, orgazmat nuk shoqëroheshin me besnikëri femërore seksuale as ishin të shoqëruara me perceptimin mashkullor të besnikërisë seksuale të partneres ndërsa orgazmat shtirëse shoqëroheshin me pabesnikëri femërore seksuale dhe kënaqësi mashkullore më të ulët në marrëdhënie. Studimi orvatet të vërtetoje dy hipoteza ose hamendësime: lidhjen mes orgazmave femërore dhe tradhëtisë dhe pllenimin (sepse qarkullon ideja, madje dhe bindja se femrat orgazmike janë pjellore dhe anasjelltas). Nuk është e vështirë, në fakt, të kuptohet se orgazmat lujanë rol në marrëdhënie por jo vendimtar: sepse rol vendimtar ―në marrëdhënie bashkëshortore― luan dashuria dhe virtyti i besnikërisë.
Ndryshe nga kjo qasje dhe këto fakte, media qarkullon të “vërteta” që në raport me çka tregoj këtu janë një grimcë e vogël. Për shembull, këshillohet se qendrimi i “ujëvarës” shkakton orgazma të fuqishme dhe të pambarimta!
Në fakt, qendrimi në fjalë, është thjesht një qendrim që ndihmon femrat që kanë partnerë me penis të papërputhshëm me pëqinë e tyre dhe përmes tij ato kanë mundësi të ndiejnë vibrimin më thellë dhe të ndiejnë kënaqësi më të madhe. Madje mund të kenë fërkim dhe vibrim më të mirë në “pikën G”.
Kjo e fundit quhet ashtu sipas një raporti të vitit 1981 ku tregohet “ejakulimi femëror” dhe u quajt “Gräfenberg spot”, që më vonë u quajt shkurt “G-spot”. Kjo “pikë” gjithashtu tregohet nga “seksologët” joseriozë të mediave joserioze si “pika” vendimtare e orgazmave femërore. Por siç citon një rishqyrtim i fundit për revistën mjekësore “Sexual Medicine” e Universitet të Oksfordit: “shumica e studimeve të deri tanishme tregojnë qënien e pikës G por atje ka papajtueshmëri të rëndësishme qoftë edhe mes tyre. Mospajtimet fillojnë me vendodhjen: shumica e autorëve e përshkrujanë atë si një strukturë të rëndësishme por disa tregojnë vendodhjen e saj në vulvë [pjesa e jashtme e vaginës e cila përfshin buzët, klitorin, hapjen vaginale dhe hapjen e uretrës] ndërsa mbeten pyetje pa përgjigje sa është e vërtetë se ekziston, nëse po, ku, ç`madhësi ka, cila është natyra e saj histologjike, cili është roli i saj në seksualitetin e femrës, dhe lidhet ajo me ejakulimin femëror?”.
Efektet e dëmshme të shoqërisë dhe pornografisë: është e vërtetë se femrat e duan...të madh organin mashkullor?*
Qartësisht, femrat duhet të kërkojnë nga meshkujt dashurinë dhe vityte të zhvilluara që të kenë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur; ndryshe ato do të vuajnë pasojat e vendimeve të tyre kur shkojnë me një mashkull pa e bërë atë të dashurohet dhe pa kuptuar se ai gëzon disa virtyte ndërsa synon të zhvillojë të tjerë dhe synon t`i përsosë ata. Gjykuar nga sistemet arsimore të kohëve tona, kjo çështje jo vetëm që nuk është pjesë e edukimit por ajo është tejet e paqartë dhe për ata që pretendojnë se kuptojnë natyrën e dashurisë dhe rolin e saj në shëndetin dhe lumturinë e një çifti. Ndaj ky studim ndriçon për herë të parë gjithë çështjen e dashurisë dhe jetës bashkëshortore dhe synon të jetë pjesë e sistemeve arsimore. Derisa sistemet arsimore të bëjnë pjesë të tyre studime si ky dhe të ngjashëm si ky, femrat janë në “mëshirë” të “fatit” ose të kureshtjes së tyre për të mësuar se si të kuptojnë karakterin e një mashkulli dhe ta përputhin atë me karakterin e tyre.
Si t’i kuptojmë gocat që na ‘provokojnë’ me veshjet?
Që të gjykojmë drejtë çështjen e veshjes së femrave —të rrobave të shqyera dhe jo vetëm— e cila shpesh kritikohet por pa ndonjë kriter dhe pa ndonjë filozofi edukative, ne duhet të kuptojmë natyrën dhe objektivin e estetikës: ajo duhet të synojë bukurinë (duke patur parasysh se ‘se çfarë është e ‘bukur’ për njërin s’është për tjetrin!) dhe mesataren (duke patur parasysh se ‘se çfarë është ‘mesatare’ për njërin s’është për tjetrin!). Në dijeninë time, në asnjë shkollë nuk studiohet ‘bukuria’ dhe mesatarja estetike lidhur e veshjen. Zakonisht projektuesit e veshjeve dominohen nga ‘përfitimi’ dhe projektojnë veshje që ‘provokojnë’ ndjeshmëri të veçanta njerëzore se sa zbukurojnë syrin dhe shpirtin: ata shtyhen nga fakti se femrat duhet të ‘tërheqin’ vëmendjen dhe për ta realizuar këtë objektiv projektojnë veshje që ‘provokojnë’ ndjenja të veçanta — domethënë, ‘ndjenja epsharake’ tek meshkujt. Ata veprojnë kështu, jo me qëllim por sepse nuk dallojnë dot mes të bukurës ose ndjenjave që ndikohen nga e bukura dhe ndjenjave që provokohen nga tërheqja seksuale. Ndarja mes ndjenjave që shkaktojne bukuri dhe epsh është mjaft e hollë dhe kërkon studim.
Në dijeninë time s’është kryer asnjë studim për këtë çështje. Se si mund të kryhet studimi është e qartë: mund të eksperimentohet me një grup gocash që vishen “bukur” dhe me një grup tjetër që vishen “provokueshëm” dhe të vrojtohen reagimet e meshkujve. Citova në fillim projektuesit e veshjeve sepse ne jemi të varur nga ata: sepse ata projektojnë dhe prodhojnë veshje për ne dhe jo anasjelltas. Përmes sfilatave dhe dyqaneve ata krijojnë dhe “modën” e re. Në këtë raport, mes qytetarëve pa aftësi estetike dhe projektuesve me aftësi projektuese por pa filozofi edukative, krijohet dinamika edhe e veshjeve të shqyera për femrat. Pikërisht për këtë arsye —të mungesës së virtytit estetik— femrat shpesh quajnë rrobat e shqyera të bukura. Parë nga kjo qasje, mes projektuesve të veshjeve dhe qytetarëve, ndikimit që kanë veshjet në ndjenjat tona dhe në reagimin tonë, ne duhet të themelojmë shkolla ku të shqyrtohet dhe dallohet qartë “bukuria estetike” nga “estetika epsharake” dhe “estetika e mesatares” nga “estetika e tepërisë”. Një projektues që nuk dallon dot këto dy aspekte, nuk duhet të kualifikohet si projektues veshjesh e as, sigurisht, duhet të shesë rroba në treg. Efekti që ka veshja “provokuese” tek meshkujt është i madh, sidomos kur meshkujt (dhe jo vetëm) e shikojnë problemin te gocat dhe jo te vetja: se goca mund të vishet ashtu siç vishet pjesërisht si pasojë e nevojës së saj dhe ndikimit që ka pësuar nga bota e jashtme që ka krijuar bota i projektuesve të veshjeve dhe pjesërisht nga keqedukimi i saj lidhur me estetikën. Në një botë ku bukuria dhe mesatarja estetike nuk edukohet dhe ‘tepëria’ nuk kritikohet s’ka se si një gocë e re të mos rrëmbehet në veshjen e saj.
Mungesa e kuptimit të gocave çon shpesh meshkujt të sillen në mënyrë të papërmbajtur dhe tejet banale kur “provokohen” nga femrat. Por është mungesa e kuptimit të rolit që kemi në shoqëri si meshkuj që çon në reagime të tilla. Parimi se “çdo gocë që na provokon mund të jetë bijë dhe motër e një babai dhe vëllai që mund të jetë shoku ynë” as është kuptuar dhe as është adoptuar nga meshkujt. As është adoptuar roli i edukimit të tjetrit qoftë edhe nëse na provokojnë në publik ndjenja epsharake. Kur një gocë provokon seksualisht, meshkujt e shikojnë si “sinjal” se ajo duhet “gjuajtur”. Ndryshe, thonë meshkujt, ajo do të mendojë për ty se s’je mashkull. Kështu ata gjenden mes ‘paragjykimit’ dhe moskuptimit të rolit të tyre në shoqëri. Këto janë aspekte që duhet të edukohen në shkollë nga mësuesit por edhe në familje nga prindërit. Në dijeninë time mungon kuptimi i kësaj problemtike në të gjithë nivelet dhe për të njëjtën arsye, në vend të zhillojmë njerëz kuptimplotë - zhvillojmë dhimbje dhe shpesh krime: sepse një ndër shkaqet kryesore se pse meshkujt kryejnë krime —përdhunime— është pikërisht moskuptimi i kësaj problematike. Thirrja e një avokati egjiptian kundrejt bashkatdhetarëve por dhe homologëve të tij në fe, për të përdhunuar të gjitha femrat që vishen me rroba të shqyera, është dëftues. Thirrje të tilla, dhe për më tepër nga një njeri i ‘drejtësisë’, ndikohen sa nga feja —feja muslimane ndalon dhe dënon veshjen ‘provokuese’ të femrave— po aq dhe nga keqedukimi i njerëzve, në kuptimin e moskuptimit të shkaqeve. Nuk është e vështirë, fundja, të kuptohet padija dhe pakuptimshmëria e meshkujve lidhur e femrën në pëgjithësi dhe veshjen e saj në veçanti. Këto janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse një mashkull sillet ashtu siç sillet me femrat që vishen “provokueshëm”.
Aristoteli nuk e ka shqyrtuar konceptin e tradhëtisë. Por ai ka treguar natyrën e njeriut të vërtetë. Sipas tij, njeri i vërtetë është që jeton për hir të të vërtetave duke e mësuar atë se si zbulohen të vërtetat. Përballë këtij lloj njeriu qendron njeriu i gënjeshtërt—domethënë, njeriu që nuk ka zbuluar vetë të vërteta por beson te të vërtetat që i paraqesin pararendësit dhe bashkëkohësit. Ky lloj njeriu, sipas tij, nuk është vetëm i gënjeshtërt por dhe paqendrueshëm në besime: ai mund të ndryshojë besime kur përballet me të vërteta të tjera. Ngaqë kjo çështje meriton shqyrtim të mëtejshëm me qëllim që njeriu të mësojë të arsyetojë dhe të fitojë të vërteta dhe të jetojë për hir të të vërtetave të tij, këtu po përmend një qendrim të Aristotelit lidhur me tradhëtinë bashkëshortore të cilën ai e konsideron poshtërsi dhe e lidh me pabesinë dhe ligjin:
Sa për tradhëtinë, le të konsiderohet poshtëruese në përgjithësi, për çdo mashkull dhe femër që kuptohen se janë të pabesë kur ata janë të martuar dhe janë quajtur burr dhe grua. Nëse gjatë kohës së lindjes së fëmijëve ndodh diçka e tillë, le të dënohet fajtori me humbjen e privilegjeve në përpjestim me lëndimin.
Që tradhëtia bashkëshortore është poshtërsi kuptohet nga fakti se çfarë shkakton ajo tek tjetri dhe që fajtori duhet të dënohet në përpjestim me lëndimin, është më se e drejtë. Për të krijuar njerëz jotradhëtarë ose besnikë, rrjedhimisht, nevojitet të luftohen shkaqet, siç u paraqiten këtu -përmes edukimit-, dhe përdorimi i ligjit.
Mjaft për këtë çështje — por do të ishte e dobishme të shqyrtonim martesën: në ç’moshë duhet të martohemi dhe pse?
Aristoteli: në ç`moshë ‘duhet’ të martohemi?
*Pjesë nga një studim më i gjerë...Gjenealogjia dhe forca e dashurisë.
[1]Nga keqedukim në arsim demokratik.
[2]Lesbian women are 'significantly more likely' to orgasm than straight or bisexual females, The Independent, 19 August 2014. On average, men orgasm during sex with a familiar partner 85 per cent of the time, compared with 63 per cent of the time for women. However, lesbian women had a much higher probability of orgasm (75 per cent) than either heterosexual women, at 62 per cent, or bisexual women, at 58 per cent.
[3]Sipas një bisede që kam bër me një gjenekologe në spitalin e Përmetit, rreth 90% e femrave nuk e njohin orgazmën.
[4]N. M Ethics, f, 35
[5]69 ΜΑΘΗΜΑΤΑ SEX, Eιρήνη Χειρδάρη, 2014.
[6]Virtue ethics in the middle ages, Brill, 2007.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 2102 reads