...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si përqendrohen pasuritë e popujve në duart e elitës (mbi)kombëtare?

85 më të pasurit e botës zotërojnë një pasuri prej më shumë se 110 trilion dollarë, thuajse sa ç’zotërojnë 3.5 miliard njerëz në botë

Ylli Përmeti

26/09/2019 - 14:27

Do të ishte me dobi të ndriçojmë, edhe një herë, pasojat e delegimit të pushtetit — sepse nëse ushtrimi i ‘pushtetit’ përcakton realitetin, aktualitetin dhe lëvizjen racionale të një njeriu, atëherë ky është një lloj pushteti. Dhe nëse një pushtet bashkëvepron me pushtete të tjerë dhe pajtohet mbi një problematikë ekonomike, sociale dhe ekologjike, atëherë ky është një pushtet tjetër që përbëhet nga shumë pushtete por ai është në vetvete një pushtet, sepse atje bën pjesë vetëm një ‘izëm’ si, për shembull, ne të gjithë shqyrtuam, venduam dhe ‘lëvizëm’. Përmes këtij procesi nuk krijohet asnjë dualizëm.

Ndryshe nga ky proces, kur pushteti delegohet te një përfaqësues dhe bartësi i pushtetit të tjetrit vendon për këtë të fundit, atëherë krijohet dualizëm­—në kuptimin që ‘tjetri’ që ndikohet drejtpërsëdrejti nga pushteti ose vendimmarrja e atij që ka veshur me pushtet (përfaqësuesit) nuk bart të njëjtën njohuri me vendim-marrësin, sepse ‘vendimmarrja’ bart dhe çliron njohuri teorike dhe empirike e cila përvetësohet kur ushtrohet pushteti. Nëse gjykojmë nga pushtetet e modernitetit neoliberal, mund të themi se lëvizjet sociale nuk burojnë nga unizmi i një shoqërie ose ndërgjegjeja e saj kolektive: sepse ndërgjegjja kolektive përputhet me demokracinë dhe vendim-marrjen që ajo zhvillon dhe nuk është thjesht pushtet i popullit, por ajo qëndron mbi një vendimmarrje kolektive, dhe vendimmarrja, me radhë, mbi një sërë ontologjizmash.

Demokracia, në fjalë të tjera, lidh ontologjikisht një kolektiv të tërë dhe (para)përcakton lëvizjet e pjesëmarrësve të saj: sepse vetëm përmes këtij procesi ajo përputhet me natyrën njerëzore—teleologjinë e tij. Braktisja e këtij procesi krijon kushtet për përqendrimin e pushtetit politik dhe ekonomik në pak duar—në duart e elitave!

Në globalizmin neoliberal, pushteti politik dhe ekonomik është përqendruar në nivel mbikombëtar—kryesisht në duart e elitave të G7-ës. Kjo elitë kontrollon përqindjen më të madhe të pushtetit ekonomik botëror i cili riprodhohet përmes ideologjisë ‘neoliberale’—edhe një herë në fjalët e kolumnistit të “The Guardian”, Monbiot:

“Ideologjia që u zhvillua nga njerëzit si Fredrich Hayek dhe Milton Friedman e cila nuk është thjesht një grup ideshë për treg të lirë por një disiplinë e përqendruar, e zbatuar qëllimshëm rreth botës. Ajo e quan konkurrencën si karakteristikën përcaktuese të njerëzimit, i shikon qytetarët si konsumatorë dhe “tregun” si principin rregullues të shoqërisë. Tregu, pretendon ajo, na çon ne në një hierarki të natyrshme të fituesve dhe humbësve. Çdo përpjekje nga politika për të ndërhyrë prish zbulimin e këtij rendi të natyrshëm. Si fillim u përqafua nga Thaçeri dhe Regani dhe shumica e qeverive pasuese. Ata kërkuan të zbatonin këtë doktrinë duke shkurtuar taksat, duke privatizuar dhe kaluar shërbimet publike në duar private, duke shkatërruar mbrojtjet publike, duke shkatërruar sindikatat dhe duke krijuar tregje ku tregje nuk ekzistonin më parë. Kjo doktrinë u imponua nga bankat qendrore, FMN-ja, Traktati i Maastricht-it dhe OBT-ja. Duke ndaluar zgjedhjen politike, qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare krijuan një lloj kapitalizmi totalitarian.[1]    

Në këtë mënyrë, riprodhohet pushteti politik dhe ekonomik (mbi)kombëtar. Kështu ndërsa mbledhjet e “Bilderberg” shqyrtojnë çështje me karakter gjeopolitik, ‘Forumi Ekonomik Global’, që organizohet çdo vit në Davos të Zvicrës ku mblidhen çdo vit thuajse 2500 pronarë shumëkombshesh bashkë me 35 lider shtetesh dhe që ruhen nga më shumë se 4 mijë policë, shqyrton çështje me karakter politik dhe ekonomik. Për pasojë, në vitin 2016-të, për shembull, trilionerët e korporatave dhe bankave, politikanët profesionistë të vendeve kryesore dhe 14 luareatë të çmimit “nobel”, ndërsa u vetë-quajtën “delegatë”...diskutuan temën me titull: “Revolucioni i Katër Industrial”: domethënë, një “revolucion” i cili nënkupton se do të ‘robotizojë’ sektorët kryesorë të ekonomisë kapitaliste botërore dhe do të shkatërrojë rreth 14 përqind vende pune! Ky “revolucion”, nëse mund ta quajmë kështu, buron nga Revolucioni i Tretë Industrial: elektronika dhe teknologjia e informacionit e cila synonte automatizimin e prodhimit. Këtij procesi i shtohet shifrarizimi (“dixhitalizimi”) i teknologjisë, i cili ka filluar në mesin e shekullit të kaluar: ai karakterizohet nga bashkimi i teknologjive të sferave fizike, shifrare dhe biologjike! Si mund, rrjedhimisht, të krahasohet ‘pushteti’ i shoqërive kapitaliste ose pushteti ekonomik me pushtetin politik të vendeve të ashtuquajtura “sovrane”, pyet një autor amerikan duke cituar se:

Vetëm në vitin 2007-të, për shembull, PPB-ja globale u vlerësua se ishte $47 trilionë. Në të njëjtin vit, maja e 250 shoqërive në botë kishin shitje të kombinuara më shumë se $14.87 trilionë, e barasvlershme me thuajse një të tretën e PPB-së globale dhe një sasi që tejkalon PPB-në e Shteteve të Bashkuara ose të Bashkimit Europian ($13.20 trilionë dhe $13.74 trilionë, respektivisht). Vetëm maja e njëqind shoqërive kishte një vlerë shitjeje më shumë se $9.72 trilionë, dhe shitjet e kombinuara të majës së pesçes (Wal-Mart, ExxonMobil, Royal Duch Shell, BP, dhe General Motors) ishin afërsisht $1.5 trilionë - më i madh se PPB-ja e totalit të shtatë shteteve![2]

Sidoqoftë, që nga ajo kohë maja e piramidës është mprehur më shumë. Në vitin 2012-të, “New Scientist” njoftoi se pushteti ekonomik ishte përqendruar në ‘1300 ndërmarrje shumëkombëshe të cilat kontrollonin 80% të të ardhurave botërore, dhe nga 1,300 ndërmarrje, 150 kontrollojnë 40%...kur dihet se në fillim të shekullit XX pasuria ishte e përqendruar në pak duar - kryesisht te klasa e “rentierëve”, të ardhurat e të cilëve buronin kryesisht nga trashëgimia dhe pronësia e tokave...tani pjesa më e madhe e të pasurive nuk janë rentierë por pronarë ndërmarrjesh. Në Britani, dy të tretat punojnë në financë, ndërsa në SHBA, një e treta janë drejtues ndërmarrjesh, 14% punojnë në financë dhe 16% në profesionin e mjekësisë...të gjithë bashkë, anëtarët e më të pasurve marrin në shtëpi një të pestën e të gjithë të ardhurave në SHBA...gjysma e popullatës më të varfër zotërojnë vetëm 1% të pasurisë globale. Edhe ata që mundohen të jenë në më të pasurit e 1 për qindëshit në SHBA, duke fituar $350,000, janë lehtësisht në 1 përqindëshin e më të pasurve, duke fituar 300 herë më shumë se mesatarja globale’.[3]

Një studim tjetër i vitit 2013-të tregoi se atje janë 13 banka dhe korporata me 161 drejtorë (nga këta 84 janë meshkuj) që kontrollojnë 23.91 trilion dollarë.[4] Atje janë 35 korporata nga vende të ndryshme, kryesisht nga Amerika dhe Europa (që kontrollonin 63% të totalit, ndërsa gjysma e varfër e popullatës globale kontrollonte më pak se 2%). Sipas studimit, bankat e mëdha —ato që konsiderohen “shumë të mëdha për të dështuar”— nuk janë dënuar asnjë herë nga autoritetet amerikane kur përgjithësisht refuzojnë të përputhen me ligjin kundër larjes së paráve! Për shembull, ndihmës Prokurori i Përgjithshëm amerikan, A. Breuer, argumenton se nëse autoritetet amerikane vendonin për dënime kriminale për bankën HSBC, asaj do t’i ishte hequr lishenca dhe gjithë sistemi bankar do të ishte destabilizuar. Skandali me përqindjet e qokave (Libor dheISDAfix) që u zbulua në vitin 2012-të, për të cilin autoritet po hetojnë,[5] jo vetëm që falsifikonte dhe fiksonte në mënyrë të paligjshme informacionin, por përdornin parátë e depozitorëve në veprimtari kriminale, pa dijeninë e tyre, kryesisht për kumar jashtë vendit, lidhur me shit-blerjen e tokave me vlerë.

Një vit më pas, 300 njerëzit ose familjet më të pasura në botë shtuan përgjatë vitit 2013-të —krizës globale!— $524 miliard ose vlera neto agregate e majës së trilionerëve botëror u rritë me $3.7 trilion në mbylljen e tregut në 31 dhjetor. Fitimet më të mëdha buruan nga industria e teknologjisë - të cilët u rritën me 28%. Vetëm 70 nga 300 njerëzit më të pasur regjistruan humbje neto për 12 muajt e vitit 2013-të. Bill Gates, themelues dhe president i “Redmond”, Korporatës së Microsoft-it me rezidencë në Uashington, vazhdon të udhëheqë listën e më të pasurve. Ai shtoi në pasurinë e tij edhe $15.8 miliard ose 40 për qind, duke e çuar shumën totale në $78.5 miliard. Pas tij u radhit korporata e kazinove me rezidencë në Las Vegas me rritje 71%. Më shumë në këtë sektor ka kontribuar Kina, me 18.6%.[6]

Shkurt, ‘85 më të pasurit e botës’, emrat dhe vendbanimet e të cilëve gjënden këtu,[7]zotërojnë një pasuri prej më shumë se 110 trilion dollarë, thuajse sa ç’zotërojnë 3.5 miliard njerëz në botë, ose 65 herë më shumë se të varfërit’![8] Një vit më pas, pasuria përqendrohet edhe më shumë: në 62 vetë, të cilët zotërojnë më shumë se $1.76 trilion! Ndërkohë, pasuria e gjysmës së më të varfërve të botës —3.6 miliard njerëz— ka rënë me 41 për qind, ose 1 trilion dollarë amerikanë, që nga viti 2010-të.[9] Dy vjet më pas, pushteti ekonomik përqendrohet edhe më shumë: dhjetë ndërmarrjet më të mëdha botërore kanë të ardhura më shumë se 180 vendet e “varfër” nga 195 vende të tërësisë botërore. Tashmë Walmart, Apple dhe Shell, tre nga dhjeçja botërore, janë më të pasura se Rusia, Belgjika dhe Suedia. SHBA-ja, Kina, Gjermania, Japonia, Franca dhe Britania përbëjnë gjashtë vendet kryesore duke u ndjekur nga Italia, Brazili dhe Kanadaja.[10]

Që nga viti 1970-të, të pasurit, jo vetëm që shfrytëzojnë rrogat mjerane në vendet në zhvillim (Kinë etj.) por përqindjet e taksave kanë rënë në 29 vende nga 30 ku korporatat dhe bankat rezidentojnë dhe operojnë. Të gjitha këto, në kohën kur papunësia në nivel botëror është më shumë se 200 milion.[11] Gjatë vitit 2018-të u shtuan 2,124 njerëz tejet të pasur. Vlera neto e pasurisë së tyre me më shumë se 30 milionë dollarë shkoi tek 265,490 njerëz. Por gjatë vitit 2019-të pasuria e tyre ra me 1.7% në 32.3 trilion dollarë. Parashikohet se elita financiare globale do të rritet me 353,500 njerëz me një vlerë pasurie prej 43 trilion dollarë ndërsa 22.8 milionë njerëz zotërojnë më shumë se 1 milionë dollarë në vitin 2017-të.[12] Ironia më e madhe është se pasanikët e botës që na rrethojnë (Gates, Soros, Buffet etj.) shqetësohen për pabarazitë që janë krijuar dhe bëjnë thirrje për zbutjen e tyre — pa treguar as se si krijohen pabarazitë as se si luftohen!        

Bankierët vendimtarë në përqendrimin e pushtetit ekonomik dhe politik

Në krijimin e pushtetit ekonomik sektori bankar luan rol vendimtar: sepse ai gjithashtu organizohet çdo vit dhe vlerëson gjendjen ekonomike të korporatave dhe popujve. Gjatë gushtit të vitit 2018-të ata u mblodhën në shtetin amerikan të Wyoming-ut dhe kishin si temë diskutimi “Ndryshimin e strukturës së tregut dhe implikacionet për politikën monetare”. Bankierët u pyetën nga organizatorët se nëse pushteti masiv i tregut të korporatave të mëdha kishte ndonjë efekt të keq në ekonominë e gjerë duke përfshirë të ardhurat e rrudhura të punëtorëve dhe se nëse autoritetet antitrust kanë nevojë të marrin qendrim më të ashpër krahas temave të tjera të lidhura me këtë si zhvendosja e veprimtarisë tregëtare në internet dhe implikacionet për inflacionin. Kjo nënkupton se fitimet e korporatave burojnë kryesisht nga shtrydhja e rrogave të puntorëve. Një masë e përqendrimit të korporatave, treguesi Herfindahl-Hirschman, tregon se ai është rritur 48 për qind që nga viti 1996. Përqendrimi është rritur rreth 75 për qind në industritë amerikane në dy dekadat e fundit. Për këtë përqendrim nuk ishin të gjithë kritikë duke treguar ndërmarrjet “superstar” që lulëzojnë në industri duke krijuar inovacione. Debati pati implikacione për politikën monetare sepse bankierët qendrorë nuk kuptojnë se pse papunësia që është poshtë 4 për qindshit ka dështuar të shpërndajë rritje rrogash. Grafiqet vijues tregojnë përqendrimin e pushtetit ekonomik të sektorit privat krahasuar me sektorin publik dhe puntorët në Amerikë:

Por me rëndësi është gjithashtu fakti se ndërsa korporatat amerikane rrisin pushtetin të ardhurat e punëtorëve janë në rënie të vazhdueshme:

Instituti konservativ “Hudson” raportoi në vitin 2017-të se 5% e familjeve amerikane më të pasura zotëronin 62.5% të gjithë pasurive në vitin 2013, nga 54.1% 30 vjet më parë. Si pasojë, pasuria e 95 për qind ra nga 45.9% në 37.5%.[13] Por duhet thënë se pabarazia është më e madhe në Shqipëri pavarësisht kohës kapitaliste tejet të shkurtër krahasur me vendet perëndimore.[14] Koha e shkurtër tregon se vjedhja e përligjur ka qenë e një shkalle tejet të madhe nga elita jonë politike krahasuar me elitat perëndimore. 

*Ky studim është shkëputur nga një studim më i gjerë me titull 'Pushteti i kaosit dhe globalizmi neoliberal', publikuar në vitin 2013 në librin 'Revolucion për demokraci gjithëpërfshirëse dhe Fronetike' dhe ripunuar në këtë variant. 



[1]The insidious ideology pushing us towards a Brexit cliff-edge, George Monbiot, The Guardian, 11 Sep 2019.

[2]Superclass, David Rothkopf, f, 33.

[3]The Age of Inequality, New Scientist, 28 July 2012, ff, 37-45.

[4]Exposing the Financial Core of the Transnational Capitalist Class, Global Research, September 13, 2013.

[5]Libor: Icap fined £55m as ex-staff face criminal charges, Jill Treanor, The Guardian, 25 September 2013. Libor stands for London interbank offered bank offered rate and is a benchmark rate based on submissions by major banks about the price they think rivals would charge them to borrow money over different periods of time. It in turn is used a benchmark against which financial contracts around the world are set, affecting the price at which companies borrow money for instance.

[6]Billionaires Worth $3.7 Trillion Surge as Gates Wins 2013,Bloomberg, Jan 2, 2014.

[7]Who are the world's richest 85?The Guardian, 24 January 2014.

[8]Oxfam: 85 richest people as wealthy as poorest half of the world, The Guardian, 20 January 2014.

[9]Just 62 people now own the same wealth as half the world's population, The Independent, 18. 01. 2016.

[10]10 biggest corporations make more money than most of world combined, RT, 13 Sep, 2016.

[11]Global unemployment to ris by 3.4 milion in two years, The Guardian, 19 January 2016.

[12]Ranks of the super-rich continue to grow despite global tyrmoil, The Guardian, 25 Sep 2019.

[13]How rich are the rich? If only you knew, BBC, 24 February 2018.

[14]Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipërinë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA