...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sokrati, Platoni, Aristoteli, Marksi: nga “teoria ideale” në “teorinë revolucionare”* (1)

Dështimi i bllokut socialist të shekullit të kaluar dështoi, argumentojnë shumë...sepse projekti marksist ishte ‘utopik’.

Ylli Përmeti

25/07/2017 - 21:08

Dështimi i bllokut socialist të shekullit të kaluar dështoi, argumentojnë shumë...sepse projekti marksist ishte ‘utopik’. Nga ana tjetër, Marksi dhe Engëlsi i konsideruan projektet e disa socialistëve të fillim-shekullit të 18-të si ‘utopikë’ dhe refuzuan etiketimin e projektit komunist si “socializëm utopik” duke e quajtur atë “socializëm shkencor”. Me ‘utopi’ shkollarët kuptojnë ose një vend imagjinar ku çdogjë është e përkryer, domethënë një “shtet ideal”, për të cilin si fillim foli Platon, ose një objektiv që nuk lidhet me realitetin, ose një objektiv që nuk mund të realizohet ose thjesht si tejkalim i gjendjes aktuale. Por ç’është, në të vërtetë, projekti komunist i Marksit: utopik apo kontradiktor? Cila është lidhja midis “teorisë ideale” dhe “teorisë revolucionare”? Dhe ç’është teoria në raport me natyrën njerëzore? Përse në antikitet praktikat e Thales me popullin e tij u konsideruan nga bashkëkohësit ‘revolucionare’ dhe shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe tëtëmbëdhjetë, shumë anarkistë e paraqitën administrimin e shtetit modern, veçanërisht “demokracinë” përfaqësuese, si teori “revolucionare”? Dhe përse u paraqit nga vetë Marksi dhe nga post-marksistët “teoria marksiste” si “teori revolucionare”? Ç’është, në fund të fundit, teoria? Për Platonin ajo është një e vërtetë që buron nga kundrimi. Për Aristotelin, njohuri e plotë krahasuar me praktikën, një abstraksion nga praktika dhe principi i parë nga i cili praktika procedon. Sepse, siç citon Aristoteli, çdo ‘teori’ e çdogjëje përdorë gjithashtu disa principe të përbashkët.[1] Por për Aristotelin, në nivel social, “teori ideale” është teoria që zhvillon virtytet dhe këta, me rradhë, sigurojnë lirinë dhe veprimet racionalë. Ndërsa për Platon “teorinë ideale” e zotërojnë vetëm filozofët! Në të vërtetë, ishte Sokrati që foli për herë të parë për “teori ideale”. “Teoria ideale”, me rradhë, çon në “teori revolucionare”: sepse e para nënkupton njohuri të plotë; e dyta, nënkupton një teori jo të plotë.

Kështu Sokrati paraqiti tre kriteret kryesore të “teorisë ideale”: ajo duhet të jetë (1) e qartë, (2) universale, dhe (3) abstrakte. Ajo duhet të jetë e qartë sepse një teori duhet të paraqitet aq pastër, në hollësi aq të mëdha, dhe aq e plotë saqë mund të kuptohet nga çdo qenie e arsyetueshme; një teori nuk mund të qendrojë ose bierë në interpretim ose intuitë. Së dyti, një teori duhet të jetë universale në kuptimin që ajo duhet të zbatohet në çdo vend dhe çdo kohë. Së treti, një teori duhet të jetë abstrakte në kuptimin që ajo nuk duhet të lidhet me shembuj konkret. Deskartes dhe Kant i shtuan kritereve të Sokratit dhe dy të tjerë: një teori duhet të jetë (4) e ndarë (“discrete”), domethënë, e formuluar vetëm me ndihmën e elementëve të pavarur rrethanor, të cilët nuk lidhen me interesat njerëzore, tradidat, institucionet etj. Dhe ajo duhet të jetë (5) sistematike; domethënë, ajo duhet të përbëjë një tërësi, në të cilën elementët e pavarur rrethanorë (cilësitë, faktorët) janë të lidhur me njeri-tjetrin me rregulla ose ligje. Së fundmi, shkenca natyrale moderne i ka shtuar edhe një kriter tjetër “teorisë ideale”: se ajo duhet të jetë (6) e plotë dhe parashikuese. Mënyra se si vlerësohet një teori për fushën që ajo mbulon duhet të jetë e plotë në kuptimin se ajo specifikon rrezen e ndryshimit në elementë, të cilët ndikojnë në fushë, dhe teoria duhet të specifikojë efektet e tyre. Kjo bën të mundur parashikim të përpiktë. Dhe është kriteri i fundit që është vula e epistimologjisë.[2] Domethënë, njohurisë shkencore. Por njohuria shkencore, ç’është? Aristoteli e përkufizon si vijon:

Ne të gjithë supozojmë, se çfarë ne dimë, nuk është qoftë edhe e aftë të jetë ndryshe; sepse gjërat që mund të jenë ndryshe ne nuk i njohim, kur ato nuk janë vrojtuar nga ne, se nëse ekzistojnë apo jo. Rrjedhimisht objekti i njohurisë shkencore është domosdoshmëri. Si e tillë, ajo është e përjetshme; sepse gjërat që janë të domosdoshme në kuptimin e pacilësuar janë të gjitha të përjetshme; dhe gjërat që janë të përpjetshme janë të pagjenerueshme dhe të pavdekshme. Sërish, çdo shkencë mendohet të jetë e aftë për t’u edukuar dhe objekti i saj për t’u mësuar. Dhe gjithë mësimdhënia fillon me çfarë tashmë dihet, siç mbrojmë në Analitiks gjithashtu; sepse ajo procedon ndonjë herë përmes induksionit dhe ndonjëherë përmes silogjizmit. Tani induksioni është pikënisja nga e cila silogjizmi procedon, ndërsa sillogjizmi procedon nga e përgjithshmja. Atje janë rrjedhimisht pikënisje nga të cilat procedon silogjizmi, që nuk kapen me sillogjizëm; është rrjedhimisht përmes induksionit që ne i fitojmë ato. Njohuria shkencore, rrjedhimisht, është një gjëndje e aftë për të dëftuar fillimin dhe fundin e një dukurie, sepse është kur një njeri beson në një farë mënyre dhe kur pikat fillestare njihen, që tregon se ai zotëron njohuri shkencore, dhe nëse pikat fillestare njihen më mirë tek ai se sa përfundmi, ai do të ketë vetëm njohuri të rastësishme.[3]

Thënë, në fjalë të tjera, njohja e përfundimit të pikave fillestare e bënë njeriun shkencor. Dhe njohuria shkencore nënkupton përdorimin e silogjizmit dhe induksionit. Nënkupton, gjithashtu, përvojën. Por kjo, sërish, nuk mjafton: sepse se çfarë e bën shkencor një njeri, është njohuria e tij rreth shkaqeve të dukurive që ai pretendon se njeh.[4] Shkaqet, përvoja, silogjizmi dhe induksioni, janë sërish të pamjaftueshëm për njeriun shkencor: sepse kuptimi i ontologjisë dhe teleologjisë është gjithashtu i domosdoshëm. Në rastin e teorisë së administrimit të shtetit modern, dhe për më tepër, teorisë marksiste (e cila nënkupton një parti komuniste në njërën anë, e cila ka njohurinë e plotë ose ‘shkencërizimin’ marksist për të administruar shtetin modern, dhe një popull në anën tjetër, i cili nuk e ka njohurinë e plotë) e cila institucionalizon principet administrative, domethënë, shkencën dha barazinë ekonomike në nivel ekonomik dhe solidaritetin në nivel social dhe mes popujsh, dhe që ky proces nënkupton se populli me njohuri të pjesshme i udhëhequr nga një parti me njohuri të plotë, do të konvergojë me partinë, shpërnjeh, njëlloj si “republika” e Platonit,[5] shumë komponentë sistemikë, dhe veçanërisht pushtetin dhe virtytet. Sepse pushteti politik nënkupton një vendimmarrje dhe kjo e fundit lidhet me të ardhmen dhe me veprimet konkrete në nivel social dhe ekonomik. Veprimet, me rradhë, nënkuptojnë një lloj metodologjie. Teoria, në këtë proces, fillon dhe mbaron me ushtrimin e pushtetit politik. Ushtrimi i pushtetit, me rradhë, nënkupton shqyrtimin dhe kuptimin e një çështjeje e cila kalon nga vendimmarrja. Por metodat janë të kufizuara dhe varen nga konteksti i cili në fund përcakton realitetin. Siç citon Aristoteli:

...metodat për themelimin dhe rrëzimin e një këndvështrimi në mënyrë të përgjithshme janë të zakonshme në të gjithë llojet e problemeve; sepse kur ne kemi treguar se një predikat bën pjesë në çdo rast, ne duhet të kemi treguar se ai bën pjesë edhe në raste të tjera. Në të njëjtën mënyrë, nëse ne tregojmë se ai nuk bën pjesë në çdo rast, ne duhet që të kemi treguar se ai bën pjesë në çdo rast. Si fillim, ne duhet të flasim për metodat për të rrëzuar një këndvështrim përgjithësisht, sepse këndvështrime të atilla janë të zakonshme njëherësh për problemet e veçanta dhe problemet e përgjithshme, dhe sepse njerëzit më shumë zakonisht paraqesin teza duke mbrojtur një predikat, pastaj e mohojnë atë, ndërsa ata që grinden me ta e rrëzojnë atë[6]... sepse metodat janë të kufizuara në numër, dhe nëse gjërat e kufizuara janë ndërthurur në një numër të kufizuar mënyrash, rezultati duhet të jetë i kufizuar.[7]

Por është:

Urtësia [që] përcakton dhe kundron realitetin[8]... shumica e shkencave të tjera kanë për objektiv disa gjëra reale, kështu që çdo shkencë do të jetë një shkencë e realitetit[9]... nëse ne konsiderojmë shqisat e ndryshme të ‘qenies’, së pari subjekti është pararendës, prandaj substanca është pararendëse; së dyti, ashtu si pushteti [ndikues] ose realiteti i plotë merren nën konsideratë, gjëra të ndryshme janë pararendëse, sepse disa gjëra janë pararendëse në sajë të pushtetit, të tjera në sajë të realitetit të plotë, p.sh., në pushtet gjysma e vijës është pararendëse e vijës së plotë, dhe pjesa e të gjithës, dhe lënda e substancës konkrete, por në realitetin e plotë këto janë të pastajme; sepse vetëm kur e gjitha është shkrirë, ato do të ekzistojnë në realitetin e plotë[10]... sepse pushteti dhe aktualiteti shtrihen përtej rasteve që shkakton një lidhje te lëvizja[11]... lëvizja ndërmerret kur vetë realiteti i plotë ekziston, dhe jo më herët as dhe më vonë. Realiteti i plotë i asaj që mundësisht ekziston, kur ajo është komplet reale dhe aktuale, jo si e tillë vetvetja, por si e tillë e lëvizshme, është lëvizje[12]... sepse ajo që është e para në lidhje me realitetin e plotë është shkaku i të gjithë gjërave[13]... ai që zotëron njohuri kthehet në një njohës aktual përmes një kalimi i cili është një përpunim i tij (duke qenë në realitet një zhvillim në veten e tij të vërtetë ose aktualitet) ose të paktën një përpunim në një kuptim krejt të ndryshëm nga kuptimi i zakonshëm[14]...sepse nëse të gjitha premisat pozitive ose negative janë ose të vërteta ose gabim, atëherë çdo predikat i dhënë duhet ose të bëjë pjesë te një subjekt ose jo, prandaj nëse një njeri afirmon se një ngjarje e një karakteri të dhënë do të ndërmerret dhe një tjetër e kundërshton atë, është e qartë se qëndrimi i njërit do t’i korrespondojë realitetit dhe qëndrimi i tjetrit jo, sepse predikati nuk mund njëherësh të bëjë dhe të mos bëjë pjesë në një subjekt që bën pjesë dhe në të njëjtën kohë në lidhje me të ardhmen[15]... nëse realiteti është i tillë siç e supozon këndvështrimi në fjalë atëherë gjithçka do të jetë e drejtë në besimet e tyre[16]... dhe ajo që është e para në respekt të realitetit të plotë është shkaku i gjithçkaje.[17]

Realiteti, njëlloj si vendimmarrja, krijohet kur ushtrohet pushteti dhe përbën në vetvete fundin e shkakut të lëvizjeve sociale; ai mund të objektivizohet vetëm mbi bazat ose kriteret që një grup njerëzish pranojnë si të vërteta. Gjykuar nga ky proces, “teoria ideale” procedon nga ushtrimi i pushtetit, i cili, ndërsa krijon realitetin - parashikon dhe të ardhmen: meqënse shqyrtimi dhe kuptimi në vetë-vete çojnë në parashkim. Abstraktja e teorisë, në këtë proces, është vetë ushtrimi i pushtetit dhe të vërtetat e mundshme që ekzistojnë në mendjet e pjesëmarrësve. Në këtë kuptim, “teoria ideale” krijohet përgjatë procesit të ushtrimit të pushtetit: sepse ushtrimi i pushtetit krijon kushtet për njohuri të plotë: domethënë, qartëson dhe ndërgjegjëson fillimin dhe fundin e një tërësie veprimesh. Gjykuar nga kjo qasje, teoria e përgjithshme Marksiste përbëhet nga katër nënteori:

·         Nga teoria e konfliktit klasor, e cila mbështet se në shoqëri të ndara klasore ka interesa të papajtueshme që çojnë në shfrytëzim. Kjo është arsyeja që klasa është një realitet ekonomik dhe politik, pasi midis klasave ka luftë. Ndryshe nga kjo qasje, utopistët, argumenton Marksi, kërkojnë të ndryshojnë përmes principeve të përgjithshme të ‘arsyes’ dhe ‘drejtësisë’.

·         Nga teoria e revolucionit e cilaështë papajtueshmëria e interesave klasore, sipas së cilës, ndryshimi mund të vijë vetëm përmes revolucionit. Megjithëse, Manifesti Komunist e përshkruan revolucionin në terma të dhunshëm, pozicioni i Marksit më vonë ishte se revolucioni mund të vijë edhe përmes paqes, edhe kushtetueshmërisht, por ai do të bëhet i dhunshëm nëse është e domosdoshme, sepse klasat janë entitete politike dhe ekonomike: ato kërkojnë të kontrollojnë shtetin në interesin e tyre. Kështuqë shteti ka një karakter klasor. Utopistët, në kundërshti, kërkojnë ndryshime me paqe dhe ndonjëherë fragmentar, duke apeluar te të gjithë klasat në një shoqëri për mbështetje dhe pashmangshmërisht e shohin shtetin si pjesë e zgjidhjes së problemeve sesa si problem në vetvete.

·         Nga teoria e historisë sipas së cilës të gjitha shoqëritë e brumosura midis forcave të prodhimit (e cila përqafon shkencën dhe teknologjinë) dhe marrëdhëniet e prodhimit (sistemi i pronës). Këta dy elementë formojnë një bazë mbi të cilën ngrihet një ‘superstrukturë’ që mishëron institucione politike, sisteme edukativë, kulturë dhe ide. Në shoqëri të ndara në klasa konflikti midis forcave dhe marrëdhënieve dhe prodhimit krijon nevojën për revolucion, kështu që nën kapitalizëm karakteri social i forcave prodhuese vjen drejt kulmit me konflikte duke u rritur me marrëdhëniet private të prodhimit. Kjo është arsyeja që revolucioni është i pashmangshëm. Pas këtij revolucioni, ndarjet klasore eliminohen, dhe me eliminimin e këtyre ndarjeve nevoja për një shtet në vetvete venitet.

·         Nga teoria e shoqërisë e cila argumenton se njerëzit hyjnë në marrëdhënie me prodhimin ‘në pavarësi nga vullneti i tyre’. Kjo do të thotë se, megjithëse aktiviteti human është një aktivitet ndërgjegjësor, pasojat e këtij aktiviteti kurrë nuk janë njëlloj si ato që kanë qëllime. Kapitalizmi shihet si një sistem që krijon klasën punëtore, e edukon atë përmes prodhimit në ndërmarrje, i nxit në përplasje dhe përfundimisht në revolucion. Në kundërshti, ‘utopistët’ nuk e shohin kapitalizmin si një sistem kontradiktor, një sistem që është vetë-shkatërrues. Ata nuk pranojnë rolin e veçantë të punëtorëve duke i përgatitur ata për udhëheqje në një lëvizje politike për emancipim social, as pranojnë nevojën për një parti komuniste apo socialiste duke e përgatitur me udhëheqje për revolucion. Socializmi, siç e shohin ata, është thjesht i ‘dëshirueshëm’ dhe jo i pashmangshëm.[18]

Është e qartë se në të gjitha nënteoritë Marksi nuk përmend asnjë herë ‘pushtetin’, as si krijohet ai as se çfarë roli luan në lëvizjet sociale. Teoria e konfliktit, sikurse është kundërshtuar edhe nga autorë të tjerë bindshëm mbi ‘argumentin e pashmangshëm, teorisë së luftës së klasave, mospranimin e moralizimit dhe hetimi i udhëheqjeve’,[19] mund të kundërshtohet duke gjykuar edhe nga historia dhe sidomos nga Demokracia Klasike e Athinës. Atje kishte konflikte klasore, pasi çdo shoqëri në rrjedhën e historisë përqendronte ‘pushtetin’, ose në duart e një monarku, ose në duart e oligarkëve ose në duart, si aktualisht, e përfaqësuesve. Pabarazia, rrjedhimisht, krijohet që në fillim. Dhe pabarazia dhe varfëria janë shkaqe, më shumë se gjithçka tjetër, revolucioni.[20] Dhe, mund gjykohet nga gjendja aktuale: popujt krijojnë pabarazi që në fillim kur votojnë dhe delegojnë pushtetin në mënyrë të përhershme te përfaqësuesit. Dhe është pikërisht kjo qasje, shkakiste, që i mungon teorisë “shkencore” të Marksit. Qoftë edhe në konsiderojmë shkakun e lindjes së kapitalizmit ne vrojtojmë të njëjtën dukuri: sepse ai lindi si pasojë e ndarjes së pushtetit politik nga polity, përqendrimit të pushtetit në pak duar dhe institucionalizmit të elitave. Siç citonFotopoulos:

Përqendrimi i pushtetit përbën rezultatin e pashmangshëm të një procesi historik që filloi me themelimin e strukturave hierarkike dhe ideologjisë nënkuptuese të dominimit të njeriut mbi njeriun dhe natyrës dhe kulmoi në zhvillimin e ekonomisë marketizuese dhe nën-produktit të saj të ekonomisë rritëse në dy shekujt e fundit.[21]

Por le të hedhim më shumë dritë rreth kuptimit të shkencës, ekonomisë dhe demokracisë së Marksit dhe Prudonit dhe të kuptojmë më shumë kontradiktat e traditës komuniste dhe anarksite.  

*Pjesë studimore nga një studim më i gjerë me titull 'Përtej statizmit dhe globalizmit neoliberal' 


[1]Aristotle, On sophistical refutations.

[2]Making social science matter, Bent Flyvbjerg,  ff, 38-39.

[3]Aristotle, N. M. Ethics, f, 51.

[4]Shih për më shumë, Miti i progresit dhe themelet e njohurisë.

[5]Shih Drejt demokracisë virtuoze.

[6]Aristotle, Topics, Book II, p, 12.

[7]Ibid, Posterior Analytics, p, 19.

[8]Ibid, Topics, Book VI, p, 55.

[9]Ibid, ff, 65-66.

[10]Ibid, Metaphysics, f, 43.

[11]Ibid, Book IX, Metaphysics, 73.

[12]Ibid, Metaphysics, p, 97.

[13]Ibid, Metaphysics, p, 103.

[14]Ibid, On the soul, Book II, p, 19.

[15]Ibid, On Interpretation, p, 5.

[16]Ibid, Metaphysics, p, 31.

[17]Ibid, f, 103.

[18]Introduction to Political Theory, John Hoffman and Paul Graham, f, 217.

[19]Po aty, ff, 218-19.

[20]Shih për më shumë, shkaqet e revolucioneve, Demokraci apo barbarizëm?

[21]Is degrowth compatible with a market economy? TAKIS FOTOPOULOS, The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol.3, no.1, (January 2007).

 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA