...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si i zhduku Serbia gjermanët e Vojvodonës dhe një paralele me shqiptarët e Çamërisë dhe Dardanisë

Gjermanëve të Vojvodinës u është lejuar kur i zhvendosën të marrin sende të tyre të luejtshme, ndërsa çamëve nuk u është lejuar. Serbia nuk i ka zhvendosur gjermanët të cilët kanë marrë pjesë në luftën partizane për çlirimin e vendit ndërsa Greqia nuk ka kursyer asnjë shqiptar të besimit mysliman. Greqia gjenocidin e ka bërë më tepër mbi baza fetare, e pastaj mbi baza kombëtare ndërsa Serbia i ka lejuar dhe lejon gjermanët të vijnë në mënyrë të organizuar për t’i vizituar varrezat, shtëpitë, përmendoret, fqinjët, kishat dhe pronat në vendlindjen e tyre ndërsa Greqia nuk i lejon çamët të vizitojnë as varrezat e të parëve në vendlindje. Por ndërsa Serbia pranon se ndaj gjermanëve është kryer krim dhe pranon kthimin ose kompensimin e pronave (qoftë edhe pjesërisht), Greqia kurrë nuk ka pranuar ekzistimin e problemit çam as ka pranuar lejimin e kthimit as kompensimin e pronave.

Adil Fetahu

10/05/2018 - 15:33

Gjermanët e Vojvodinës

Gjermanët në Vojvodinë janë vendosur nga fundi i shekullit 17-të dhe në fillim të shekullit 18-të. Pjesa më e madhe e tokave atëherë kanë qenë moçalishte. Por gjermanët që janë të njohur si punëtorë të mëdhenj, i thanë moçalishtet, i shndërruan në tokë pjellore, sollën e kultivuan bimë të reja ushqimore dhe industriale, ndërtuan vendbanime, ndërtuan mullinjë, fabrika të vogla të birrës, të tullave, tjegullave, apo ato për përpunimin e bimëve industriale etj. Me vete sollën shprehi të punës, kulturës e higjenës. Vendbanimet i ndërtuan me plan urbanistik, shtëpi të ndritshme, me oborre të  mëdha, rrugë të gjëra e të drejta, me trotuare të gjërë e dru akace, bliri e mani në të dy anët e rrugëve; në çdo kënd të rrugëve hapën puse (bunare) me ujë të pijshëm. Çdo fshat kishte kishën e vet. Në Vojvodinë janë ndërruar sundimtarë e sundime të ndryshme, por deri në vitin 1918, kurrë nuk ka qenë pjesë as nën sundimin e Serbisë. Në periudhën 1529 deri më 1718 ishte nën sundimin Osman, pastaj nën sundimin e Austrisë. Lulzimin e zhvillimit e ka arritur në kohën sa ishte nën sundimin e Monarkisë Habsburge, deri në vitin 1867, dhe në kohën e Austrohungarisë (1867 -1918).

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918) u rrënuan dy Perandori të mëdha: Perandoria Osmane dhe Perandoria e Austrohungarisë, ndërsa u formua një “miniperandori”: mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (në popull quhet: Jugosllavia e Parë). Në mbretërinë jugosllave me shtetësinë e tyre hynë Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, ndërsa Mali i Zi, edhe pse para Serbisë ka qenë shtet i pavarur, në atë Jugosllavi hyri pa identitet shtetëror, dhe as nuk i përmendej emri. Bosnje-Hercegovina, Kosova, Vojvodina dhe Maqedonia, që ishin të pushtuara nga ushtria e Serbisë, poashtu hynë pa kurrëfarë identiteti, as me status të veçantë juridik as edhe iu përmendej emri. Vojvodina, që para lufte ishte pjesa më e zhvilluar e Austrohungarisë, me mashtrimet dhe premtimet e Serbisë dhe me bekimin e fuqive të mëdha, iu la shpërblim Jugosllavisë si aleate e fuqive fituese të luftës. Në atë Jugosllavi për më se dy dekada (deri në vitin 1941), dominoi hegjemonizmi serb mbi të gjitha kombet e tjera brenda shtetit. Sa për ilustrim të atij dominimi po përmend se gjatë asaj periudhe janë ndërruar 39 qeveri, në të cilat ka pasur gjithësej 819 ministra, dhe vetëm katër ministra ishin nga Mali Zi, edhe ata nuk e kanë përfunduar tërë mandatin e tyre. Edhe pse brënda atij shteti kishte një milion banorë shqiptarë autoktonë, as që bëhej fjalë për ndonjë pozitë ministri apo funksionari të lartë shtetëror nga radhët e shqiptarëve (përveç të ndonjë deputeti, sa për të dalë shqiptarët në votime e për të fituar vota partitë serbe). Serbia dominonte jo vetëm në pushtetin civil por edhe më keq në pushtetin ushtarak. Në vitin 1941, në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, ushtria jugosllave kishte 105 gjeneralë, prej të cilëve vetëm dy nuk ishin serbë; njeri ishte kroat dhe tjetri malazez. Këto shifra e ilustrojnë mjaftueshëm dominimin serb në atë Jugosllavi.

Sot demografia e Vojvodinës përbëhet nga qytetarë të 26 përkatësive të ndryshme kombëtare, ndërsa në të kaluarën dominohej nga grupacioni gjermanë e hungarezë, marrë të dyja së bashku.  Në vitin 1910, kur Vojvodina ishte nën pushtetin e Austrohungarisë vetëm në Banat dhe në Baçkë ka pasur 568,712 banorë gjermanë (Shënim i Lidhjes së Popullit Gjerman të Vojvodinës). Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë së Mbretërisë SKS (1921), pasi  u aneksua nga Serbia, në Vojvodinë jetonin 335,902 banorë gjermanë dhe përbënin 22% të popullsisë së përgjithshme të Vojvodinës. Kjo shifër mund të mos jetë reale, duke pasur parasysh manipulimet që Serbia gjithnjë ka bërë me regjistrimet e popullsisë, duke u përpjekur të paraqesë sa më pak banorë të minoriteteve e sa më shumë serbë. Një numër jo i vogël i banorëve regjistroheshin në rubrikën: “Të tjerë”! Në regjistrimin e popullsisë së Vojvodinës në vitin 1931, në rubrikën  “të tjerë”, ishin regjistruar 172,924 qytetarë, apo 10,6% e numrit të përgjithshëm të banorëve të saj. Natyrisht, në atë rubrikë nuk janë regjistruar serbët por minoritarët. Përkundër numrit aq të madh të popullsisë gjermane, ata asnjëherë nuk patën të drejtë të kenë shkolla në gjuhën e tyre, sikurse edhe shqiptarët në atë Jugosllavi që nuk kanë pasur asnjë shkollë në gjuhën shqipe. Kur në Jugosllavinë e Titos u shpik “kombësia jugosllave”, shumë nga pjesëtarët e minoriteteve dhe të boshnjakëve regjistroheshin si “jugosllavë”, madje deri në vitin 1981 kur me këtë “kombësi” ishin regjistruar 172,219 qytetarë, apo 8,46% e numrit të banorëve të Vojvodinës. Ndërsa në regjistrimin e vitit 2011, në tri rubrika të tjera të papërcaktuara kombëtarisht, janë regjistruar 124,376 banorë të Vojvodinës.

Zhdukja masive e qytetarëve gjermanë të Vojvodinës ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944 – 1948. Nga 328,631 qytetarë gjermanë që kishte në Vojvodinë sipas regjistrimit të vitit 1931, në vitin 1948 kishin mbetur vetëm 28,869 gjermanë. Por si u zhdukën të tjerët?

AVNOJ i shpalli armiqë të gjithë qytetarët gjermanë të Jugosllavisë

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore me një vendim të AVNOJ-it (21 nëntor 1944), u vendos që pakicës gjermane që jetonte në Jugosllavi t’i hiqet shtetësia jugosllave, t’i konfiskohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme dhe të dëbohën jashtë shtetit. Ishte një dënim kolektiv dhe i padrejtë i një populli të tërë, i shqiptuar nga një organ jogjyqësor. Ai vendim u mor me pretekst se gjermanët kanë shërbyer ose kanë bashkëpunuar me ushtrinë naziste gjatë okupimit. Kjo i dha dorë Serbisë që menjëherë të fillojë aksionin gjenocidal të vrasjeve, grumbullimit nëpër kampe dhe deportimit të tyre. Gjermanët e grumbulluar nëpër kampe i torturonin, vrisnin, i linin të vdisnin nga uria dhe sëmundjet. Pjesa dërrmuese e tyre ishin gra, fëmijë e pleqë, pasi burrat të cilët kishin qenë të mobilizuar me dhunë ose vullnetarisht në ushtrinë gjermane, kishin ikur bashkë me ushtrinë, para se të vinte Armata e kuqe ruse. Meshkujt e aftë, pasi i grumbullonin nëpër kampe, i shfrytëzonin për punë të rënda. Sipas të dhënave të organizatave gjermane, në vitin 1945 në Jugosllavi kanë qenë së paku 70 kampe përqëndrimi në të cilat ishin  grumbulluar së paku 100,000 gjermanë, qoftë për t’i deportuar jashtë kufirit apo për t’i dërguar në punë të rënda, madje edhe në Rusi. Siç dihet, çlirimin e Jugosllavisë e ka ndihmuar Ushtra e Kuqe ruse. Në dhjetorin e vitit 1944, pushteti ushtarak rus zgjodhi 30,000 meshkuj gjermanë të Vojvodinës,  të aftë për punë, të moshës 17-45 vjeçe, dhe gra të moshës 18-40 vjeçe, të cilët përmes Rumanisë i deportoi në vende të ndryshme të BRSS. Udhëtuan gadi një muaj me tren transportues. Gjatë udhëtimit kanë vdekur 850 vetë nga të ftohtit dhe uria ndërsa 5000 të tjerë kanë vdekur në kampet ruse. Të tjerët më vonë janë dërguar në Gjermaninë Lindore, në punë të rënda. Në Vojvodinë kanë qenë 40 kampe me gjermanë: ato ishin nëntë lloje dhe për  kategori të ndryshme: kampet e të aftëve për punë; kampet e koncentrimit; kampet e vdekjes; kampet e civilve; kampet e robërve të luftës; kampet e fëmijëve; kampet e të sëmurëve; kampet për ekzekutimin e dënimeve me vdekje etj. Në fakt, në të gjithë kampet kanë gjetur vdekjen shumë gjermanë: disa janë vrarë, të tjerë kanë vdekur nga uria ose/apo nga sëmundjet, dhe të tjerë janë vetëvrarë apo janë zhdukur në mënyra të tjera. Në tabelën që jep Zoran Jovanoviç për viktimat në kampet e Vojvodinës, paraqiten këto shifra:*)

                                                                Fëmijë                  Gra                         Meshkuj              Gjithsej

Vdekur urie                                        5,524                     25,740                   16,390                   47,654

Vrarë                                                          14                           157                          96                          558

Vetëvrarë                                                   4                              32                       24                              60

Zhdukur                                                    40                              40                        95                             175

Pësuar gjatë  ikjes                                32                             111                       57                             240

Gjithsej:                                               5614                             26,080          17,002                       48687

*) http/www.academia.edu//”Na tragu podunavskih nemaca u Vojvodini”, f. 39; përmbledhje e dy tabelave.

Në një tubim shkencor ndërkombëtar, “Europa Juglindore 1918-1995”, ku flitej për fatin e “gjermanëve danubianë” në ish-Jugosllavi, paraqiten këto shifra për humbjet e popullsisë gjermane në Jugosllavi, qoftë në luftë qoftë pas luftës.

Republika/krahina                                           Të humbur në luftë         Të emigruar ose deportuar

Bosnje-Hercegovina                                                       1000                                       12.000

Sllovenia                                                                              1000                                       24.000

Kroacia                                                                                 2000                                       90.000

Serbia/Vojvodina                                                         24.000                                     299.000

Përveç këtyre humbjeve rreth 47,000 tjerë janë asimiluar në serbë ose hungarezë, me martesa të përziera, e në mënyra tjera — shkak të frikës për ekzistencë dhe për shkak se gjermanët nuk do të kishin kurrëfarë të drejta  qytetare as për gjuhën, arsimin dhe kulturën e tyre.

Shumica e gjermanëve të deportuar e të shpërngulur nga Vojvodina dhe nga viset e tjera të Jugosllavisë, janë vendosur në Shtutgard dhe në rrethinën e tij, ku kanë formuar shoqatat e tyre, të cilat merren me problemet e kthimit ose kompensimit të pronave dhe në mënyrë të organizuar vijnë kohë pas kohe për t’i vizituar varrezat e të parëve, përmendoret, kishat, shtëpitë dhe pronat që i kanë lënë para eksodit.

Pronat e konfiskuara e të kombtarizuara të gjermanëve të Vojvodinës

Dëbimi dhe zhdukja e gjermanëve dhe konfiskimi e nacionalizimi i pronave të tyre krijoi kushte të favorshme për të bërë reformë agrare e për të mbushur Vojvodinën me kolonë serbë e malazezë, dhe për të ndërruar radikalisht strukturën kombëtare të krahinës, në dobi të elemetit sllavo-ortodoks. Nga 1.620.000 ha tokë të punueshme që kishte Vojvodina mbi 600.000 ha kanë qenë në pronësi të gjermanëve. Përveç tokave, gjermanët kishin shtëpi të mira, të kompletuara me të gjitha orenditë e nevojshme, kishin mjete për punimin tokave, traktorë, makina të ndryshme, punëtori, fabrika, banka, objekte hotelirie, zejtari, ndërtesa banimi etj. Sipas vlerësimit të organizatave gjermane vlera e pronave të gjermanëve të Vojvodinës kapin shumën 13,5 miliardë euro.    

Deri në vitin 1948-të në pronat e gjermanëve të Vojvodinës janë vendosur 225.000 kolonë serbë dhe 40.000 kolonë malazezë, nga Bosnja, Kroacia, Mali Zi dhe Kosova. Pronat iu dhanë në radhë të parë familjeve të luftëtarëve. Kolonët e ardhur nga viset më të pazhvilluara dhe të prapambetura, nuk ndryshuan vetëm strukturën demografike kombëtare por sollën “kulturën”, zakonet dhe kulturën e tyre të prapambetur. Tregohet se kur kishin ardhur e vendosur në shtëpitë e gjermanëve, të rregulluara e përplot orendi,  shumë prej kolonëve nuk e kishin ditur çka është elektriku, prandaj iu frynin poçeve për t’i fikur, ndërsa parketin e dyshmesë e prishnin dhe përdornin për të ndezur zjarr! Për shkak të mungesës së kulturës së punës, kolonët kurrë nuk e kanë arritur nivelin e prodhimtarisë bujqësore që kishin pasur gjermanët para lufte. Kolonizim në Vojvodinë ka pasur edhe në periudhën e mëvonshme, por jo në atë masë siç ishte deri në vitin 1948: sepse më vonë nisi procesi i kolektivizimit, sipas shembullit të kolhozeve ruse. Kështu 38% e ekonomive familjare të Vojvodinës u kolektivizuan ndërsa në Serbi në kolektive kishin hyrë vetëm 4% të ekonomive familjare. Fabrikat e ndryshme që kishin pasur gjermanët në Vojvodinë, u bartën në brendësi të Serbisë — ndër të tjera: Shkritorja “Partizan” dhe Fabrika e Sapunit “Merima”, u bartën prej Subotice në Krushevac; Fabrika e Mermerit të Kaltër “Zorka”, u bart në Shabac; dy fabrikat më të mëdha të miellit dhe fabrika e Sheqerit “Rot”, u bartën në Jagodinë; Fabrika e Frigoriferëve të mëdhenj “Goldner” u bart në Rakovicë; Fabrika e vagonave dhe lokomotivave “Ferum”, dhe disa fabrika të brumërave të cilat jepnin 80% të prodhimeve të atij lloji, në Jugosllavi, u mbyllën. Kështu, ekonomia e Vojvodinës u degradua, mori tatëpjetën dhe Vojvodina prej një rajoni që zhvillimi dhe gjeografia i përkiste Evropës Qëndrore filloi t’i bashkangjitësh rajonit ballkanik. Në periudhën 1974-1989, kur pati një avancim i statusit kushtetues-juridik të krahinave, si elemente konstituive të Federatës së RSFJ-së dhe kur kishin fituar një pavarësi ekonomike, të dy krahinat (Kosova dhe Vojvodina) shënuan shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik, social, arsimor e kuturor. Por Vojvodina kurrë nuk e arriti shkallën e rregullit dhe zhvillimit që kishte para Luftës së Dytë Botërore, kur ishte në kuadër të Austrohungarisë.

Kthimi i pronave

Për shkak të kushteve që duhet të plotësohen në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Serbia është e detyruar t’ua kthejë pronat pronarëve që kanë pasur para Luftës së Dytë Botërore. Kjo nënkupton edhe pronarëve Hebrejë, Gjermanë, Austriakë, Hungarezë etj., qofshin shtetas të Serbisë ose të shteteve tjera, të cilëve ua ka marrë gjatë ose pas lufte. Në këtë drejtim, Serbia në vitin 2011 ka miratuar Ligjin për kthimin ose kompensimin e pasurisë së marrur, me të cilin janë përcaktuar kushtet, mënyra, procedura dhe afatet e kthimit ose kompensimit të pronave. Në këtë kuadër ligjor, edhe kategori të caktuara të qytetarëve gjermanë të Vojvodinës, ose trashëgimtarë të tyre, do të mund të realizojnë të drejtën e kthimit ose kompensimit të pronave të tyre, të luajtshme e të paluajtshme. Natyrisht, kurrë nuk do të mund ta kthejnë tërë pasurinë që kanë pasur por njëfarë kompensimi do të mund të marrin. Nga e drejta e kthimit ose kompensimit, përjashtohen personat të cilët kanë qenë pjesëtarë të forcave të okupatorit të cilat kanë vepruar në territorin e Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas deklaratës së drejtorit të Agjensisë së Serbisë për Dëmshpërblim (“Blic”, 03.08.2017), kërkesat e shtetasve gjermanë kanë arritur në 593 dhe 564 kërkesa të shtetasve austriakë, për kthimin ose kompensimin e pronave, ndërsa deri tani qytetarëve gjermanë u janë kthyer 28 lokale, pesë ndërtesa me sipërfaqetë përgjithshme 1,727 m/2, dhe 142 ha tokë bujqësore, ndërsa shtetasve austriakë u janë kthyer 12 lokale, dy banesa me sipërfaqe të përgjithshme 2099 m/2, 452 m/2 tokë ndërtimore, 243 ha tokë bujqësore dhe 0,25 ha mal. Janë bllokuar edhe 60.000 ha tokë bujqësore për kthim. Në Vojvodinë ka mjaft toka në pronë të shtetit të cilat mund t’iu kthehen pronarëve ose trashëgimtarëve. Ku nuk ka mundësi të kthehet prona në natyrë duhet t’iu kompensohet. Është paraparë që kompensimi të bëhet me obligacione brënda 12 vjetëve ndërsa pagesat e para duhet të fillojnë në dhjetor 2018. Sidoqoftë, kompensimi më i lartë nuk mund të kalojë një gjysmë milioni euro për një pronar, pa marrë parasysh vlerën e tregut të pasurisë që i është marrë.

Ngjashmëria midis gjenocidit serb mbi Gjermanët dhe atij grek mbi Çamët

Gjenocidi që kanë përjetuar gjermanët në Serbi dhe ai që kanë përjetuar shqiptarët në Greqi, ka shumë tipare të ngjashme. Edhe në Vojvodinë edhe në Çamëri gjenocidi ka ndodhur në të njëjtën kohë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1944/45). Të dy këto shtete janë ortodokse me mentalitet klerofashist bizantin. Të dy kanë kryer gjenocid ndaj qytetarëve autoktonë të një kombësie tjetër por që ishin shtetas të vet: Serbia ndaj gjermanëve dhe hebrejve; Greqia ndaj  shqiptarëve dhe  hebrejve. Edhe Serbia edhe Greqia kanë kryer gjenocid ndaj gjermanëve, respektivisht ndaj shqiptarëve, me pretekst se këto minoritete gjoja kanë bashkëpunuar me okupatorin nazist gjerman. Por nëse  një numër  i caktuar i gjermanëve të  Vojvodinës kanë shërbyer në ushtri dhe kanë bashkëpunuar me ushtrinë dhe pushtetin nazist, numri i çamëve të cilët kanë bashkëpunuar me gjermanët ka qenë i papërfillshëm; shumë më i madh ka qenë numri i grekëve, madje nga strukturat udhëheqëse, të cilët kanë bashkëpunuar me gjermanët, sikurse që edhe në Serbi çetnikët kanë bashkëpunuar me gjermanët. Sidoqoftë, faji dhe përgjegjësia mund të jetë individuale, dhe nuk ka përgjegjsi kolektive as nuk mund të fajësohet një popull i tërë për shkak të bashkëpunit të disa individëve me okupatorin e të dëbohet nga vendi i vet. Edhe Serbia edhe Greqia sollën kolonë në pronat e qytetarëve të dëbuar nga Vojvodina, respektivisht nga Çamëria. Pjesëtarët e të dy minoriteteve (gjermanët dhe shqiptarët), ata që kanë shpëtuar gjallë, ose kanë ikur jashtë vendit, ose janë asimiluar (rreth 47,000 gjermanë në Serbi) dhe sa shqiptarë ortodoks në Greqi. Edhe gjermanët e Vojvodinës edhe shqiptarë të Çamërisë kanë marrë pjesë në luftën (partizane) për çlirimin e vendit.

Dallimi kryesor mes gjenocidit serb kundër gjermanëve dhe gjenocidit grek kundër shqiptarë qëndron në numrin e të vrarëve, të masakruarëve dhe të zhdukurve, ku numri i gjermanëve është dhjetëfish më i madh. Por për nga brutaliteti gjenocidi grek mbi shqiptarët ka qenë më mizor e më i lemeritshëm: masakrimi dhe djegia për së gjalli i grave, fëmijëve dhe pleqëve. Gjermanëve të Vojvodinës u është lejuar kur i zhvendosën të marrin sende të tyre të luejtshme, ndërsa çamëve nuk u është lejuar. Serbia nuk i ka zhvendosur gjermanët të cilët kanë marrë pjesë në luftën partizane për çlirimin e vendit ndërsa  Greqia nuk ka kursyer asnjë shqiptar të besimit mysliman. Greqia gjenocidin e ka bërë më tepër mbi baza fetare, e pastaj mbi baza kombëtare ndërsa Serbia i ka lejuar dhe lejon gjermanët të vijnë në mënyrë të organizuar për t’i vizituar varrezat, shtëpitë, përmendoret, fqinjët, kishat dhe pronat në vendlindjen e tyre ndërsa Greqia nuk i lejon çamët të vizitojnë as varrezat e të parëve në vendlindje. Por ndërsa Serbia pranon se ndaj gjermanëve është kryer krim dhe pranon kthimin ose kompensimin e pronave (qoftë edhe pjesërisht), Greqia kurrë nuk ka pranuar ekzistimin e problemit çam as ka pranuar lejimin e kthimit as kompensimin e pronave.

Këto ndryshime, ndoshta për faktin se gjermanët kanë shtetin më të fortë në Europë ndërsa çamët e kanë një gjysëm shteti dhe më të dobëtin në Europë! Duhet, përmendur gjithashtu, dhe fakti se serbët e Kosovës kanë bashkëpunuar me pushtuesin në luftën e fundit mes shqiptarëve dhe serbëve dhe nuk vepruan me ta —pas luftës— siç vepruan të ashtuquajturit “komunistë” serbë të shekullit të kaluar. Përkundrazi, ata përfaqësohen në kuvend dhe janë në proces të fitojnë edhe më shumë të drejta…     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA