...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

UÇK-ja dhe akt-dokumentet ndërkombëtare për Kosovën deri te plani i Ahtisarit

Shpallja e Pavarësisë nuk ia vuri pikën statusit të Kosovës. Për rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me pushtuesen e saj të deridjeshme, Serbinë, po vazhdojnë bisedimet në Bruksel. Lëshimet e bëra gjatë këtyre bisedimeve kanë prekur “vijën e kuqe”.

Xhevat Gjini

16/04/2018 - 08:54

Ideja për të bërë një punim magjistrature për Kosovën dhe Planin e Ahtisarit, më kishte ardhur krejt natyrshëm. Por një punim shkencor i kësaj natyre kishte edhe “rreziqet” e tij. Kosova dhe zbatimi i Planit të Ahtisarit është edhe sot e kësaj dite një “proces” i papërfunduar. Shpallja e Pavarësisë nuk ia vuri pikën statusit të Kosovës. Për rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me pushtuesen e saj të deridjeshme, Serbinë, po vazhdojnë bisedimet në  Bruksel. Lëshimet e bëra gjatë këtyre bisedimeve kanë prekur “vijën e kuqe”. Ishte edhe një arsye tjetër që më bënte të luhatesha në përcaktimin tim për këtë temë: mendimi se mund të isha subjektiv në shtjellimin e kësaj teme me interes për Kosovën, për çështjen shqiptare dhe për rajonin. Të qenit bashkëkohanik i këtyre ngjarjeve dhe në një mënyrë a në një tjetër edhe pjesë e tyre që nga vitet e tetëdhjeta mund të më nxirrte subjektiv dhe mund ta dëmtonte këtë punim. Mirëpo, e binda veten se të qenit pjesë e këtyre zhvillimeve tridhjetë  e sa vjeçare në Kosovë duhet kuptuar më shumë si përparësi për një punim magjistrature. Më ndihmoi dhe më inkurajoi edhe përkrahja që mora nga mentori im, profesori i nderuar, Jonuz Abdullai.

Shqiptarët (pellazgët-ilirët-arbërit) për shumë studiues dhe autorë, janë populli më i vjetër në  Evropë e më gjerë. Debati për prejardhjen, gjuhën dhe qytetërimin e tyre vazhdon edhe sot e kësaj dite. Lashtësia dhe autoktonia e tyre në Iliri-Ballkan kundërshtohet me lloj-lloj teorishë dhe me lloj-lloj argumentesh “shkencore”, sidomos nga studjuesit e vendeve fqinje, të cilat kanë  pushtuar më shumë se dy të tretat e tokave të Shqipërisë. Artikuj, raporte, elaborate dhe libra të shumtë, në funksion të teorive që mohojnë autoktoninë e shqiptarëve, janë bërë nga qarqe intelektuale, akademike dhe shtetërore të Serbisë. Në themel të këtij përkushtimi dhe angazhimi shtetëror, politik, propagandistik e “shkencor” ishte ideja, “argumenti” dhe teoria që përpiqej të provonte se shqiptarët kishin ardhur në Kosovë në shek XVII! Kjo literaturë me qëllime dhe porosi kryekëput shoviniste përkthehej dhe shpërndahej edhe nëpër botë. Me këto teori Serbia dhe sivllezërit e saj kërkonin t’i arsyetonin dhe t’i përjetësonin pushtimet, spastrimet dhe sllavizimin e tokave të Shqipërisë. Të njëjtën gjë bënte edhe Athina zyrtare dhe shovinizmi grek. Kjo është arsyeja që kreun e parë të këtij punimi ia kam kushtuar lashtësisë dhe prejardhjes së popullit shqipatar në përgjithësi, si dhe Dardanisë-Kosovës në veçanti. Ashtu si nuk mund të ndahet dhe as të kuptohet Dardania pa Ilirinë, edhe Kosova nuk mund të ndahet dhe të kuptohet pa Shqipërinë, sepse është pjesë e pandashme e çështjes shqiptare dhe e Shqipërisë. Por, pushtimi dhe copëtimi e ricopëtimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë midis vendeve fqinje ka imponuar përpjekje dhe qasje të ndara për këto krahina dhe toka të Shqipërisë.

Kosova, edhe kështu e rrudhur pas copëtimeve dhe ricopëtimeve të saj, përbënte njërën prej hallkave kryesore të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Iliri-Ballkan. Ndoshta edhe pozita e saj në zemër të Ilirisë e “favorizonte” atë për të qenë krahina më e dëshiruar nga shovinistët serbo-maqedono-malazezë, nga njëra anë, dhe në ballë të përpjekjeve për liri, nga ana tjetër. Qytete dhe fshatra të tëra të Kosovës-Shqipërisë u pushtuan dhe u spastruan e sllavizuan gjatë luftës serbo-turke 1876-1878 (rreth 11.000 km katrore). Dhuna, terrori dhe gjenocidi për qëllime të spastrimit të tokave të Shqipërisë nga shqiptarët dhe të sllavizimit të tyre vazhduan edhe gjatë luftrave ballkanike dhe deri në ditët tona. Pas LDB Kosova u copëtua dhe u nda midis Republikës së Serbisë, asaj të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Një pjesë e saj (10878 km katrore) u la si “oblast” (rreth) e më vonë u bë krahinë autonome me status të dyfisht kushtetues: element konstitutiv i federatës jugosllave dhe pjesë e Republikës së Serbisë.

Përpjekjet e pjesës së pushtuar të popullit shqiptar për të mbijetuar në tokën e tyre dhe për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë e robërisë nuk kishin pushuar për asnjë çast. Krijimi i shtetit shqiptar qoftë edhe në më pak se një të tretën e Shqipërisë (28740 km katrore) e bënte më të lehtë ekzistencën dhe qëndresën e krahinave të pushtuara. Ç’është e vërteta ishte një shtet i vogël dhe i pafuqishëm, por ishte dhe mbeti shpresa, besimi, mbështetja dhe forca e vetme për çlirimin e trojeve të robëruara. Me përpjekje, mund e flijime të mëdha pozita e shqiptarëve në Jugosllavi ishte përmirësuar gjatë viteve të shtatëdhjeta, por ishte larg asaj që pretendonte dhe që i takonte popullit shqiptar të pushtuar nga Jugosllavia. Shpërthimi i demonstratave të 11 Marsit 1981 e tronditi në themele Jugosllavinë  dhe “jugosllavizmin” e saj. Me këto ngjarje, falë edhe Tiranës zyrtare, Kosova dhe çështja shqiptare në Jugosllavi u ndërkombëtarizua. Nuk vonoi shumë (as një dekadë) dhe Jugosllavia federative u shpërbë. Shqiptarët nuk qenë të përgatitur dhe të fuqishëm që krahas popujve të tjerë të shkëputeshin dhe të pavarësoheshin nga Jugosllavia dhe nga republikat që deri atëherë e përbënin atë. U dasht të kalonte gati një dekadë që kombi shqiptar të nxirrte nga gjiri i tij një forcë të armatosur, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Përpjekjet e armatosura dhe ato politiko-diplomatike me kohë u kufizuan vetëm në çlirimin e Kosovës administrative. Lufta Kundërpushtuese Çlirimtare e UÇK-së dhe e mbarë kombit shqiptar i detyroi Fuqitë e Mëdha (Grupin e Kontaktit) që të organizonin një Konferencë Ndërkombëtare për ta mbyllur këtë luftë shqiptaro-serbe, e cila me flakët e saj kërcënonte rajonin dhe Evropën. Marrëveshja që doli nga Konferenca e Rambujes ishte e padrejtë për shqiptarët. Ajo pati vetëm një të mirë: bombardimet e Serbisë nga NATO-ja dhe përfundimin e luftës. Ky ishte qëllimi i parë dhe i fundit i këtyre bombardimeve. Çështja shqiptare e Kosovës dhe rëndësia e saj për qëndrueshmërinë dhe paqen në rajon u dëshmua edhe me ndërhyrjen e NATO-s. Marrëveshja e Rambujes u bë edhe bazë e të gjitha dokumenteve dhe akteve tjera ndërkombëtare për Kosovën.

Në përputhje me Rezolutën 1244 në Kosovë u vendosën trupat e NATO-s, -KFOR-i, dhe administrata ndërkombëtare e OKB-së, UNMIK-u. Kjo me qëllimin e rivendosjes së paqes në këtë krahinë dhe parandalimin e përshkallëzimit të luftës në rajon. Sepse çështja e pazgjidhur shqiptare nuk mund të kufizohej dhe as të përmblidhej vetëm me Kosovën. Hiç më e mirë nuk ishte as pozita e shqiptarëve tashmë nën Maqedoni, nën Mal të Zi dhe e atyre nën Serbi (Kosova Lindore). Të mos flasim për arvanitasit-shqiptarët nën Greqi, të cilët nuk gëzojnë asnjë të drejtë kombëtare. Ndoshta këtu edhe duhet kërkuar shkakun e vërtetë të ndërhyrjes së NATO-s dhe shkakun e vendosjes së trupave të saj e të administratës së OKB-së në Kosovë e jo në vendin që ishte shkaktari i të gjitha tragjedive në Iliri-Ballkan, në Serbi.

Afati tre ose pesë vjeçar i qëndrimit të UNMIK-ut në Kosovë nuk po respektohej. Statusi i Kosovës po shtyhej dhe zgjidhjes së kësaj çështjeje nuk po i shihej fundi. Bota sikur kishte çështje më të rëndësishme për të zgjidhur e për të mbyllur. Edhe klasa politike e Kosovës nuk u tregua e zonja për ta marrë në dorë fatin e Kosovës dhe për ta imponuar zgjidhjen më të mirë për shqiptarët. Një klasë politike e re, e përçarë dhe, një  pjesë e saj edhe e kapur, nuk mund të bënte më shumë. Tirana zyrtare, ajo që duhej të ishte më e zëshme, më e qartë, më e vendosur dhe më e organizuar përkrah krahinës së saj, Kosovës, pothuaj se dështoi! Ndërsa, Serbia, e mbështetur nga mikja e saj historike, Rusia, dhe nga aleatët e saj, po e merrte veten dhe po i shfaqte gjithnjë e më hapur dhe më me agresivitet pretendimet e saj për të mos u larguar nga Kosova. Karta më e mirë dhe më e fuqishme në duart e saj u bë pakica serbe, kisha ortodokse “serbe” dhe trashëgimia kulturore “serbe” në Kosovë. Loja me këtë kartë u pranua jo vetëm nga Fuqitë e Mëdha (qendrat e vendosjes botërore), por ajo lojë u pranua me një mendjelehtësi të pa parë edhe nga klasa politike e Kosovës dhe nga institucionet e saj unmikiane.

Bisedimet e Vjenës prodhuan Planin e Ahtisarit, i cili në përmbajtje (madje edhe në formë) nuk dallonte nga Plani i Serbisë për Kosovën i prillit 2004! Me këto bisedime dhe me mjete politike e diplomatike Serbia ia doli të krijonte komuna serbe ose me shumicë serbe në Kosovë, zona të mbrojtura dhe eksterritore! Madje, me këto bisedime edhe qyteti i Mitrovicës u nda në dy pjesë dhe u organizua në dy komuna të veçanta (jugore dhe veriore), duke u bërë TURPI i klasës politike në Kosovë, i Evropës dhe i Fuqive të Mëdha! Me këto zgjidhje pakica serbe po fitonte statusin e një populli shtetformues, ndërsa Serbisë po i garantohejë prania e saj dhe e interesave të saj në Kosovë. Madje, Serbia po bëhej “ortake” në Kosovë! Këto zgjidhje morën formën dhe përmbajtjen e nevojshme dhe të pretenduar nga Serbia dhe miqtë e saj me bisedimet shtesë në Bruksel gjatë këtyre dy viteve. Këto bisedime po rrumbullakojnë krijimin e entitetit autonom serb në Kosovë me lidhje të veçanta me Serbinë dhe me Serbinë brenda Kosovës!

Ky status i pakicës serbe dhe ky “partneritet” i Serbisë në Kosovë përbën kërcënim të përhershëm për sigurinë, paqen dhe qëndrueshmërinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, populli shqiptar i Kosovës, që përbën mbi 90% të popullsisë, institucionet e Republikës dhe shteti shqiptar (Republika e Shqipërisë), në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë, duhet të fillojnë të mendojnë, të organizohen dhe të përgatiten në mënyrë të përputhshme për t’i përballuar këto zgjidhje të rrezikshme për Kosovën dhe për paqen në rajon. Tirana dhe Prishtina duhet të gjejnë rrugët dhe mjetet adekuate për t’i mbajtur nën kontroll këto zgjidhje dhe për ta nxjerrë Serbinë nga Kosova. Krahas ecjes në rrugën e integrimeve evropiane, Tirana dhe Prishtina (pa i harruar krahinat e tjera shqiptare) duhet të ecin të sigurtë edhe në rrugën e integrimeve kombtare. Ribashkimi i kombit shqiptar në një shtet të vetëm do të duhej të ishte objektiv kombëtar, sepse kjo është zgjidhja që garanton paqe, siguri dhe qëndrueshmëri të përhershme në Iliri-Ballkan. Zgjidhja e plotë e çështjes shqiptare është interes afatgjatë edhe i vendeve dhe popujve fqinjë, të cilët do të “çliroheshin” njëherë e pëgjithmonë nga shqiptarët dhe do të bashkëjetonin në paqe dhe harmoni fqinjësore në familjen e madhe evropiane.

Lufta e UÇK-së ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës

Rrugën për në Rambuje populli shqiptar e hapi me luftën e armatosur kundërpushtuese-çlirimtare. «Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën është rezultat i përpjekjeve dhe i Luftës çlirimtare të UÇK - së, e cila e solli Kosovën në Rambuje». [1] Populli shqiptar nuk ishte pajtuar asnjëherë me robërinë. Viti 1912-1913 ishte tragjik për fatin e Shqipërisë dhe të popullit të saj. Dy të tretat e Shqipërisë u pushtuan dhe ripushtuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Dhuna, terrori dhe gjenocidi që ushtruan këto vende dhe këta popuj fqinj ndaj shqiptarëve kishin vetëm një qëllim: spastrimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga shqiptarët dhe popullimin e tyre me sllavë dhe grekë, sepse vetëm kështu mund të përjetësohej pushtimi. “Ata, (Fuqitë e Mëdha), prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ua dhanë fqinjve… duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes këtyre shteteve”[2]. Në këtë fatkeqësi kombëtare pati vetëm një fat: në një të tretën e Shqipërisë u krijua shteti shqiptar, i cili u bë ëndërra, shpresa dhe mbështetja e vetme për mbijetesë, qëndresë, përpjekje dhe luftë kundër pushtuesve fqinj. Prandaj, shqiptarët e cilës do krahinë dhe kudo që të jenë vazhdojnë të përulen me nderim para emrit, jetës dhe veprës së atyre burrave dhe grave të kombit shqiptar që ditën, guxuan, luftuan, e bënë dhe e mbrojtën në kushte të rënda shtetin e vogël shqiptar, pa të cilin vështirë (për të mos thënë e pamundur) se do të mbahej gjallë Lëvizja Çlirimtare në viset e pushtuara, por edhe më i vështirë do të ishte krijimi i UÇK-së, pa të cilën nuk do të çlirohej kjo Kosovë që ka mbetur pas copëtimeve dhe ricopëtimeve të tokave të pushtuara të Shqipërisë nga Jugo-Serbia. Përkrahjen e Republikës së Shqipërisë (shtetit shqiptar) për pjesën e pushtuar të kombit nga Jugo-Serbia e kishte paralajmëruar edhe Ramiz Alia në cilësinë e Kryetarit të shtetit, në fjalimin që kishte mbajtur në OKB, në shtator të vitit 1990, me ku kishte paralajmëruar botën se “shqiptarët nuk po kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’po kërkojnë serbët, kroatët, sllovenët apo maqedonasit. Shqiptarët nuk kanë pranuar e nuk do të pranojnë të kenë më pak të drejta se ata”[3]. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lindi vetvetiu, nga hiçi. Themeluese e saj ishte Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj, nuk e përjashtonte edhe luftën e armatosur. Kjo organizatë atdhetare ilegale (ilegale në raport me shtetin pushtues, Jugosllavinë) ishte themeluar më 17 shkurt 1982, një muaj pas vrasjes nga policia sekrete jugosllave të drejtuesve kryesor të Lëvizjes çlirimtare, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Bashkimi i organizatave dhe grupeve ilegale në një organizatë të vetme ishte përgjegjia më e mirë që i dhanë atdhetarët shqiptarë Jugosllavisë shoviniste pushtuese menjëherë pas vrasjes së këtyre atdhetarëve të shquar. “Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë, rreziqet që po i thuren atij, e bënë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë, pa dallim feje, klase, krahine, përkatësie politike, në luftën kundër armiqve”.[4] E gjithë ndjekja, burgosjet, dënimet, torturat çnjerëzore, vrasjet dhe terrori shtetëror serbo-maqedono-malazezë (edhe në kohën e Jugosllavisë) ishte përqëndruar mbi lëvizjen atdhetare-ilegale dhe mbi këtë organizatë (organizatat e fshehta që u bashkuan në LPRK-LPK), mbi drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e saj. Koha tregoi se shovinistët serbo-maqedono-malazezë kishin patur të drejtë. I vetmi kërcënim për ta, për sigurinë e tyre dhe për fatin e tokave që mbanin të pushtuara ishin organizatat e fshehta atdhetare. Midis tyre u dallua LPK-ja dhe veprimtarët e saj të paepur dhe të vendosur për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, të cilët Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës e finalizuan me krijimin e UÇK-së, e cila përfundoi me clirimin e Kosovës së mbetur pas copëtimit të saj midis republikave sllave. Për realizimin e këtij objektivi madhor të kombit shqiptar, LPK, në Mbledhjen e saj të katërt (28-29 korrik 1993), të mbajtur në Prishtinë, mori vendimin historik për luftë të armatosur kundërpushtuese-çlirimtare. Sektori i vecantë dhe krahu i armatosur i LPK-së mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Që nga Jusuf Gërvalla, Bardhoshi, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladroci, Abedin Rexha, Mujë Krasniqi, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Gursel e Bajram Sylejmani, Ismet Jashari, Skënder Çeku, Ilaz Kodra, Bekim Berisha, Gëzim Paçarizi e dhjetëra e dhjetëra emra të shquar kanë qenë anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës.[5] Për nevoja të luftës, më 3 dhjetor 1993, Këshilli i Përgjithshëm i LPK themeloi edhe Fondin “Vendlindja thërret”, me kryetar atdhedashësin e dëshmuar, Jashar Salihun, “një segment tepër i rëndësishëm, pa të cilin as që mund të mendohej organizimi dhe udhëheqja e luftës çlirimtare nga SHP i UÇK”.[6] Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte edhe BETIMIN e saj, që në fakt ishte programi i përbledhur i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: "Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t'i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkelë këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!".[7] Betimi i UÇK-së u bë edhe platformë politike dhe kombëtare e UÇK-së. Konform këtij betimi u organizuan edhe zonat e UÇK-së. Zona e parë ishte Kosova administrative, zona e II ishte në Maqedoninë shqiptare dhe Zona e III ishte në Malin e Zi shqiptar. Nën trysninë e fuqishme diplomatike dhe të formave të tjera Lufta e UÇK-së u kufizua vetëm në Kosovën administrative. Kjo trysni bëri që pak nga pak të tërhiqej në prapaskenë edhe LPK-ja dhe në vend të saj të ngrihej një Drejtori politike e UÇK. Sidoqoftë, drejtuesit politikë, ushtarakë dhe ata të Fondit ishin pa përjashtim anëtarë dhe drejtues të LPK-së. Ajo mbeti fanar udhërrëfyes çlirimtar, fuqidhënëse e të gjitha forcave të mirëfillta atdhetare, të cilat treguan gatishmëri për ta projektuar dhe për ta realizuar lëvizjen e armatosur kundër pushtuesit gjakatar serb. Me emrin e kësaj Lëvizjeje, me emrat shumë të njohur të korifejve të rizgjimit kombëtar, u identifikua brezi i luftëtarëve të lirisë, që u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i bëri realitet shumë nga synimet dhe aspiratat tona historike.[8] Lufta e armatosur në Kosovë ka parahistorinë e saj. Ajo është e lidhur dhe pasojë e përpjekjeve, dhunës, terrorit dhe gjenocidit serb për ta mbajtur Kosovën të pushtuar dhe me sa më pak ose hiç shqiptarë. Hegjemonizmi dhe shovinizmi serb u ringjallë në formën dhe përmbajtjen e tij më të rrezikshme në kohën e Slobodan Milosheviçit, i cili goditi dhe dhunoi edhe ato pak të drejta kulturore, politike e kombëtare që kishin fituar me shumë mund e gjak shqiptarët me kushtetutën e vitit 1974. “Goditja ndaj autonomisë së Kosovës ishte një akt antikushtetues, i cili shpoi tejpërtej zemrën e shtetit jugosllav: parimin e federalizmit. Veprimi serb tronditi federatën nga themelet. Veçanërisht të prekur u ndjenë kroatët dhe sllovenët. Frika, se një ditë prej ditësh edhe ata do të trajtoheshin nga serbët në të njëjtën mënyrë dhe fakti se autoritetet federale nuk i prisnin rrugën hegjemonisë serbe, përkundrazi, e mbështesnin atë, i shtyu kroatët dhe sllovenët të kërkonin pavarësinë. Ja përse mund të thuhet pa ngurrim se në Kosovë Jugosllavia mori goditje vdekjeprurëse”.[9]

 Përballja e madhe shqiptaro-serbe në Kosovë

Qëndresa dhe përpjekjet e armatosura rifilluan me Tahir Mehën në Prekaz në vitin 1981. Pastaj, në janar të vitit 1984, atdhetarët dhe drejtuesit e shquar të Lëvizjes Çlirimtare, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ranë duke luftuar me armë në dorë kundër forcave pushtuese jugosllave. Heroizmi dhe qëndresa e tyre u përsërit edhe nga atdhetarët, veprimtarët dhe drejtuesit e njohur, Afrim Zhitija e Fahri Fazliu, në nëntor të vitit 1989, në Prishtinë. Edhe në vitin 1993 ra me armë në dorë Hasan Ramadani. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, në Konferencën e saj të Dytë, të mbajtur në Prishtinë, më 4 shkurt 1991, kishte formuar sektorin-krahun e saj ushtarak, të cilin në Kosovë e udhëhiqte Xhavit Haziri, ndërsa në Kroaci Fehmi Lladroci. Për këtë qëllim, me lejen e Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia, dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Perikli Teta, ishin organizuar në baza të ndryshme ushtarake edhe stërvitjet për shumë grupe të vogla të shqipatërve atdhetarë dhe të gatshëm për luftë të armatosur çlirimtare.[10] Me ardhjen e Sali Berishës në krye të shtetit shqiptar ndryshoi edhe qëndrimi ndaj Kosovës dhe Lëvizjes së saj çlirimtare. Disa nga udhëheqësit kryesorë do të arrestoheshin nga qeveria e Berishës në kohë të ndryshme: Adem Jashari më 1993, Zahir Pajaziti më 1995 dhe Hashim Thaçi më 1996, kurse “qeveria që u shemb më 1997 bëri po aq pak për luftën ushtarake në Kosovë, sa edhe për shumicën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”.[11] Veprimet e armatosura të LPK-UÇK kishin filluar vite më parë, por UÇK doli hapur para kombit shqiptar dhe para botës mbarë më 28 Nëntor 1997, në kohën kur organizimi, strukturimi dhe forca goditëse e UÇK kishte arritur një shkallë të kënaqshme për rrethanat dhe kushtet në të cilat vepronte. “Serbia është duke i masakruar shqiptarët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e vetmja forcë që lufton për liri dhe bashkim kombëtar në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë”, deklaroi Rexhep Selimi para 20.000 shqiptarëve të mbledhur në varrimin e mësuesit të vrarë, Halit Geci, nga forcat terroriste serbe.[12] Masivizimi i UÇK dhe shpërthimi i Luftës ndodhi menjëherë pas qëndresës dhe luftës së pashembullt të Komandantit, Adem Jasharit dhe Familjes Jashari. Lufta dhe rënia heroike e Ademit dhe Familjes Jashari i dha zemër, i dha forcë dhe preku ndërgjegjien, shpirtin dhe mendjen e çdo shqiptari e të mbarë kombit shqiptar. “Nuk u shua familja jonë. Ne që kemi mbetur jemi në shërbim të atdheut. Nuk ka vdekur asnjë pa paguar veten… Edhe fëmijët na kanë ndihmuar në luftë kundër bishave të tërbuara… Ata që do ta lexojnë letrën, le të kuptojnë se ne do të qëndrojmë këtu të pa nënshtruar…”, shkruanin pjesëtarët e mbetur gjallë nga Familja e Madhe, JASHARI.[13] Lufta e Prekazit ishte kushtrim për mobilizim dhe luftë të përgjithshme kundër pushtuesve serbë. Dhe kështu ndodhi. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është guerilja me rritjen më të shpejtë në botë”, deklaronte Gjenerali Vesli Klark. Menjëherë pas Luftës së Prekazit, numri i atyre që kërkonin dhe shkonin t’i bashkoheshin UÇK-së ishte i papërballueshëm për mundësitë që kishte kjo ushtri. Mungonte armatimi, mungonte veshmbathja, ushqimi dhe çdo gjë tjetër për të gjithë ata shqiptarë që ishin të gatshëm të rroknin armët dhe të luftonin kundër Serbisë. Një mobilizim dhe gatishmëri për luftë si kjo, nuk ishte parë ndonjëherë në këto troje.

Por, fondet dhe paratë që kishte grumbulluar-vjelur nga shqiptarët me mashtrim dhe premtim për luftë, po i mbante të ngujuara “qeveria” e LDK-Bukoshit, e cila fatkeqësisht ato mjete kurrë nuk ia dedikoi luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për luftë kundër Serbisë.[14] Madje, një pjesë e mirë e asaj paraje popullore po përdorej dhe shfrytëzohej për propagandë kundër UÇK dhe Luftës së saj të drejtë çlirimtare. Shumë i angazhuar me konferencat e tij të shtypit dhe me tërë aparatin dhe strukturën e tij kolaboracioniste kundër luftës çlirimtare ishte edhe Ibrahim Rugova, kryetar i LDK, i cili, i bazuar në fuqinë e Serbisë, deklaronte se “Kosova është shteti më i fortë në Evropë”, ndërsa po ky I. Rugova, në intervistën dhënë gazetës gjermane, “Der Spiegel”, më 7 mars 1998, menjëherë pas luftës dhe qëndresës heroike dhe historike të Jasharajve në Prekaz, thoshte: “…Për nga këndvështrimi ushtarak, ne nuk do të kishim kurrfarë shansi, për dy ditë do të mund të na shkatërronin të gjithëve” (e kishte fjalën për forcën ushtarake të Serbisë (vrejtja e autorit të punimit, Xh. B.).[15] Nuk mbeteshin prapa me deklarata, propagandë dhe forma tjera të trysnisë as qendra dhe qarqe të ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare. Madje diplomati amerikan, Gelbard, e kualifikoi UÇK si organizatë terroriste: “Dhuna të cilën po e shohim është tepër e rrezikshme dhe po rritet me shpejtësi të pabesueshme. Ne i dënojmë aksionet e ashpra terroriste në Kosovë. UÇK, jashtë çdo pyetje, është organizatë terroriste”.[16] Të njëjtën gjë në një takim me Gelbardin deklaronte edhe Bujar Bukoshi, i vetëquajtur kryeministër: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një grupacion i njerëzve të frustruar, fshatarëve injorantë, të manipuluar nga fundrrinat e marksizëm-leninizmit dhe të sigurimit të Enver Hoxhës, të cilët me veprimet e tyre terroriste provokojnë policinë serbe”.[17] Ky ishte një sinjal i gjelbërt për Milosheviçin dhe forcat e tij policore dhe ushtarake për një sulm frontal ndaj UÇK dhe popullit shqiptar në Kosovë. “Çdo gjë që është folur për UÇK-në deri më 31 janar 2007, deklaronte Jashar Salihu, edhe mund të arsyetohet. Por, që nga 31 janari e tutje, ai që akuzon UÇK-në, ai këtë e bënë për dy arsye: ose është idiot, ose është tradhtar”.[18] Kjo mbase ishte edhe rruga që duhej ndjekur zhvillimi i ngjarjeve për të arritur deri te Konferenca e Rambujes dhe ndërhyrja e NATO-së. Ndoshta kjo ishte edhe prova që duhej ta kalonin dy forcat armike në Kosovë: Serbia me tërë aparatin e saj pushtues-terrorist, nga njëra anë, dhe UÇK e përkrahur nga kombi shqiptar, nga ana tjetër. Mundja e UÇK-së nga forcat serbe do të thoshte vazhdim i robërisë, shpërnguljes, spastrimit etnik, terrorit dhe gjenocidit serb në Kosovë. Ky ishte edhe qëllimi i ofensivës së madhe serbe (për ta vendimtare) në gusht të vitit 1998. Ishte një përpjekje dhe luftë tepër e pabarabartë. Makineria pushtuese nuk kursente askend dhe asgjë në Kosovë. Vriste dhe masakronte cilindo shqiptarë që kapte të gjallë. Për forcat serbe, policore, ushtarake e paraushtarake (të gjitha një qendër komanduese kishin), nuk kishte rëndësi as mosha dhe as gjinia e shqiptarëve. Të gjithë duheshin vrarë, masakruar dhe dëbuar nga Kosova. Kështu i thoshte hapur dhe pa ekuivoke kryetari i Serbisë, Miloshevici, Gjeneralit Vesli Klark në njërin nga tri takimet që patën në Beograd. “Ne e dimë si ta kryejmë punën me vrasësit shqiptarë, i thoshte Milosheviçi -Klarkut. Ne këtë e kemi bërë edhe më parë në Drenicë në vitin 1946. Si e keni bërë-zgjidhur atë, e pyet Klarku. I kemi vrarë që të gjithë. Na kanë marrë disa vite, por i kemi vrarë të gjithë”, ishte përgjigjur kryeterroristi serb, Milosheviçi.[19] Shtëpitë, banesat, bagtitë dhe e gjithë pasuria e mundshme e shqiptarëve ishte vënë në shënjestër të zjarrit të topave (artilerisë), tankeve, helikopterëve dhe avionëve serbë. Kudo shtëpi, fshatra dhe qytete që digjeshin flakë, kudo vdekje, shkatërrim, masakra dhe vrasje masive nga forcat serbe. Mësymja e forcave serbe, edhe sipas Gjeneralit Vesli Klark, kishte objektiva të përcaktuara qartë: “Asnjë shqiptar të gjallë në Kosovë. Pasuria e tyre të grabitet dhe të digjet flakë”. [20] Forcat e UÇK-së luftonin dhe tërhiqeshin për t’u riorganizuar më mirë në përballjen e vazhdueshme me barbarinë serbe. Luftën dhe përballjen e tyre e bënte më të vështirë detyra e rëndë për ta mbrojtur popullsinë civile, të paarmatosur, e cila ndiqej këmba-këmbës, vritej dhe masakrohej pa mëshirë nga serbët. Përgjegjësia e lartë dhe gatishmëria e secilit ushtar të UÇK-së pamundësoi që krimi të jetë edhe më i rëndë për banorët e fshatit Recak, gjë që e vërteton kulmimin me heroizmin e Komandantit të Brigadës 161, Ahmet Kaqikut dhe dëshmorëve të tjerë të UÇK-së, që ranë për të mos vdekur kurrë, duke mbrojtur popullsinë dhe viktimat e masakruara.[21] Gjeneralët e Milosheviçit, të ekzaltuar nga veprimet e tyre kriminale, shpallën se UÇK ishte zhdukur nga Kosova dhe se Serbia kishte fituar plotësisht mbi shqiptarët. Pa kaluar muaji, deklaratat e tyre i çmantuan brigadat e UÇK-së që po krijoheshin dhe shfaqeshin më të fuqishme, më të organizuara dhe më të përgatitura se më parë për luftë të pakompromis kundër Serbisë. “Megjithëse Milosheviçi ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, shkruante Presidenti Klinton në gazetën “Nju Jork Tajms, ai nuk ka mundur të eliminojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës. Ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen për t’u shpëtuar goditjeve ajrore”.[22] Lufta e UÇK-së dhe veprimet e saj të bashkërenduara, përkrahja mbarëkombëtare që po i jepej asaj dhe popullit të Kosovës, simpatia që po fitonte kjo luftë në botën e qytetëruar dhe demokratike dhe posaçërisht mbështetja e hapur e SHBA-së pas ofansivës serbe, e shtyu botën-Grupin e Kontaktit-të mendonte dhe të vepronte më seriozisht se deri atëherë për Kosovën. Në një takim që përfaqëuesi i BE, Volfgang Petrich, pati në Banjë të Malishevës me dy përfaqësuesë dhe anëtarë të SHP të UÇK, H. Thaçin dhe F. Limajn, deklaroi se “për Kosovën tani do të vendosë UÇK-ja, Bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia”.[23] Para tij me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK ishte takuar edhe i dërguari amerikan, Shon Bërnsi. Këto ardhje të përfaqësuesve ndërkombëtarë në malet e Kosovës për t’u takuar me përfaqësuesit dhe komandantët e UÇK-së, ishin dëshmi e forcës, e rolit dhe e peshës që UÇK-ja dhe lufta e popullit shqiptar kishte tash e tutje në përcaktimin e fatit të Kosovës. Vendimtar për organizimin dhe thirrjen e Konferencës së Rambujesë ishte fakti se Lufta e UÇK-së po merrte përmasa mbarëshqiptare. Edhe më e rrezikshme bëhej mundësia (domosdoshmëria) e hyrjes së shtetit shqiptar në luftë (qoftë edhe joformalisht dhe pa dëshirën e një pjese të politikanëve të Tiranës). Kështu me një shpejtësi marramendëse Lufta e UÇK-së do të shndërrohej në një luftë mbarëshqiptare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë (ky ishte edhe Betimi i UÇK-së), në një luftë ballkanike e më tej. “Çdo vonesë nga faktori ndërkombëtar, thuhej në komunikatën nr 52 të UÇK-së, domethënë më shumë viktima, gjak, djegie, shkatërrime dhe zgjerim konflikti ndërballkanik, pasojat e të cilit do të jenë të paparashikueshme për paqen dhe vlerat e civilizimit demokratik botëror”.[24] Këtu edhe duhet kërkuar arsyeja thelbësore e kësaj Konference dhe e efekteve të prodhuara prej saj. Serbia nuk mundi ta thyente dhe ta shkatërronte UÇK-në, e cila tashmë ishte bërë forcë reale e pakapërcyeshme ushtarake, politike dhe diplomatike, dhe luftën e kombit shqiptar për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Lufta në Kosovë nuk mund të izolohej dhe të mbahej vetëm brenda kufijve të Kosovës. “Zgjidhja”, sipas Fuqive të Mëdha (Grupit të Kontaktit), të cilat nuk ishin të përgatitura për një zgjidhje të plotë të çështjes shqiptare, ishte thirrja e një Konference Ndërkombëtare si ajo e Kemp Dejvidit dhe e Dejtonit. Por, “shqiptarët nuk do të pajtoheshin me rikthimin e autonomisë që kishin gëzuar midis viteve 1974 -1987, sepse bashkësia ndërkombëtare do ta konsideronte të zgjidhur çështjen e Kosovës”.[25]

Konferenca e Rambujesë

Konferenca e Rambujes, që përfundoi me një marrëveshje të propozuar nga Grupi i Kontaktit, por që nuk u pranua (nënshkrua) nga delegacioni i Serbisë, ishte konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën dhe çështjen e saj. Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën u mbajt në një qytet të vogël të Francës, në Rambuje. Hapja e kësaj Konference ishte paraparë të bëhej më 5 shkurt 1999, por Serbia dhe forcat e saj pushtuese në Kosovë penguan nisjen e delegacionit të UÇK-së nga aeroporti i Prishtinës. Përgatitjet, takimet dhe bisedimet për organizimin e një konference ndërkombëtare ishin bërë kryesisht nga përfaqësuesit diplomatik të SHBA-së nën drejtimin e Ambasadorit amerikan në Shkup, Kristofer Hill. Në këto përgatitje ishte përfshirë edhe Grupi i Kontaktit, i cili po bënte përpjekje për përafrimin e dallimeve, pikëpamjeve dhe interesave të ndryshme karshi çështjes së Kosovës dhe rajonit të Ilirisë-Ballkanit. Më 29 janar Grupi i Kontaktit kishte bërë edhe një deklaratë me të cilën i quante “fajtorë për përshkallëzimin e dhunës si forcat serbe të sigurimit ashtu edhe UÇK-në dhe shprehte keqardhjen për dështimin e të dy palëve për të arritur një zgjidhje politike”.[26] Shqiptarëve, sidomos drejtuesve politikë dhe ushtarakë të UÇKsë, iu ofrua edhe një projekt-dokument me pjesën e negociueshme dhe me atë të panegociueshme. Ky propozim-dokument shkaktoi edhe reagime dhe debate të ndryshme. Pati nga ata që ishin për shkuarje në Konferencë, por kishte edhe nga ata që ishin kundër shkuarjes dhe pjesëmarrjes në një Konferencë, ku deri në një shkallë të papranueshme ishte paracaktuar rezultati. “Megjithatë, dominoi qëndrimi dhe logjika racionale pro organizimit dhe shkuarjes në një konferencë të tillë, që padyshim do të rriste peshën e faktorizimit të Kosovës dhe të faktorit të saj boshtor, Ushtrisë Çlirimtare, që me këtë pjesëmarrje në konferencë ajo po legjitimohej ndërkombëtarisht si ushtri dhe si luftë e mirëfilltë çlirimtare”.[27] Të papranueshme për shqiptarët ishin sidomos dhjetë pikat e panegociueshme të Grupit të Kontaktit. Kjo mbase ishte edhe arsyeja kryesore pse simboli i qëndresës shqiptare dhe njëri nga përfaqësuesit e njohur të UÇK-së, Adem Demaçi, ishte kundër Konferencës së Rambujesë. E papranueshme për Adem Demaçin ishte sidomos pika e pestë e këtij dokumenti. Megjithatë, siç thotë diplomati i njohur amerikan, Henri Kisinxher: “Paqja, stabiliteti, progresi dhe liria duhet të kërkohen në një udhëtim që nuk ka fund”.[28] Ja cilat ishin dhjetë pikat kornizë të marrëveshjes:

1. Domosdoshmëria e ndërprerjes së menjëhershme të dhunës dhe respektimi i armëpushimit.

2. Zgjidhja paqësore përmes dialogut.

3. Marrëveshja kalimtare: një mekanizëm për zgjidhjen përfundimtare pas periudhës kalimtare tri vjeçare.

4. Mosndryshimi unilateral i statusit kalimtar.

5. Integriteti territorial RFJ dhe vendeve fqinje.

6. Mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive nacionale (ruajtja e identitetit, e gjuhës dhe arsimimit: mbrojtje e veçantë e institucioneve të tyre religjioze).

7. Zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë (vendore dhe qendërore) nën mbikëqyrjen e OSBE-së.

8. Asnjëra palë nuk do të ndjekë penalisht dikend për krime që lidhen me konfliktin e Kosovës (përveç krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera serioze të të drejtës ndërkombëtare).

9. Amnestia dhe lirimi i të burgosurëve politik.

10. Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i plotë i të gjitha palëve për zbatimin e marrëveshjes.

Pas një debati dhe këshillimi me strukturën politiko-ushtarake dhe me miqtë ndërkombëtarë, drejtuesit e UÇK-së vendosën të marrin pjesë në këtë Konferencë Ndërkombëtare. Të tjerët, sidomos LDK, ishte pajtuar që në fillim, por pa UÇK-në, nuk mund të mbahej Konferenca, s’kishte asnjë vlerë, sepse palë në luftë me Serbinë pushtuese, ishte UÇK-ja. Sidomos Serbia ishte shumë e interesuar dhe e angazhuar për një Konferencë pa pjesëmarrjen e UÇK-sè. Jashar Salihu, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Kryetar i Fondit “Vendlindja thërret”, me të drejtë deklaronte ato ditë: "Në qoftë se delegacioni i UÇK-së nuk lejohet të niset, bisedimet kanë marrë fund. Ne kemi kundërshtuar propozimin e tyre për të formuar një delegacion të ri dhe, në qoftë se Grupi i Kontaktit nuk mund ta pranojë delegacionin tonë dhe të garantojë jetën e tyre, atëherë nuk do të ketë më bisedime".[29] Kryetari i delegacionit të Serbisë thoshte se “vendi i vrasësve dhe i rrëmbyesëve është në burg e jo në tavolinën e bisedimeve”. Këtyre ideve serbe, Volfgang Petriç, njëri nga tre negociatorët kryesor, iu përgjigj me ironi therëse: "Do të doja vërtet të dëgjoja prej tij, Markoviçit, se si e parashikon një zgjidhje të vërtetë për Kosovën pa UÇK-në".[30]

Për qëllime të paracaktuara dhe që ishin në përputhje me propozim-marrëveshjen dhe me qëllimin themelor të Konferencës së Rambujes, në delegacionin e Kosovës, pas delegacionit të UÇK (katër anëtarë), ishte radhitur edhe delegacioni i LDK (4 anëtarë), pastaj ai i LBD (4 anëtarë), që ishte krah dhe mbështetës i Luftës Çlirimtare dhe dy anëtarë të “pavarur”. Pas përpjekjeve të shumëta të përfaqësuesëve ndërkombëtar, sidomos të Shon Bërnsit, delegacioni i UÇK-së me armët e brezit u paraqit në aeroportin e Prishtinës dhe para hundës së pushtuesve hyri në aeroplan për të shkuar në Rambuje. Rreth orës 18 delegacioni i Kosovës hyri në Kështjellën e Rambujesë ku ishte paraparë mbajtja e Konferencës. Mijëra mërgimtarë ishin mbledhur dhe po manifestonin para Kështjellës në përkrahje të delegacionit të Kosovës dhe kundër terrorit dhe gjenocidit serb në Kosovë. “Qyteti i vogël i Rambouillet gëlon nga shqiptarët. Kanë ardhur me mijëra nga gjithë bota, me makina, me avionë, me trena dhe natyrisht me këmbë, si në kohërat rapsodike. Kanë mbushur hotelet e tani mbushin birraritë e kafenetë. Janë të shtyrë pa dyshim nga shqetësimi për kombin e tyre. Disa kanë lënë punët në Nju-Jork, në Toronto a në vendet skandinave, për të qenë aty pranë kështjellës mesjetare ku vendoset fati i Kosovës”.[31] Roli, anagzhimi dhe mbështetja e mërgatës shqiptare për organizimin dhe drejtimin politik e ushtarak të Luftës Çlirimtare (UÇK-së) herë-herë ishte vendimtare. Mbijetesa dhe qëndresa e Kosovës dhe e popullit shqiptar të kësaj krahine, sidomos në kohën e represionit dhe të gjenocidit milosheviçian, ishte e lidhur ngushtë, përveç me shtetin shqiptar, edhe me mërgatën shqiptare. Për rolin, rëndësinë dhe peshën që ka mbajtur mërgata shqiptare për çlirimin e Kosovës do të duhej një punim i veçantë.

Bisedimet në kështjellën e Rambujesë ishin të vështira për delegacionin e Kosovës. Delegacioni i Serbisë ishte i interesuar për një zgjidhje që garantonte tërësinë tokësore të Serbisë-Jugosllavisë. Sipas Ambasadorit të Austrisë, Volfgang Petrich, delegacioni serb ishte vërtetë aktiv dhe ka kontribuar në mënyrë të ndjeshme në arritjen e kompromisit për sistemin e ardhshëm politik dhe ligjor në Kosovë. Pas dy javë bisedimesh, në bazë të një kuadri të përcaktuar nga Grupi i Kontaktit-i përbërë nga SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Rusia-Ratko Markoviç, një prej drejtuesve të ekipit serb, i ka dërguar një letër treshes së diplomatëve duke lënë të kuptohej se Serbia pranonte në parim një marrëveshje e cila u ofronte shqiptarëve "një nivel të gjerë autonomie. Në këtë letër shprehej dëshira për të diskutuar edhe njëherë për karakterin e pranisë ndërkombëtare.[32] Kjo edhe mund të jetë e vërtetë. Delegacioni serb, i cili “komandohej” nga Milosheviçi, ishte aktiv dhe angazhohej për një zgjidhje që nuk e pranonin shqiptarët, sepse shqiptarët po luftonin për çlirim dhe shkëputje të plotë nga pushtuesit serbë dhe Serbia.

Një çështje me rëndësi dhe peshë të veçantë ishte edhe çarmatosja (demilitarizimi) e UÇK-së. Serbia nuk kishte mundur ta thyente dhe çarmatoste  UÇK-në  dhe popullin shqiptar. Prandaj, me marrëveshje kërkohej prania e një force ushtarake ndërkombëtare, e cila do të garantonte paqen, duke çarmatosur UÇK-në dhe duke mbikëqyrur forcat ushtarako-policore serbo-jugosllave. Demilitarizimi i UÇK-së për shqiptarët ishte i papranueshëm, sepse ajo ishte e vetmja forcë që garantonte çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Serbinë e kishte detyruar të vinte në Rambuje lufta çlirimtare e popullit shqiptar dhe trysnia ndërkombëtare, por ajo nuk ishte e interesuar për një zgjidhje të drejtë paqësore sepse Serbia shoviniste e Milosheviçit akoma ëndërronte për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Ajo besonte se Rusia, Franca, Italia e Kina nuk do të lejonin dhe miratonin ndërhyrjen ushtarake të NATO-së në Kosovë. Qëllimet dhe përpjekjet e këtyre shteteve për ta “shpëtuar” Serbinë i dëshmon në librin e tij edhe Xhejms Rubini, sekretar i Sekretares së shtetit, Medlin Ollbrajt, i cili tregon fare hapur: “Gjatë Rambujesë francezët dhe italianët kanë dashur që t’i pengojnë përpjekjet e administratës amerikane për ta njësuar NATO-n kundër regjimit të Beogradit. …Edhe më keq po dështonte uniteti i evropianëve. Italianët tani po bashkëpunonin me serbët për të përfunduar konferenca sipas dëshirës së Beogradit… Opinioni publik italian vazhdimisht ka qenë armiqësor kundrejt planeve të NATO-së për ndërhyrje me forcë kundër fqinjve serbë… Ministri jashtëm italian, Lamberto Dini, përpiqej t’i përçante njerëzit… Pas disa orësh kuptuam se ai i kishte treguar projekt-dokumentet presidentit serb, Milan Milutinoviç. Në një çast ai u kthye me sugjerimin që të hidhnim poshtë kërkesën tonë që trupat e NATO-së të zbatojnë marrëveshjen. Më në fund Ollbrajt i tha: Lamberto, kjo gjë nuk bënë fare. E tërë kjo që po bëjmë është që t’i detyrojmë serbët të pranojnë forcat e NATO-s. Në të njëjtën kohë, për arsye akoma misterioze, francezët sabotonin përpjekjet tona për të marrë miratimin e shqiptarëve. Ata penguan ardhjen e Gjeneralit Klark në Rambuje…”.[33]

Bisedimet e vështira të Rambujesë

Autonomia që ofronte projekt-marrëveshja e Rambujesë (e cila përbëhej nga dy pjesë: Pjesa e parë ishte politike dhe pjesa e dytë ishte siguria ose instrumentet e detyrimit) për Kosovën brenda Republikës Federative të Jugosllavisë dhe prania ushtarake e NATO-së në Kosovë për Serbinë ishte tërësisht e papranueshme. Sidomos, shtojca B, e cila u jepte trupave të NATO-s, automjeteve, anijeve dhe aeroplanëve të tyre, kalim të lirë dhe të pakufizuar në të gjithë republikën e Jugosllavisë, përfshirë hapësirat ajrore shoqëruese dhe ujërat territoriale, ishte e papranueshme për Serbinë. Kjo, sipas Beogradit, ishte një përpjekje e NATO-s për ta pushtuar gjithë Serbinë dhe kështu përbënte njërën nga arsyet madhore për të mos e nënshkruar marrëveshjen. Por, edhe delegacioni i Kosovës, posaçërisht përfaqësuesit e UÇK-së, e kishin tepër të vështirë të pranonin një marrëveshje që nuk parashikonte dhe garantonte pavarësinë e Kosovës nga Jugo-Serbia. “Për kosovarët nënshkrimi ishte i vështirë. Ata duhet të hiqnin dorë nga kërkesa të cilën që nga fillimi i viteve ‘90 e quanin conditio sine qua non për zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës, nga pavarësia e Kosovës”. Marrëveshja konfirmonte dhe rikonfirmonte ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit të RFJ-së. Sipas Blerim Shalës (anëtar i pavarur i delegacionit), NATO duhej të stacionohej në Kosovë. Kjo ishte aksiomë e padiskutueshme. “Këtu edhe atëherë edhe tani, ne mund të spekulojmë dhe analizojmë sa të duam, pse ky ishte interes strategjik amerikan. Por, edhe atëherë e edhe tani e dimë që ardhja e NATO-s në Kosovë ishte interes jetik i shqiptarëve. Nëse pra prania e forcave serbe në Kosovë ishte qëndrim i forcave që u sillnin dhunë dhe vdekje shqiptarëve, ardhja e ushtarëve të NATO-s kishte domethënien e garantimit të jetës dhe të rendit në Kosovë. Por, NATO nuk mund të vinte në Kosovë pa pranimin, nga ana jonë, të Planit të Grupit të Kontaktit, i cili në kaptinën ushtarake, e cila definonte ardhjen dhe qëndrimin e trupave të Paktit NATO, ishte i padiskutueshëm. Ky fakt i ishte përsëritur disa herë delegacionit tonë dhe atij serb, për të evituar keqkuptimet eventuale. Kosova do të duhej të vetqeverisej nga kosovarët, pa ndërruar rrënjësisht strukturën e shtetit të përbashkët serbo-malazez apo, thënë më troç, Kosova në fazën kalimtare do të mbetej nën sovranitetin e RFJ-së. Thënë figurativisht, ky koncept nënkuptonte nxerrjen e Serbisë jashtë Kosovës, por jo nxerrjen e Kosovës jashtë RFJ-së”.[34] Me këtë Marrëveshje pakicave kombëtare dhe etnike (bashkësive nacionale, siç quhen aty) u garantoheshin të drejta shtesë, ndërsa pakica serbe (5%) barazohej me popullin shqiptar, që përbënte shumicën absolute, mbi 90%. Pak a shumë, në thelb, kështu mendonte zgjidhjen edhe “opozitari” i Milosheviçit, Zoran Gjinxhiç: “Zgjidhja e vetme, e cila do t’i mbronte interesat e serbëve në Kosovë është kantonizimi etnik, sepse, në të kundërtën, nga 10 policë, 9 do të ishin shqiptarë, nga 10 gjyqtarë, 9 do të ishin shqiptarë. Ndërsa kantonizimi nënkupton se kantoneve do t’u jepet çdo gjë që është paraparë në marrëveshjen Holbruk – Milosheviç”.[35] Statusi kalimtar tre vjeçar nuk garantonte se Kosova do të bëhej e pavarur, do të shkëputej plotësisht nga Serbia. Këtu qëndronte edhe vendosmëria për të mos e pranuar marrëveshjen përfaqësuesit e UÇK-Kosovës.

Konferenca ishte në prag të dështimit. Për ta shpëtuar erdhi nga Uashingtoni Sekretarja e shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila u përpoq ta bindë delegacionin e Kosovës që të pranonte marrëveshjen. Përfaqësuesit e UÇK-së kërkonin që në Marrëveshje të përfshihej dhe garantohej e drejta për referendum pas tri vjetësh me të cilin do të shprehej vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi. Grupi i Kontaktit, bashkëdrejtuesit e Konferencës, Kuku e Vedrini, dhe kryenegociatorët: Hill (SHBA), Petritch (BE) dhe Majorski (Rusi) ishin shqetësuar tejmase nga frika e dështimit të Konferencës, e cila në këto rrethana u shty edhe tri ditë të tjera. Nënshkrimi i Marrëveshjes nga delegacioni i Kosovës dhe mosnënshkrimi i saj nga ana e Serbisë i hapte rrugë bombardimeve të NATO-s. Këtë në njëfarë mënyre dhe gati hapur ua thoshin shqiptarëve diplomatët amerikanë. Edhe pse ishte gati e sigurtë se Beogradi nuk do ta nënshkruante Marrëveshjen, delegacioni i Kosovës duhej ta kishte parasysh edhe mundësinë e nëshkrimit nga ana e Serbisë. Më 23 shkurt ishte gati edhe versioni përfundimtar i Marrëveshjes, të cilën delegacioni i Kosovës garantoi (me shkrim) se do ta nënshkruante pas dy-tri javë diskutimesh dhe këshillimesh me strukturën e UÇK dhe me popullin e Kosovës. Edhe Qeveria shqiptare ishte për nënshkrimin e marrëveshjes. “Marrëveshja në tërësinë e saj është pozitive, hapë një proces, i cili do të ketë të ardhmen e vet. Duke qenë se Kosovës i jep një autonomi të gjerë, brenda së cilës do të ketë institucionet e veta dhe në fund të periudhës tranzitore do të ketë dhe një tjetër konferencë ndërkombëtare, ku do të diskutohet për statusin final të Kosovës, mendoj që ky takim dhe kjo marrëveshje janë pozitive dhe duhen mbështetur”.[36]

Shqiptarët, forcat çlirimtare, u gjendën përpara një mëdyshjeje të madhe. Në qoftë se nuk e pranonin marrëveshjen, atëherë lufta do të vazhdonte, ata do të humbnin mbështetjen ndërkombëtare dhe po kështu mund të humbnin një mundësi historike për të filluar një proces i cili, në fund, mund (ose jo) të çonte drejt pavarësisë. Gjithashtu, atyre iu tha se vendet perëndimore, pavarësisht nëse do të mund ta bënin vërtet një gjë të tillë apo jo, do të merrnin masa të fuqishme për t'i zënë frymën financimit të UÇK-së nga diaspora dhe se forca nga vendet e NATO-s mund të vendoseshin në kufirin shqiptaro-shqiptar për t'i prerë rrugën furnizimit me armë. Përveç kësaj, mbi kokat e tyre qëndronte si shpata e Demokleut edhe kërcënimi se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, mund ta shpallnin UÇK-në grup terrorist. Megjithatë, edhe në këtë situatë, përfaqësuesit dhe drejtuesit politikë të UÇK-së nuk u luhatën në përcaktimin e tyre për luftë çlirimtare deri në fitore. Këto qëndrime u bënë edhe publike përmes deklaratave dhe konferencave me gazetarë. Kombi shqiptar ishte i gatshëm për një luftë për jetë a vdekje me Serbinë. Sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila dha një ndihmesë të veçantë për Kosovën dhe luftën e saj të drejtë, me t’u kthyer në Uashington, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan deklaroi: “Kosova përbën një provë kritike për NATO-n dhe institucionet tjera në të cilat SHBA kanë interesa jetësore. Në rast se ne nuk këmbëngulim në vendosmërinë tonë, ne do të dobësojmë këto institucione në të cilat ne mbështetemi jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë kontinentin evropian. Kjo është një dobësi të cilën ne nuk mund ta lejojmë. SHBA-të janë të interesuara që gjendja në Kosovë të zgjidhet në një mënyrë që të nxitë tolerancën dhe parimet demokratike. Nuk ekziston asnjë mundësi që shqiptarët të nënshkruajnë marrëveshjen pa pjesëmarrjen e SHBA-së në forcën ushtarake për zbatimin e saj. Në Rambuje nuk u arrit ajo që u shpresua, megjithëse Rambujeja nuk ishte fundi i përpjekjeve! Populli i Kosovës meriton të jetojë në demokraci e paqe, që shqiptarëve t’u respektohen të drejtat dhe prejardhja”.[37] Marrëveshja e Rambujesë u nënshkrua më 18 mars 1999 në Paris nga pala shqiptare dhe ajo ndërkombëtare, por nuk u nënshkrua (për fatin e Kosovës) nga pala serbe.

E vetmja çështje e rëndësishme kishte mbetur koha se kur do të hidhej bomba e parë. “Ishte mbyllur një periudhë e gjatë e historisë së Kosovës dhe, kur nisi bombardimi më 24 mars, u hap një epokë e re, e cila është një histori tjetër”.[38] Kështu, Konferenca e Rambujesë hapi rrugën e bombardimeve të NATO-s, të cilat shpejtuan kapitullimin e Serbisë (Jugosllavisë së Serbisë) dhe krijuan kushtet e domosdoshme për zgjidhjen paqësore dhe me negociata të statusit të ardhshëm të Kosovës. Ky ishte edhe një shembull i shkëlqyer dhe unik (deri atëherë) i bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet forcave dhe luftës së UÇK-së në tokë dhe forcave dhe luftës ajrore të NATO-s. “Sa i përket UÇK-së, deklaronte Ministri i jashtëm shqiptar, Paskal Milo, të gjithë shqiptarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm, që falë atyre djemve trima, patriotë, çështja e Kosovës erdhi dhe u bë një çështje urgjente ndërkombëtare. UÇK-ja ishte fermenti, që çoi dhe po çon në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Pa UÇK-në Kosova do të vazhdonte ende të vërtitej në vorbullën e diplomacisë boshe, të një diplomacie joefektive, që do të kënaqej me deklarata dhe jo me veprim konkret diplomatik që synon zgjidhjen reale afatgjate të çështjes së Kosovës”.[39]

Marrëveshja e Kumanovës

Mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e Serbisë tregonte se Serbia po kërkonte vazhdimin e luftës me shqiptarët. Kryetari i SHBA, Klinton, dërgoi diplomatin e njohur, Richard Holbruk, edhe njëherë në Beograd (më 21 mars 1999) për ta bindur Milosheviçin që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë. Por çdo përpjekje për ta bindur Milosheviçin me fjalë ishte e kot. Vazhdimi i luftës dhe zgjerimi i saj në një luftë të përgjithshme shqiptaro-serbe ishte me rreziqe të paparashikuara për rajonin e Ilirisë dhe, mbase, për vetë Evropën. Fuqitë e Mëdha nuk ishin të gatshme për sfida të tilla. Raporti i forcave në botë (marrëdhëniet midis fuqive të mëdha) diktonte nevojën e përfundimit të luftës në Kosovë dhe shmangien e rrezikut të zgjerimit të saj jashtë kufijve administrativ të Kosovës. “Në qoftëse konflikti vazhdon, ka shumë të ngjarë të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme në jetë njerëzish, por edhe një krizë për shkak të dyndjeve masive të refugjatëve në qendër të Evropës. Ekziston një rrezik serioz që armiqësitë të shpërndahen në demokracitë e reja fqinje, në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe të rindizet konflikti në Bosnjë, për të cilin ne punuam aq shumë për ta ndalur. Ai mund të përfshijë madje edhe aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë. Në qoftë se do të presim që viktimat të shtohen dhe lufta të përhapet, çdo përpjekje për ta ndalur atë, do të kërkojë një çmim tepër të lartë në kushte edhe më të rrezikshme. Koha për ta ndalur luftën është pikërisht tani”.[40] Ky edhe ishte, përveç arsyeve dhe interesave të tjera afatgjata, shkaku themelor i ndërhyrjes së NATO-s për përfundimin e luftës në Kosovë dhe për Kosovën.

Bombardimet e NATO-s filluan më 24 mars 1999. Ato filluan dhe vazhduan pa miratimin e OKB-Këshillit të Sigurimit, sepse Rusia dhe Kina kishin paralajmëruar se do të përdornin veton në këtë çështje. Pati edhe disa vende anëtare të NATO-s që u luhatën dhe nuk e bënin shumë me dëshirë bombardimin e Serbisë. Madje Greqia nuk lejoi, edhe pse anëtare e NATO-s, përdorimin e hapësirës ajrore dhe të aeroporteve të saj për bombardimin e Serbisë. Bombardimi i forcave serbe dhe i Serbisë zgjati 73 ditë. Terrori, masakrat, gjenocidi dhe holokausti serb ndaj shqiptarëve u thellua më tej gjatë kohës së bombardimeve. Por, lufta e UÇK dhe qëndresa e popullit shqiptar, edhe në këto kushte dhe rrethana, u ridëshmua se është e pathyeshme. Gjenerali Wesli Klark, në librin e tij “Waging Modern War”, f. 330, shkruan: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK-ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit… Ne e vumë re se UÇK – ja mbante të hapur një korridor të vogël në veri të Shqipërisë përmes fshatit Koshare. Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK-ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, përmes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim nga ajri.” Ndërsa në vitin 2003, si dëshmitar në gjyqin kundër Millosheviçit, në Hagë, Klark deklaroi: “Në Kosovë, Serbia ka pasur një përdorim të tepruar të forcës si nga policia ashtu edhe nga ushtria dhe kjo e ka rritur motivacionin e popullatës për të rezistuar”.[41]

Forcat serbe të tërbuara nga humbjet që u shkaktonin forcat e UÇK-së në tokë dhe ato të NATO-s nga ajri, hakmerreshin ndaj popullsisë së paarmatosur. Mijëra qytetarë, gra, fëmijë, burra e pleq të paarmatosur vriteshin, masakroheshin, dhunoheshin e digjeshin të gjallë. Kufomat e të masakruarve digjeshin në furrat e shkritoreve të Serbisë. Gjenocid dhe holokaust i përmasave nazifashiste. Sipas humanistes së njohur serbe, Natasha Kandiç, “në bazë të dhënave që Fondi për të Drejtën Humanitare ka pranuar deri tani, nga ana e disa burimeve të pavarura, djegia e trupave në fabrikën “Maçkatica” është bërë në dy etapa, më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, pas mesnatës, nën mbikëqyrjen e “Beretave të kuqe”, të cilat atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” - afër Vranjës. Komandanti i atëhershëm i “Beretave të kuqe”, Milorad Legija, sipas burimeve në fjalë, kishte marrë pjesë, personalisht, në përcjelljen e një transporti deri në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë i pranishëm me rastin e djegies së tyre. Trupat qenë djegur në “shkritoret e hapura” nr. 4 dhe 5. Pranimin dhe organizimin e djegies së kufomave e kanë bërë: 1. Zoran Stoshiqi, i cili atëherë ishte kryeshef i sigurimit shtetëror për rrethin e Pçinjës; 2. Bratisllav Milenkoviqi, shef i BIA-s për Vlladiçin Han dhe Surdulicë; 3. Dragan Stankoviqi, kryeshef i SUP-it në Surdulicë që nga viti 1993; 4. Mirosllav Antiqi, kryeshef i BIA-s në Vranjë; 5. Dragan Llakiçeviqi, drejtor i “Maçkaticës” dhe zëvendësi i tij dhe 6. Aca Gjorgjeviqi”. [42]

Marrëveshja e Kumanovës ishte rezultat i kapitullimit të Serbisë në përballje me forcat e UÇKsë dhe nga bombardimet e NATO-s. Më 9 qershor 1999 Slobodan Milosheviçi dhe gjeneralët e tij gjakatarë pranuan kapitullimin pa kushte. Marrëveshja tekniko-ushtarake u nënshkrua në Kumanovë nga Gjeneral lejtnant, Majk Xhekson, për NATO dhe nga gje. Kol., Svetozar Marjanoviç, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave dhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, gjen. Lejtnat, Obrad Stefanoviç. Marrëveshja parashikonte tërheqjen e plotë të të gjitha forcave ushtarake e policore të Serbisë-Jugosllavisë nga Kosova. Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës i kishte paraprirë dokumenti që Kryetari Ahtisari i kishte dorëzuar kryetarit të Serbisë, Milosheviçi në Beograd. Ky dokument ishte miratuar nga Kuvendi i Serbisë dhe nga qeveria e RFJ më 3 qershor 1999. Sipas kësaj marrëveshjeje nga Kosova duhet të largoheshin të gjitha forcat e RFJ-së. Në pikën 3, nënpika c të kësaj marrëveshjeje thuhej shprehimisht: “Forcat e RFJ” përfshijnë të gjithë personelin dhe organizatat e RFJ dhe të Republikës së Serbisë me aftësi ushtarake. Kjo përfshin forcat ushtarake dhe detare, grupet e armatosura civile, grupet asociative paramilitare, forcat ajrore, gardat kombëtare, policinë kufitare, rezervat ushtarake, policinë ushtarake, shërbimet e inteligjencës, Ministrinë federale dhe serbe të punëve të brendshme, policinë lokale, speciale, atë kundër trazirave dhe antiterrorist dhe çfarëdo grupi apo individi tjetër, që përcaktohet nga komandanti i forcave ndërkombëtare të sigurimit (KFOR).[43] Marrëveshja e Kumanovës i hapi rrugë miratimit të Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit i OKB dhe pezullimit të bombardimeve të NATO-s.

Rezoluta 1244 dhe Kosova nën administrimin-sundimin e UNMIK-ut

Rezoluta 1244 u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB në mbledhjen e tij të 4011-të, më 10 qershor 1999. OKB kishte miratuar edhe disa rezoluta para kësaj për gjendjen në Kosovë: Rezoluta 1160 e datës 31 mars 1998, 1199 e datës 23 shtator 1998, 1203 e datës 24 tetor 1998 dhe rezolutën 1239 të datës 14 maj 1999, por Serbia-RFJ asnjërën prej tyre nuk e kishte respektuar. Rezoluta 1244 ishte me fat, sepse respektimin e saj e garantonin bombardimet 73 ditëshe të NATO-s, Marrëveshja e Kumanovës dhe vendosja e forcave të NATO-s (KFOR) në Kosovë.[44] Kjo Rezolutë i dha rol të rëndësishëm OKB-së në Kosovë, duke vendosur edhe administratën e saj, UNMIK. Kryetari amerikan, Klinton, deklaronte se duke vepruar në këtë mënyrë ne ndihmuam në mbrojtjen e parimeve të OKB-së dhe i dhamë mundësi asaj të luante rolin qendror në të ardhmen e Kosovës. “Në botën e vërtetë, parimet shpesh ndeshen dhe duhen bërë zgjidhje të ashpra. Rezultati me Kosovën është shpresëdhënës”.[45] Edhe Rezoluta 1244 ishte rezultat i raportit të forcave, rezultat sidomos i marrëdhënieve SHBA-Rusi. Në anën e Rusisë ishte edhe anëtarja tjetër e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, Kina. Bombardimet e NATO-s kishin filluar dhe kishin vazhduar pa një rezolutë të OKB dhe pa miratimin e saj, sepse një rezolutë ose miratim i OKB nuk mund të pritej. Të paktën Rusia dhe Kina nuk do ta jepnin asnjëherë pëlqimin për ta bombarduar Serbinë. Kjo ishte arsyeja që edhe pas asaj lufte të gjatë dhe plotë sakrifica që po bënte populli shqiptar për çlirimin e Kosovës, edhe pas angazhimit të NATO-s në këtë luftë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, miratonte një rezolutë që nuk e tejkalonte Marrëveshjen e Rambujesë, e cila u vu në themele të Rezolutës 1244. Ministrat e Jashtëm të G8-ës, më 6 maj 1999 kishin miratuar parimet e përgjithshme për zgjidhjen politike të krizës së Kosovës, që nuk dallonin nga ato të Marrëveshjes së Rambujesë:

-Përfundimi i menjëherëshëm dhe i verifikueshëm i dhunës dhe i represionit në Kosovë;

-Dislokim i një pranie të efektshme ndërkombëtare civile dhe i një pranie të sigurisë në Kosovë, të miratuara dhe të aprovuara nga Kombet e Bashkuara, të afta për të garantuar arritjen e objektivave të përbashkët;

-Vendosje e një administrimi të përkohshëm për Kosovën që do të përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të siguruar kushtet për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës;

-Kthim i sigurt i të gjithë refugjatëve dhe personave të shpërngulur dhe hyrje pa pengesa në Kosovë e organizatave të ndihmës humanitare;

-Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër politik të përkohshëm që do të sigurojë një vetëqeverisje substanciale për Kosovën duke marrë plotësisht parasysh Marrëveshjen e Rambujes dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit si dhe çmilitarizimin e UÇK;

-Një metodologji e gjithanshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e krizës në rajon.

Këto parime të G 8- tës janë përfshirë në Rezolutën 1244 si Aneksi I. Ndërsa te Aneksi II midis të tjerash te pika 6 ishte paraparë edhe kthimi i një numri të kufizuar të forcave jugo-serbe: “Pas tërheqjes, një numër i miratuar forcash jugosllave dhe serbe do të lejohet të kthehet në Kosovë për të kryer funksionet e mëposhtme:

-Ndërlidhje me misionin ndërkombëtar civil dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

-Përcaktim/pastrim i zonave të minuara;

-Mbajtje e një pranie në kalimet kyqe në kufi; (Rezoluta 1244, Aneksi II)

Në Rezolutën 1244 afirmohet shprehimisht tërësia tokësore dhe sovraniteti i RFJ, nga njëra anë dhe një autonomi substanciale për Kosovën, nga ana tjetër. “Duke rikonfirmuar, thuhet në këtë Rezolutë, zotimin e të gjitha shteteve anëtare për sovranitetin dhe integritetin tokësor të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të shteteve të tjera të rajonit, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkut dhe në aneksin II dhe, duke rikonfirmuar thirrjet e rezolutave të mëparshme për një autonomi substanciale dhe për një vetadministrim vlerëplotë për Kosovën; 1.Vendos se zgjidhja politike për krizën e Kosovës duhet të mbështetet në parimet e përgjithshme të aneksit I, si dhe në përpunimin e mëtejshëm të parimeve dhe të elementeve të tjera të detyrueshme në aneksin II. (Rezoluta 1244). Në rezolutë përmendet dhe kërkohet disa herë edhe çmilitarizimi (ç’armatosja) e UÇK-së! [46] Me Rezolutën 1244 kombit shqiptar dhe Kosovës po i bëhej edhe një padrejtësi nga Bashkësia Ndërkombëtare (Fuqitë e Mëdha). Shkaktares së të gjitha luftrave në Jugosllavi dhe më herët në Iliri-Ballkan po i lejohej tërheqja nga vendi i krimit dhe gjenocidit pa therrë në këmbë dhe me të gjithë arsenalin luftarak-ushtarak, ndërsa shqiptarëve, që kishin ngritur me shumë mund e sakrificë një forcë të vogël ushtarake për çlirimin e tokës së tyre nga pushtuesit shovinistë serbë po u kërkohej me këmbëngulje “ç’militarizimi”-ç’armatosja! Përveç kësaj, në Kosovë po vendosej prania ushtarake dhe ajo civile ndërkombëtare sikur të ishte Kosova shkaktarja e luftrave në Iliri dhe kërcënimi për paqen dhe sigurinë në rajon e jo Serbia!

Përfundime

Në kreun e dytë të këtij punimi, analizuam rrugën dhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës për çlirimin e tij nga Serbia. Faktor vendimtar në këto përpjekje dhe në këtë luftë ishte UÇK-ja, shteti shqiptar dhe mbarë kombi ynë, pa e harruar mërgatën tonë anekënd botës. UÇK-ja dhe lufta e saj e armatosur ishte edhe bartëse e marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me vendosjen e fatit të kësaj krahine shqiptare, Kosovës. Konferenca e Rambujesë, Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244, ishin dokumentet bazë, ishin marrëveshjet me të cilat bashkësia ndërkombëtare ndërtoi bazën e saj legale dhe legjitime për ndërhyrje dhe për bombardimin e forcave pushtuese serbo-jugosllave. Në Konferencën e Rambujesë Kosova u bë çështje ndërkombëtare që kërkonte zgjidhje të ngutshme. Lufta e UÇK-së dhe e mbarë kombit shqiptar rrezikonte sigurinë e rajonit dhe të vetë Evropës. Bisedimet në Rambuje nuk ishin të lehta, sepse në njërën anë ishin përfaqësuesit e një populli që ishte i gatshëm të paguante çfarëdo çmimi për lirinë e tij, ndërsa në anën tjetër ishin përfaqësuesit e një shteti fashist, që po luftonte me të gjitha mjetet dhe fuqitë e tij ushtarako-policore për ta shfarosur popullin shqiptar në Kosovë. Nganjëherë dukej se Konferenca e Rambujesë do të dështonte. Përkrah delegacionit serb dhe Serbisë ishte Rusia. Nuk mbetej prapa as diplomacia italiane! Me anagzhimin e palodhur të diplomacisë amerikane dhe të vetë Sekretares së jashtme, Medlin Ollbrajt, bisedimet u përmbyllën me një marrëveshje, e cila iu afrua palëve që ta nënshkruanin. Siç, e kemi thënë edhe në këtë kapitull, marrëveshjen nuk pranoi ta nënshkruante Serbia. Pasuan bombardimet e NATO-s mbi Serbinë dhe forcat e saj të armatosura. Pas 73 ditë bombardimesh, Serbia kapitulloi. U realizuar marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244. Forcat serbe dhe i gjithë aparati i dhunës dhe administrata serbe u tërhoqën (u dëbuan) nga Kosova. Vetëm në Veriun e Kosovës u vendosën ca mbeturina të këtyre forcave, të cilat gjatë viteve Serbia (e papenguar nga UNMIK-u, KFOR-i dhe prania tjetër ndërkobëtare) i organizoi dhe i fuqizoi deri në atë shkallë sa të pengonin shtrirjen e pushtetit dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës. Për këtë gjendje përgjegjëse janë edhe forcat politike të Kosovës, që nuk ishin të zonjat të bënin më shumë për “clirimin” e Veriut nga forcat dhe institucionet e Serbisë.

Copyright: Albapolis

Ekstrat i shkëputur nga punimi shkencor “Kosova dhe Plani i Ahtisarit”

BibliografiA

 

Alfred Moisiu: Kosova mes luftës dhe paqes, Tiranë, 2004,

Abdullah A. Bytyçi. Terrori shtetëror dhe gjenocidi serbo-malazias në Kosovë 1878 - 1991, Prishtinë, 2009,

A. Boue. La Turquie d’Europe. Vëll. IV. Paris, 1840,  “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, Tiranë 1990, , Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë

Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë: Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999,

Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë, 1990,

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kosova shtet i pavarur dhe Sovran, Prishtinë 2006, f. 67

Andromaqi Gjergji, “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX”, Tiranë 2002,

Arsim Bajrami. Sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës. Prishtinë, 2011

Bill Klinton, Ne luftën, ju paqen 1998-1999, Klinton për Kosovën, Tiranë, 2002,

Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1998-1999, ZËRI, Prishtinë, 2003,

Edwin Jacques : "SHQIPTARËT- Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme"

Enver Sopjani, Përmbledhje aktesh ndërkombëtare për Kosovën 1999-2004, Prishtinë, 2005,

Fazli Veliu, LPK-UÇK: Një emblemë, një qëllim, Tiranë, 2001,

Fetnete Ramosaj, Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë, Prishtinë, 2013,

George fred Villiams, ambasador i SHBA-së në Greqi e Mal të Zi gjatë viteve 1913-1914. ,

Hysen Matoshi: Hapësira etnike e kulturore shqiptare dhe kasha ortodokse serbe, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2012,

Henri Kisinxher, Diplomacia, Tiranë, 1999,

H. Bajrami. Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi (dokumente). Prishtinë, 1996,

Halil Katana, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002,

Ibrahim Gashi, Kosova–Rruga tek Pavarësia, Prishtinë, 2012,

Iliada, III, 38; VII, 89.)

James Pettifer, Expresi i Kosovës, Prishtinë, 2004,

Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006,

Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeëay: Makthi etnik i Jugosllavisë, albin 1998,

Jonuz Abdullai, Politika dhe politikat publike, Tetovë, 2010

Koço Danaj, Doktrina Klinton dhe shekulli XXI, Botimet ERIK, 2001,

Kristo Frashëri, Historia e qytetërimit shqiptar, Tiranë, 2008,

Kurtesh Salihu. Lindja, zhvillimi, pozita dhe aspektet e autonomitetit të Krahinës socialiste autonome të Kosovës në Jugosllavinë socialiste. -Prishtinë, 1984,

Luan Përzhishta. Mbretëria Dardane, Botart, 2009,

Lefter Nasi. Ripushtimi i Kosovës. Tiranë, 1994,

Limon Rushiti. Lëvizja Kaçake në Kosovë 1918 – 1928, Prishtinë, 1981

Les Etats du monde. Paris, 1983,

Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë, 1995)

Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 2011.

Naim Balidemaj, Tragjedia kosovare-Rugova-Milosheviç, Prishtinë, 2001,

Paskal Milo, Kosova nga Rambuje në pavarësi, botimet Toena, Tiranë, 2009

Paskal Milo-Konflikti i Kosovës 1997-2001, Tiranë, 2009

Qazim Tepshi, Kosova (Diplomacia imponuese), Toena, Tiranë, 1999,

Ramë Buja, Konferenca e Rambujes, Prishtinë, 2006,

Skender Rizaj, dhe shqiptarët dje, sot dhe nesër – Kosova and Albanians yesterday, today and tomorroë, Prishtinë, 1992, ribotim, f. 9

Selami Pulaha, L’autochtoneides Albanais en Kosova e le pretendu exode des Serbes a la fin du 17 siecle, Tirana, “8 Nëntori”, 1985

Sami Frashëri. Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, Prishtinë 2009,

Selatin Novosella, Demaci-Lëvizja për bashkim, Shoqata e të burgosurëve politikë të Kosovës. Prishtinë, 2012,

Sadri Fetiu: Udhëkryqet e Kosovës, Prishtinë, 2005,

Shaban Sinani: Kosova në gjeopolitikë, Tiranë, 1998,

Vladimir Dedier. Istorija Jugoslavije. Prosveta, Beograd, 1973.

Vasa Çubriloviç. Ligjëratë e mbajtur në klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937,

Xhuzepe Katapano, Thot-i fliste shqip, Botimet enciklopedike, Tiranë, 2007

 

Burimet nga interneti:

http://gazetadita.al/goxhaj-si-luftua-me-ne-frontin-e-uck-se-10-ushtarak..., e gjetur më 19 korrik 2013

http://pashtriku-beepworld.de/files/Varremihesit e kosoves/kandiq djegia e kufomave nemackatic 3.4.09htm, e gjetur më 19 korrik 2013

http://www.albaniapress.com. Jusuf Gërvalla dhe LIRIA, e gjetur më 23 qershor 2013

http://pashtriku.beepworld.de/demonstratat-1968-rigjetur më 22 qershor 2013)

http:/www.albaniapress.com. Lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë.html, e rigjetur më 1 maj 2013)

http://www.forumivirtual.com/historia-shqip%C3%ABtare-dhe-kosovare-62/go...)

www.unmikonline.org/regulations/…/Res1244AL.B.pd., e gjetur më 25 korrik 2013)

www.forumishqiptar.com/threads/91204-Esat-Stavileci, e rigjetur më 29 korrik 2013

www.trepca.net/politike/korniza-kushtetuese.htm, e rigjetur më 11 gusht 2013

http://www.crisisgroup.org//media/Files/europe/155 collapse in kosovo albanian, e gjetur më 14 gusht 2013)

http://.serbija.gov.rs/Kosovo-metohija/?id=19933, e rigjetur më 18 gusht 2013)

http://www.trepca.net/politike/050613 raporti i kai aides.htm, e gjetur më 18 gusht 2013

http://www.unosek.org/docref/kaiEidereport.pdf, e gjetur më 18 gusht 2013

http://www.evropaelire.org/content/article/995340.html, e gjetur më 21 gusht 2013

http://www.albaniapress.com/lajme/3177/fjalim-i-deputetit-xhevat-bislimi..., e gjetur më 21 gusht 2013

http://radiokosovaelire.com/?nav=40,2&id=6290, e gjetur më 21 gusht 2013

http://www,fiq-ci.org/repository/docs/Zbatimi_politik_i_ligjit_ne_Kosove..., e rigjetur më 29 gusht 2013

http://www.lpk-kosova.com/lajme/lajme_korrik_2008.html, e rigjetur më 5 shtator 2013

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_14925/Hilmi-Sara%C3%A7i:-%C3%87far...(AKM-ja)-n%C3%AB-Kosov%C3%AB?.html, e gjetur më 7 shtator 2013

http://studioligjore.wordpress.com/2012/03/20/mendimi-keshillimor-i-gjnd..., e rigjetur më 10 shtator 2013

http://www.kosova.com/artikulli/90393, e rigjetur më 10 shtator 2013

http://www.esat.stavileci.com/index.php/intervista, e gjetur më 12 shtator 2013

www.iksweb.org, e rigjetur më 12 shtator 2013

http://wwwlajmishqip.com/?p=406, e gjetur më 12 shtator

http://pashtriku.beepëorld.de/files/kosovaneudhekryq%6008/nentor08/faton_mehmetaj_mitrovica_spastrim_etnik_09.11.08htm, e gjetur më 29 shtator 2013)

http://tribunashqiptare.net/?p=14217, e gjetur më 18 tetor 2013

http://noa.al/artikull/serbet-veriu-i-kosoves-kerkon-autonomine-e-74-s/2..., e gjetur më 18 tetor 2013

http://www.facebook.com/note.php?note_id=10151423180400888, e gjetur më 23 tetor 2013

http://www.evropaelire.org/content/article/24683727.html, e gjetur më 7 tetor 2013

http://www.telegrafi.com/lajme/be-p-rsh-ndet-fillimin-e-bisedimeve-kosov..., e gjetur më 9 tetor 2013

http://www.rrokum.tv/?page=1,23,3676, e gjetur më 16 tetor 2013

http://www.shqiperianatyrale.com/index.php?option=com_content&view=artic...ës&Itemid=18, e gjetur më 15 nëntor 2013

http://grid.al/read/news/156106809/2888280/lugina-proteston, e gjetur më 15 nëntor 2013

http://www.zeri.info/artikulli/20921/wilhelm-shqiptaret-ne-lugine-jane-t..., e gjetur më 15 nëntor 2013

 


[1]Paskal Milo, Kosova nga Rambuje në pavarësi, botimet Toena, Tiranë, 2009, f. 109

[2]George fred Villiams, ambasador i SHBA-së në Greqi e Mal të Zi gjatë viteve 1913-1914. Cituar sipas librit të Jakup Krasniqit, Pavarësi dhe personalitete, Prishtinë, 2013, f. 24

[3]Zëri i Popullit, 30 shtator 1990. Cituar sipas librit të Halil Katanës, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002, f. 255

[4]Kadri Zeka, Tezat e Frontit Popullor, cit. sipas librit të Fazli Veliut, LPK-UÇK : një emblemë, një qëllim, Tiranë, 2001, f. 97

[5]Bedri Islami, E fshehta e hapur e Kosovës, Epoka e Re, Prishtinë, 2001, f. 91

[6]Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006, f.143

[7]http://lajme.dervina.com/arcjive/arkivi.php?, e gjetur më 15 korrik 2013

[9]Viktor Meier, Fundi i Jugosllavisë-Goditja në Kosovë, Liria, Lubjanë, 2007, f. 11

[10]http://tribunashqiptare.net/ ?p=7899, e gjetur më 23 korrik 2013

[11]James Pettifer, Expresi i Kosovës, Prishtinë, 2004, f. 91

[12]Naim Balidemaj, Tragjedia kosovare-Rugova-Milosheviç, Prishtinë, 2001, f. 176

[13]Cituar sipas librit të Fazli Veliut, LPK-UÇK: Një emblemë, një qëllim, Tiranë, 2001, f. 129

[14]Naim Balidema, Vepër e cit, Tragjedia kosovare…, f. 177

[15] Po aty, f. 190

[16]Po aty, f. 182

[17]Po aty, f. 185

[18]Cituar sipas veprës së Jakup Krasniqit, Kthesa e madhe-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2002, f. 144

[19]Po aty, f. 194

[20]Halil Katana, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002, f. 64)

[21]www.shtime-komuna.org/…/Files/masakra_recakut…, e gjetur më 16 korrik 2013

[22]Cituar sipas librit të Halil Katanës, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002, f. 34-35)

[23]Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006, f. 147

[24]Naim Balidemaj, Tragjedia kosovare…, vep. e cituar, f. 247

[25]Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway: Makthi etnik i Jugosllavisë, albin 1998, f. 235

[26]Paskal Milo, Ditari i një Ministri të jashtëm-Konflikti i Kosovës 1997-2001, Tiranë, 2009, f. 136-137

[27]Ramë Buja, Konferenca e Rambujes, Prishtinë, 2006, f. 62

[28]Henri Kisinxher, Diplomacia, Tiranë, 1999, f. 835

[33]Cituar sipas librit të Halil Katanës, Tri dimensionet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, Tiranë, 2002, f. 231)

[34]Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1998-1999, ZËRI, Prishtinë, 2003, f. 73

[35]Naim Balidemaj, vep e cituar, Tragjedia…, f. 281

[36]Paskal Milo, Kosova nga Rambuje në Pavarësi, Tiranë, 2009, f. 111)

[37]Qazim Tepshi, Kosova (Diplomacia imponuese), Toena, Tiranë, 1999, f. 134

[38]James Pettifer, Ekspresi i Kosovës, Prishtinë, 2004, f. 351

[39]Paskal Milo, vep e cituar, Kosova…, Tiranë, 2009, f. 115-116

[40]Bill Klinton, Ne luftën, ju paqen 1998-1999, Klinton për Kosovën, Tiranë, 2002, f. 143

[42] http://pashtriku-beepworld.de/files/Varremihesit e kosoves/kandiq djegia e kufomave nemackatic 3.4.09htm, e gjetur më 19 korrik 2013

[43]Enver Sopjani, Përmbledhje aktesh ndërkombëtare për Kosovën 1999-2004, Prishtinë, 2005, f. 102

[44]Enver Sopiani, vep e cituar, Përmbledhje…, f. 111

[45]Koço Danaj, Doktrina Klinton dhe shekulli XXI, Botimet ERIK, 2001, f. 78

[46]www.unmikonline.org/regulations/…/Res1244AL.B.pd., e gjetur më 25 korrik 2013)   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA