...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Historia e zhvillimit të sportit në Shqipëri dhe botë, filozofia e tij dhe roli i masmedias & institucioneve ndërkombëtare (1)

Pjesa e parë e këtij studimi tregon shkaqet pse është rrënuar sporti në Shqipëri: së pari, sepse vendi ynë është orientuar për t’u integruar në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal ku pushteti ekonomik është tejet i pabarabartë dhe qeveritë tona

Ylli Përmeti

07/09/2017 - 13:20

 

Abstrakt: Pjesa e parë e këtij studimi tregon shkaqet pse është rrënuar sporti në Shqipëri: së pari, sepse vendi ynë është orientuar për t’u integruar në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal ku pushteti ekonomik mes shtetit dhe oligarkisë ekonomike është tejet i pabarabartë dhe qeveritë tona nuk mund të mbulojnë shpenzimet tërësore të tij; së dyti, elitave tona u mungon dija njëherësh për të zhvilluar ekonominë dhe për të mbuluar shpenzimet tërësore të edukimit dhe sportit. Për të njëjtën arsye ky studim synon të sjellë dije se si mund të zhvillojmë dhe krijojmë “yje” sportive. 

 

1. Historia e zhvillimit të sportit në Shqipëri dhe botë, filozofia e tij dhe roli i masmedias & institucioneve ndërkombëtare

 

Qeveria e Shqipërisë socialiste shekullin e kaluar i dha përparësi edukimit dhe sporti ishte pjesë e tij. Si rezultat, në krye të dyzetë vjetëve të socializmit marksist u ndërtuan 28 stadiume, 11 pallate sportivedhe17 pishina. Rezultati i mëtejshëm ishte se përgjatë dekadës ’80-90 sporti shqiptar arriti në nivele botërore.[1]Shpenzimet për arsimin në vitin 1991 ishin 5 për qind të PPB-së. Si pasojë e orientimit të vendit për t’u integruar në Rendin e Ri të Globalizmit Neoliberal që po lindte, kaosit ekonomik dhe veçanërisht të krizës që shkaktoi Berisha në vitin 1997-të, shpenzimet në edukim ranë në 2.8 për qind në vitin 2002. Përqindja nga buxheti shtetëror ra nga 12 për qind në vitin 1994 në 10 për qind në vitin 2003. Si përqindje e PPB-së, shpenzimet publike në edukim ishin poshtë mesatares së OECD-së prej 5.5 për qind. Si përqindje e buxhetit shpenzimet publike ishin gjithashtu poshtë mesatares prej 12-14.5 për qind të OECD-së. Shpenzimet tërësore në vitin 2003 ishin 18.9 miliard lekë ose thuajse sa gjysma e vitit ‘91. Reduktimi i shpenzimeve dëmtoi veçanërisht të varfërit: sepse qeveria filloi ta zhvendoste barrën e shpenzimeve të pajisjeve shkollore drejt prindërve.[2]Shpenzimet kanë qenë të ulëta, siç shqyrton Banka Botërore, për shkak se janë kryer në një mënyrë ‘jostrategjike’ dhe janë keqadministruar në sektorin përkatës. Për të njëjtën arsye ajo propozonte në atë kohë një sërë masash duke përfshirë dhe rritjen e përqindjes së shpenzimeve në edukim. Megjithë pritshmëritë ndjellamirë të asaj kohe dhe rritjes ekonomike në shifra të pazakonta (kryesisht si pasojë e remitancave dhe investimeve të huaja), qeveria Berisha nuk e nxori dot vendin nga varfëria në të cilën e zhyti dhe bashkë me të dhe edukimin: kështu ia la “stafetën” partisë “socialiste”, e cila e ka zhytur edukimin edhe më shumë, si pasojë e politikave kursimtare që ka adoptuar! Në vitin 2016-të shpenzimet ranë në 2.24 për qind të PPB-së dhe shpenzimet publike ishin 7.61 për qind ose 36 miliard e 461.3 milion lekë.[3]Kjo përqindje është më pak se gjysma e vitit 1991 kur Shqipëria ishte në kulmin e krizës! Vetëm në fund të mandatit të parë arriti qeveria “Rama” të rikonceptojë dhe miratojë një ligj për sportin — pa pedagogji, pa filozofi dhe pa periudhë përgatitore.[4]  

Në të vërtetë, në kulmin e krizës ekonomike, Shqipëria kishte një përqindje shpenzimesh në sektorin e edukimit dhe sportit mbi mesataren e vendeve të OECD-së. Bashkë me procesin e rënies së shpenzimeve në setorin e edukimit dhe sportit, Shqipëria filloi të “eksportonte” sportistët e saj jashtë vendit, kryesisht në vendet perëndimore. Domethënë, sportistët filluan të stërviteshin në klube sportive private për kampionate shtetërore dhe ndërshtetërore dhe të përfaqësonin vendin e origjinës në kampionate kontinentale dhe ndërkontinentale/botërore. Kështu, ndryshe nga shekulli i kaluar, kur komb-shtetet financonin dhe krijonin ekipe dhe sportistë ‘kombëtarë’, në globalizmin neoliberal komb-shtetet heqin dorë nga financimi tërësor i sportit: sepse qeveritë nuk mund të mbulojnë shpenzimet tërësore të tij dhe për njëjtën arsye lejuan financimin dhe krijimin e sportit nga kapitali privat. Si pasojë e zhvillimit të blloqeve ekonomikë, dhe vlerave që ata institucionalizuan dhe zhvilluan shekullin e kaluar, edhe sporti mori karakterin e tij: ai kishte një përhapje më të barbartë në shoqëri dhe u përfshinë në të kryesisht fëmijët e klasës punëtore. Ndryshe nga kjo periudhë, në globalizmin neoliberal, sporti mori karakterin e sistemit: “elitar”. Domethënë, në të përfshihen kryesisht fëmijët e klasës së mesme: sepse kjo klasë është metropolizuar dhe e ka më të thjeshtë të “depërtojë” në klubet sportive.  

Si u zhvillua sporti modern dhe pse?

Sporti modern lindi në shekullin e 19-të në Britani dhe u përhapë shpejt në Evropë dhe kontinentet e tjerë kryesisht përgjatë shekullit të 20-të. Sporti britanik konkurroi me kulturat sportive të shtet-kombeve dhe u kthye “kultura lëvizëse” dominante duke kulmuar shekullin e 20-të: kështu, lëvizja ndërkombëtare olimpike bashkoi fuqitë perëndimore në një ndërmarrje botërore duke e konceptuar eksportin e sportit si mbështetësin kryesor të tregut të lirë që po lindte. Lojrat olimpike ishin arena ku ndërmerreshin demonstrimet dhe veprimtaritë politike të vendeve eksportuese. Lojrat ishin pelegrinazhi e së kaluarës dhe lëvizja e besimit në të ardhmen: ato duhet të ishin fillimi i “ringjalljes së lojrave të botës antike greke”. Këtij procesi i rezistuan kryesisht gjermanët (“lëvizja Turner”) të cilët kishin adoptuar një filozofi ndryshe nga britanikët: të edukonin fizikisht meshkujt e rinj dhe të përdornin sportin për bashkimin e vendeve gjermanike në një komb-shtet. Filozofia gjermane e sportit u adoptua shpejt edhe nga vendet fqinje (Franca etj.). Figurat qendrore të kësaj lëvizje nuk mbështesnin përhapjen e saj në vende të tjera. Për të njëjtën arsye federata gjermane e Turner-it nuk mori pjesë në Federatën Europiane të Gjimnastikës e themeluar në vitin 1881, dhe rrjedhimisht, nuk dërgoi sportistë në lojrat olimpike të kohës. Arsyeja kryesore ishte se filozofia gjermane e sportit nuk shqetësohësh me rekordet në ushtrime të vetme, por nxiste stërvitjen e gjithanshme të meshkujve të rinj, dhe ata nuk luanin me mendësinë e fitores me gjithë kostot që e shoqëronin. Federata gjermane kritikonte theksimin e konkurrencës dhe fitores, specializimin, gjithashtu dhe orientimin ndërkombëtar të sportit. Norvegjia, Danimarka dhe Franca gjykonin njëlloj dhe filozofia sportive britanike gjeti rezistencë. Sipas tyre sporti duhet të kishte synime patriotike dhe ushtarake. Por rezistenca s’mjatoi dhe ngadalë sporti mori karakterin anglez: sepse u përqafua nga elitat borgjeze dhe këto me rradhë e imponuan mbi popujt. Në të vërtetë, sportin e praktikonin së pari anëtarët e elitave përkatëse. Në fund të fundit, praktikimi i sportit kërkonte gjendje të mirë ekonomike - për kohë të lirë dhe ushqim të mirë. Gjendjen ekonomike e gëzonin kryesisht klasat e larta të shoqërisë. Shpejt mënyra e jetesës së klasave të larta u kthye në “modë” dhe krijoi dinamikën për t’u përdorur dhe nga fëmijët e klasave të ulëta të shoqërive.

Kështu, ndërsa Britanikët filluan eksportimin e sportit, Amerikanët e vazhduan qasjen e tyre dhe influencuan më shumë në kulturën botërore të sportit. Sporti shërbeu për qëllime politike, ekonomike dhe sociale për amerikanët njëherësh për brenda vendit dhe jashtë tij si një mjet për të asimiluar numra të stërmëdhenj europianësh në SHBA dhe banorët indigjenë të kolonive të reja të fituara. Ai mësonte konkurrencë, bazën e ekonomisë kapitaliste, dhe rregullat e sistemit politik duke theksuar lojën kolektive, udhëheqje, dhe vetë-flijimin (shpesh dhe ‘agresivitetin’ në lojë) për të mirën e të gjithëve. Tregëtarizimi i sportit filloi të rritësh përgjatë shekullit 20-të dhe u bë pjesë e rëndësishme e ekonomisë amerikane. Tashmë korporatat ndërkombëtare amerikane të sportit si “Nike” sponsorizojnë dhe kontrollojnë jo vetëm lojtarët por dhe klubet sportive dhe masmedian mbikombëtare duke “ndërkombëtarizuar” skuadrat e sporteve të ndryshme dhe duke punësuar lojtarë të huaj të cilët me rradhë nxisin masmedian të transmetojë në audiencën botërore duke shtyrë më tej mundësitë e tregut për konsumimin e mallrave dhe ideologjisë mbizotëruese. Këto praktika tashmë zbatohen nga pronarët e skuadrave për të maksimizuar përfitimet dhe rritur tërheqjen botërore. Por pavarësisht influencës amerikane në sport, sidomos në futboll, ajo nuk arriti të ndryshonte “shijen” europiane: të zhvendoste futbollin dhe ta zëvendësonte atë me bejsbollin. Ky i fundit është përjashtuar dhe nga lojrat olimpike.[5]

Me kushtet që janë krijuar në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, ku pushteti ekonomik, politik dhe ushtarak është përqendruar në perëndim dhe me rolin e sportit në rendin përkatës, është e sigurtë se komunitetet botërore që nuk janë integruar ende në të, ngadalë do të integrohen. Qoftë edhe Lindja e Mesme —me “etikën” e saj islame— ku sporti për femrat nuk lejohet, ka filluar të hapet kundrejt sportit perëndimor (Katari apo Arabia Saudite, së fundmi lejoi femrat të shkojnë në stadiume por jo bashkë me meshkujt). Rezistencat lokale janë të pa-afta t’i rezistojnë dinamikës sportive që është krijuar rreth botës: nga perëndimi deri në lindjen e largët. Dhe sporti siç dihet nuk çon vetëm shëndet e kulturë por edhe dafrungë tifozësh: përdorimin e alkolit etj. Për këtë arsye, homogjenizimi i sportit, dhe kulturës paralele që ai krijon, bëhet i pashmangshëm. Sporti ka dhe një efekt tjetër, tinëzar, të cilin e kuptuan perandorët e perandorisë romake: se ai shpërqendron popujt nga politikat kriminale. Në atë kohë lojrat kishin karakter luftarak dhe shpesh barbar. Në kohën tonë, përjashto boksin, lojrat janë më njerëzore. Karakteri i tyre kryesor është ‘tregëtarizimi’ i ekipeve dhe lojtarëve. Ky karakter nuk mund të quhet ‘skllavëri’ e tipit ‘skllavopronar’ që ka përjetur njerëzimi në mesjetë: sepse ‘skllavit’ të kohës pronari nuk i jepte shpërblimet që marrin në kohët tona lojtarët — nga shumat marramendëse deri te fama dhe jeta luksoze. Pa përmendur ‘liritë’ dhe ‘të drejtat’. Problemi kryesor me sportin është se ai nuk është konceptuar drejtë pavarësisht përjekjes fisnike të gjermanëve shekullin e kaluar. Në Amerikë, për shkak të ‘agresivitetit’ të futbollit amerikan dhe dëmtimeve që shkakton - ai po braktiset nga të rinjtë. Sipas një studimi, 90 për qind e lojtarëve universitarë dhe 20 për qind e lojtarëve të shkollave të mesme janë dëmtuar në trurin e tyre. Përplasjet zbërthejnë proteinat “tau” që formojnë skeletin rreth një neuroni: kështu sa më shumë goditje në kokë aq më i madh dëmtimi. Dëmtimi i proteinave mund të shkaktojë humbje të kujtesës, çrregullim të sjelljes, ndryshim të presonalitetit dhe depresion.[6] Nëse futbolli amerikan dëmton shëndetin e sportistit kaq shumë, kur dihet se luhet me helmeta, të cilat supozohet se mbrojnë kokën e sportistit, çfarë mund të themi për sportin e boksit dhe sporte të tjerë të ngjashëm?  

Filozofia e sportit

Si duhet, rrjedhimisht, ta konceptojmë dhe kuptojmë sportin? Arsitoteli e koncepton si vijon:

Bukuria ndryshon me kohën e jetës. Në një njëri të ri bukuria është zotërimi i një trupi të aftë të durojë lodhjen e vrapit dhe garën e fuqisë; që do të thotë se bukuria është i kënaqshme kur e shikon; dhe rrjedhimisht atletët e gjithanshëm janë më të bukurit, duke u përshtatur natyrshëm për garë fuqie dhe për shpejtësi gjithashtu. Për një njeri të përsosur, bukuria është formë e mirë sportive për lodhjen e luftimeve, bashkë me paraqitjen e kënaqshme por njëkohësisht dhe të tmerrshme. Për një njeri të vjetër, duhet të jetë mjaftueshëm i fuqishëm për lodhje të tillë sa ç’është e nevojshme, dhe të jetë i lirë nga gjithë ato shtrembërime të moshës së madhe të cilat shkaktojnë dhimbje te të tjerët. Fuqia është aftësia për të lëvizur dikë tjetër sipas dëshirës; për ta bërë këtë, ti duhet ose ta tërheqësh, shtyshë, ngreshë, mbërtheshë, ose kapësh atë; kështu ti duhet të jeshë i fortë në të gjitha këto mënyra ose të paktën në disa. Përsosja në madhësi është të tejkalosh njerëzit e zakonshëm në gjatësi, trashësi, dhe gjerësi aq sa nuk do t’i bënte lëvizjet e dikujt më të ngadalta. Përsosja atletike e trupit përbëhet nga përmasa, fuqia, dhe shpejtësia; shpejtësia nënkupton fuqi. Ai që mund të hedhë përpara këmbët e tij në një farë mënyre, dhe lëvizë ato shpejt dhe larg, është i mirë në vrap; ai që mund të kapë dhe mbajë poshtë dikë është i mirë në mundje; ai që mund ta lëvizë kundërshtarin nga toka me goditjen e duhur është boksier i mirë: ai që i bënë të dyja këto fundit është i mirë në pankriatium (mundje dhe boks) ndërsa ai që mund të bëjë të gjitha këto është një atletë i gjithanshëm.[7]   

Një atlet ‘i gjithanshëm’ ishte ai që merrte pjesë në pentathlon ose pesëgarësh. Pentathloni fillonte me kërcimin së gjati, hedhjen e shtizëz dhe diskut, pasonte me një garë të shkurtër vrapi prej 180-190 metra dhe përfundonte me mundje. Nga këto gara kuptohet se ato zhvillojnë pjesë të ndryshme të trupit: kërcimi së gjati zhvillon më shumë muskujt e këmbëve dhe kryesisht disa muskuj dhe jo të gjithë; hedhja e shtizës zhvillon muskujt e shpinës, dhe jo të gjithë; hedhja e diskut, zhvillon muskujt shpinës gjithashtu; vrapi zhvillon disa muskuj dhe mushkritë dhe mundja muskuj të tjerë. Disa nga këto pesë gara filluan të zëvendësoheshin në shekullin 19-të dhe 20-të me 200m not (stil të lirë), skermën dhe qitjen...dhe aktualisht garat olimpike nuk e përfshijnë pentathlonin! Është e qartë se pantathloni u institucionalizua në lojra ngadalë dhe fitoi përparësi falë rezultatit të tij përfundimtar: krijimit të ‘estetikës’ së jashtme të atletit, fuqisë dhe mushkrive të zgjeruara. Por nuk duhet të harrojmë se atletët e kohës së Aristotelit nuk kishin kushtet e atletëve të kohëve tona: ata ecnin më shumë dhe ushqeheshin me ushqime dhe oksigjen më të pastër. Për pasojë, gjendja e tyre fizike dhe shëndetësore nuk kërcënohësh nga ndotja dhe mënyra e jetesës së sportistëve modernë dhe si e tillë, ishte më e mirë. Ajo reflektohet më qartë në statujat e kohës. Sërish, ushqimi dhe përmbajtja e tij (proteina etj.) siguron fuqi në muskuj; ndërsa oksigjeni siguron fuqi në mushkri – megjithëse ai shkon dhe në muskuj me ndihmën e ujit. Shkurt, cilësia e ushqimit, ujit dhe oksigjenit duhet të jetë e tillë që të fuqizojë shëndetin e sportistit: pa kimikate dhe lëndë të dëmshme për organizmin. Në botën moderne, sportistët, duke shpërnjohur kushtet ekologjike që janë krijuar dhe efektet në shëndet, për të siguruar fuqi dhe gjendje të mirë shëndetësore, përveç ushqimit të zakonshëm, ushqehen edhe me ushqime të koncentruar - veçanërisht me proteina. Për shkak të keqdijësimit dhe keqedukimit ata shpësh gabojnë dhe përqendrohen më shumë tek ushqimet e koncentruar se sa tek ushqimet e përpunuar nga vetë ata. Argumenti që përdoret është se ushqimet e koncentruar ofrojnë rezultate më të mirë dhe më të shpejtë. Por siç tregojnë studimet,[8] ushqimi që buron nga prodhimet tona mund të sigurojë rezultat më të mirë dhe relativisht për një kohë të njëjtë. Burimet e ushqimeve, rrjedhimisht, duhet të studiohen në raport me vetitë dhe efektet që bartin për shëndetin e njeriut në përgjithësi dhe sportistit në veçanti. Përveç këtij aspekti, sporti ofron ‘edukim’ në nivel social — në kuptimin e ndjesive që krijon.                

Natyra e lojës dhe efektet e saj

Që sporti duhet të luhet për hir të sportit dhe jo për hir të fitores është e qartë kur kundrojmë rreth fundit të tij: rezultati përfundimtar i sportit duhet të jetë shëndeti dhe shëndeti është më i rëndësishëm se bukuria dhe fuqia. Siç citon Aristoteli:

Shëndeti është më i mirë se forca dhe bukuria: sepse i pari është i brendaqenësishëm në lagështi dhe thatësirë, dhe në të nxehtë dhe të ftohtë, në të vërtetë në gjithë përbërësit themelor të një kafshe, ndërsa të tjerët janë të brendaqenësishëm në çfarë është dytësore, me forcën të jetë tipar i fuqisë dhe eshtrave, ndërsa bukuria supozohet se është e përbërë përgjithësisht nga një lloj simetrie e gjymtyrëve. Gjithashtu, fundi supozohet përgjithësisht se është më i dëshiruar se i dosidoshmi, dhe nga dy të dosidoshmit, ai që qendron më pranë fundit. Përgjithësisht, gjithashtu, një mesatare e drejtur drejt fundit të jetës është më e dëshirueshme se një mesatare e çdogjëje tjetër, p.sh. ajo që kontribuon në lumturi se ajo që kontribuon në urtësi. Gjithashtu i përgjegjshmi është më i dëshirueshëm se i papërgjegjshmi.[9]      

Si mund të jetë i bukur dhe i fuqishëm njeriu pa shëndet? Kështuqë zhvillimi paralel e njeriut, në virtyte (etikë dhe intelektualë), dhe fizik, duhet të jetë synimi i përgjithshëm i edukimit. Për më shumë, kur përballen dy sportistë apo skuadra, ‘fitores’ nuk i shmangen dot: kur ajo buron nga përgatitja fizike, e ndershe dhe e drejtë, është e dëshirueshme dhe anasjelltas. Kur njëra palë fiton dhe tjetra humbet, nënkuptohet se një lloj kënaqësie (me doza lumturie) dhe një lloj pakënaqësie (me doza stresi), do të krijohet. Të dy këta dimensione janë të natyrës shpirtërore (energjitike) dhe jo fizike (mishtore). Por gjendja fizike ndikohet nga gjendja shpirtërore dhe anasjelltas. Për të njëjtën arsye, humbja ose fitorja mund të shkaktojë ose njërin dimension ose tjetrin. Dhe dihet se dhimbjen asnjëri s’e dëshiron. Kështuqë të gjithë (palët në garë dhe sportdashësit) kërkojnë fitoren. Nga kjo prirje kuptojmë se sa i mirë është njeriu por dhe sa i rrezikshëm mund të bëhet kur ndërsa fiton...dhe ndjen kënaqësi dhe lumturi, shkakton te pala humbëse, dhimbje dhe stres. Por nëse loja luhet për hir të shëndetit dhe sportistët janë mirë-edukuar (në ruajtjen e balancës psikologjike) – efektet që përmenda nuk do të zhvillohen në masë të madhe. Por dhimbja, kemi thënë, ‘edukon’ njeriun. Kjo lloj dhimbje është e natyrës shpirtërore dhe e ndjejnë edhe sportdashësit - në varësi të konceptimit të lojës. Nëse ajo koncetohet për hir të fitores – në humbje, dhimbja do të jetë e madhe; nëse konceptohet për hir të shëndetit dhe lojës (në vërtetë, loja është në vetë-vete shëndet)...në humbje, dhimbja do të jetë e vogël.  Për të njëjtën arsye loja është e domosdoshme dhe e rëndësishme për t’u zhvilluar në një shoqëri: sepse ajo edukton, njëherësh, sportdashësit dhe lojtarët. Domethënë, ajo i vendos ata herë në njërën anë dhe një herë në tjetrën: sa herë ndjehet aq herë kuptohet dhimbja e tjetrit (kundërshtarit). Ky proces në vetë-vete nënkupton dhe zhvillon një lloj empatie për palën humbëse.       

Por për të fituar në sport, kërkohet njohuri shkencore, jo vetëm nga trajineri por edhe nga sportisti. Dhe jo vetëm: trajineri dhe sportisti kanë nevojë për mjekë sporti dhe të gjithë bashkë, për një akademi sportive. Por publiku i kohëve tona kërkon fitore edhe për një arsye tjetër: sepse publiku shpenzohet për çdo sportist, trajiner dhe mjek...për hir të fitores dhe jo për hir të shëndetit të përgjithshëm. Ndryshimi midis mjekut dhe trajinerit është se ndërsa i pari shqetësohet me shëndetin dhe harmoninë fizike të çdo sportisti, trajineri, shqetësohet me përshtatshmërinë e çdo sportisti në një lloj sporti dhe në sporte që luhen në grup dhe rritjen e efiçencës së grupit, harmoninë dhe zhvillimin e arsyetimit instinktiv të sportistit. ‘Arsyetimin instinktiv’ sepse në sport, dhe veçanërisht në futboll, futbollistët përdorin kryesisht ‘arsyetimin instinktiv’ në lëvizjet e tyre.

Masmedia si ”mjeke” e publikut

Ndërsa mjeku shqetësohet me shëndetin e sportistit dhe trajineri me shëndetin e përgjithshëm të skuadrës, gazetari sportiv, shqetësohet me shëndetin e publikut. Si i tillë, ai duhet të jetë mjeshtër i fjalës, përshtatshmërisë së saj për çdo rast lidhur me realitetin. Komentatori i sportit duhet të jetë njohës i mirë jo vetëm i fakteve dhe karakteristikave lidhur me një sportist dhe skuadër por edhe i natyrës njerëzore. Dhe është përmasa e fundit që gazetarët sportistë nuk e njohin aspak. Në rastin e RTSH-së, për shembull, përmes të cilit ne shikojmë dhe dëgjojmë ndeshjet kombëtare, gazetarët sportivë jo vetëm që nuk plotësojnë kriterin e fjalës dhe zërit por edhe fjalët që thonë, i ngarkojnë me emocione, dhe si të tilla, ato janë të dëmshme për publikun. Sepse karakteristika kryesore e një komentarori është aftësia e tij për të përdorur fjalën, pavarësisht dinamikës së një loje.

Në fjalë të tjera, mendja e tij është e aftë të kontrollojë jo vetëm emocionet e tij por dhe emocionet e publikut: sepse nëse ndodh e kundërta, siç ndodh me komentatorët aktualë — d.m.th. mos-kontrollimi i emocioneve kur ata komentojnë, për mos të thënë se ata emocionet e publikut i provokojnë...nëse skuadra humbet, dhimbja të jetë e butë. Në rastin e TVSH-së, komentatorët janë tejet problematikë: ata përdorin fjalë të cilat jo vetëm që nuk e përshkruajnë realitetin (për shembull kur thotë Grillo, në mënyrë të përsëritshme, “situatë dramatike”, sikur të ishte dramë, ku dhimbja mbizotëron, sesa angth) por këlthasin dhe fjalëve u japin konotacion italistik, sikur shqipja nuk gëzon ngjyrat e saj origjinale. Në rastin e komentatorit në fjalë, shtohet edhe një aspekt tjetër: zëri i tij është gjithnjë i ngjirrur dhe si i tillë nuk bën për koment. Shkurt, komentatorët e një sporti nuk janë vetëm përshkruesit e një realiteti sportiv por edhe “mjekët” e publikut në lidhje me sportistët dhe ndeshjen. Për më shumë, gazetarët duhet të jenë të pasur në fjalë sinonime (për shembull, nuk duhet të thonë gjithnjë “duhet” kjo apo ajo...por, fjala ‘duhet’ mund të zëvendësohet me fjalën “kërkohet” ose “imponohet” ose “është e nevojshme”) sepse publiku lodhet kur dëgjon përsëritjen e të njëjtës fjalë —e aq më tepër kur fjala “duhet” është kryesisht diktuese sesa udhëzuese. Dhe arti i fjalës, ndihmohet me edukatorët e akademive sportive: për shembull, në ndeshjen me Danimarkën ku Grillo shoqërohësh me një “edukator” sportiv, ky i fundit, çdo ndërhyrje e fillonte me fjalën “duhet”. Pak a shumë, si pyetjet e Paços në edicionin e lajmeve të Top Channel, i cili, thuajse çdo pyetje e fillon me...“në fakt”!

Lidhur me futbollistët, dhe përgjithësisht me sportistët, për trajinerët dhe publikun, shtohet një përmasë tjetër: ngaqë futbollistët luajnë në skuadra të huaja, ku motivi kryesor i çdo futbollisti është rritja e aftësisë së tij me qëllim që të rrisë të ardhurat e tij, kur luajnë me skuadrat kombëtare ata luajnë edhe për nder kombëtar, meqënse nderin kombëtar e synon çdo popull. Në fjalë të tjera, futbollistët kur luajnë me skuadrat e huaja, nxiten më shumë nga konkurrenca, ndërsa në skuadrat e kombëtare, luajnë më shumë për nder. Dhe ky ndryshim është tejet i rëndësishëm për t’u kuptuar nga trajinerët kombëtar: sepse ata mund ta përdorin dhe ta ndërthurin me objektivin kryesor të skuadrës: shëndetin dhe pse jo, fitoren. Sepse nderi kombëtar për sportistët është më i fortë se konkurrenca dhe i bënë më luftarakë dhe kohezivë. Aspekti tjetër që ndikon në sjelljen dhe efiçencën e një futbollisti ose sportisti të çdo lloj sporti, është ndryshimi sa në një skuadër te tjetra: kjo kërkon përshtatshmëri sa teknike aq edhe shpirtërore. Ndërsa lidhur me ekipin radiofonik të TVSH-së, “mjekët e publikut”, është e qartë se kërkohet një përmirësim rrënjësor i gjendjes jo vetëm në lidhje me individët që komentojnë por edhe në lidhje me procesin post-analitik të ndeshjeve, se ku është gabuar, ku është tepëruar dhe si mund të përmirësohet përshkrimi i realitetit të ndeshjeve: sepse me të vërtetë reklamat na përsërisin spotin “kundër racizmit” por shpesh, komentatorët bëhen shkak i nxitjes së racizmit kur palës kundërshtare i përmendin “nofkat” etj. Sa për trajinerët, të huaj dhe vendorë, duket qartë se ata nuk konsiderojnë aspektet e përmendur më lartë lidhur me sportistët. Nëse i konsiderojnë, trajineri më i mirë i një skuadre kombëtare është ai që ndan të njëjtin shpirt me sportistët dhe publikun, jo vetëm në aspektin objektiv por për ngritjen e nderit tonë kombëtar në arenën sportive ndërkombëtare. Dhe ky lloj trajineri nuk mund të jetë i huaj.                      

Mësime nga ndeshja Serbi-Shqipëri dhe qendrimi i UEFA-s

Barinjtë, zakonisht, qentë e stanit që kafshojnë të panjohurit, i lidhin, dhe për më tepër, për miqtë, i urtësojnë. Në ndeshjen “serbi-shqipëri”, administratorja e saj (UEFA) e dinte mjaft mirë që sportdashësit dhe tifozët serbë do të “kafshonin” nëse provokoheshin. Kjo është arsyeja se përse ajo ndaloi sportdashësit dhe tifozët shqiptarë në stadium. Por ajo ndryshe nga bariu nuk i “lidhi” tifozët e saj: përkundrazi, i bashkoi në kor, me maska, hunj, flamuj, dhe zjarrndezëse. Rezultati ishte ai që pamë: një makth futbollistik. Për më tepër, ne u përballëm me një racizëm të organizuar. Vendimi i UEFA-, rrjedhimisht, për ndeshjen në fjalë, në dobi të Serbisë, nuk arrin as urtësinë e bariut, e jo më të një administrate sportive mbishtetërore. Ai nuk ishte, sigurisht, pasojë e ndonjë “inskenimi” apo “lobingu” serb: sepse vendimi kishte një argument se përfaqësuesja jonë ‘nuk pranoi të kthehësh në fushë’. Me këtë, UEFA, i vuri vulën, njëherësh vetes dhe drejtësisë: sepse loja me të vërtetë mund të luhet në kushte ekstremisht të pabarabartë, siç u luajtë ndeshja në fjalë, por jo në kushte kur fotbollistët ishin të ekspozuar në racizëm të organizuar ndërkohë që u goditën. Kjo do të ishte, njëlloj sikur stanari, miqtë, mos t’i priste me qenë të lidhur dhe krah hapur, por me qenë që i ndërsente edhe më shumë drejt miqve. Për këtë arsye, UEFA me vendimin e saj tregoi se urtësia e saj juridike nuk është as në nivelin e drejtësisë familjare. Protagoist në vendimin e UEFA-s ishte Platinia. Ai katapultoi nga një futbollist në administrator të institucionave ndërkombëtare, respektivisht, nga FIFA në UEFA. Por ngasa njohim nga natyra njerëzore dhe shkencat, një futbollist zhvillon kryesisht aftësitë e tij fizike dhe arsyetimin instinktiv. Pikërisht sepse ai i përsërit këto veprime. Përsëritja në vetë-vete zhvillon aftësinë tonë në çdo objektiv. Nëse gjykojmë nga Platinia, ai ka zhvilluar vetëm njërën anë: anën fizike dhe instinktive.

Kështu, Platinisë i mungon zhvillimi shkencor dhe etikë dhe, virtyti i drejtësisë. Kjo është arsyeja (ose shkaku) se përse Platinia vendoi padrejtësisht në ndeshjen përkatëse. Nëse kthehemi, tani, tek aftësia e Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, dhe gjykojmë nga jeta dhe studimet e tij, mund të konkludojmë njëlloj: sepse ai me të vërtetë ka studiuar ekonomi socialiste, por profesionin e tij e ka ushtruar në parqet e mallrave, në të cilët mund të përmirësohet mirë-mbajtja dhe shpërndarja e tyre, por jo si administrator specifik i të drejtës publike. Kjo është arsyeja që ai, njëlloj si Platinia, katapultoi në tregun e marketingut dhe u bë shumë shpejt një tregëtar i suksesshëm. Dhe siç dihet, nga pasuria, zakonisht burojnë edhe ofiqet në administratën publike. Rrjedhimisht, zhvillimi i tij në drejtësi është tejet i pjesshëm. Por në rezultatin e ndeshjes në fjalë, Duka s’ka dhe shumë përgjegjësi. Përgjegjësia bie mbi Platininë dhe anëtarët e tjerë të UEFA-s dhe procesi se si zgjidhen administratorët e institucioneve në fjalë. Në të parin, sepse ishte futbollist i mirë; në të dytin sepse ishte tregëtar i mirë. Të dy rastet nuk lidhen aspak me drejtësinë. Kësisoj, këto institucione duhet të vendosin kretere specifike për pretenduesit e roleve përkatës. Ndryshe padrejtësia do të jetë gjithnjë në zemër të institucioneve në fjalë. Pasi të vendosen kriteret mund të pretendohet një post publik. Nuk mjafton, rrjedhimisht, dorëheqja e Dukës, siç këlthisnin shumë në masmedia (Ngjela etj.) për të përmbysur vendimin: sepse edhe nëse dorëhiqet Duka - vendimi në fjalë varet nga Platinia e të tjerë si ai. As edhe dëftimi i korrupsionit në rradhët e UEFA-s (Dita, 25 Tetor 2014) nuk e ndryshonte vendimin.

 

 

2. Si të krijojmë sportistë dhe skuadra “yje”?

Si sporti godet ‘kombëtaristët’ dhe ku përqendrohet pushteti ekonomik?

Dije pedagogjike dhe administrative për sportin

 

Përfundime

 

Çfarë mund të bëhet në këto kushte?

...mungon


[1]Vështrim historic: 85-vjetori i krijimit të federatës sportive dhe evoluimi i saj në vite, Panoramasport, 26 qershor, 2015.

[2]Albania, Poverty and education in Albania: who benefits from public spending? World Bank, March 2005, Report No. 31983-AL.

[3]Raport monitorimi, Ministria e arsimit dhe sportit (Janar-Dhjetor 2016)

[4]Ligji Nr. 79/2017, Për sportin, miratuar në datën 27, 4, 2017.

[5]Sport and globalization: power games and the New World order, Gerald R. Gems, Gertrud Pfister, Moveent & Sport Sciences, 2013.

[6]Dëmtimet e trurit dhe futbolli amerikan, Voa, 26 shtator 2017.

[7]Rhetoric, Aristotle, f, 10.

[8]Addicted to protein, BBC, Jun 13, 2017.

[9]Topics, Aristotle, f, 22. 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA