Ylli Përmeti: 'Revolucioni' teknologjik e Evropës dhe si mund të përfitojë Shqipëria?*
09/02/2017 - 11:29
Abstrakt: Shpesh herë shoqëritë kur përballen me vështirësi social-ekonomike zgjidhjen e kërkojnë nga teknologjia. Kjo ‘bindje’ buron kryesisht nga ‘filozofët’ modernë. Sidoqoftë, teknologjia ka marrë një natyrë të veçantë në epokën tonë. Natyra e teknologjisë Ruse dhe Amerikane, për shembull, është e përzier por ajo dominohet nga teknologjia ushtarake. Natyra e teknologjisë europiane, në anën tjetër, dominohet nga teknologjia e prodhimit. Dhe ky është qëllimi i këtij studimi: të tregojë natyrën e teknologjisë europiane, arsyet se pse ajo është prodhuese, (dis)avantazhet krahasuar me blloqet e tjerë ekonomikë, veçanërisht me Amerikën, dhe mundësitë e zhvillimit të saj në gjithë hapësirën europiane. Tregohet se Europa në përgjithësi dhe Gjermania në veçanti, gjendet në një fazë vërtetë historike sa i përket zhvillimit teknologjik të shoqërive europiane dhe se njerëzimi mund të zgjidhë kryesisht problemet ekonomike përmes teknologjisë por jo problemet sociale të natyrës juridike dhe demokratike.
Njerëzimi po përshkon një epokë vërtetë ‘revolucionare’ në teknologji. Nga shekulli i kaluar, i cili zhvilloi kryesisht teknologji mekanike dhe elektrike dhe përgjatë fundit të tij teknologjia përfshiu edhe elektronikën, baza e së cilës ishte elektriciteti, por kontrolli i lëvizjeve teknologjike buron nga elektronika dhe si e tillë ajo vazhdon të jetë ende në operim, ne gjendemi në zhvillimin e kompjuterave të fuqishëm dhe internetit ku kabujt me tel, përmes të cilëve kalonte rryma elektrike dhe informacioni, janë zëvendësuar me fibra optike të cilat e përcjellin informacionin përmes dritë-valëve, minimizojnë humbjet përgjatë udhëtimit dhe janë më të siguruara nga ndërhyrjet e jashtme elektromagnetike. Por ne gjendemi në një fazë tjetër, edhe më ‘revolucionare’: të zhvillimit të kompjuterave kuantik, të cilët operojnë në nivelin atomik, ku atomet mund të ekzistojnë në dy vende të ndryshëm në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se kjubitat (qubit) —varianti kuantik i ‘bit-it’ tradicional të informacionit të kompjuterit— mund të jetë njëherësh 1 dhe 0. Aktualisht një ‘bit’ mund të jetë vetëm 1 ose 0. Si pasojë, një sistem kompjeterik që operon në nivel kuantik mund të realizojë më shumë veprime në të njëjtën kohë. Por sa është integruar zhvillimi i mësipërm teknologjik në sektorët e ekonomisë së bllokut ekonomik në të cilin aspirojmë të operojmë: BE? Në teknologjinë e internetit, për shembull, Europa është më e dobëta:
Europa ka njëbrirsha (“unicorns”), [me vlerë më të madhe se 1 miliard dollarë] siç është Spotify i Suedisë, Asos-i i Britanisë, Zalando-ua i Gjermanisë dhe Interneti Rocket. Por ato nuk janë bërë ende platforma të domosdoshme të internetit. Ato bëjnë atë ç’ka bëjnë shkëlqyer, por asnjëri nuk është një Google ose një Amazon. Në SHBA, vlera i tre ndërmarrjeve më të mëdha të listuara të internetit krijimet e të cilave janë bërë platforma në të drejtën e tyre, është 1.3 trilion dollarë. Në Azi, është 583 miliard dollarë, në Afrikë (po, Afrika) është 76 miliard dollarë. Në Europë, ndërmarrjet tona më të mira të internetit duke përfshirë dhe Yandex-in rus, vlerësohen 20 miliard dollarë...bota, në tërësinë e saj, ka 176 njëbrirsha, nga të cilët 101 janë në SHBA, 52 në Azi dhe 19 në Europë. Interneti është thuajse i gjithi një mjedis i SHBA-së, dhe shumica e parave që qarkullojnë rreth botës zëbrazen sërish atje.[1]
SHBA-ja dominon në këtë sektor kryesisht sepse ka krijuar një fond investimesh dominant (“venture capital funding”). Në Europë një fond i ngjashëm mungonte gjithë dekadat e kaluara dhe ndërmarrjet e kishin të vështirë për të rritur fondet. Veçanërisht për ndërmarrjet publike të regjistruara, të cilat do të jenë një tjetër hallkë e rëndësishme e shërbimeve financiare. Domethënë, të sistemit financiar që filloi me paránë shifrare (“bitcoin”) në vitin 2009-të nga një shkencëtar i panjohur. Kapërcimi i saj ishte se ajo nuk sigurohësh nga ndonjë trup shumë i rëndësishëm qendror, por nga kriptografia. Sistemi i saj operativ është një “bllokzinxhir” (“blockchain”) ku çdo këmbim bëhet një bllok që lidhet —ose “përpunuar”— nga kompjuterat në zinxhirin për të formuar një regjistrim të përhershëm të çdo këmbimi (një rrjet bllokzinxhiri) i cili është i dukshëm për të gjithë.[2] Bankat qendrore po kërkojnë të përdorin këtë risi duke përfshirë Britaninë, Rusinë dhe Kinën, dhe të fitojnë nga kapërcimi i paráve të reja. Banka angleze, për shembull, po shqyrton disa skenarë: një skenar përfshin një bllokzinxhir për të anashkaluar bankat kryesore, me llogari individuale drejtpërdrejt me bankën qendrore, duke ndërprerë rolin e bankave si ndërmjetëse në qarkullimin e paráve...ndërsa bankat kryesore e kundërshtojnë këtë praktikë! Arsyeja është e thjeshtë: sepse bankat private fitojnë nga shkëmbimet bankare. Siç citon, për më shumë, një analizë:
Përdorimi i kartave bankare për shërbime tregëtare kontribuon në shkatërrimin e bizneseve të vegjël meqënse tregëtarët e vegjël duhet të paguajnë, për shembull, në Suedi, 35 euro çdo muaj në një ndërmarrje e cila me rradhë do të depozitojë “cash” në një llogari bankare. Nga ana tjetër, bankat përfitojnë nga përqindjet e transaksioneve ndërsa nga paratë e thata ato nuk mund të gjenerojnë përfitime. Kjo është arsyeja që ato nxisin përdorimin e kartave dhe dekurajojnë tregëtarët të përdorin pará të thata...duke cituar kostot e larta të paráve të thata dhe shqetësimet e sigurisë - shumë dyqane suedezë kanë braktisur kasat e paráve të thata, duke përfshirë gjigandin e telekomunikacionit Telia Company, 86 dyqanet e të cilit ndaluan së pranuari pará të thata që në vitin 2013-të. Autobusët nuk kanë pranuar pará nga udhëtarët për vite, dhe qoftë dhe shitësit e revistës së të pastrehëve pranojnë karta dhe pagesa celulare këto ditë. Problemi është bërë aq i keq saqë shumë banorë suedezë, duke u përballur me mëdyshjen se çfarë të bëjnë me stivat e paráve që bankat nuk i duan, detyrohen qoftë edhe duke i “fshehur në sobën e mikrovalëve”...por sjelljet ndryshojnë në mënyrë të rëndësishme brenda Europës dhe botërisht. Disa kultura janë ende ngurruese për të braktisuar paránë fizike, duke përfshirë Gjermaninë, konsumatorët e së cilës besojnë se përdorimi i tyre u jepë atyre kontroll më të mirë rreth shpenzimeve. Në superpushtetin ekonomik të Europës, më shumë se 75% e pagesave bëhen në pará. Në Itali, ku kultura e parásë së thatë është e thellë, përqindja kapërcen në 83%.[3]
Sidoqoftë, është e sigurtë se industria bankare do të shypë çdo lloj risie për një shoqëri papará. Kujtoj se kjo lloj shoqërie s’ka asnjë lidhje me shoqërinë —pa pará— që kam ravijëzuar në vend tjetër.[4] Sidoqoftë, burokratët e Brukselit kuptuan se praktika e Amerikës për zhvillimin e teknologjisë duhet të adoptohësh edhe në Europë dhe kështu vepruan menjëherë: tani duan të krijojnë të njëjtin fond me 1.6 miliard euro për të nxitur krijimin e ndërmarrjeve private për zhvillimin e teknologjisë.[5] Lidhur me këtë nismë, Carlos Moedas, komisioneri i BE-së për kërkimet shkencore, tha se “një fond paneuroian do të ndihmojë të parandalojë blerjen e ndërmarrjeve të BE-së që premtojnë nga SHBA-ja dhe nga fonde të tjerë joeuropianë”. Sipas fondit “Invest Europe”, i cili përfaqëson aksione private dhe fonde të bashkuar dhe investitorë, vitin e kaluar (2015) u investuan 3.8 miliard euro me kapital të bashkuar në 2,800 ndërmarrje përgjatë Europës. Se çfarë nënkupton ky “lloj” investimi —i “kapitalit të bashkuar”— është se kapitali privat është organizuar që të krijojë fonde për zhvillimin e ndërmarrjeve kapitaliste në teknologji! Zëvendësojnë, në fjalë të tjera, fondet e qeverive dhe popujve me fonde private! Se çfarë krijon, për më tepër, ky lloj fondi, është se ai do të përqendrohet kryesisht në të paktën “pesë vende europiane”, hamendësisht, në vendet qendrore të Europës!...ndërkohë që shumica e fondeve europiane përqendrohen në një shtet anëtar. Vitin e kaluar në Amerikë, “kapitali i bashkuar” u rritë me 25 miliard euro ndërsa në Europë 5 miliard euro.
Revolucioni teknologjik 4.0: Gjermania si udhëheqëse e teknoshkencës europiane dhe më tej
Duke parë këtë gjendje, gjigandi gjerman i elektronikës, “SAP”, synon të nxjerrë Europën nga ‘rënia elektronike’ (“digital recession”) — një term i shpikur nga “Rishikimi i Biznesit të Harvardit” për të përshkruar, që nga viti 2008-të, përqindjen e ndryshimit të kontinentit në zhvillimin elektronik, i cili është bllokuar ose tërhequr. Si rezultat i fondit të krijuar, atje është një shumë prej 2.5 trilion dollarë për mundësi ekonomike përgjatë BE-së së tanishme dhe vitit 2025, thjesht duke kapur zhvillimin elektronik të SHBA-së: sepse Europa operon në vetëm 12 për qind të “mundësisë së saj elektronike”, përkundër 18 për qind në SHBA. Britania është më e përparuar se shumica, me 17 për qind. Franca është në 12 për qind dhe Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, në 10 për qind. Por me vlerë tregu prej më shumë se 100 miliard euro, SAP-i është tashmë më e madhe se gjigandët e mirë-njohur siç është Siemens dhe ajo u shërben më shumë se 320,000 ndërmarrjeve, duke përfshirë Nike, Coca-Cola dhe Apple. Për më shumë, ndërsa SAP-i mundohet të bindë të tjerët, për të përfshirë ndërmarrje të vogla dhe mesatare në Europë, për t’u integrur në sistem, ndërmarrja investon në programe kompjuterike (“tech software”) më të mirë për t’u angazhuar me klientët, dhe mund të merret si shembull në përvojën e saj si model për ndryshim. Për të ulur koston e punës në Gjermani, ku kostua e punës është mes më të lartave në botë, kapitalistët synojnë të rrisin automatizimin e sektorëve. Kjo qasje ndryshon nga qasja që a mbizotëruar tre dekadat e fundit veçanërisht për ndërmarrjet amerikane, të cilat, përveç automatizimit të prodhimit, investonin jashtë vendit që të siguronin kosto të ulët pune nga rrogat e ulëta të punëtorëve — një siguri që e siguronin përmes elitave kombëtare rreth botës. Kështuqë ata janë në fazën e ndryshimit të rrjedhës së mendimit europian për t’u bërë më sipërmarrës dhe të hapur ndaj rreziqeve. “Për t’u bërë më elektronikë”, thotë ekzekutivi kryesor i SAP-it, “nuk është zgjedhje por është një variant dhe një luftë për të mbijetuar”. Nuk duhet harruar se Gjermania ka qenë udhëheqësja kryesore në botë për inovacione. Por tani inovacionet e saj janë në zhdukje. Ndërmarrjet e saj janë ngurruese për të rrezikuar dhe burokratike. Por vendi vazhdon të jetë një titan industrial dhe burim energjie i ekonomisë së Eurozonës. Prodhimet e saj, veçanërisht automjetet, janë një fjalë e urtë për cilësi dhe rezultate të larta. BMW-ja, Audi dhe Mercedes-Benz përllogariten për 80 për qind të tregut luksoz botëror.
Ndërmarrjet më të mëdha në Gjermani janë nga ekonomia e ‘vjetër’
Gjykuar nga zhvillimi i automjeteve vetë-udhëtuesë, automjetet elektrike dhe programet kompjuterike që po kalojnë motorat, dhe nga fakti se 50-60 për qind e vlerës së një automjeti do të përbëhet nga pjesë dhe vegla elektronike, dhe nga 20 për qind bateri, industria gjermane po orienton veten drejt kësaj teknologjie: elektronikës. Por sektori i saj teknologjik nuk është i madh sa ‘Silicon Valley’. Ndërmarrja më e madhe e listuar gjermane është grupi i programeve kompjuterike SAP-i, i cili u themelua 45 vjet më parë. Ajo ka një lojtar të madh shifrar (“dixhital”), inkubatorin e bazuar në Berlin, “Rocket Internet, i cili u rrit duke kopjuar modele elektronike komerciale (“ecommerce”) të SHBA-së dhe duke i zbatuar ato në tregjet në zhvillim. SAP-i krijoi krye-industrialistin europian, Jim Hagemann Snabe, i cili, pasi ngriti në nivel botëror internetin gjerman, mori nën kontroll dy ndërmarrje të mëdha europiane që janë në krizë: konglomeratin danez që dominon anijet e kontejnerëve, “AP Moller-Maersk”, dhe grupin e Siemens-it. Ndërmarrjet përkatëse e morën pikërisht për aftësinë e tij për të integruar internetin në zinxhirin e prodhimit. Por vetëm katër nga 174 njëbrirshat botëror —ndërmarrje private me një vlerë prej 1 miliard dollarë— janë gjermane.
Të ardhura nga ekonomia e internetit
Gjermania vazhdon të dominohet nga besnikët e “ekonomisë së vjetër”. Një radhitje tregoi se 55 nga 100 ndërmarrjet e saj me të ardhura të larta janë në sektorin industrial siç janë ndërtimi i makinerive, automjeteve, minierave, energjisë dhe kimikateve, dhe vetëm pesë në Informacion-Teknologji (IT). Ndryshe nga SHBA-ja, ku 20 nga 100 ndërmarrjet me të ardhura të larta janë në IT dhe media. Tashmë gjermanët e kanë kuptuar se industria e automjeteve do të pësojë ndryshime të mëdha dy dekadat e ardhshme, një proces që është nxitur nga SHBA-ja dhe grupet e IT-ve të Kinës. Sidoqoftë, Zvicra udhëheq kursën e shpenzimeve në Informacion-Komunikim-Teknologji (ICT).
Shpenzime në euro në informacion, komunikim dhe teknologji (ICT)
Qasja gjermane në teknologji është inovative dhe evolucionare, veçanërisht në industrinë e automjeteve. Por biznesi i madh shifrar shfaqet zakonisht në sektorët e pikave intersektoriale që më parë s’kishin asnjë lidhje me njëri-tjerin—siç janë programet kompjuterike dhe biologjia. Problemi është se në Gjermani sektorët nuk ndërveprojnë. Dhe politikanët janë në dijeni të problemit. Siç citon Sigmar Gabriel, zëvendës-kancelari i Gjermanisë: qasja tipike e një ndërmarrje gjermane ishte të krijonte një produkt e ta bënte më konkurrent. Kjo qasje shpërnjihte faktin se “platformat janë duke futur në rritje veten mes programeve kompjuterike dhe klientët”...rreziku nga kjo qasje është se prodhimet e prodhuara në Gjermani mund të kthehen në mallra ndërshkëmbyese, dhe vetë ndërmarrjet në thjesht nënkontraktorë për platformat. Gjermania iu përgjigj këtyre rreziqeve me rregullime, duke fituar përçmimin e qendrës industriale ameikane: Silicon Valley. Shumë qytetarë të saj kanë ndaluar platformat siç janë aplikacionet për gjetjen e automjeteve “Uber” dhe faqet familjare “Airbnb”. Qeveria po merr masa të ashpra në të folurën me urrejtje në Facebook dhe ndërmarrjet e saj kanë ushtruar presion në Bruksel për kufizime mbi Google-in. Qasja e SHBA-së ndryshon: ata lënë ndërmarrjet të shpalosen si fillim në treg, më vonë ligjësojnë tepëritë që shohin dhe jo ato që mund të shohin teorikisht. Kjo është një qasje që buron nga qasja e përgjithshme e tregut të marketingut: “laissez-faire”. Ky koncept dominon shoqëritë perëndimore dy-tre shekujt e fundit. Gjermania, në fjalë të tjera, është më shumë shkencore —në aspektin ndërmarrës— se Amerika.
Nga ana tjetër, Merkeli flet shpesh për “revolucionin e katërt industrial”, i cili njihet në Gjermani “Industrie 4.0” — një rrjet ndërmarrjesh i së ardhmes dhe robotëve të lidhur dhe të zbarkuar në prodhim të plotë dhe të automatizuar. Gjermanët e dinë se sfida e tyre është mes ndërmarrjeve gjermane dhe amerikane. Ndaj ata janë në proces të organizimit të industrisë dhe mbledhjes së informacionit. Gjermania përllogaritet për 58 për qind të patentave për automjetet e lidhura (elektronikisht) vetë-lëvizëse që nga viti 2010-të, dhe prodhuesit gjermanë të automjeteve planifikojnë të investojnë 16 miliard euro në elektronikë përgjatë tre-katër vitet e ardhshme. Shumë automjete gjermane tashmë janë të tilla —vetë-lëvizëse— për një kohë të kufizuar. Ndërmarrjet gjermane gjithashtu pretendojnë të jenë në front të internetit. Bosch, prodhimet e të cilit varjojnë nga makina për të larë enë dhe pajisje energjitike deri te pjesët e automjeteve, është një udhëheqës botëror në teknologjinë e sensorëve dhe planifikon përfundimisht të bëjë gjithë prodhimet e saj të mundur të shiten përmes rrjetit elektronik. Bosch sfidohet nga SHBA-ja. Njëra është Alexa e Amazonës, asistenti gjigand i zërit inteligjent të tregut elektronik, teknologjia e të cilit është integruar në dyzina pajisjesh për banesat: plani më i gjerë për Amazon-ën është qartësisht të kontrollojë (ose monopolizojë) sistemin e operimeve për zërin. Nëse shohim Alexa-n, ajo mund të kthehet në një qendër familjare që jo vetëm hap perdet ose ulë temperaturën në banesë, që luan muzikë ose ndez televizorin, por gjithashtu ble qumshtin dhe kontrollon se nga kush e ke porositur...ky është monopoli i ri në pritje.
Shkaqet pse Gjermania mbetet pas në teknologji
Ka plotë arsye se pse Gjermania gjendet pas SHBA-së në teknologji. Disa fajësojnë mendësinë gjermanike, e cila dekurajon marrjen e rreziqeve. Në vende si Izraeli, ndërmarrësit paraqiten si heronj. Në Gjermani dëbohen. Njerëzit thjesht presin që ata të dështojnë. Kjo është arsyeja se pse shumë shkencëtarë gjermanë përfundojnë në Amerikë (Silicon Valley). Një teori tjetër është mungesa e paráve mbjellëse për fillestarët. Qeveria gjermane planifikon të ndërtojë një rrjet transmetimi për të furnizuar familjet me shpejtësi prej 50 megabajt për të realizuar Industrinë 4.0. Korea Jugore tashmë operon me një rrjet 5G. Rregullimi i tepërt është një tjetër faktor. Të dhënat gjermane të rrepta të ligjeve mbrojtës e bëjnë të vërshtirë për prodhuesit e automjeteve dhe manifakturuesit e tjerë të instalojnë programe kompjuterike që do të transmetonin të dhëna për palët e treta. Qasja është të ndalohet çdo gjë përjashto rastin kur është e mirë për ekonominë gjermane dhe më pas ata e lejojnë.[6] Në të vërtetë, ndërmarrjet amerikane janë më të fuqishme për shkak të rolit hegjemonik që ka patur Amerika tre dekadat e fundit rreth botës. Sepse është ky rol që krijoi kushtet për ‘fondin’ e përmendur më lartë dhe lejimin e ndërmarrjeve amerikane për të ndërmarrë rreziqe edhe rreth botës. Këtë proces Gjermania e ka shoqëruar dhe nuk e ka përcaktuar, siç e ka përcaktuar Amerika. Kujtoj se shumë teknologji amerikane u zhvilluan shekullin e kaluar, përgjatë viteve ’70-’80, me fonde qeveritare, dhe u globalizuan falë rolit hegjemonik të Amerikës tre dekadat e fundit. Me ‘kthesën’ Trampit, për një Amerikë johegjemoniste, të paktën jo e llojit Klinton-Bush-Obama, dhe kuptimin e gjendjes së re gjeopolitike që krijohet, Gjermania do ta sfidojë Amerikën në teknologji, kryesisht sepse ajo administron një kontinent më të madh dhe popuj të orientuar drejt shkencës më shumë se në Amerikë. Kjo është më shumë fetare sesa shkencore. Gjykuar nga vlera tregëtare e sektorit teknologjik europian, e cila është 7 për qind krahasuar me vlerën e tregut amerikan, Europa ka një të ardhme më dinamike në teknologji: sepse ne gjendemi në një epokë teknologjike e cila po shkon drejt “internetit industrial” dhe ka lënë pas epokën e “konsumit të internetit”, e cila do të riformojë sektorin e manifakturës. Tashmë ajo ka burimet financiare, teknologjike dhe njerëzore për të lulëzuar në ekonominë shifrare (“digital economy”). Aktualisht Europa krenohet me 10 institucionet më të mirë botëror të shkencave kompjuterike. Europa ka rreth 4.7 milion zhvillues profesionalë ndërsa Amerika 4.1 milion. Dy të tretat e ndërmarrjeve më të mëdha europiane kanë investuar drejtpërdrejt në një ndërmarrje teknologjike ndërsa ekonomitë e vjetra dhe të reja po shkrihen. Një e treta ka fituar një ndërmarrje teknologjike që në vitin 2015-të.[7] Por gjykuar edhe nga problemet më të cilët përballen ndërmarrjet kapitaliste, të cilët i kam treguar në vend tjetër,[8] dhe kam ravijëzuar rrugëzgjidhet, por dhe nga prirja aktuale të shumë ndërmarrjeve, të cilën do ta shohim në pjesën tjetër, hopi për të kaluar në një zhvillim teknologjik të madh është i madh por ai nuk do të jetë i njëjtë.
Reportazh në zemër të teknologjisë europiane: Mynih
Dihet se studimi i mësipërm kërkon mund dhe kohë. Por ai nuk mund të pasqyrojë plotësisht realitetin për të cilin po flasim. Për të njëjtën arsye e shoh të rëndësishme kuptimin e tij të mëtejshëm përmes një reportazhi. Dhe ku mund të vlerësohësh më mirë teknologjia se sa në vendin e lindjes. Kështu, të mbushur plotë me kureshtje, unë me një shok, në ditët e para të janarit të vitit 2017-të, u nisëm për të shkuar në Gjermani, Mynih. Sfiduam ditët e acarta të janarit dhe u nisëm me avion nga Tirana për në Lubianë, kryeqyteti i Sllovenisë, dhe nga kjo e fundit, në Mynih. Për mua ishte hera e parë që udhëtoja jashtë vendit që kur jam kthyer nga jashtë. Unë kam jetuar thuajse 18 vjet jashtë vendit. Rreth 14 vjet në Greqi dhe rreth një vit e ca në Itali dhe Francë dhe tre vjet në Britani — ku dhe kam punuar dhe studiuar gjithë kohën. Si pasojë, udhëtimet nuk më kanë munguar.
Sidoqoftë, në Mynih zëbritëm vonë pasdite. Gjetëm një qytet të mbuluar në borë dhe në temperatura të ulëta. Morëm trenin dhe shkuam në hotelin që kishim rezervuar. Gjithshka shkoi mirë. Të nesërmen shkuam në panairin e Mynihut: BAU, Panairi më i madh botëror i tregut për arkitekturën, materialeve dhe sistemeve të ndërtimit. Ai zhvillohet një herë në dy vjet. Këtë vit theu rekordin e vitit 2015-të: nga 72,000 në më shumë se 250,000 vizitorë. Nga këta, 80,000 ishin të huaj. Ishin 2,120 ekspozues nga 45 vende. Austria, Zvicra dhe Italia kishin numrin më të madh të vizitorëve. Por edhe Turqia, Kina dhe Rusia s’kishte pak. Korea Jugore, SHBA-ja dhe India kishin një numër më të vogël vizitorësh. Ky panair është themeluar në vitin 1964 dhe ka më shumë se 50 vjet në historinë e tij. Por ky vit ishte më i suksesshmi. Për ekspozuesit kishte dhe vlerësime në çmime. Sektori i arkitekturës, nga 1,500 konkurrentë, mori çmimet më të mirë.
Nga ekspozitat që pamë, përfaqësuesit që folëm dhe leximi i manualeve që morëm nga çdo ekspozitë, dhe ndërmarrja që qendron pas tyre, ndërmarrjet kishin vendosur si objektiv kryesor mbrojtjen e natyrës me ndërtesat, duke përfshirë ndërtesat familjare, vetë ndërtesat e ndërmarrjeve, dhe ndërtesat publike. Për ta realizuar këtë objektiv të përgjithshëm ata ishin përqendruar tek aspektet shkencore të ndërtesave: ata synojnë të ndërtojnë ndërtesa me materiale të riciklueshme dhe efiçente në energji. ‘Efiçente’ në kuptimin e ndërtimit të ndërtesave për të ruajtur temperaturën e brendshme në nivel konstant, për të shfrytëzuar racionalisht burimet energjitike dhe krijuar një estetikë të gërshetuar mes modernes dhe kulturës së një shoqërie. Arkitektët gjermanë, për shembull, zhvillojnë ndërtesa duke shfrytëzuar kryesisht bazën materiale që gëzon një vend në përputhje me kushtet klimatike. Qëllimi është të ndryshojnë mendësitë e krijuara nga...elitat. Në tre vitet e fundit, për shembull, në Kinë u ndërtuan më shumë ndërtesa me beton se sa u ndërtuan në SHBA gjithë shekullin e kaluar. Në vend të betonit, ata sugjerojnë përdorimin dherishteve, sepse gjendet thuajse kudo dhe është 100% e riciklueshme pa humbje në cilësi, bart një ngrohtësi të natyrshme dhe absorbon erën e keqe.[9] Kjo, sigurisht, duke u gërshetuar me materiale të tjerë, të qendrueshëm dhe ekologjik. Një ndër ndërmarrjet më të fuqishme në panair ishte Schüco. Ajo është themeluar nga 30 njerëz nga disiplina të ndryshme dhe janë të gjithë të barabartë, shokë me njëri-tjetrin, dhe s’kanë asnjë pronar. Motua e tyre është se “ata janë ajo ç’ka bëjnë dhe nëse ajo ç’ka bëjnë nuk u pëlqen, atëherë nuk u pëlqen as vetja...”. Kjo ‘moto’ në vetë-vete është shtysë drejt përkryerjes së vetes dhe krijimtarive. Në pushimet e mija, ndërsa lexoja revistat e ndërmarrjeve, pyesja veten se kujt do t’ia priste mendja se gjermanët kanë zhvilluar ndërmarrje vërtetë ‘komuniste’. Parë nga ky këndvështrim, shqetësimi im, se gjendesha në një panair ku ekspozoheshin vetëm punët individuale të pronarëve, zbutësh me ndërmarrje të një gjenerate tjetër, në bazë të të cilave qendronte barazia politike, vendimet demokratike dhe zhvillimi i përhershëm i virtyteve artistike dhe shkencore.
Përfundimi i të gjitha këtyre është se Europa në veçanti gjendet në një fazë tekno-shkencore mjaft interesante dhe të mbushë me shpresë. Por ajo ka pabarazi tejet të mëdha në teknologji. Për shembull, unë udhëtova nga Mynihu në Bruksel me trena dhe pashë se mes këtyre vendeve kishte pabarazi tejet të mëdha. Gjermania më dukësh si një planet tjetër. Ndërsa Belgjika pak a shumë si Franca ose Britania. Shqetësimi im më i madh, sigurisht, është Shqipëria. Në fund të fundit kjo ishte arsyeja se pse shkova në Gjermani: për të parë, mësuar dhe kuptuar dhe, për të nxitur ndryshimet teknologjike në vendin tonë. Dhe ndryshimet varen nga të rinjtë tanë. Sepse elitat aktuale (politike dhe ekonomike) janë vërtetë mjerane. Për shembull, Samir Mane, një ndër oligarkët kryesor të ekonomisë shqiptare, në vend të investojë në sektorët e shqyrtuar më lartë, dhe të synojë zhvillimin tërësor të vendit, kërkon të investojë në vende të huaj! Dhe në vend të ‘demokratizojë’ ndërmarrjen krijon edhe më shumë hierarki e pasiguri mes punëtorëve. Elita politike, në anën tjetër, nuk kërkon shumë mend për të kuptuar se është mjerane. Fshati që duket, thotë populli, s’do kallauz. Ndaj dhe të rinjtë mirë është të kuptojnë shkaqet se pse elitat tona janë të tilla dhe t’i luftojnë ato ditë edhe natë duke synuar zhvillimin shkencor dhe teknologjik të vendit.
*Ky studim është shkëputur nga një studim më i gjerë i blloqeve ekonomikë dhe përqendrohet kryesisht në BE-Eurozonë. Ai mund të lexohet i gjithi në librin që do të publikohet së shpejti në dy vëllime: Kundër-revolucione në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal: nga ekofashizmi i organizuar në luftë të përhershme.
[1]We need to talk about Europe’s tech problem, FT, October 25, 2016.
[2]Central banks explore blockchain to create digital currecies, FT, 02 November 2016.
[3]The countries where cash is on the verge of extinction, BBC, 29 September 2016.
[4]Drejt demokracisë virtuoze.
[5]EU plans €1.6bn venture capital fund to back tech start-ups, FT, November 8, 2016.
[6]Why Germany needs to accelerate into the digital fast lane, FT, Jan 25, 2015.
[7]Europe has a chance to dominate deep tech, John Thornhill, FT, 6 Feb 2017.
[8]Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik.
[9]Horizons, pushing the boundaries, 2017, ff, 17-18.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 327 reads