...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Është njeriu shkak për katastrofën ekologjike apo kuadri modern institucional dhe globalizmi neoliberal?

Në fillim të vitit 2017-të bota përjetoi një nga të ftohtit më ektsrem të dekadave të fundit. Në gusht të po të njëjtit vit përjetoi temperaturat më të larta në dekadat e fundit. Cilët janë shkaqet? Elitat na thonë se është një dhe vetëm një shkak...

Ylli Përmeti

09/08/2017 - 19:05

Abstrakt: në fillim të vitit 2017-të bota përjetoi një nga të ftohtit më ektsrem të dekadave të fundit. Në gusht të po të njëjtit vit përjetoi temperaturat më të larta në dekadat e fundit. Cilët janë shkaqet? Elitat na thonë se është një dhe vetëm një shkak përfundimtar: njeriu! Por cila është e vërteta? 

Një analizë e kryer mbi abstrakte “shkencorë” (rreth 11, 944), të ri-shikuar me rigorozitet, që janë publikur midis vitit 1991 dhe 2011-të dhe shkruajtur nga 29, 083 autorë, të cilën e citon dhe e kritikon Martin Wolf, komentatori kryesor i Financial Times, mbi arsyen se këta shkencëtarë janë të korruptuar nga parátë dhe fáma... konkludon se 98.4 për qind e autorëve që morrën një qëndrim, lidhur me katastrofën ekologjike, mbështetën se ngrohja globale shkaktohet nga njeriu (“antropogjenik”), 1.2 për qind e mohuan atë dhe 0.4 për qind ishin të pasigurtë.[1] Të njëjtin qendrim mbajti dhe një raport i punuar nga “shkencëtarët” e 13 agjencive federale të Amerikës: se fajin e ka njeriu![2]  Por megjithëse Wolf ka të drejtë për “shkencëtarët” e establishmentit, se ata janë të korruptuar dhe flirtojnë me pushtetin, ai nuk ndryshon shumë nga ata kur ia atribuon problemin djegies së fosileve të dyqind viteve të fundit, dhe harron, ose bën sikur harron, si thuajse gjithë komentatorët e tjerë të masmedias perëndimore, se atje ka qenë gjithnjë një elitë me pushtet që ka nxitur dhe ri-prodhuar përdorimin e energjisë së fosileve!

Kështu, të dyja palët, nuk kundrojnë për kuadrin institucional të “demokracisë” përfaqësuese dhe kapitalizmin të dyqind viteve të fundit dhe veçanërisht për kuadin institucional të RRB të G/N të dyzetë viteve të fundit. Nuk do të ishte e çuditshme që Wolf të sugjerojë disa masa në kuadër të të njëjtit kuadër intitucional: taksë mbi karbonin, me qëllim që të përputhet me masat që tashmë janë në fuqi; përdorimin e energjisë nukleare, me qëllim që të “shpëtojmë” nga qymyri; standarte për çlirimin e karbonit mbi makinat; deri edhe te manipulimi i një shkalle të madhe të motit nga gjeoinxhinierët! Masën e manipulimit të motit, i njëjti autor, siç duket, pasi kundroi, e tërhoqi në një analizë të rradhës.[3] Madje, në një analizë tjetër,[4] ai tërheq edhe taksimin e karbonit, sepse, sipas tij, ajo nuk ka asnjë shpresë për t’u realizuar. “Shkencëtarë” të tjerë, në vazhdën e sugjerimeve të Wolf-it, propozojnë pesë ndërhyrje në ekosistem për të manipuluar motin: (1) çadër diellore me 16 miliard disqe qelqor që vedosen në orbit për të pengur rrezet e diellit; (2) plehërim me limurina hekuri në oqeane me qëllim që të stimulojnë çeljen e fitoplanktonëve, duke rritur bio-prodhimin dhe krijimin e një “foleje” për karbonin e gjelbërt, një proces që supozohet se mund të absorbojë sasi të mëdha CO2; (3) ferma leshterikësh deti që procedojnë njëlloj si plehërimi me hekur; (4) krijimin e një radiacioni solar; dhe (5) krijimin e vullkanëve artificialë![5] Ndërkohë “shkencëtarë” të tjerë kanë filluar të eksperimentojnë propozimet e bëra në veri të Britanisë dhe vende të tjerë![6] Në këtë pështjellim nuk mungojnë qasjet e “mirëmbajtësve të natyrës”, të cilët sugjerojnë përshtatjen e njeriut me ndryshimet klimatike![7] Të gjitha këto, sigurisht, në kohën kur oligarkët bëjnë ç’është e mundur për të mbuluar shallën e katastrofës. Siç citon një raport:

...një organizatë sekrete fondesh në SHBA, e cila garanton anonimitet për donatorët bilionerë të saj, është kuptuar se ekziston si një operator kryesor në “kundër-lëvizjen” e klimës për të nënvlerësuar shkencën e ngrohjes globale.[8]

Paul Krugman, në anën tjetër, shpresa e fundit e “mendimtarëve” perëndimor, beson, pa fakte, për mos të folur për shkaqet, se masat që kanë marrë qeveritë neoliberale, për të cilat do të flasim në vazhdim, do të shpëtojnë planetin falas![9] Në kontinentin amerikan është shpalosur edhe një “tezë” tjetër, e James Hansen, i njohur ndryshe si ‘babai i lëvizjes për ndryshimin e klimës’, i cili, ndryshe nga Krugman, refuzon zgjidhjen e kapjes së karbonit dhe tregëtimit (“cap & trade”) dhe mbështet ngritjen e taksës mbi ndërmarrjet e çlirimit të karbonit, të cilat aktualisht nuk paguajnë për çlirimet...dhe kthimin e taksave te qytetarët si divident.[10] Dhe ndërsa katastrofa vazhdon dhe “tezat” mbizotëruese riprodhohen nga “mendimtarët” e shteteve pasivë, së fundmi lançohet një raport tjetër “shkencor” dhe përsërit “tezën” se...“njeriu” është shkaktari kryesor për ngritjen e temperaturës në përqindjen 95%, krahasuar me vitin 1995, kur ka qenë 50%![11] Në kohën kur qytetarët amerikan dhe britanik, gjënden në errësirë të plotë sa i përket shkaqeve të katastrofës ekologjike.[12]

Por katastrofa ekologjike lidhet drejtpërdrejt me njohurinë e zotëruar (problem kognitiv) dhe me konformizmin e “shkencëtarëve”, dhe nuk është siç pretendon Krugman, vetëm dëshirë-kotë (wishfull thinking) duke mbështetur qasjen e përgjithshme të “shkencëtarit” politik, Brendan Nyhan.[13] Kriza ekologjikefillon me nënvlerësimin e cilësisë së jetës njerëzore e cila realizohet në bashkërendim me natyrën. Një nën-vlerësim i tillë është produkt i ideologjisë së zhvillimit ekonomik dhe i përqendrimit të pushtetit politik (dhe ekonomik) në pak duar. Pushteti përqendrohet kryesisht në metropolet e blloqeve ekonomik dhe kryeqytetet e shteteve: sepse në të parët rezidentojnë zyrat e korporatave dhe bankave mbikombëtare; në të dytët, “demokracia” përfaqësuese. Kjo është arsyeja që njerëzit shkojnë në qytete për të siguruar punë - për cilindo që do të punojë si punëtor; dhe për të siguruar konsumatorë - për cilindo që do të tregëtojë - me pasoja, në njërën anë, dramatike për qytetet, të cilët për ditë shtohen në numër, bashkë me problemet që pasojnë (energjitike etj.) dhe, në anën tjetër, jeta e fshatit kurrë mos të zhvillojë struktura ekonomike të vetëmjaftueshme, qëndrueshmëri sociale dhe autonomi politike dhe ekonomike. Shkurt, kriza ekologjike lidhet ngushtë me ekonominë zhvillimore, e cila pashmangshmërisht krijon ekonominë e tregut[14] dhe gjithë pasojat e tjera në shëndetin e njeriut dhe Natyrës.

Ngritja historike e shkallës së dioksidit të karbonit

Kriza ekologjike në nivel botëror ka filluar të përkeqësohet që kur filloi të përqendrohej pushteti politik dhe ekonomik në pak duar —ose, që nga koha kur shteti modern krijoi strukturat dhe marrdhëniet e reja pushtetore dy shekuj më parë. Si pasojë, shekulli i XIX dhe XX krijoi kushtet për krijimin e ideologjisë së rritjes ekonomike dhe zhvillimin paralel të industrisë me bazë naftën. Propaganda e “progresit linear”, të cilën e ushtruan dhe vazhdojnë ta ushtrojnë politikanët profesionistë bashkë me akademikët, çorientoi vëmendjen e publikut nga kujdesja dhe mirëmbajtja e mjedisit ndërsa e çintegroi atë nga zhvillimi i urtësisë dhe Natyra. Kuadri i ri institucional solli me vete themelimin e një rendi social-ekonomik të orientuar drejt përfitimit pavarësisht pasojave: Natyra, njëlloj si rendi, filloi të konceptohësh si burim fitim-prurës, me pasojë, masakrimin e saj dhe, me institucionalizimin e RRB të G/N, dyzetë vitet e fundit, kriza ekologjike është thelluar më shumë. Siç citon një studim:

Historikisht, humbjet natyrale të biodiversitetit shkaktoheshin me një përqindje mjaft më të ngadaltë dhe përballoheshin me lindjen e specieve të tjera. Sot, përqindjet e zhdukjeve janë vlerësuar të jenë 100 deri në 1,000 herë më të shpejta sesa në kohët gjeologjike. Ndjekja e humbjeve të tanishme nga Indeksi i Gjallesave të Planetit (orientim) dhe IucN Lista e kuqe (rrallësi) ofrojnë gjithashtu tablo të zymta të situatës. Një numër speciesh tokësore, detare dhe ujit të freskët janë në rënie konstante dhe numri e specieve globale në kërcënim është rritur në mënyrë konstante në dhjetë vitet e fundit. Vlerësimet e fundit në Listën e kuqe (IucN 2009) tregojnë se:

1.      thuajse një çerek (22%) e gjitarëve globalë dhe një e treta (32%) e specieve amfibë janë zhdukur dhe kërcënohen në nivel global;

2.      rreth një e treta, d.m.th 3,481 specie, nga numri total që është përshkruar në 30,700 specie, janë në rrezik;

3.      rreth 12% e shpendëve globalë janë në rrezik;

4.      niveli më i lartë i kërcënimit është gjendur në ishujt e disa vendeve; 39-64% e gjitarëve janë kërcënuar nga Mautitët, 80-90% e specieve amfibë janë në rrezik ose në zhdukje në ishujt Karaibe,[15] që, nëse nuk veprohet tani, sipas një studimi,[16] për pak vjet, 85% e specieve të egra në territoret i jashtme Britanike —sidomos ishuj, me ndikim global, do të jenë zhdukur! (shih, për më shumë, për kafshët, në pjesën e dytë)

Nëse zgjerojmë këndvështrimin tonë - sa i përket rritjes së temperaturës - ne duhet të shtrojmë një pyetje shumë të thjeshtë: si krahasohet ndryshimi i klimës së shekullit të XXI me 2,000 vitet e kaluara? Përqindjet mesatare të rritjes së CO2,gjithashtu edhe në kombinime forcash rrezatuese nga CO2, CH4 dhe N2O, ku përmbledhja rritet, kanë qenë të paktën pesë herë më shpejt rreth periudhës nga viti 1960-të deri 1999-të, sesa rreth çdo lloj 40-vjeçari tjetër përgjatë dy njëqindvjeçarëve të fundit para erës industriale.[17] Në vitin 2014-të përqindja mesatare e përqendrimit ishte 397.7ppm. Kjo gjendje tregon qartë se globalizmi neoliberal ka kontribuar vendimtarisht në rritjen e CO2, dyzet vitet e fundit. Siç citon Fotopoulos mbi të njëjtën problematikë:

...përqendrimi i karbonit luhatej midis 180 dhe 300 ppm (pjesë për milion) përgjatë 650,000 vjetëve të kaluar, duke arritur 278 ppm në vigjilje të Revolucionit Industrial. Që nga ajo kohë, ato filluan të rriten në përqindje të përshpejtuara, veçanërisht që nga koha e ndërkombëtarizimit të ekonomisë rritëse pas Luftës së Dytë Botërore. Rezultati i këtij procesi ishte se, përqendrimi i dioksidit të karbonit u rrit nga 315 ppm 50 vjet më parë, në 382 ppm sot. Për më shumë, përqindja e rritjes së një përqendrimi të tillë është rritur më vonë më shpejt, siç theksoi IPCC (Intergovernmental Panel on Climate Change), duke fshehur shqetësimin. Ndërsa rritja mesatare vjetore e përqindjes së përqendrimit ishte 1.4 ppm në periudhën midis 1960-të dhe 2005, ajo arriti 1.9 ppm dekadën e fundit (1995-2005) një rritje prej 36 për qind. Në të njëjtën kohë, temperatura e planetit vazhdoi të rritej, duke u shoqëruar jo vetëm nga dallgët katastrofike, por gjithashtu edhe me thatësira shkatërruese dhe mungesë të ujit, furtuna etj.[18]  

Sipas “World Energy Outlook 2012-të”, rezervat ekzistuese të energjisë fosile do të çlironin, nëse digjeshin pa kapjen e dioksisdit të karbonit, 2,860 gjigatonë – rreth tre herë buxheti botëror i karbonit. Duke djegur këtë rezervë, pa shtesë tjetër, ajo do të shtynte temperaturën botërore më shumë se 3°C.[19] Dioksidi i karbonit parashikohet të rritet me 25 për qind, rreth 1 për qind në vit. Kështu në vitin 2035, çlirimet e CO² do të jenë 18 miliard tonë mbi nivelin e sugjeruar nga “Skenari 450” i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.[20] Siç citon Wolf në një analizë duke u bazuar te libri “The Climate Casino”, i William Nordhous i Univeristetit “Jale”: ‘çlirimet janë rritur shumë shpejt. Përqendrimet e dioksisdit të karbonit në atmosferë janë tashmë më shumë se 400 ppm — 50 për qind më lartë se përpara revolucionit industrial dhe shumë lartë niveleve të 1 milion viteve të fundit. Temperaturat botërore janë rritur përgjatë 150 viteve të fudnit’.[21] Por meqënse ekonomia botërore ekspansionohet, përqendrimi i dioksidit të karbonit parashikohet të arrijë 550 ppm deri në mes të këtij shekulli — dyfishi i përqendrimit para-industrial![22] Kjo nënkupton një rritje mesatare të temperaturës prej 3 deri në 6 gradë, brenda gjysmës së parë së këtij shekulli. Nuk do të ishte e çuditshme që temperaturat e larta përgjatë viteve 1950-1980-të të ishin më të rralla (një në 300) se pas viteve 1980-të (thuajse 1 në 10).[23]Viti 1980-të, kur u institucionalizua globalizmi neoliberal, përkon me përshpejtimin e gjithë krizave të tjera. Në grafikë gjendja paraqitet si vijon:

Grafiqet mungoje...

Pas një viti, shifrat ndryshojnë në rritje: kështu dhjetë ndotësit më të mëdhenj janë, nga lartë-poshtë: Kina (29%), SHBA (15%), BE (10%), India (7.1%), Rusia (5.3%), Japonia (3.7%), Gjermania, 2.2%) Republika e Koresë (1.8%), Irani (1.8%), dhe Arabia Saudite (1.5%). Kina dhe SHBA-ja prodhojnë 45% të totalit botëror të dioksidit të karbonit.[24] Të gjitha këto emetime kur tashmë dihet se shumë prej tyre nuk regjistrohen nga autoritetet.[25] Hamendësisht, për të fshehur krimin që shkaktojnë në ekosistem. Si rezultat, sipas WWF (“World Wide Fund for Nature”), planeti ynë ka humbur gjysmën e jetës së tij të egër përgjatë 40 viteve të fundit![26] Nuk do të ishte e çuditshme gjithashtu, që në sajë të përqendrimit të smogut në atmosferë, kryesisht në metropole, siç është Londra —qytet i cili është, pavarësisht parqeve dhe rreshjeve të mëdha, më i ndoturi në Europë, për lojërat Olimpike të vitit 2012-të, paralajmëroi sportistët për ndotjen e oksigjenit se është në sasi të pa precedenta dhe, ndoshta, përdorimi i maskave në zona të ndryshme, do të ishte një rrugëzgjidhje. Si pasojë e ndotjes vdesin rreth 29,000 qytetarë në vit, nga probleme kryesisht të frymëmarrjes![27] Atmosfera në Britani, është aq e ndotur saqë në vigjile të pranverës së vitit 2014-të, qeveria konservatore shpalli alarm duke sugjeruar se në zonat Jugore, njerëzit që preken më shumë nga ndotja, duhet të qendrojnë brenda shtëpive.[28]

Lidhja e dioksidit të karbonit me ekosistemin

Qytete të tjerë, që gjenden në zonën e Mesdheut, dhe që u mungon gjelbërimi, siç është Tirana, janë shumë më të ndotur se Londra. Pasojat në shëndetin e qytetarëve, por edhe në shërbimet dhe kostot spitalore, janë dhe do të jenë të hatashme. Lidhur me këtë çështje, mbledhja në Durban të Afrikës Jugore, ku morrën pjesë 194 vende, që u zhvillua në 28 Nëntor të vitit 2011-të, rreth rinovimit të Traktatit të Klimës dhe Protokollit të vitit 1997-të, të Kiotos - midis Kinës dhe Indisë, në njërën anë, dhe Japonisë, Kanadasë dhe Rusisë në anën tjetër - prodhoi një pikë të vdekur dhe rrënim të bisedimeve të Kombeve të Bashkuara. Në vigjilje të mbledhjes pasqyra e botës së karbonizuar paraqitet si vijon:

Çlirimet e CO2 në vitin 2011-të arritën në 33.51 bilion tonë, nga 31.63 bilion që ishte në vitin 2009-të - një rritje thuajse 6 për qind, e cila besohet se është përqindja më e lartë e prodhuar ndonjëherë brenda një viti. Pasqyra tregon vërshimin e ekonomisë Kineze, që është udhëheqësi më i madh i rritjes. Çlirimet e këtij vendi në vitin 2010-të ishin mbi 8.15 bilion tonë nga 7.46 bilion një vit më parë - një rritje prej 9.3 për qind. Vetëm rritja e 694 bilion tonë zvogëlon emisionet e karbonit të cilin Britania e prodhon në një vit. Kina ka marrë rolin e ndotësit më të madh botëror dhe ajo ende nuk është përzier në ndonjë Traktat detyrues për të ulur emisionet e saj. Ndotësit më të mëdhenj global, sipas radhës, janë: Kina, Amerika dhe India.[29]  

Kina, në të vërtetë, ndryshe nga Amerika dhe Europa, ka filluar një program për zhvillimin e energjisë së gjelbërt që në vitin 2005.[30] Si pasojë, ajo ka rritur disi sasinë e energjisë së gjelbërt. Por ajo vazhdon të çlirojë sasi të mëdha gazrash: sepse Kina ka adoptuar ideologjinë e kapitalizmit dhe krahas konkurrencës në nivel ndërkombëtar - ajo ka rritur kërkesën dhe përllogarit PPB-në e saj, në bazë të ‘konsumit’. Siç citon një autor: 1 dollar i shpenzuar çliron afërsisht 1 libra [454 gr] karbon...Amerikanët djegin më shumë karbon për person se çdokush tjetër.[31] Efekti që ka përqendrimi  CO² në atmosferë është i tëllë që të shkaktojë në një vend përmbytje dhe në një tjetër thatësirë. Gjatë verës 2017-të, për shembull, Ballkani dhe përgjithësisht Jugu i Europës u përfshi në një thatësirë tejet të rrezikshme për jetën. Ndërsa Amerika u përfshi në përmbytje katastrofike. Kështu rreshjet që do të shkarkoheshin në mënyrë më të barabartë shkarkohen në mënyrë tejet të pabarabartë. Duhet thënë se sasia e rreshjeve përcaktohet nga sasia e avullimit të ujit: sa më e madhe të jetë ajo aq më shumë rreshje do të shkarkohen. Kur retë mbushen me avuj dhe CO² ato janë më të rënda në metale dhe absorbojnë më shumë avuj: sa më shumë avuj të qendrojnë në re aq më shumë rreshje do të ketë. Në vendet kontinentale ku erërat janë më të fuqishme bashkë me to përqendrohet dhe sasia e CO². Shkurt, metalet e rëndë në atmosferë shkaktojnë përmbytje në vendet kontinentale dhe thatësira në vendet jokontinentale si Europa. Zgjidhja, rrjedhimisht, kalon nga eliminimi i plotë i CO² dhe metaleve të tjerë në atmosferë – ose eliminimi i plotë i industrisë që çliron dioksid karboni dhe gazra të tjerë të dëmshëm për shëndetin e Natyrës dhe ekosistemit.  

Kështu, ndërsa Aristoteli kritikonte dhe mësonte bashkëkohësit e tij se zhvillimi i arteve të prodhimit është i kufizuar, pavarësisht popullsisë tejet të vogël në krahasim me kohën e Iluminizmit të fundit, Adam Smithi dhe veçanërisht Karl Marksi, besonte te zhvillimi i ‘pakufizuar’ i forcave punëtore dhe i industrisë! Dhe pavarësisht se ka kaluar më shumë se një shekull dhe socializmi është rrënuar, post-marksistët jo vetëm që nuk kanë treguar ‘shkaqet’ e vërtetë të rrënimit të tij por as kanë kuptuar efektin e ‘ideologjisë së rritjes ekonomike’ që ka në ekosistem.[32] Sepse shkaku kryesor i katastrofës ekologjike nuk është thjesht njeriu, siç argumentojnë shumë post-marksistë, pjesa më e madhe e “ekologjistëve” dhe “shkencëtarët” e establishmentit. Por është kuadri institucional që krijo kushtet për përqendrimin e pushtetit në njërën anë (në duart e elitave) dhe shpërqendrimin në anën tjetër (nga populli)  - sepse me ndarjen e shoqërisë nga pushteti politik (dhe ekonomik) lindi dhe tregu i marketingut dhe ideologjia e rritjes ekonomike, bashkë me konceptet e tjerë sistemikë (konkurrencë etj.). Edhe nëse krahasojmë periudhën e dy shekujve të fundit dhe gjithë periudhën pararendëse, që janë disa mijëvjeçarë, është e qartë se njeriu nuk ka qenë shkaktar i katastrofave ekologjike. Fundja, njeriu është pjesë e ekosistemit dhe komponent i pandashëm e tij. Teknologjia, në anën tjetër, është plus për planetin dhe ajo nuk u zhvillua pa pushtetin e elitave. Përkundrazi, ishin elitat kapitaliste në veçanti dhe mendimtarët modernë në përgjithësi që promovuan ideologjinë e rritjes ekonomike me bazë teknologjinë dhe krijuan kulturën e konsumerizmit dhe shkapërderdhjes së të mirave materiale nga popujt.  

Kloroflurokarboni dhe karboni: elementët kimikë që shkatërrojnë ekosistemin ‘nga lartë’ dhe ‘nga poshtë’

Në bregdet, sipas një studimi,[33] njeriu pëson kancer në lëkurë, në qytet, kancer në mushkri. Studimi, sidoqoftë, nuk dëfton shkaqet! Për kancerin e lëkurës shkaku është vrima e ozonit; për mushkritë, ngarkimi i oksigjenit me metale kancerogjene, dioksid karboni etj. Sërish, vrima e ozonit shkaktohet kryesisht nga përdorimi i CFC (chlorofluorocarbon) — një përzierje kimike që përdoret për ftohësa (makinash, banesash etj.) që nga fillimi i shekullit të kaluar. Megjithëse përdorimi i CFC-së është ndaluar dhe sasia e tij në atmosferë është zvogëluar, për shkak se u adoptua në vitin 1987-të Protokolli i Montrealit, shtresa e ozonit vazhdon të dëmtohet. Sipas një studimi vrima mund të rekuperohet rreth vitit 2050-të.[34] Shkurt, shkatërrimi i shtresës së ozonit, e cila pengon rrezet ultraviolet të kalojnë në jetën e planetit, shkaktohet nga përdorimi i lartë i CFC-së në teknologjinë moderne. Ky përdorim, shkatërron shtresën e ozonit dhe krijon kushtet për shfaqjen e kancereve në lëkurë. Sigurisht, këtu nuk konsiderohet efekti që kanë rrezet ultraviolet mbi bimët, kafshët dhe ujin. Më shkurt, është industria kapitaliste dhe botëkuptimi modern që ka shkaktuar rritjen e përdorimit të CFC-së. Sepse njerëzit mund të jetojnë edhe pa kondicionerë, edhe pa makina (me kondicionerë) edhe mund të krijojnë ftohësa me lëndë kimike që të jenë të padëmshme për ekosistemin nëse metodologji strikte shkencore zbatohen. Sërish, në rritjen e sasisë së CO² ndikon teknologjia moderne (makinat private; industria kapitaliste etj.). Kësisoj, sulmi në ekosistem ushtrohet “nga lartë” dhe “nga poshtë”. ‘Nga lartë’, sepse CFC-ja qëndron në shtresën e ozonit rreth një shekull; ndërsa ‘nga poshtë’, CO² qëndron në oksigjen, gjithashtu për një kohë të gjatë. Krahasueshmërisht CFC-ja është më i dëmshëm se CO². Dhe është përdorimi masiv CFC-së përgjatë shekullit të kaluar që ngarkoi ozon-zonën me sasi që ruajnë efektin edhe sot, dhe do të kenë efekt edhe në të ardhmen, për gjeneratat pasardhëse. Është, rrjedhimisht, kryesisht zhvillimi industrial perëndimor i shekullit të kaluar dhe dinamika e tregut veçanërisht e globalizmit neoliberal që ndikon vendimtarisht në përkeqësimin e gjendjes ekologjike.

Përfundimi i të gjitha këtyre është se me “shkencëtarët” e establishmentit dhe elitat borgjeze, masmedian dhe popujt e keqedukuar, gjendja nuk mund të përmirësohet. “Shkencëtarët” e establishmentit e lidhin krizën ekologjike me njeriun dhe jo me kuadrin modern institucional dhe kulturën përkatëse që ai krijon dhe, veçanërisht me globalizmin neoliberal, sepse ata nuk e kuptojnë sistemin: nëse do ta kuptonin do të na e tregonin. Sistemet ose format organizative të shoqërive janë subjekt studimi i filozofisë politike dhe në kohët tona mungojnë autorë të kësaj disipline. Në këtë disiplinë vetëm Takis Fotopoulos ka dhënë një kontribut të vyer. Por ai çensurohet nga elitat moderne dhe masmedia mbikombëtare — siç çensurohem dhe unë. Për pasojë, popujt trushpëlahen me qasjet e “shkencëtarëve” të establishmentit ndërsa kriza thellohet. Fakti që çensurohemi nga masmedia dhe universitetet tregon pikërisht se nga kush kontrollohen dhe përse: sepse kanë frikë se mos kuptojnë popujt se janë veçanërisht elitat moderne shkaktare të katastrofës ekologjike (dhe jo vetëm të kësaj katastrofe) dhe jo njeriu. Efekti tjetër, negativ, që ka ky përfundim, është se elitat mund ta përdorin kundër njeriut. Domethënë, pasi bëjnë të gjithë njerëzit fajtorë për krizën ekologjike, dhe krijojnë bindjen përkatëse, vrasjet e njerëzve pranohen nga të gjithë, meqënse, sipas bindjes së përgjithshme, jemi të gjithë fajtorë. Sigurisht, popujt kanë përgjegjësinë e tyre në katastrofën ekologjike. Por kur atyre u çensurohen të vërtetat (ose shkaqet) s’kanë asnjë mundësi të kuptojnë efektet e sjelljeve sociale. Tregimi i katastrofës ekologjike nga masmedia pa treguar shkaqet (sistemike) është më pak se gjysma e të vërtetës. Tregimi, për shembull, se moti ekstrem do të vrasë më shumë se 152 mijë njerëz çdo vit në Europë deri në vitin 2100, nëse asgjë nuk bëhet për të frenuar efektet e ndryshimeve klimatike,[35] pa na treguar shkaqet, është thjesht një parashikim që buron nga kushtet ekologjike aktuale. Në të vërtetë, aktualisht janë shumëkombshet, ose disa prej tyre, që po shtyjnë politikanët profesionistë të adoptojnë politika ekologjike se sa popujt...                              

 


[1]Global inaction shows that the climate sceptics have already won,Martin Wolf, FT, May 21, 2013.

[2]Read the draft of climate change report, New York Times, Aug, 7, 2017.

[3]Green growth is a worthwhile goal, Martin Wolf, FT, November 26, 2013.

[4]Climate sceptics are losing their grip, Martin Wolf, FT, July 8, 2014.

[5]5 ways to hack the planet, The Guardian, 12 September 2013.

[6]Let's play God: The scientific experiments that might save the world (or destroy it...), The Independent, 20 October 2013.

[7]Loss Adjustment, George Monbiot, The Guardian, 1st April 2014.

[8]Billionaires secretly fund attacks on climate science, The Independent, 24 January 2013.

[9]Errors and emissions, New York Times, Sept. 18, 2014.

[10]Storm of my grandchildren, 2009.

[11]Scientists are 95% certain humans are responsible for climate change, The Independent, 27 September 2013.

[12]Are We Bothered? George Monbiot, The Guardian, 9th May 2014.

[13]Beliefs, Facts and Money, Paul Krugman,N.Y. Times, JULY 6, 2014.

[14]ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, Ο μύθος του μονόδρόμου και o ρόλος των τοπικών κοινωνιών στην έξοδο από την κρίση, Ομιλία στη Κέρκυρα (26/5/2010), f, 5.

[15]The Economics of Ecosystem and Biodiversity. Report, December 2009, pdf.

[16]Act now or species will be lost, environment groups warn, The Observer, 5 Aug 2012.

[17]Paleoclimate. Chapter 6, nga autorë të ndryhëm, p, 4, pdf.

[18]Myths on the Ecological Crisis, TAKIS FOTOPOULOS, The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, Vol. 3, No. 2 (April 2007).

[19]A climate fix would ruin investors, Martin Wolf, FT, June 17, 2014.

[20]The riches and perils of the fossil-fuel age, Martin Wolf, FT,March 3, 2015.

[21]Green growth is a worthwhile goal, Martin Wolf, FT, November 26, 2013.

[22]The risks of climate disaster demand straight talking, FT, August 2012,.

[23]Heatwaves are proof of global warming, says Nasa scientist, The Independent, 05 August 2012.

[24]US and China leaders in 'historic' greenhouse gas emissions pledge, BBC, 12 November 2014.

[25]‘Dodgy’ greenhouse gas data threatens Paris accord, BBC, 8 August 2017.

[26]Earth has lost half of its wildlife in the past 40 years, says WWF, The Guardian, 30 September 2014.

[27]Air pollution: should it stop you exercising? The Guardian, 5 Aug 2012.

[28]UK smog alert: vulnerable people advised to stay indoors, The Guardian, 2 April 2014.

[29]Deadlock looms over CO2 cuts as Durban summit begins, Michael McCarthy, 26 November 2011, The Independent.

[30]Climate calamity averted: New renewable rivalry between the US and China, RT, June 16, 2014.

[31]Natural disasters?The Guardian, Sat 2 Apr. In this article, one can find a summery of world’s disasters during the year of 2010, up to this date.   

[32]Shih, për më shumë, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë.

[33]New UK health atlas shows greatest lung cancer risk in big cities, The Independent, 25 April 2014.

[34]Ozone layer ‘to heal’ by 2050, RT, 1 Jul, 2016.

[35]Extreme weather ‘could kill up to 152,000 a year’ in Europe by 2100, BBC, 5 August 2017.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA