...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Implikimet e reformës në drejtësi: gjykatës, prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (SPAK-ut)

Reforma në drejtësi synon ndryshimin e gjithë trupës juridike në Shqipëri: sepse ajo ka dështuar në drejtësi. Si e tillë, ajo supozohet se do të sjellë drejtësi. Për ta realizuar këtë objektiv, krahas ristrukturimit të intitucioneve ekzistuese, ajo ngre dy institucione të tjerë: njëra është “Prokuroria e Posaçme” dhe “Byroja Kombëtare e Hetimit” (akuza) dhe tjetra “Gjykata e Posaçme” (gjykimi).

Ylli Përmeti

16/06/2018 - 13:41

Reforma në drejtësi synon ndryshimin e gjithë trupës juridike në Shqipëri: sepse ajo ka dështuar në drejtësi. Si e tillë, ajo supozohet se do të sjellë drejtësi. Për ta realizuar këtë objektiv, krahas ristrukturimit të intitucioneve ekzistuese,[1] ajo ngre dy institucione të tjerë: njëra është “Prokuroria e Posaçme” dhe “Byroja Kombëtare e Hetimit” (akuza) dhe tjetra “Gjykata e Posaçme” (gjykimi). Ndërsa prokuroria e posaçme përfaqëson akuzën përpara gjykatës së posaçme, ndryshe nga prokuroria e përgjithshme e cila përfaqëson akuzën në gjykatën e lartë dhe gjykatën kushtetuese, dhe përbëhet nga të paktën 10 prokurorë që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili me radhë, përbëhet nga 11 anëtarë gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjithë niveleve të prokurorisë dhe pesë nga kuvendi - nga radhët e juristëve joprokurorë, kryetari i të cilit zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve joprokurorë, gjykata e posaçme gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar kundër presidentit, kryetarit të kuvendit, kryeministrit, anëtarit të këshillit të ministrave, gjyqtarit të gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, prokurorit të përgjithshëm, inspektorit të lartë të drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të këshillit të lartë gjyqsor dhe këshillit të lartë të prokurorisë dhe drejtuesve të institucioneve qendrore...si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Mirëpo, anëtarët e gjykatës së posaçme emërohen nga këshilli i lartë gjyqësor kur 11 anëtarët e këtij të fundit zgjidhen gjashtë nga gjyqtarët e të gjithë niveleve dhe pesë nga kuvendi - nga radhët e juristëve jogjyqtarë! Në thelb, për të dy këta institucione zbatohet e njëjta qasje. Por le të shohim si fillim se çfarë është kuptuar nga grupi i ekspertëve të reformës në drejtësi kur në një studim orvatet të tregojë shkaqet pse ka degjeneruar sistemi i drejtësisë në Shqipëri me qëllim që të krijojmë një tablo më të gjerë të problematikës:

Në kushtet e mungesës së një presioni të artikuluar nga publiku, të një marrëveshjeje të gjerë politike, si dhe nga mungesa e një tradite të pamjaftueshme demokratike të vendit, shumicat parlamentare dhe qeveritë e kohës janë mjaftuar me ndërhyrje të pjesshme e kozmetike në sistemin e drejtësisë, kryesisht të mbështetura vetëm me votat e shumicës. Ç’është më e keqja, vetë natyra e këtyre ndërhyrjeve ka krijuar hapësira për politikën, që në ndonjë rast synojnë kontrollin mbi qeverisjen e institucioneve të drejtësisë për parandalimin e rreziqeve që mund t’i vijnë politikës nga një drejtësi e pavarur. Politika nuk i ka shpëtuar tundimit për të ruajtur sa më shumë rol kontrollues në çështjet që kanë të bëjnë me emërimet, statusin, karrierën dhe disiplinimin e funksionarëve të drejtësisë, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe mbi sjelljen e tyre. Ndoshta shembulli më i spikatur i kësaj prirjeje konstante është këmbëngulja për të ruajtur një rol ekskluziv të ekzekutivit në inspektimin e veprimtarisë së gjyqtarëve dhe në disiplinimin e tyre… reformat e deritanishme (sado të pjesshme) janë prekur edhe nga interesat korporatiste të funksionarëve të drejtësisë (gjyqtarë e prokurorë), të cilët përmes aleancave me krahë të ndryshëm të politikës, por edhe përmes instrumentalizimit të aktorëve të tjerë të fushës (organizata të shoqërisë civile ose institucione ndërkombëtare), ia kanë dalë të gjejnë shtigje për të ndikuar mbi objektivat dhe instrumentet e reformës. Me fjalë të tjera, një nga shkaqet kryesore që ka ndikuar në sterilitetin e reformave të deritanishme në drejtësi ka qenë fakti se interesat e aktorëve kryesorë të reformës (klasa politike dhe funksionarët e sistemit të drejtësisë) nuk kanë përkuar gjithmonë me interesin publik për një sistem të pavarur, profesional dhe me integritet.[2]

Pushteti politik dhe juridik, sipas analizës, janë shkaqet kryesorë se pse drejtësia ka dështuar. Por dimë se pushteti politik krijon pushtetin juridik dhe jo anasjelltas qoftë në kuptimin e ligjeve që miraton qoftë në kuptimin e emërimit të funksionarëve në institucionet e drejtësisë. Pushteti politik është dominant kundrejt pushtetit juridik qoftë në “demokracinë” përfaqësuese qoftë në socializmin marksist: sepse ai supozohet se buron nga populli për të qeverisur vendin duke përfshirë dhe sistemin e drejtësisë. Kështu ndërsa pushteti politik supozohet se buron nga populli - pushteti juridik për të dyja paradigmat sociale buron nga pushteti politik kur ky i fundit harton ligje dhe krijon institucione drejtësie. Dimë, gjithashtu, se partia komuniste e socializmit marksist e përdori pushtetin juridik duke u mbështetur në ideologjinë që përqafoi: luftën e klasave. Drejtësia, rrjedhimisht, do të mbështeste klasën puntore dhe jo fëmijët e pasanikëve të Zogut dhe ballistëve. Ndërsa me ndryshimin e regjimit, të cilin e mundësoi elita komuniste e Ramiz Alisë, ideologjia ndryshoi gradualisht. Kështu drejtësia në vend t’i shërbente klasës puntore filloi t’i shërbente pushtetit të ri politik dhe ekonomik që po krijohësh. Ndryshoi, në fjalë të tjera, jo vetëm ideologjia por dhe orientimi i drejtësisë: ajo do t’i shërbente klasës së re politike dhe ekonomike jo vetëm sepse pushteti i saj, juridik, buronte nga pushteti politik, por sepse ndryshoi dhe ideologjia. Një tjetër shkak vendimtar në këtë proces është dija e mundshme juridike qoftë për elitën komuniste qoftë për elitën e re kapitaliste.

Për elitën komuniste, ideologjia ishte e para jo drejtësia. Për elitën kapitaliste ideologjia nuk ishte e para në dhjetëvjeçarin e parë të ndryshimit të regjimit. Por pasi filloi të merrte formë regjimi i ri, veçanërisht pas vitit 1998, me ndryshimet e para kushtetuese, ideologjia u bë e para prapë, për dy arsye: sepse përgjatë dhetëvjeçarit të parë u kryen shumë padrejtësi dhe nevoja për t’i mbuluar ato impononte riprodhimin e pushtetit politik në një regjim tjetër dhe kur dihet se pushteti politik të ëmbëlson. Kështu megjithëse drejtësia si koncept u përdorë në fillim të ndryshimit të regjimit nga pinjollët e elitës politike të socializmit marksist, ajo u vendosë prapë në sqetullën e pushtetit politik. Njërëzit e rinj që u integruan në sistem do të operonin sipas logjikës që operonin pararendësit: duke u përputhur me ligjet e shkruajtur në letër të cilët supozohet se përvetësoheshin në shkallë të lartë përgjatë kualifikimit: ata i shikonin institucionet e drejtësisë si një mundësi për t’u siguruar me punë dhe të ardhura të konsiderueshme kur paralelisht zhvillohësh kapitalizmi shqiptar. Nuk ishte krijuar, domethënë, dinamika e dashurisë për drejtësinë në nivel shoqëror. Por ishte ‘rroga’ dhe ‘siguria’ në punë që nxiste njerëzit për t’u integruar në sistem. Në këtë mënyrë, ata filluan të përshtateshin në dinamikën e re që krijoi pushteti politik duke përfituar nga sistemi i ri dhe nga tregu. Mungonte, rrjedhimisht, premisa bazë për t’u bërë prokuror dhe gjykatës: dashuria për drejtësinë. Ndërsa në nivel politik mungonte dija jo vetëm lidhur me natyrën e drejtësisë por dhe me sistemin e ri që po krijohësh dhe efektet e tij: “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut i cili tashmë është globalizuar. Me mungesën e këtyre premisave nuk do të ishte e çuditshme që pushteti i ri politik të pranojë gjithçka i këshillonin “ekspertët” e huaj dhe veçanërisht perëndimorët, duke integruar ligje që nuk përputheshin me kulturën shqiptare. Për shembull, në kulturën shqiptare nuk ishte zhvilluar urtësia juridike e popullit — domethënë, praktika e shqyrtimit të ligjeve përmes të cilës zhvillohet urtësia juridike. Pa këtë kulturë pushteti i ri filloi të impononte ligje dhe kur nuk zbatoheshin, përdornin dhe vazhdojnë të përdorin, argumentin se “ligje kemi plotë por nuk zbatohen”! Ky argument, në të vërtetë, fsheh një të vërtetë më të madhe: se roli i pushtetit politik nuk është vetëm të hartojë dhe miratojë ligje por t’i mbikqyrë ata në zbatimin e tyre. Por gjykuar nga fakti se anëtarët e rinj të pushtetit politik ishin padije dhe pakulturë juridike - ky argument nuk duhet të na befasojë: sepse ai është pasojë e padijes.

Kujtoj, edhe një herë, se pushteti ynë politik nuk është i aftë të hartojë as ligje: sepse shumica e tyre dhe veçanërisht kryetarët e partive s’kanë dije juridike. Kështu ata mjaftohen me argumente që janë të papërputhshëm me natyrën e pushtetit që administrojnë: pushtetin politik! Në këtë proces, përvoja perëndimore lidhur me organizimin dhe operimin e sistemit të drejtësisë nuk duhet parë si “më e mira” për sa kohë që ajo operon kryesisht përmes ligjeve të shkruajtur...në letër dhe jo në mendjen, zemrën dhe shpirtin e një populli: se pse vepron kështu perëndimi lidhet gjithashtu me dijen: pedagogjia juridike perëndimore nuk është teleologjike —koncept arsitotelian— por kundër-teleologjike, sepse rëndësia dhe natyra e këtij të fundit nuk është kuptuar drejtë dhe perëndimi ka institucionalizuar mendimtarë të traditës platoniste dhe jo aristotelianiste. Përjashto pak njerëz që janë në dijeni për ndryshimin mes Platonit dhe Aristotelit në filozofi, perëndimi institucionalizoi mendimtarët e traditës platoniste ‘objektivisht’ — sepse vetëm ata mund të riprodhonin pushtetin e elitave ndërsa tradita aristotelianiste i dobëson ata për sa kohë që Aristoteli synon të zhvillojë njerëz virtuozë, veçanërisht me virtytin e drejtësisë duke e ushtruar pushtetin juridik (dhe jo vetëm këtë pushtet) dhe jo duke e ndjekur përmes masmedias si spektator. Aristoteli e mbështet këtë praktikë sepse është i pari që kupton natyrën e njeriut dhe jo sepse, siç argumentojnë shumë, ai dëshmonte demokracinë e drejtëpërdrejtë të demosve të Athinës Klasike. Lidhet, në fjalë të tjera, me kuptimin e natyrës njerëzore dhe edukimin dhe ushtrimi pushteti politik (se sa delegimi i tij) ishte pjesë e edukimit por jo i mjaftueshëm. Krahas këtij aspekti, siç tregova më lartë, gjykatat domonohen nga ideologjia e regjimit. Amerika, për shembull, “ka një sistem drejtësie që sa i përket dorëzanisë për shkeljet e ligjit i jepë liri pasanikëve dhe detyron të varfërit të mbushin kot burgjet”[3] veçanërisht me të varfërit amerikanë afrikanë.[4] Domethënë, vonojnë gjykimin e të varfërve dhe gjykojnë shpejtë pasanikët (e bardhë) duke i lënë të lirë me dorëzani!

Kështu objektivi i studimit përkatës për të krijuar kushtet e nevojshme që reforma në drejtësi të jetë e harmonizuar dhe efeket e saj të jenë të balancuara, humbet kuptimin për sa kohë që ai nuk tregon shkaqet e vërtetë të rrënimit të sektorit. Nuk do të ishte e çuditshme që në “strategjinë e reformës në sistemin e drejtësisë”, 2015, përqendrohet kryesisht te ndryshimet kushtetuese dhe ligjore! Ndarja e pushteteve (politike dhe juridike) dhe balancimi i tyre, me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, duke përfshirë dhe ndryshimet e fundit, rrjedhimisht, nuk mund të realizohet përsa kohë që sektori i drejtësisë nuk operon në pavarësi nga pushteti politik — domethënë, duke u zgjedhur nga trupa juridike dhe duke u organizuar në mënyrë demokratike —gjithëpërfshirëse, dhe në prani të popullit por krijohet nga pushteti politik kur gjithë gjykata dhe gjithë prokuroria propozohet dhe miratohet nga klasa politike. Për këtë efekt është në dijeni dhe “ekspertiza” e reformës në drejtësi. Por ajo mjaftohet duke këshilluar “president” konsesual”, sepse ky lloj presidenti, ndryshe nga presidenti i mazhorancës qeverisëse, ka gjasa mos të ndikohet nga presioni politik [i partisë] në përzgjedhjen e kandidaturave juridike dhe krijimin e gjykatave (kushtetuese dhe të lartë) “jopolitike” nga...kush? Nga pushteti politik![5] Kujtoj se gjykata kushtetuese garanton zbatimin e saj —duke bërë interpretimin përfundimtar të ligjeve— ndërsa gjykata e lartë shqyrton çështje lidhur me kuptmin e zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin e praktikës gjyqësore. Duke lënë mënjanë varësinë që krijohet në këtë proces, ekspertët katapultojnë dhe shqyrtojnë vetëm statusin, misionin, kompetencat dhe organizimin![6] Në këtë ndërvarësi shtohet dhe roli i ministrisë së drejtësisë për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve. Shtohet dhe roli i gjykatës së lartë, e cila zgjedh tre anëtarë të gjykates kushtetuese nga nëntë gjithsej (tre emërohen nga presidenti dhe tre nga kuvendi). Vetë anëtarët e gjykatës së lartë propozohen nga këshilli i lartë gjyqësor dhe emërohen nga presidenti.

Qartësisht, qoftë gjykata e posaçme qoftë gjykata e lartë varen nga këshilli i lartë gjyqësor dhe ky i fundit varet nga kuvendi në përqindje të madhe! Ndërsa prokuroria e posaçme varet nga këshilli i lartë i prokurorisë pesë anëtarët joprokurorë të të cilës zgjidhen nga kuvendi ndërsa gjashtë nga prokurorët e të gjithë niveleve të prokurorisë. Për nga rëndësia prokuroria e posaçme është më e rëndësishme krahasuar me prokurorinë e përgjithshme përsa kohë që ajo përqendrohet në krimet e institucioneve të larta të shtetit.

Por le të shqyrtojmë më tej Byronë Kombëtare të Hetimit: koncepti i saj vjen nga FBI-ja amerikane. Byroja Federale e Hetimit (“FBI-ja”) në Amerikë u krijua sepse elita politike e kohës kërcënohësh “nga poshtë”: nga anarkistët, komunistët dhe socialistët, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit (“BKH-ja”) krijohet për shkak se populli shqiptar kërcënohet “nga lartë”: nga “anarkistët” e 28 viteve të fundit në pushtet. Ndërsa BKH-ja heton veprat penale të korrupsionit në nivel të lartë, FBI-ja amerikane ka një mision të dyfishtë: të mbrojë sigurinë kombëtare dhe të luftojë veprimtaritë kriminale.[7] Por “në thelb FBI-ja ka qenë krahu politik i zbulimit për Shtëpinë e Bardhë. Ajo ka mbledhur informacion për kritikët e politikës së jashtme, për kritikët politikë, me qëllimin për t'i dëmtuar”.[8]

Një ndryshim tjetër, thelbësor, me BKH-në, është se FBI-ja është agjenci udhëheqëse në departamentin e drejtësisë ndërsa Byroja vendoset nën diktatin e Prokurorisë së Posaçme.[9] Kjo e fundit përbëhet nga të paktën 10 prokurorë. Këta emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë i cili përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjithë niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.[10] Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve joprokurorë që zgjedh Kuvendi! Nga kjo lloj zgjedhjeje kuptojmë se BKH-ja s’është plotësisht e pavarur nga klasa politike. Përkundrazi, Byroja mund të kontrollohet drejtpërdrejt edhe përmes drejtorit të Byrosë. Këshilli i lartë gjyqësor bëhet edhe më problemtik kur detyra e tij është të “sigurojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor”. Domethënë, të Gjykatës së Lartë, Gjykatave të Apelit, Gjykatave të shkallës së parë, por edhe të Gjykatës së Posaçme. Kështu ndërsa BKH-ja supozohet se do të luftojë krimin institucional, vendosja e saj nën sqetullën e Prokurorisë së Posaçme dhe kjo e fundit nën sqetullën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët, me radhë, drejtohen nga njeriu i zgjedhur i Kuvendit...humbet përqindjen më të madhe të pavarësisë së saj: sepse përqindja tjetër varet nga financimi dhe pavarësia profesionale e drejtorit. Njëlloj e humbet pavarësinë edhe Gjykata e Posaçme e cila supozohet se do të gjykojë çështjet që do të luftojë dhe çojë Byroja në gjykatë për gjykim: sepse ajo kontrollohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe ky i fundit, nga Presidenti! Gjykuar nga detyra e Presidentit në raport me ligjet që miratohen në Kuvend —“dekretuese”— dhe nga e drejta e tij për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe gjykuar edhe nga procesi se si zgjidhet Presidenti —nga Kuvendi— dhe nga procesi se si ngjitet në pushtetin e Presidentit —përmes partive, rrjedhimisht, një ‘lloj’ ideologjie dhe grupi parlamentar përfaqëson— mund të themi se edhe Gjykata e Posaçme do të diktohet nga ky “rreth” që krijohet mes partive në pushtet, kuvendit dhe mungesës së pavarësisë që bart vetë Presidenti nga grupi partiak që e propozon dhe e zgjedh. Por ndërsa pavarësia e Byrosë mund të cënohet nga mënyra se si krijohet, ajo ende ruan një përqindje të madhe pavarësie nga mënyra se si financohet: sepse ajo financohet nga amerikanët dhe evropianët. Dhe ndërsa financimi siguron një farë pavarësie nga klasa aktuale politike ajo varet nga FBI-ja, veçanërisht tani që kjo e fundit është shtrirë në hetimin e shumë juridiksioneve dhe është globalizuar. Por ndryshe e shikon kryetari i KLP-së, Ibrahimi, pavarësinë e Spak-ut:

Së pari: Pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithҁka nëpunën e njëprokurori nëpozicion mëtëulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund tëvendoste mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi ështëҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanënjëmandat 9 vjeҫar, janëtëpashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerëqëshërbejnëme njëafat tëpërcaktuar dhe mund tëlëvizin nga KLP nga njëzyrënëtjetrën. Nëse njëprokuror i SPAKka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve tëKLP, gjë që vështirë të arrihet në kushte normale.

Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore/hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për Policinë e Shtetit për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi qëpushteti ekzekutiv tësabotojëhetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinëgjyqësore. Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.

Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.

Qartësisht, ai e shikon Spak-un të shkëputur nga mënyra se si krijohen institucionet e tjerë dhe përqendrohet te pavarësia e prokurorëve në hetim dhe policia gjyqësore. Por nuk harron të përmend faktin se Spak-u do të ketë një sekret më të madh hetimor se strukturat pararendëse. Por pavarësisht këtij fakti ai nuk është i mbrojtur plotësisht nga rrjedhjet.

Byroja, prokuroritë dhe gjykatat e reja, për më shumë, bartin një kosto të madhe. Nëse gjykojmë, për shembull, nga FBI-ja, ajo ka rritur koston për popullin amerikan në shifra marramendëse: nga viti 1940-të deri në vitin 2003 është rritur në personel dhe buxhet: nga 2,400 në vitin 1940-të në rreth 26,000 punëtorë në vitin 2004 dhe buxheti është rritur nga 9 milion në 4 miliard dollarë.[11] Për të realizuar obejktivin e saj zyra qendrore bashkëpunon ngushtë me 56 zyra të tjera rajonale. Megjithëse konsiderohet një nga agjencitë më të mira botërore të hetimit, ajo është kritikuar për shumë dështime, veçanërisht për sulmin e 11 Shtatorit në Nju Jork të vitit 2001 dhe së fudmi, për bombat e maratonës së Bostonit. Përgjatë konsesusit social-demokrat, kur blloku socialist ishte në kulmin e tij, FBI-ja, mes shumë dështimeve, ka neutralizuar me sukses, mes shumë grupesh, edhe Partinë Komuniste Amerikane: sepse ajo shihësh nga shumë politikanë, se drejtohësh nga agjentë Sovjetë. Praktikat që u përdorën në atë kohë ishin përgjime, ndërhyrje dhe veprime të tjera inteligjente të maskuara.

Në epokën e globalizmit neoliberal - FBI-ja vazhdon të luftojë terrorizmin si brenda vendit ashtu dhe jashtë. Jashtë vendit, ajo koordinon informacionin që mbledh nga legatët (atashétë) që operojnë në ambasadat amerikane rreth botës. Legatët, me rradhë, e mbledhin informacionin përmes ndërlidhjes së hapur (“overt liaison”). Në këtë mënyrë, FBI-ja është ‘globalizuar’ dhe plotëson CIA-n, dhe si në çdo vend, bashkëpunon me shërbimet inteligjente ku ka ambasada. Për të njëjtën arsye, BKH-ja, për të realizuar objektivin e saj —hetimin e korrupsionit— do të bashkëpunojë edhe me legatët. Nga ky bashkëpunim nuk mund të lindin probleme përsa kohë që objektivi është i njëjtë. Suksesi i BKH-së mund të minohet vetëm nga drejtori dhe prokurorët e saj, meqënse ata do të emërohen nga klasa politike dhe meqënse karrierën e tyre e kanë krijuar falë të njëjtës klasë. Nuk është e rastit që aktorët krysorë të politikës janë përqendruar pikërisht tek individët kryesorë të Byrosë dhe Gjykatës së Posaçme! Me ndryshimet kushtetuese, rrjedhimisht, Byroja dhe Gjykata e Posaçme mund të kontrollohen nga klasa politike drejtpërdrejt dhe tërthorazi.

Një problem tjetër, që krijoi reforma, janë rrogat e larta të anëtarëve të institucioneve në raport jo vetëm me rrogat e punëtorëve të tjerë por edhe në raport me ekonominë tonë: racionalja pas kësaj zgjedhjeje është se kur sektori i drejtësisë mirë-paguhet — minimizohet mundësia për t’u korruptuar. Mirëpo, problemi me këtë qasje është se ‘skanimi’ ose “vetingu”, siç e quajtën “ekspertët”, i anëtarëve të sektorit, do të luajë rol vendimtar në sjelljen e anëtarëve në detyrë. Dhe jo vetëm skanimi: por supozohet se individët që do të drejtojnë sektorët kanë treguar me punë akademike —studimore— se kanë zhvilluar, më shumë se çdo virtyt tjetër, virtytin e drejtësisë. Mirëpo, nëse gjykojmë nga drejtuesit aktualë, vetëm studime nuk dëshmojmë: as nga prokurorët dhe as nga gjykatësit. Pa përmendur punët e munguara akademike që duhet të kishin bërë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë etj. Punët akademike në vetë-vete krijojnë një farë pavarësie në institucionet përkatëse për individët që do t’i administrojnë nga klasa politike: sepse njeriu që pretendon të drejtojë një institucion publik supozohet se ka kaluar nga teoria dhe praktika dhe ka treguar bindshëm se është i aftë ta administrojë atë.

Gjykuar nga çfarë është bërë dekadat e fundit, në gjykata dhe prokurori, thuajse të gjithë njerëzit që i kanë administruar ato, nuk kanë proceduar nga teoria dhe punët akademike -në praktikë, dhe anasjelltas. Me reformën ka gjasa që të ndryshojë kjo gjendje. Dhe nëse i shtojmë kësaj gjendjeje varësinë tonë politiko-ekonomike kundrejt vendeve perëndimore, drejtësi nuk do të ketë kurrë. Rolin e varësisë ekonomike kundrejt vendeve perëndimore e kuptojmë mjaft qartë nga rrëfimi i Paskal Milos, dikur ministër i jashtëm. Ai tha kur u pyet se nëse mund të arrestohet Berisha se “në 1998 organet e drejtësisë së asaj kohe synonin ose kishin ndërmend të bënin një akt të tillë mbështetur në ngjarjet e shtatorit për atë që u quajt grusht shteti. Atëherë kishte presion të madh që të mos vihej dorë mbi  Berishën, sot ndodh e kundërta. Kemi një diferencë 180 kthesë në qëndrim ndërkombëtar ndaj Berishës. Duke pasur parasysh atë fabulën që është tjerrur meqë erdhi Escobar mund të ndodhë një gjë e tillë me Berishën”.

Mirëpo çështja nuk shtrohet se nëse do të arrestohet Berisha por se nëse do të arrestohet edhe Rama dhe gjithë të tjerët që kanë gjymtuar dhe gjymtojnë Shqipërinë. Përgjigjja që marrim është se nuk do të arrestohen për sa kohë që ne jemi të varur nga pushteti politik dhe ekonomik perëndimor dhe përsa kohë që vendet perëndimore në Shqipëri nuk janë këtu për të vendosur drejtësi por kryesisht për të përparuar interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike. Ja pse pavarësia ekonomike është parakusht për vendosjen e drejtësisë në vendin tonë. Kushdo që pretendon të vendosë drejtësi pa pavarësi ekonomike, do të përballet gjithnjë me “bllokadën” perëndimore. Madje qasja perëndimore —me mbajtjen e një të korruptuari në pushtet me qëllim që të përparojnë interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike— riprodhon korrupsionin në pushtet meqënse çdo “berishë” që mbështetet nga perëndimi do të mendojë se “ata më duan mua pavarësisht se e dinë se jam i korruptuar”! Qëllimi për të vendosur drejtësi bëhet edhe më i pamundur kur vetë Eskobari pohon se Amerika e Bajdenit do të përdor “një seri mekanizmash të reja që parashikojnë sanksione agresive kundër korrupsionit por jo detyrimisht kundër veprimtarive kriminale”! Ky argument nënkupton se veprimtaritë kriminale të Ramës apo çdo “rame” që përparon interesat e tyre, do të përjashtohen nga ligji dhe “SPAK-u”, që diktohet nga perëndimorët, hesht!

Në këto kushte, të besosh se reforma do të sjellë në afat-shkurtër ndryshime serioze në sektorin e drejtësisë, do të ishte naivitet. Do të ishte njëlloj të besojmë se reforma (Prokuroria dhe Byroja) do të realizojë objektivin e saj kryesor — të luftojë krimin institucional: sepse mungojnë parakushtet (premisat) ndërsa një lloj konkurrence mes prokurorisë së përgjithshme dhe prokurorisë së posaçme do të zhvillohet dhe ajo mund të rrisë efiçencën e saj por kurrë nuk do të vendosë drejtësi!

Si prokuroria humbi rëndësinë e saj me gazetarët “prokurorë” dhe si mund t’i shërbejë të vërtetës dhe popullit?

Siç ndodhi me akademinë e shkencave dhe mësuesit, të cilët u zëvendësuan me opinionistët e masmedias private, ashtu ndodhi dhe me prokurorët: ata u zëvendësuan me gazetarët “investigativë”.[12] Prokurorët tanë —rreth 300— për 28 vjet me radhë, nuk hetuan krimin shtetëror, nuk kanë asnjë rezultat konkret dhe janë të implikuar thuajse të gjithë në krim. Paralelisht qeveritë tona u kanë dhënë buxhet mjaft të majmë. Për vitin 2018-të, për shembull, prokuroria mori gjithçka që kërkoi nga komisioni i ligjeve: punonjës shtesë dhe buxhet mjaft të madh: plotë 164 milionë lekë ose rreth 1, 238, 814 euro! Nëse e krahasojmë këtë shumë me shumën e një nga masmediave private që na paraqitet si më e “mira”, kuptojmë se shuma është mjaft e madhe. Për shembull, Top Channel ka një xhiro vjetore prej rreth 1.6 miliard lekë (ose rreth 12 milion euro). Kjo është një shumë për gjithë veprimtarinë e tij. Gazetarët “investigativë” punojnë pesë ditë të javës dhe “hetojnë” një deri në dy çështje në ditë dhe janë një pjesë shumë e vogël e veprimtarisë tërësore të masmedias përkatëse. Paralel më këtë gazetari “investigative” realizojnë dhe një emision tjetër, “investigativ”, ku ftohen “ekspertët” e zakonshëm. Duke anashkaluar çështjen se “investigimet” gazetareske nuk janë vërtet hetuese, nuk kanë karakter juridik dhe realizohen nga një masmedia private qëllimi kryesor i së cilës nuk është dëftimi i të vërtetës por fitimi dhe, mund të kritikohet me të drejtë për këtë karakter, këta gazetarë realizojnë më shumë punë se prokurorët. Këta, në të vërtetë, hetojnë shpesh dhe prokurorët. Në këtë kuadër, prokurorët marrin rol dytësor dhe gazetarët, pikërisht për shkak të audiencës dhe punës, marrin rol parësor.

Nga ana tjetër, është bërë e udhës tashmë që komisionet e përbëra nga partitë në pushtet të “debatojnë” kërkesat e institucioneve të tjerë shtetëror për t’i treguar popullit se ka mospajtime dhe ‘demokraci’. Por ata nuk shqyrtojnë asnjë herë punën e prokurorisë as edhe shqyrtojnë “lirinë” e prokurorëve: se sa liri ka patur çdonjëri në punën e tij. Në të vërtetë, fakti që prokuroria nuk ka asnjë rezultat për gjithë këta vite tregon pikërisht mungesën e lirisë: se prokurorët janë të varur nga buzët e kryetarëve të partive — emëruesve të tyre. Në këtë hipokrizi politike, një “debat” u zhvillua gjatë miratimit të kërkesave të prokurorisë ku kishte mospajtime. Opozita akuzoi përfaqësuesit e qeverisë për “konflik interesi” sepse kjo e fundit kishte akuzuar prokurorinë në “punën” e saj! Kujtoj blofin e prokurorisë së krimeve të rënda, e cila kërkoi arrestimin e Tahirin duke u mbështetur në hetimet e homologëve të saj në Itali dhe indikacione se sa në hetimet e saj dhe prova. Dimë, gjithashtu, se shumica e prokurorëve dekadat e fundit e kanë shoqëruar krimin dhe shpesh e kanë nxitur në bashkëpunim me policët...për përfitime. Dimë, për më tepër, se prokurorët për të përligjur veten dhe parizituar nëpër zyrat e shtetit, arrestojnë njerëzit e varfër dhe ndonjë student dhe jo krimin që shkaktohet nga emëruesit e tyre! Nuk do të ishte e çuditshme që “debati” i komisionit të miratojë kërkesat e prokurorisë dhe kjo e fundit të kënaqet. Finua, për shembull, kundrejt kërkesave të prokurorëve citoi se: “dhjetë veta, bam, t’i emërojmë, të fillojmë punë në 1 janar në prokurori, të bëjnë qilizëm të plotë jo vetëm të politikës por edhe administratës së lartë”…

Por institucioni i prokurorisë nuk ka asnjë mundësi të hetojë krimet politike përsa kohë që emërimet në sektorin përkatës dhe buxheti miratohen nga pushteti politik. Pushteti politik i partive, në fjalë të tjera, bllokon çdo nismë hetimore nga prokuroria. Për shembull, me Llallën PD-ja bllokoi veprimtarinë e tij hetimore kundrejt anëtarëve të saj; ndërsa PS-ja bllokoi që në fillim veprimtarinë hetimore të Markut: sepse Marku u emërua nga PS-ja. Si mund të hetojë një kryeprokuror krimin që shkakton qeveria “Rama” kur ai emërohet dhe kërkon miratin buxhetor nga e njëjta qeveri? Varësia e kryeprokurorit kundrejt qeverisë përkatëse, rrjedhimisht është e dyfishtë: një herë kur emërohet nga qeveria dhe një herë kur kërkon buxhet vjetor nga ajo. Ndryshimi i vetëm që ka Llalla me Markun është se kjo e fundit do të bashkëpunojë me amerikanët ndërsa Llalla luante në dy dyer: edhe me Lunë edhe me Berishën - edhe për hetime edhe duke mos hetuar. Të gjitha këto në kohën kur po krijohen institucione të tjera drejtësie nga amerikanët.

Qartësisht, pushteti politik, bashkë me prokurorinë, po mundohet të krijojë një tjetër tymnajë për të ‘rivalizuar’ institucionet e tjera hetuese: sepse që të hetojë prokuroria krimin politik dhe t’i bëjë ‘qilizëm’ atij, siç na tregon Finua, ajo duhet të jetë vërtet e pavarur nga pushteti politik i partive përkatëse. Pavarësia hetuese nënkupton se kryeprokurori nuk duhet të emërohet nga legjislativi dhe ky me radhë të çemërojë dhe emerojë prokurorët e prokurorisë. Por nga vetë sektori i drejtësisë pasi të jetë themeluar demokraci gjithëpërfshirëse në sektor ku të shqyrtohen rezultatet e punonjësve nga vetë anëtarësia e sektorit dhe të votohen nga po ata dhe pasi të jenë krijuar dhe kualifikuar vërtet dashnorë të ligjit — domethënë, njerëz që mbi drejtësinë dhe ligjet nuk vendosin asgjë tjetër dhe japin dhe jetën për të. Se çfarë nënkupton më tej kjo lloj pavarësie është se qeveria duhet të kishte përgatitur një kuadër ligjor me ndihmën e anëtarëve të sektorit të drejtësisë dhe ky, me radhë, të bashkëpunonte ngushtë e universitetin publik ku punonjësit mund të japin mësim dhe kualifikojnë pasardhësit e tyre. Në këtë raport, mes sektorit të drejtësisë (prokurorëve dhe gjykatësve) dhe universitetit publik, punonjësit e të cilëve shqyrtohen dhe zgjidhen nga trupa juridike dhe pedagogjike, krijohet dinamika shkencore dhe themelohet demokracia dhe liria e nevojshme për të hetuar dhe krimin e partive në pushtet duke mbrojtur liritë themelore të popullit dhe vendosur drejtësi.

Ky është një variant që mund të realizohet në kushtet aktuale; një tjetër është themelimi i demokracisë gjithëpërfshirëse duke përfshirë dhe popullin, me qëllim që virtyti juridik të zhvillohet në çdo zemër. Kjo lloj përfshirje është e domosdoshme sepse pa virtytin e drejtësisë njerëzit do të jenë gjithnjë të padrejtë me njëri-tjetrin dhe gjithnjë do të shkaktojnë padrejtësi kur dihet se padrejtësitë e mëdha, që shkaktojnë shumë dhimbje, do të shkojnë në gjykatë dhe do të ngrejnë edhe koston ekonomike. Ja pse duhet të përfshihet një popull në gjykim: për të zhvilluar virtytin e drejtësisë dhe për të zvogëluar padrejtësitë dhe dhimbjet që shkaktohen mes njerëzve nga padrejtësitë. Ndërsa kjo është një qasje pedagogjike dhe mund të realizohet vetëm nga një qeveri me dije administrative, në afat-mesëm, reforma në drejtësi mund të krijojë premisat për një sistem më efiçentë dhe më të drejtë vetëm nëse njerëzit e përfshirë në të mësojnë dhe përdorin vegla teorike me qëllim që të parashikojnë rezultatin përfundimtar të sistemit dhe të ulin dhimbjet dhe koston e popullit. Ekspertët që konsiderova në këtë shqyrtesë, për shembull, nuk kanë përdorur ndonjë qasje sistemike në analizën e tyre. Por gjykojnë në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe këshillave te institucioneve me karakter ndërkombëtar.

Komisioni i vlerësimit dhe efekti i ‘përvojës’ institucionale

Efekti i varësisë institucionale u shfaq qartazi në vendimet e komisionit të vlerësimit (vetingut) kur ky i fundit votoi për Lallën, ish-kryeprokurorin, i cili, pasi u zëvendësua nga Marku, u shpall person i padëshiruar nga amerikanët dhe u dorëhoqë nga angazhimi i tij i mëtejshëm në institucionet e drejtësisë, një veprim që nënkupton ngopjen e tij me pasuri dhe frikën nga hetimi: sepse në të u përfshinë njerëz sistemikë — domethënë, njerëz nga sistemi i drejtësisë i cili kishte treguar se vetëm dejtësi nuk jepte. Kështu, që kur filloi krijimi i institucioneve të rinj të drejtësisë dhe zëvendësimi i parazitëve në institucionet ekzistues është krijuar dhe një pështjellim lidhur me faktin se një ndër kriteret kryesore të njerëzve të rinj është ‘përvoja’ në institucionet e drejtësisë. Ky kriter nënkupton se për institucionet e rinj do të përdoren njerëzit e vjetër kur dihet se njerëzit e vjetër kanë një ‘përvojë’ që nuk është e vështirë për t’u kuptuar se sa e dëmshme është për institucionet e rinj: ‘përvoja’ e vetme e njerëzve të ‘vjetër’ kaq vite ka qenë të përshtaten (konformohen) në ‘klimën’ tërësore të sistemit që kontrollonte Berisha me partitë e tjera.Nuk pamë, për shembull, nga njerëzit e vjetër të drejtësisë, të kundërshtonin mungesën e hetimeve nga eprorët apo kur ata mbyllnin një sy e një vesh përpara krimit, as në hapësirat e institucioneve ku punonin as në masmedia. Përshtatja e tyre në ‘klimën’ parazitare, spektatoreske dhe kriminale ka sjellë rezultatet që dëshojmë prej vitesh.

Por ndërsa individët që hartojnë kriteret kanë çdo arsye të përdorin si kriter kryesor ‘përvojën’ —sepse kështu mund të emërojnë të njëjtët, me të cilët hamendësisht kanë ndërvepruar institucionalisht dhe kanë krijuar një farë ‘miqësie’, dhe për pasojë presin të mos hetohen— Luja me të tjerët që kanë kontribuar në reformën në drejtësi, s’kanë asnjë arsye që të rrëshqasin në mashtrimin e pushtet-hartuesve të kritereve: sepse pritet që ‘përvoja’ të tregohet nga teoria e mësuar në Universitete kur dihet se në universitete nuk fitohet vetëm teori por edhe praktikë nëse pedagogët e kanë kuptuar lidhjen e ngushtë mes teorisë dhe praktikës. Por edhe nëse nuk e kanë kuptuar dhe japin më shumë teori se sa praktikë, siç, shumë nuk e kanë kuptuar, prapë, teoria është ‘përvojë mendore”, dhe si e tillë, mund të tregohet me praktikë kurdo herë. Gjykuar nga ky fakt —se teoria është përvojë mendore dhe niveli i saj ndryshon nga njëri te tjetri dhe ajo mund të tregohet kurdo herë— dhe nga fakti se njerëzit e institucioneve të drejtësisë nuk kanë treguar me veprime konkrete ‘përvojën teorike’ që duhet të kishin përvetësuar jo vetëm në universitet por edhe në përfshirjen e tyre në institucionet e drejtësisë, për vite me radhë, nuk është e vështirë të kuptojmë se ‘përvoja e tyre teorike’ është thuajse zero.

Për të njëjtat arsye, kriteri kryesor që duhet të ishte parashtruar për njerëzit e rinj për institucionet e rinj duhet të ishte ‘kontributi’ ose ‘kontributet’, teorike dhe praktike. Njerëzit me ‘kontribute’ në këto dy botë —teori dhe praktikë— në lidhje me ‘drejtësinë’, si koncept por dhe si praktikë, jo vetëm që janë më të vyer se ata që kanë përvojë, si ajo që na paraqitet kaq vite, dhe s’kanë kontribute, por dhe duhet të nderohen dhe të konsiderohen të parët për çdo detyrë në sektorin e drejtësisë: sepse s’ka vërtetim më të qartë se kontributi dhe jo-kontributi. Kështuqë, njerëzit që kontribuojnë janë të vyer; ndërsa njerëzit që nuk kontribuojnë janë të dëmshëm.          

Shkrimtari amerikan, Mark Twain, dikur këshillonte që “kurrë mos argumento me njerëz idiotë, sepse ata do të tërheqin në nivelin e tyre dhe pastaj do të gjuajnë ty me përvojë”. Kuptimi i kësaj këshille është i vyer sidomos lidhur me problematikën e parashtruar: se ‘idiotët’ e vjetër nuk mund të realizojnë ‘me përvojë’ institucionale të faktuar kriminale, drejtësi të re. Shkurt, përvoja është e mirë dhe e dëshirueshme por kontributet janë të vyer, siç janë kontributet e gjithë atyre që janë përfshirë me ndershmëri në reformën e drejtësisë: sepse kontributi tregon shpirtin luftarak të kontribuesit.     

Pavarësia dhe efiçenca e prokurorëve dhe gjykatësve

Juristët kanë nevojë për shkencat sociale më shumë se çdokush tjetër. Vetë disiplina e drejtësisë përfshihet në shkencat sociale sepse gjykon çështje sociale ku përfshihen dhe çështjet ekonomike dhe politike. Juristët në përgjithësi nuk marrin mësime nga shkencat sociale. Ndaj ata gabojnë në gjykimin e koncepteve sociale. Për shembull, Olsian Çela, kryeprokurori, në një mbledhje virtuale për rekomandimet e Prokurorisë së Përgjithshme, citon se:

“Momenti i paraqitjes së rekomandimeve nga Këshilli i Ministrave është thelbësor për ndërveprimin institucional mes ekzekutivit dhe prokurorisë si organ i pavarur. Pavarësia funksionale e prokurorëve si dhe e prokurorisë si institucion në raport me pushtetet e tjera nuk janë qëllim në vetvete.  Pavarësia është mjeti që duhet të garantojë funksionimin efiçent të institucionit. Për këtë qëllim, institucioni ka nevojë për një panoramë të qartë të realitetit si dhe për një vizion, të cilat nuk mund t’i ketë të plota në asnjë rast, pa integrimin e një sërë kontributesh dhe qasjesh institucionale të cilat e ndihmojnë në veprimtarinë e tij”.

Duke lënë mënjanë rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe efektin e tyre në sjelljen e prokurorëve, Çela gabon kur lidh ‘pavarësinë’ me ‘efiçencën’: sepse pavarësia e prokurorit dhe gjykatësit sigurohet për të gjykuar drejtë jo për të rritur efiçencën, sepse efiçenca varet nga dija hetimore që zotëron një prokuror dhe gjykatës. Nuk është e rastit që “ekspertë” quhen njerëzit që kanë dije shkencore dhe veprojnë intuitivisht. Aristoteli i ka kategorizuar fazat e dijes dhe quan një njeri me intuitë racionale njeriun që zotëron një burim original të dijes shkencore. Pa u çuditur, studiusit modernë nuk e tejkalojnë dot këtë aksiomë filozofike. Flyvbjerg, për shembull, një autor danez i spikatur në Perëndim, dhe që jepë dijen e tij në Universitetin e Oksfordit, pas kontributit të tij në vendlindje, nxjerr përfundime se “sjellja e ‘ekspertit’ është intuitive, holistike, dhe sinkronike, e kuptuar në nje mënyrë që një gjendje e dhënë çliron një tablo të problemit, synim, plan, vendim, dhe veprim në një cast dhe pa ndarje në faza”. Flyvbjerg shqyrton disa autorë bashkohor që kanë kontribuar në shkencat sociale për këtë çështje dhe jo Aristotelin. Këtë të fundit ai e përfshin në gjithë punën e tij por ngaqë nuk e ka studiuar gjithë punën e Aristotelit, nuk e përfshin në çështjen se si fitohet dhe zbatohet dija ndërsa nuk tregon se ç`është dija shkencore. Për të njëjtën arsye ai intuitën nuk e lidh me dijen shkencore por thjesht me një “tablo të problemit”. 

Qoftë edhe pavarësia nuk mund të sigurohet vetëm nga ligjet: sepse përqindja vendimtare e pavarësisë sigurohet përmes dijes shkencore që fitojnë gjatë kualifikimit të tyre: në këtë rast në zbatimin e drejtë të parimeve juridike dhe dijes përkatëse. Për shembull, një prokuror duhet të provojë në gjykatë se provat e tij qendrojnë “përtej dyshimit të arsyeshëm”. Ky është një ndër parimet kryesore të një prokurori. Nëse ai nuk e kupton drejtë këtë parim, ai do të gabojë—domethënë, do të ngrejë akuza pa prova të mjaftueshme. Kështu do të dëmtojë si njeriun e akuzuar ashtu dhe shoqërinë: të parin sepse e akuzon pa të drejtë; ndërsa të dytën sepse i shpenzon kohën dhe kursimet kot. Ja pse themi se një prokuror dhe gjykatës duhet të bëhet i tillë pasi të dashurohet me drejtësinë dhe të fitojë dije juridike dhe të jetë besnik i parimeve juridike dhe dijes përkatëse. Pa këta parakushte, pavarësia ligjore nuk mund të garantojë pavarësi të prokurorëve dhe gjykatësve: sepse pavarësisht se në kushtetutë përcaktohet pavarësia e tyre — në mungesë të dashurisë së drejtësisë dhe virtytit të drejtësisë ata do të korruptohen.

Përmblethtas, pavarësia e prokurorëve sigurohet kryesisht përmes edukimit me ndihmën e ligjit; ndryshe do të korruptohen. Ndërsa efiçenca sigurohet thuajse tërësisht përmes edukimit. Në rastin e prokurorëve dhe gjykatësve të rinj, pavarësia sigurohet kryesisht përmes ligjit. Për shembull, ata rikulifikohen nga komisioni i ‘pavarur’ i kualifikimit, i cili, me radhë, krijohet pasi kalon në “filtrin” e presidentit dhe operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe votimit nga komisioni ad hoc që krijon kuvendi. Pas kësaj faze, kur janë në detyrë, prokurorët dhe gjykatësit e Spak-ut mbikqyren në gjithçka. Por nuk mbikqyren prokurorët dhe gjykatësit e tjerë të sistemit juridik. Dhe ky është shqetësimi i Çelës, i cili, mesa duket, kërkon t`i vendosë edhe ata nën mbikqyrje me qëllim që të sigurojë efiçencë. Efiçenca mund të dëmtohet nga mungesa e pavarësisë por një njeri me virtytin e drejtësisë gjithnjë mund t`i luftojë ndikimet e jashtme. Ndryshe ndodh kur mungon virtyti i drejtësisë: ai mund të korruptohet pavarësisht se ekzistojnë ligjet. Ja pse themi se edukimi—nëse kuptohet drejtë— është vendimtar në parandalimin e korruptimit të njerëzve në përgjithësi dhe prokurorëve dhe gjykatësve në veçanti.              

*Pjesë nga një studim më i gjerë përfundimet e të cilit janë rikundruar në 29 dhjetor 2021      



[1]Shih për më shumë, Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor, 2015.

[2]Analizë e sistemit të drejtesisë në Shqipëri, 2015, f, 8. Formati pdf.

[3]America’s bail system: one law for the rich, another for poor, Sadhbh Walshe, The Guardian, 14 Feb 2013.

[4]Rich offender, poor offeder: why it (sometimes) matters in sentencing, Mirko Bagaric, University of Minnesota, 2015.

[5]Po aty, f, 24.

[6]Po aty, f, 30.

[7]The FBI: Past, present, and future, Report for Congress, October 2, 2003.

[8]“Trump-Comey, rikthim në marrëdhënien e dikurshme FBI-Shtëpi e Bardhë, Voa, 9 qeroshor, 2017.

[9]Çfarë është SPAK, Dita, Gusht 28, 2016.

[10]Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Botimi Qendrës së Botimeve Zyrtare, Viti: 2016—Numri 138.

[11]Po aty.

[12]Shih, Nga keqedukim në asim demokratik.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA