...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Italia: “bomba me sahat” e BE-Eurozonës — nga social-demokracia në globalizmin neoliberal

Në raport me Shqipërinë klasa e re politike do të jetë më agresive – meqë në përbërjen e saj ka pinjolla të neofashistëve italianë të cilët e kanë parë vendin tonë si një “arenë” tjetër për të zhvatur dhe zbutur edhe më shumë krizën. Megjithëse s’kanë nevojë të jenë agresivë përsa kohë që vendi ynë qeveriset nga individë që u përgjërohen italianëve për investime.

Ylli Përmeti

14/05/2018 - 10:39

Nga amullia e Veriut në depresionin e Jugut dhe më tej

Italia pas luftës së dytë botërore ishte në rradhët e të mundurve...dhe pavarësisht këtij fakti, falë anëtarësisë së saj në BE (Traktati i Romës i vitit 1957), dhe politikave social-demokrate të shekullit të kaluar, krijoi kushtet për të qenë një ndër ekonomitë më të fuqishme botërore. Pas Traktatit të Maastricht-it të vitit 1991 ajo përdorte më shumë zhvlerësimin e lirës. Por pas anëtarësimit të saj në Eurozonë (1999) i mbeti vetëm një variant për të konkurruar me anëtarët e tjerë të tregut të përbashkët: shtrydhjen e rrogave të punëtorëve. Si pasojë, me integrimin e Italisë në BE/Eurozonë dhe në institucionet e rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal (OBT etj.), tre dekadat e fundit, Italia ka krijuar një “bombë” me sahat në nivel social dhe ekonomik shpërthimi i së cilës do të përcaktojë procesin e vetë BE/Eurozonës dhe të rendit në fjalë. Kriza e përgjithshme ka krijuar dinamikën e bojkotimit të zgjedhjeve. Nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit parlamentare, për shembull, Italia “hëngri” një shuplakë të fortë: sepse ishin 35,271,540 nga 46,906,343 votues të regjistruar, me më shumë se 11 milion zgjedhës që bojkotuan zgjedhjet. Shuplaka më e fortë, në të vërtetë, erdhi me referendumin që u zhvillua në fillim të dhjetorit 2016-të, përmes të cilit italianët kundërshtuan me shumicë dërrmuese ndryshimet kushtetuese (shih më poshtë) — (59 vs 41 për qind), dhe me një pjesëmarrje të lartë prej 69 për qind. Ndryshe nga Greqia, 55% e popullit italian beson se shkatërrimi e vendit është pasojë e integrimit në BE. Siç analizonte pesë vjet më parë Fotopoulos:

Italia, ndryshe nga Greqia struktura prodhuese e së cilës është në të vërtetë shkatërruar si rezultat i hyrjes së saj në BE, një parti si ajo e Berluskonit, nuk do të ngurronte të përplasësh me elitën Europiane për të ruajtur interesat e elitës italiane. Njëlloj mund të thuhet për “lëvizjen” e Beppe Grillo-s e cila, në vetë-vete, është totalisht e padëmshme për elitën mbikombëtare, meqënse ajo nuk është një parti anti-sistemike por kryesisht një parti anti-korrupsion. Në fjalë të tjera, ajo është thjesht partia e “Indignados” (si lëvizjet e njëjta në Spanjë dhe Greqi), të cilat duke mos patur një projekt politik dhe analizë që e mbështet atë, gjithashtu dhe një strategji të përputhshme, shpreh vetëm zemëratën e popullit Italian në një mënyrë totalisht të çorganizuar (dhe rrjedhimisht e kontrolluar nga elitat), siç ka qenë përgjithësisht me këto lëvizje në vende të tjerë gjithashtu (Occypy Wall St. etj.) të cilat funksionojnë thjesht si detonator të zemëratës popullore.[1]

Italia nuk ka asnjë shpresë nga establishmenti politik që ka krijuar. Nëse shqyrtojmë lëvizjen “Pesë Yjeve”,[2] të Beppe Grillos, e cila paraqitet si “revolucionare”, për shembull, ne duhet të konsiderojmë njerëzit që e përbëjnë dhe veçanërisht programin e saj.

Lëvizjes “Pesë Yje” i mungon kriteri shkencor

Së pari, lëvizja sulmohet nga “radikalë” të tjerë mbi arsyen se ajo është një lëvizje e krijuar nga elita italiane dhe se Beppe, bashkë me Casaleggio-n ka krijuar një firmë marketingu që në vitet ’60-të, të ndihmuar nga qeveria italiane, duke vjedhur slogane, siç është, “kapitalizmi etikë”, në të cilin mund të bashkë-jetojnë të gjithë (kapitalistë, reaksionarë, neoliberalë, federalistë etj.).[3] Qoftë edhe kandidati i ri, Luigi Di Maio, i cili synon të administrojë Italinë pas zgjedhjeve të marsit (2018), përtej faktit që është relativisht i ri dhe nuk ka as dijen teorike e as dijen empirike për të administruar shtetin modern në kuadër të rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal, por nëse gjykojmë nga një analizë, “udhëheqja e saj lindi në një provëz...oficerët e lartë të së cilës u krijuan brenda pak javësh...dhe se Di Maio u rrit në një familje që anonte fort nga e djathta. Babai i tij, një biznesmen lokal në ndërtim, mbështeti Lëvizjen Sociale Italiane, pinjollat e pasluftës së fashizmit italian”.[4] Dhe nëse shqyrtojmë propozimet e saj mund të kuptojmë se sa “radikale” është Lëvizja. Së pari, kriteri shkencor lidhur me shkaqet e krizave i mungon. Së dyti, kur nuk kuptohen shkaqet, propozimet do të jenë, siç janë, tejet sipërfaqësorë: ata konsiderojnë pasojat si shkaqe. Për shembull, Beppe thotë se nëse lëvizja merr pushtetin, ajo do të organizojë një Referendum se nëse do të qëndrojë në BE apo jo.

Kështu, përtej faktit që një pjesë e madhe e popullit italian nuk e di se çfarë duhet të zgjedhë, një lëvizje politike duhet të dijë pararakisht se përse duhet të dalë nga BE-ja dhe të bindë çdo popull, se duke qëndruar në BE ai nuk ka asnjë shpresë për paqe socio-ekologjike. Për më shumë, Lëvizja e “Pesë Yjeve”, ndërsa mobilizimin e saj e filloi pjesërisht nga poshtë, zyra këshillimore e internetit të Casaleggio-s gjëndet në një nga zonat më të shtrenjta të Milanos, shumë afër nga teatri i operës “La Scala”, ku një ekspres dhe një kek kushton 10 euro. Programi i saj, sipas Casaleggio, mund të krahasohet me programin e Social Demokratëve Suedez![5] Dhe ‘pjesërisht’ nga poshtë sepse përgjithësisht Beppe ka bërë propagandë në masmedia pa çensurë. Për mos të përmendur këtu se Casaleggio është ftuar në Forumin Ekonomik Botëror, një ndër dy organet kryesore të elitës mbikombëtare! Lëvizja e “Pesë Yjeve”, falë Beppes, është bërë mjeshtre e refuzimit politik, por është e paqartë se nëse ajo do të përparojë një platformë kombëtare. Për shembull, ajo kërkon një referendum për euron por ajo s’ka hartuar një plan për ta zëvendësuar atë; as ka adresuar mundësinë e pasojave të mbrashta me braktisjen e devizës së përbashkët. Se çfarë përsërisin ‘demagogët’ e rinj është fakti i kryer por jo shkaqet: ata dinë se me euron kanë humbur fuqinë blerëse, rënien e rrogave dhe konkurrencës, degradimin social dhe papunësinë por këto “fakte” i lidhin vetëm me euron![6] Ajo ka, në fjalë të tjera, dy probleme kryesore: së pari, asaj i mungon teoria ose kuptimi sistemik i krizës tërësore të vendit dhe së dyti, përvoja dhe dija teorike për të administruar vendin.

Qeveria “Renzi” përparoi politikat neoliberale dhe shtyu krizën më tej

Qeveria “Renzi” e qendrës së majtë, nga ana tjetër, e cila premtoi shkurtimin e shpenzimeve, privatizimeve dhe disa masa që synonin teorikisht rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës dhe, do të zhdukte gjerondokracinë e vendit (sundmin e pleqve)...me qëllim që të ulte sasinë e borxhit ndaj të huajve dhe të rriste kërkesën në treg, përmes uljes së taksave për punëtorët me të ardhura të ulëta, dështoi që në mes të mandatit të tij.[7][8] Si pasojë, Renzi ndryshoi qasje dhe propagandoi “revolucionin i dyerve të hapura”.[9] Sigurisht, për gjendjen e krijuar, demagogët italianë fajësojnë “kapitalizmin e kumbarëve”, duke adoptuar qasjen e Krugmanit, komentatorit të Nju Jork Tajms, i cili fajësonte disa vite më parë të njëjtin kapitalizëm për gjendjen në Amerikë meqënse një pjesë e mirë e shpenzimeve publike kënaq lobet dhe rentierët.[10] Sipas tyre, korporatat ndërkombëtare nuk investojnë në Itali duke shpërnjohur faktin se Italia dominohet nga biznese të vogla dhe mesatare që kontrollohen nga familje me lidhje të forta me politikanët profesionistë dhe qeveritë lokale dhe qendrore dhe shpesh ata janë aksionerë në ndërmarrjet më të mëdha të vendit. Kjo, sigurisht, nuk e pengoi qeverinë e re të privatizonte ndërmarrjet publike dhe të kërkonte dëshpërueshëm kursimet e Kinës,[11] e cila gjëndet në fazën e dytë të privatizimeve të pasurive publike dhe kërkon gjithashtu “investitorë” të huaj![12] Sa u përket punëtorëve, qeveria e Rencit votoi për herë të parë mundësinë e pushimit nga puna të punëtorëve nga sipërmarrësit pa gjykatës — duke ndjekur “reformat” e vendeve të tjerë në Perëndim.[13] Këtë reformë Renzi u mundua ta zbuste me “bombën atomike” të tij, sipas së cilës, në buxhetin e vitit 2015-të, rroga e një punëtori që fitonte 20,000 euro në vit, do të rritësh nga 1,200 në 1,350 euro në muaj, ndërsa kostua e punëdhënësit do të binte nga 2,200 euro në rreth 1,650 euro në muaj![14] Koston e punëdhënësve, sigurisht, mund ta ulë vetëm me naftën e Shqipërisë: sepse duke rritur rrogat e punëtorëve — rritet kostua e prodhimit. Kriza e thellë në Itali ka prekur edhe Vatikanin: disa qindra Kisha po blihen nga privatët dhe po kthehen në hapësira fitimiprurëse: banka, teatre, klube nate dhe ofiçina makinash.[15] Nga këto privatizime mund të kuptohet edhe qendrimi kritik (për mos të thënë ‘armiqësor’) i Papës së Romës kundrejt G/N.

Përveç konkurrencës së ashpër në sektorin e ndërmarrjeve private - Italia ka një sistem bankar të brishtë dhe gati për të shpërthyer: sipas një hetimi nga Autoriteti Europian i Bankave,[16] nëntë bankat e saj më të mëdha dështuan të përputhen me kërkesat që imponon tregu. Në fjalë të tjera, huadhënesit italianë treguan se kishin pamjaftueshmëri kapitali prej 9.41 miliard euro. Në tërësi, 25 banka nga 130 në eurozonë vazhdojnë të jenë të ekspozuara në vitin 2014-të ose mungojnë 24.19 miliard euro. Autoriteti kërkon që bankat të kenë rezerva të aksioneve të zakonshme më shumë se 5.5 për qind me qëllim që nëse kushte të “mbrapshta” shpërthenin — domethënë, rënie të prodhimit ekonomik, rritje papunësie dhe rënie e çmimeve të banesave, ato të jenë të afta të rezistojnë. Por për të kapur sasinë e nevojshme bankat duhet të shesin asete. Për të shitur asete duhet të ketë kërkesë...sidoqoftë, nga viti 2014-të deri në vitin 2016-të, kriza në sektorin bankar të Italisë është shpërhapur edhe më shumë: ajo ka prekur një miriadë të bankave rajonale me madhësi mesatare dhe të vogël. Monte dei Paschi ka pësuar përkeqësimin më të madh ndër bankat europiane. Renci u mundua t’i shpëtonte (“bail in”) me pará publike që kryesisht burojnë nga Brukseli. Ndërsa lëvizja e “pesë yjeve” kërkoi që bankat italiane të shpëtohen nga Brukseli me pará publike pa goditur investitorët![17]

Mirëpo Brukesli i kundërshtoi përgjërimet e Rencit. Huat e këqija të bankave janë më shumë se 200 miliard euro nga të cilat më shumë se 85 miliard mbeten pa u mbuluar nga fondi “Atlas” që ka krijuar qeveria “Renci”.[18] Bankierët italianë, për më shumë, kur plasi kriza financiare në tetor të vitit 2008-të në Britani me Bankën Mbretërore të Skocisë, u mblodhën në zyrën e Davit Rossi-it, në atë kohë kryetar i komunikacionit, duke thënë se në Itali nuk do të ndodhë kurrë kjo gjendje: sepse bankat italiane janë prudente dhe më konservative se kundër-pjesa tjetër anglo-saksone! Bankierët italianë, në të vërtetë, nuk kishin përdorur huat hipotekare të sektorit dytësor (“subprime”) dhe derivativët, të cilët ishin instrumente financiare komplekse dhe kontribuan vendimtarisht në huadhënësit e SHBA-së dhe Britanisë. Ndryshe nga këta, bankat italiane qendruan të rrënjosura në komunitetet lokale të cilët i dhanë bankave balancë dhe qendrueshmëri meqënse italianët kursenin në përqindje të lartë. Por me përkeqësimin e krizës ekonomike të BE-së dhe me pakësimin e kursimeve të qytetarëve italianë, bankat italiane filluan të gjunjëzoheshin: sepse kishin krijuar hua me rreziqe të mëdha. Me daljen e Britanisë nga BE-ja bankat italiane u goditën edhe më shumë. Sasia e huave të ekspozuara është në 360 miliard euro, sa një e pesta e prodhimit të përgjithshëm bruto të Italisë. Renci, paralelisht me përpjekjen e tij për të gjeneruar përqindjen më të madhe të “shpëtimit” nga Brukseli dhe nxitjes së bashkimeve (“mergers”) bankare për të nxitur më tej përfitimet, një përpjekje që solli rezultatet e parë me ‘shkrirjen’ e bankës popullore të Milanos dhe bankës popullore, duke e kthyer në bankën e tretë më të madhe të Italisë, i përpoq të kalonte ligjin që konverton bankat e ndërsjella (“mutual banks”) në ndërmarrje aksionare të bashkuara (“joint stock companies”), me qëllim që të shtrëngonte konsolidimin e sektorit bankar prej rreth 600 huadhënësish të pavarur. Atlante —një mjet privat i sponsorizuar nga qeveria italiane për të mbështetur bankat në vështirësi, mori kontrollin e Veneto Banca dhe Banca Popoplare di Vicenza, i cili, në të vërtetë, ishte shpëtim “nga brenda” për të parandaluar molepsjen nga bankat të cilat do të godisnin huadhënës më të mëdhenj, të mbështetura në një qendër industriale...vuajtën nga hua të këqija dhe kapital të dobët, dhe asnjëra nuk mund të tërhiqte investime.[19]

Më konkretisht, në rajonin e Venetos, një ndër vendet më të pasur në Europë, në vitin 2016-të, më shumë se 100,000 investitorë me pakicë kanë humbur të paktën 5 miliard euro. Lidhja e ngushtë e bankave me klientët çoi në praktika moskokëçarëse, siç është shpërblimi i “azione baciate”, ose i aksioneve të puthjes, të cilët shpërthyen si dështime bisnesore dhe kursimet shteruan. Në vitin 1960-të dhe 1970-të dy bankat e mëdha të Venetos ishin në ball të zhvillimeve kryesore në rajon që përshin Venecian dhe qytetin e Viçences, Trevizos dhe Veronës. Dhjetra mijëra ndërmarrje industriale të vogla u thememluan dhe, të mbështetura nga hua bankare, u rritën me shpejtësi të madhe. Ato krijuan atë çfarë njihet si mrekulli ekonomike në veri-lindje të Italisë. Një rajon rural krijoi bisnese globale duke përfshirë marka mode si Benetton dhe Stefanel etj. Mbështetja e ndërmarrjeve në hua bankare ishte vendimtare. Ato jepeshin mbi bazën e raporteve personale dhe besimit që krijohësh në komunitet sesa në bazë të kritereve objektive. Si të tillë, huadhënësit ishin “popolari” — banka të ndërsjella të palistuara, të cilat kishin një aksionar dhe një strukturë qeverisjeje me një votë, duke i lejuar ato të mbeteshin në duar lokale. Ishte, në fjalë të tjera, një klub i mirë-organizuar. As Veneto Banca as Banca Popolare di Vicenza nuk ishin shqetësim për t’u regjistruar si publike. Në vend të kësaj, çmimi për tregun privat në aksionet e bankave përcaktohësh nga administrata për një vit me ndihmën e auditorëve i cili i nënshrohësh mbledhjes së miratimit të aksionarëve. Duke qenë një bankë “socio” ajo krijonte status social dhe fitime të shkëlqyera nga rivlerësimi vjetor i aksioneve bankare. Ajo sillte fitime për anëtarët, gjithashtu, mes tyre dhe “aksionet e puthjes”...sigurisht, të gjitha këto, në kuadër të politikave social-demokrate të shekullit të kaluar, të cilat ndryshojnë kryekëput nga politikat e globalizmit neoliberal të dekadave të fundit.       

Qeveria e Rencit kërkoi gjithashtu të ndërhyjë në sistemin gjyqësor për të përshpejtuar procesin e falimentimeve civile. Gjykatat paraqiten bashkëfajtore në stivën e huave të këqija. Procesi gjyqësor zgjat mesatarisht tetë vite për të rekuperuar huatë e këqija. Tashmë, masat e reja me porosi të Berlinit shtrëngojnë rëndë aftësinë e një qeverie të eurozonës për të shpëtuar bankat. Masat e hartuara për të parandaluar shpëtime të përsëritura jopopullore politikisht, me pará publike, do të thotë se asnjë bankë italiane nuk mund të rikapitalizohet me pará publike pa kaluar së pari nga humbjet e mëdha të investitorëve — duke përfshirë në shumë raste, depozitorët me pakicë të cilët kanë shitur miliarda kur investuan në bonde bankare të dyshimta. Me rregullat e reja bankare, varreshte të stërmëdha investitorësh do të humbasin kursime —një rezultat që është pjesë e procesit të shpëtimit “nga brenda”— përpara se një euro e vetme të paráve publike të përdoret për të shpëtuar një bankë që i merren këmbët.[20] Si pasojë, tashmë kanë filluar vetë-vrasjet e investitorëve me pakicë të cilët humbën kursimet. Se çfarë nënkuptojnë, për më shumë, rregullat e reja, është se nëse bankat italiane nuk shpëtohen me pará publike, italiane, ato do të deklarojnë falimentim dhe do të blihen nga bankat e huaja! Renci ishte i vendosur se do të bënte ç’është e mundur të shpëtonte bankat duke vepruar qoftë edhe unilaterisht — domethënë, duke përdorur kursimet e qytetarëve italianë![21] Për të njëjtat arsye, ai u gjend përball greminës dhe shkëmbit: ai s’kishte as luksin e varianteve për të zgjedhur as edhe mund të varrakatësh.

Nga kriza korporative dhe bankare në krizë juridike

Ndërsa Roma rriti sulmin kundrejt Brukselit për të vetuar buxhetin e BE-së nëse kjo e fundit nuk ndihmon Italinë për të ristrukturuar bankat dhe rishikuar çështjen e emigracionit, referendumi, i cili ishte miratuar nga parlamenti, synonte të zhvishte rajonet Italiane nga disa pushtete vendim-marrëse dhe të suprimonte dhomën e lartë të Senatit dhe, të kufizonte aftësinë e saj për të vendosur veto për ligjet që kalon parlamenti. Nënkuptonte, në fjalë të tjera, një qeveri më pak demokratike dhe me pushtet edhe më të përqendruar në pak duar. Aktualisht dhoma e lartë dhe dhoma e poshtme kanë pushtete të njëjtë dhe krijojnë një “filtër” të rëndësishëm për ligjet. Suprimimi i njërës dhomë do të krijojë kushtet për krijimin e një udhëheqësi të fortë dhe jetëgjatë në pushtet. Dhoma e poshtme do të kthehësh në gjyqtar të vetëm, dhe qeveritë dhe kryeministrat do të kishin mundësi më të madhe për të bërë programet e tyre politike ligj. Renci donte të pakësonte numrin e senatorëve nga 315 në 100, të cilët do të emëroheshin dhe nuk do të votoheshin drejtpërdrejt nga votuesit, dhe roli i tyre do të ishte këshillimor dhe i kufizuar në çështje të mëdha siç është reforma kushtetuese dhe ratifikimi i traktateve ndërkombëtare. Mosmiratimi i tij do të përshpejtojë dështimin e më shumë se tetë bankave. Por pikërisht sepse dështimi i bankave do të kërcënojë vetë BE-në — kjo e fundit do të krijojë një këmbim të detyruar borxhi me aksione (“mandatory debt-for-equity swap”). Varianti tjetër është shtetëzimi i bankave. Ky varet nga vendimi i eprorëve të bankave: nëse ata ngrenë duart lartë dhe heqin dorë nga angazhimet që kanë nënshkruar —të braktisin transaksionet, për shkak të kushteve të pavolitshme— bankat shtetëzohen. Në rastin e parë Italia shkon në zgjedhje të parakohshme dhe bankat italiane dhe BE-ja shpëtojnë përkohësisht nga efekti domino. Në rastin e dytë, imponohet kontrolli i kapitalit. Domethënë, regjimi në të cilin u gjend Greqia ku tërheqjet e kapitalit nga bankat u kufizuan për dy vjet për të parandaluar daljen e kapitalit jashtë vendit pavarësisht se elita greke ka nxjerrë një shumë të konsiderueshme.

Kështu Italia e jugut zhytet edhe më shumë në depresion dhe e veriut edhe më shumë në reçesion: sepse do të ketë dalje masive të kapitalit në afatshkurtër dhe do të zgjerohet “spread-i” e borxhit italian. Nëse zgjidhet varianti i parë, borxhi italian do të rritet edhe më shumë. Nëse zgjidhet e dyti, përveç borxhit, pasuritë publike do të zhlerësohen me ritëm më të shpejtë...por ndryshe nga këto alternativa, në javët e para pas referendumit Monte dei Pasci di Siena, banka më e vjetër në botë, u përpoq të vetë-shpëtohësh “nga brenda”. Domethënë, duke përfshirë një investitor privat, i cili do të ‘rikapitalizonte’ prej 5 miliard euro bankën, një proces që u udhëhoq nga JPMorgan dhe dështoi, pasi banka nuk mundi të gjente një “investitor shpëtimtar” (“anchor investor”) dhe duke përfshirë këmbimin e detyruar të borxhit me aksione, i cili dështoi gjithashtu. Nga dështimi i këtij procesi mbeti vetëm “shpëtimi” i qeverisë italiane. Domethënë, “shpëtimi nga jashtë”: si pasojë, ajo injektoi kursimet e popullit italian në bankë! Këto kursime burojnë nga një fond që krijoi qeveria italiane përgjatë këtij procesi, prej 20 miliard eurosh. Ato mund të përdoren për shpëtim...“nga jashtë”, nga bankat italiane pavarësisht se shuma që ato kanë nevojë, sipas Goldman Sachs, është 38 miliard euro. Sipas një përllogaritje, shuma prej 20 miliard euro do t’i kushtojë çdo familje italiane 833 euro. Kjo zgjidhje do të dëmtojë perspektivën fiskale të vendit: sepse qoftë edhe nëse hamendësojmë se do të përdoret gjithë shuma e fondit prej 20 miliard euro, ajo do të jetë e barabartë me 1.2 për qind të PPB-së italiane, duke e bërë tejet të pamundur për Italinë të përputhet me angazhimin për të administruar borxhin e saj nën rregullat buxhetore të BE-së.

Kështu ligji i famshëm i BE-së se kur bankat rrezikojnë të kapitullojnë do të shpëtohen nga vetë aksionarët, tregoi, edhe një herë, se ishte një fiasko për popullin italian në veçanti dhe popujt europian në përgjithësi. Kundrejt kësaj politike ose praktike e ashtuquajtura e “majta” anti-establishment, e Bepes, heshti! Pa përmendur të “majtat” e tjera europiane...dëftues është, gjithashtu, fakti që masmedia (mbi)kombëtare, ndryshe nga faza pararendëse —kur bankat ishin të ndera për të falimentuar— zgjidhjen e qeverisë italiane nuk e vendosi si kryelajm! As diskutoi në emisione të veçantë për efektet e saj. Ndërsa Komisioni Europian u mjaftua duke thënë se ai “mban shënime”! Si pasojë, populli italian mbeti edhe një herë në errësirë dhe nuk organizoi dot as edhe një protestë. Kriza politike dhe ekonomike në Itali është zbutur nga BQE-ja përmes blerjeve të bondeve — duke përmbajtur rendimentet (yields) e tyre përgjatë kontinentit. Që nga koha e politikës monetare të BQE-së (2012), baza investitore ka ndryshuar: rreth 15 për qind mbahet nga BQE-ja, e cila ble dhe nuk shet...Italia ka përvetësuar avantazhin e uljes së përqindjeve të rendimenteve për të rifinancuar veten me maturime afatgjatë, në kuptimin që ajo është më pak e cënueshme në zhvendosje të befta në ndjesinë e investitorëve duke e detyruar të marrë borxh në përqindje më të larta. Thënë ndryshe, borxhi është bërë i qendrueshëm kundrejt tronditjeve sepse qeveria Italiane ka emetuar bonde me maturim afatgjatë, duke rritur maturimin mesatar.

Si rezultat, tronditjet në kurbën e rendimentit marrin kohë më të gjatë në ushqyerjen e rritjes së kostos së borxhit. Një tjetër faktor që ka ndikuar në zbutjen e krizës është se shumë ndërmarrje italiane janë shumë-kombshe dhe shumë nga veprimtaritë e tyre tregëtare ndërmerren jashtë vendit.[22] Dhe një tjetër është rigjallërimi i industrisë së saj.[23] Duhet thënë se borxhi publik italian (132 për qind i PPB-së) është kryesisht kundrejt BQE-së (i jashtëm) dhe italianëve (i brendshëm). Katër vitet e fundit ekonomia është rritur ngadalë dhe ka një lloj qendrueshmërie në rritjen e saj. Por ajo ka rritjen më të ngadaltë në Evropë dhe është mes pak ekonomive të OECD që prodhimi i saj nuk ka shkuar në nivelet e para-krizës. Hendeku me nivelet e vitit 2007-të është i dyti më i madh pas Greqisë. Paraqitja e prodhimit është më e dobëta mes vendeve të G7. Në gjashtë vitet e fundit ekonomia e Italisë është tkurrur me 9 për qind ndërsa prodhimi i manifakturës është rrënuar me 25 për qind. Papunësia e fuqisë punëtore është mbi 13 për qind, dhe papunësia e të rinjëve kalon 40 përqindshin — niveli më i lartë që nga viti 1973.[24] Gjendja ekonomike dhe papunësia detyron të rinjtë të largohen. Për shkak se gjendja për biznes nuk ka qenë e mirë –së fundmi është përmirësuar disi— Italia nuk parapëlqehet nga kapitalistët e huaj për investime. Por ky fakt s’e ka penguar klasën polititike, financiare dhe korporative italiane të kërkojë kushte “të mira” për “biznes” në Shqipëri!

Sidoqoftë, hendeku ekonomik midis Veriut dhe Jugut është rritur kryesisht pas krizës financiare. Ndërsa prodhimi ekonomik si i tërë u tkurr me 0.4 për qind në vitin 2014-të, ai ra me 1.3 për qind në Jug. Para krizës së vitit 2009-të, prodhimi i përgjithshëm bruto për person të banorëve të rajonit jugor të Italisë ishte 56.2 për qind krahasuar me Italianët në rajone të tjerë. Në vitin 2014-të, përqindja ra në 53.7 për qind — niveli i saj më i ulët në 15 vjet. Më shumë se 60 për qind e jugorëve jetuan me më pak se 12,000 euro në vit në vitin 2014-të — përkundër 28.5 për qind në pjesën tjetër të Italisë.[25] Pas shumë dekadash, ekonomia spanjolle kaloi ekonominë italiane: jo sepse “shkëlqyen” spanjollët por sepse ekonomia italiane është në amulli. Ndërsa Spanja është zgjeruar në një përqindje më të shpejtë se Franca, Gjermania dhe Britania që nga viti 2015-të, ekonomia e saj është vetëm 2 për qind më e madhe se në fillim të vitit 2008-të — një rigjallërim më i dobët se ekonomitë udhëheqëse të BE-së përveç Italisë. Në fund të vitit 1990-të, Italia — e cila tashmë ka thuajse 15 milion njerëz më shumë se Spanja — kishte një ekonomi dyfish më të madhe se Spanja. Tani është vetëm 50 për qind më e madhe dhe ndryshimi pritet të tkurret edhe më shumë në pesë vitet e ardhshëm. Ekonomia e Italisë është ende disi më e madhe se në vitin 2000 ndërsa ekonomitë e tjera udhëheqëse të BE-së janë zgjeruar me 25 për qind ose më shumë. Prodhimi tërësor i Spanjës është 35 për qind më i madh se në vitin 2000. Në vitin 1997 Italia ishte mes 18 ekonomive më të pasura për të ardhurat e çdo personi. Pas 10 vjetëve radhitja e saj ra me 10 vende — dhe ka rënë dhe 5 vende të tjerë në dekadën drejt 2017. Në vitin 2023 pritet të jetë e 37 mes vendeve më të pasur në bazë të ardhurave për çdo person.[26]   

Përfundime

Përgjithësisht mund të thuhet se politikanët profesionistë, bankierët dhe pronarët e korporatave, shkurt, elita politiko-ekonomike, janë padije sistemike. Për pasojë, ata krijojnë kushtet për rrënim të sistemit duke dëmtuar kryesisht puntorët, burimet ekonomike dhe ekosistemin. Por nuk janë vetëm elitat kapitaliste që tregojnë padije sistemike: njëlloj paraqiten edhe të ashtuquajturit “marksistë”. Por ndërsa ata rrënojnë sistemin kryesisht nga padija sistemike, ata që dëmtohen më shumë janë shtresat e ulëta të shoqërisë: sepse klasa sunduese, pavarësisht se mund të ketë disa vetëvrasje, solidarizohet me dëmet e individëve të sërës së saj, shpesh, duke mashtruar klasat e nënshtruara. Për të njëjtën arsye, punëtorët dhe përgjithësisht populli italian, gjendet në të njëjtën krizë që gjendet gjithë popujt e vendeve periferike të BE/Eurozonës. Ndryshimi me popullin shqiptar është se ne sundohemi nga kapitali italian në vendin tonë, ndërsa italianët gjenden në fazën e parë të shitjeve të pasurive publike. Domethënë, në fazën e vitit 2010-të Greqisë.

Gjykuar dhe nga dallimet mes partive të koalicionit qeverisës për euron, politikën fiskale, rregullat bankar, tregun, emigracionin dhe politikën e jashtme,[27] lëvizjet që kanë ndërmarrë krerët e “yjeve”,[28] për nxjerrjen e vendit nga eurozona, dhe premtimin kryesor, se do të detyrojnë Brukselin të ndryshojë politikat e kursimit me politika jokursimtare,[29] siç premtoi Syriza e Greqisë tre vjet më parë me këshilltar Zizekun e të tjerë si ai, mund të konkludojmë se qeveria e re do të shtojë krizën qoftë brenda vendit qoftë në BE-eurozonë: sepse, edhe një herë, atyre u mungojnë parakushtet (ose premisat) për të ndryshuar rrjedhën e dinamikës që ka përfshirë vendin: dija teorike dhe empirike. Kështu, qoftë lëvizjet “occupy” që filluan të shpërthenin kryesisht në Perëndim katër-pesë vitet e fundit, qoftë lëvizja e Beppes, e cila pretendon ‘demokraci në veprim’ dhe ‘direkte’...kërkojnë të bashkë-jetojnë me “demokracinë” parlametare dhe tregun e marketingut, që është armikja e demokracisë politike dhe të operojnë në kuadrin institucional të G/N! Nuk është e rastit që Lëvizja e “pesë yjeve” dhe “liga veriore” kundërshtojnë vetëm eurozonën por jo BE-në. Domethënë, kërkojnë të operojnë në të njëjtin kuadër institucional dhe dinamikë tregëtare duke përdorur vetëm devizën kombëtare.

Kërkojnë, në fjalë të tjera, krijimin e një lloji “britanicizmi”. Për më shumë, “lëvizjet” në fjalë shtrembërojnë konceptin dhe praktikën e ‘demokracisë direkte’: sepse me “demokraci direkte” ato kuptojnë procesin parazgjedhor (ose betejat parazgjedhore) për të zgjedhur “më të mirët” dhe për të shkuar në parlament dhe jo zhvillimin e një kuadri tjetër institucional përmes të cilit popujt do të vetëvendosnin drejtëpërdrejt për çdo çështje të rëndësishme social-ekonomike që prek jetët e tyre. Të njëjtin kuptim të “demokracisë” direkte ka dhe Kurti i VV në Kosovë. Nuk është e rastit që lëvizjet në fjalë përmendin politikat neoliberale por nuk përmendin mekanizmat dhe kuadrin institucional që mundësojnë këto politika! Për shembull, lëvizja e “Beppes” nuk mund të pretendojë në njërën anë zhvillimin social-ekonomik të një vendi tjetër (Suedisë) dhe në anën tjetër të mos kuptojë kuadrin institucional në të cilin ai zhvillohet! Se çfarë mund të ndryshojë qeveria e re, është një përzierje tjetër politikash mes të ashtuquajturve të “majtë” dhe të djathtëve. Për shembull, vendosjen e taksës së sheshtë, siç kërkojnë të djathtët por dhe siç kanë premtuar “yjet”, që të nxisin investimet, nga taksa progresive që është aktualisht, dhe luftën kundër varfërisë duke ofruar të ardhura më shumë se 780 euro në muaj për të gjithë ata që kërkojnë punë.

Një politikë tjetër që mund ta realizojnë është “goditja” e privilegjeve të establishmentit politik: ata kërkojnë të rikonceptojnë pensionet e majma që marrin deputetët italianë — 2,600 deputetë që dolën në pension në vitin 2012-të, për shembull, marrin më shumë se 10,000 euro në muaj. Një deputet i partisë radikale të Luca Boneschi-t ishte vetëm një ditë deputet në vitin 1982 dhe merrte pension më shumë se 3,000 euro në muaj derisa vdiq në vitin 2016-të. Si pasojë e ligjit të padrejtë që ka miratuar klasa politike italiane, klasa e re kërkon të përdorë konceptin e kontributit edhe për deputetët. Përmes kësaj mase ata parashikojnë se do të kursejnë 207 milion euro në vit. Në referendumin e vitit 2016-të, Renzi kërkoi të përgjysmonte numrin e anëtarëve të senatorëve të parlamentit por dështoi. Në atë kohë “yjet” votuan kundër![30]

Pa adoptuar një projekt vërtet çlirues, rrjedhimisht, njëherësh, për shoqërinë dhe ekosistemin, lëvizjet politike do të dështojnë: dhimbjet do të shtohen për popujt dhe ekosistemin në vend të zbuten. Por ndërsa në raport me Brukselin klasa e re politike mund të jetë më agresive —lidhur me kërkesën e tyre për politika jokursimtare (në fakt Brukseli po përdor që nga viti 2012 politika jokursimtare por demagogët e rinj ose e përdorin se s’kanë dije ose se s’kanë ç’të përdorin!)— dhe s’do të mund të ndryshojnë asgjë, për bankat e saj të brishta do të përfitojë nga nisma e re e Francës dhe Gjermanisë për të krijuar një fond parandalues krizash.[31] Kështu kriza do të zbutet edhe më shumë dhe klasa e re politike do të (vetë)paraqitet si “shpëtimtare”. Në raport me Shqipërinë klasa e re politike do të jetë më agresive – meqë në përbërjen e saj ka pinjolla të neofashistëve italianë të cilët e kanë parë vendin tonë si një “arenë” tjetër për të zhvatur dhe zbutur edhe më shumë krizën. Megjithëse s’kanë nevojë të jenë agresivë përsa kohë që vendi ynë qeveriset nga individë që u përgjërohen italianëve për investime. Sidoqoftë, fakti që Italia vuan nga mungesa e konkurrencës me vendet metropole të Evropës, veçanërisht me Gjermaninë, nuk do të thotë se asaj i mungon dhe me Shqipërinë: ajo ka shumë avantazhe. Dhe për të njëjtën arsye kapitali italin në Shqipëri do të zgjerohet edhe më shumë...           

 

Pjesë nga një studim më i gjerë tërësia e të cilit mund të lexohet kur të publikohen librat

[1]The Italian slap to the transnational elite, Greece and global governance, TAKIS FOTOPOULOS, The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, Vol. 8, Nos. ¾, 2013.  

[2]Emeri i kësaj Lëvizje lidhet ngushtë me angazhimin e saj për, ‘ambientin, qytetatrinë, kulturën, drejtësinë, dhe zhvillimin’!MoVimento 5 Stelle Sicilia.

[3]The Five Star Movement is not radical – Beppe Grillo is one of them, not us, The Guardian, 28 February 2013.

[4]Italy’s five star leader faces test of credibility as election looms, FT, 15 January 201.

[5]M5S says it will not help form Italian government, The Guardian, 1 March 2013.

[6]Italy’s Five Star looks to prove its shine to centre ground, FT, December 10, 2016.

[7]Italy falls back into recession, FT,August 6, 2014.

[8]Italian growth: New recession or six-year decline? Vox, 11 August 2014.

[9]Matteo Renzi promises ‘open door revolution’, FT, August 13, 2014.

[10]Regulator says ‘crony capitalism’ undermines Italy’s economy, FT,June 30, 2014.

[11]China to invest €2bn in Italy’s power grid, FT,July 24, 2014.

[12]China kicks off second round of privatization, FT,August 10, 2014.

[13]Matteo Renzi vows Italy will abide by EU deficit rules, FT,October 3, 2014.

[14]Italy has ‘atomic bomb’ to revive economy, says Renzi aide, FT,November 6, 2014.

[15]Abandoned by God? Italian churches turned into banks, bars, shops, RT, October 31, 2014

[16]Nine Italian banks fail EBA stress tests, FT,October 26, 2014.

[17]Five Star Movement calls on Brussels to approve Italy bank rescue, FT, 21 July 2016.

[18]Renzi needs a baniking plan that will work, FT, 31 June 2016.

[19]Italian banks: end of the embrace, FT, November 24, 2016.

[20]Italian banks: essential repairs, FT, 10 July 2016.

[21]Forget Brexit — Italy is poised to tear Europe apart, The Independent, 13 July 2016.

[22]Why the shrug from markets as populists take power in Italy? FT, 11 May 2018.

[23]Shih, Blloqet ekonomikë dhe pavarësia e kombeve.

[24]Renzi is the last hope for the Italian elite, Tony Barber, FT,January 1, 2015.

[25]Italy’s economic upturn widens north-south divide, FT,August 10, 2015.

[26]Spanish now richer than Italian, IMF data show, FT, Apr 20, 2018.

[27]Populist beliefs: where Italy’s League and Five Star stand, FT, 11 May 2018.

[28]Italy is storing up troble for the eurozone, Wolfgang Munchau, FT, March 11, 2018.

[29]Finacial markets fail to reflect the eurozone time-bomb in Italy, Wolfgang Munchau, FT, March 25, 2018.

[30]Italy’s populists take aim at pensions of former MPs, FT, Apr 9, 2018.

[31]Shih, Demokraci apo barbarizëm?   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA