...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Koalicioni i Merkelit: epoka e re integracioniste dhe inkrimentaliste e Gjermanisë dhe Evropës

Kriza social-ekonomike dhe politike e BE-së dhe falimentimi ideologjik i të “majtës” globaliste dhe çdo të “majte” tjetër në perëndim dhe veçanërisht në Evropë dhe, çorientimi i popujve, çoi, siç pritësh, në rikonceptimin e BE-së nga elitat ose partitë kryesore të vendeve metropole të saj.

Ylli Përmeti

22/01/2018 - 10:40

Gjermania lëviz nga jo-angazhimi e administrimit të krizave në pushtet politik udhëheqës të BE-së

Kriza social-ekonomike dhe politike e BE-së dhe falimentimi ideologjik i të “majtës” globaliste dhe çdo të “majte” tjetër në perëndim dhe veçanërisht në Evropë dhe, çorientimi i popujve, çoi, siç pritësh, në rikonceptimin e BE-së nga elitat ose partitë kryesore të vendeve metropole të saj. Lëvizjet e para erdhën nga Makroni, presidenti francez, depërtimin e të cilit në pushtetin politik të Francës e kam quajtur në vend tjetër,[1]“depërtimin oportunisto-makiavelist” par excellence të kohëve tona, për gjithë arsyet që citoj atje. Sidoqoftë, Gjermania tregoi se është ajo tashmë që vendos fatet e BE-së dhe jo Franca. Kjo e fundit do të përdoret nga Gjermanët për qëllimet e saj politike dhe do të paraqitet si bashkë-qeverisëse. Kështu, në dijeni të krizës që shkakton BE-ja, siç është për periferitë dhe gjysmë-periferitë e saj, dhe pa kuptuar shkaqet, koalicioni paraprak i Merkelit dhe Shulcit në Gjermani tregoi, siç analizon një analist në FT, një axhendë të re që shkon përtej propozimeve të Makronit: seksioni mbi të ardhmen e Evropës parashtron zhvendosjen më të madhe nga Gjermania drejt integrimit kontinental që nga koha e traktatit të Maastrich-it njëçerek shekulli më parë. Në koalicionin e fundit të vitit 2013-të, vështirë se gjeje ndonjë referencë për Europën përtej klishes së zakonshme. Çështja e madhe në atë kohë ishte rroga minimale kombëtare. Por në marrëveshjen e fundit, Evropa është e para. Ajo deklaron një gadishmëri për të zgjeruar buxhetin e BE-së me një kontribut më të madh gjerman. Marrëveshja mbështet veçanërisht një buxhet për eurozonën për të financuar qendrueshmëri makro-ekonomike, konvergjencë sociale dhe reforma strukturale...Mekanizmi europian i qendrueshmërisë (ESM), ombrella shpëtimtare, do të jetë pjesë e një buxheti të zgjeruar të BE-së dhe jo, si tani, të administruar nga shtetet anëtare. Këtë kërkoi pikërisht Jean-Claude Juncker, presidenti e Komisionit Europian. Marrëveshja shënon një zhvendosje shumë të rëndësishme larg ndër-qeverisjes së Merkelit drejt një pikëpamje më integracioniste. Sa i përket ESM-s, ne dinim se Gjermania donte ta zgjeronte, por nuk dinim se tani ajo do ta ankorojë atë në BE. Wolfgang Schauble, ish ministri i financave, ishte i patundur se ESM-ja nuk duhet të vendosësh në sqetullat e komisionit. Ky qendrim, gjithashtu, duket se ka ndryshuar. Marrëveshja paraprake gjithashtu parashikon fuqizimin e parlamentit europian për të bërë qeverisjen e eurozonës më demokratike. Mbi këtë pikë partitë gjermane nuk pajtohen me Makronin, i cili kërkon një parlament të ndarë për eurozonën. Ku Gjermania mbështet Francën është me thirrjen e qartë për të forcuar politikat kundër-proteksioniste (“anti-dumping”) dhe të imponojë një përqindje takse minimale korporative përgjatë BE-së. Marrëveshja e fundit e koalicionit hollandez, në anën tjetër, ka një qendrim krejt të kundërt: jo fuqizim të mëtejshëm të eurozonës. Autori konkludon se është e vështirë që këto qendrime koalicionesh, partishë dhe shteteve anëtare të pajtohen dhe se ndoshta pjesa më e rëndësishme e dokumentit është se ai sinjalizon një zhvendosje nga stili i Merkelit jo-angazhues menaxherial në një axhendë të udhëhequr nga pushteti politik dhe se ne po i afrohemi një epoke të re.[2]

Nga koalicioni në ‘inkrimentalizmin’ e ekonomistëve ortodoksë

Në të vërtetë, përgjatë mandatit të dytë Merkeli arguentonte se ‘komisioni europian nuk duhet kishte më shumë pushtet nga ç’ka sot’![3] Por ajo ndryshoi qendrim edhe një herë! Sidoqoftë, një tjetër analist i të njëjtës gazetë, na tregon, në kuadër të projektit të rindërtimit të teorisë makro-ekonomike, se pas partive franko-gjermane qendrojnë 14 ekonomistë francezë dhe gjermanë — mendimtarët politikë më të mirë të dy vendeve. Ata kanë krijuar një hartë-orientim mbi reformat e eurozonës e cila, mendojnë ata, do t’i shërbejë më mirë unionit monetar europian. Kështu, nevojitet të përsoset aspekti i “shpëtimit nga brenda” (“bail-in”) i unionit bankar, rëndësia e integrimit financiar përgjatë kufijëve si një mjet për të përmirësuar qendrueshmërinë makro-ekonomike përmes lidhjeve private financiare, rregulla më të ndjeshëm fiskalë, një skemë depozitash sigurie pan-europiane, një mekanizëm ristrukturues të borxhit sovran, një bashkim të skemave përfituese kombëtare të papunësisë si një mekanizëm për ndarjen e rreziqeve përmes buxheteve qeveritare, një bond sintetik të gjerë europian për të shërbyer si një aset sigurie për bankat, dhe një rihartim institucional të fondit të shpëtimit për sovranët dhe funksionimin monitorues të Komisionit Europian. Një aspekt i dytë, ndërsa grupi fillon me premisën se qorrsokaku aktual politik mes “reduktimit të rrezikut” (tipikisht kjo shikohet si përparësi gjermane) dhe “ndarjes së rrezikut” (njëlloj, imperativi stereotipik francez), ata menjëherë argumentojnë —me të drejtë— se kjo është disi një dikotomi e gabuar. Duke folur në terma ekonomikë, ndarja e rrezikut është një rrugë për të rritur disiplinën e tregut dhe rrjedhimisht më pak politika të rrezikshme mes çdo anëtari të eurozonës. Kjo është të paktën e vërtetë — dhe këtu autorët mund të ishin më të qartë — nëse ndarja e rrezikut ndërmerret përmes kanaleve private. Nëse sektorët privatë dinë se ata do të kenë humbje kur diçka shkon keq, dhe nuk do të shpëtohen nga taksat, ata do të mbikqyrin politikat kombëtare me kujdes më të madh dhe do të tarifojnë më shumë kur kreditet e tyre janë më lartë. Politikisht, gjithashtu, e vetmja rrugë për të lëvizur përpara është të ndjekësh politika për reduktim rreziku dhe ndarje rreziku njëkohësisht. Së treti, dhe më e rëndësishmja, aspekti i mëparshëm lejon autorët të tregojnë se receta për reforma është pak a shumë atje për t’u marrë. Gjithë përbërësit janë në tryezë, të mirëpërshkruar dhe kuptuar përmes mendimit se ata e të tjerë janë angazhuar vitet e kaluar.

Aspekti vendimtar për t’u kuptuar është se ata duhet të zbatohen bashkë: njëherësh politikisht dhe ekonomikisht. Zgjedhjet e mirë-dëgjuara që ata ravijëzojnë do të punojnë më mirë vetëm (dhe ndonjëherë vetëm) nëse ata adoptohen si një paketë. Ky është një tip ndryshimi gradual (inkrimentalizëm) inteligjent — as edhe një hop i madh drejt, për shembull, unionit fiskal, por shumë përmirësime të vegjël, që bashkë bëjnë një ndryshim të madh cilësor. Shumë nga kjo mund të kuptohet pa ndryshime të mëdha. E ndërtuar si një sintezë për të tejkaluar një ngecje politike mes Francës dhe Gjermanisë, megjithëse nuk është formuluar qartësisht kështu, duket një paketë që Berlini do ta gjejë më të lehtë se Parisi për ta mbështetur. Veçanërisht, autorët janë shembull përkoreje kur vjen çështja në integrimin e thellë politik dhe ndërtimin e vizionit të tyre më shumë në përmirësimin e funksionimit të tregjeve private financiare se sa në integrim fiskal. Ata janë në mënyrë të dukshme të qetë mbi idenë e një buxheti eurozone ambicioz ose një aftësije të përbashkët borxhmarrje. Duke cituar se implikacionet sugjerojnë më qartë se grupi mund të mos ketë nevojë për gjithë komponentët e paketës së tyre në një shtrirje të barabartë — kjo është një qasje e “sigurisë së dyfishtë” (“belt and braces approach”). Në shikimin tim, konkludon autori, ata mbeten tejet pesimistë lidhur me prishjet dhe praktikën e rregullt dhe të parashikueshme se ristrukturimi i borxhit sovran do të sjellë, veçanërisht në praninë e ristrukturimit të mirë-themeluar (“shpëtimit nga brenda/bail-in”) për bankat. Ata gjithashtu nuk njohin faktin se bota ku bankat që u shpëtuan nga brenda rregullisht si një çështje e kursit do të kishin më pak nevojë për mbështetje fiskale për paaftësitë e pagimit ose sigurisë së depozitës (përveç këtyre atje janë alternativa tërheqëse në sigurinë konvencionale të depozitës). Por siguria e dyfishtë është shumë herë më e mirë se sa mos të keshë asnjërën. Vendim-marrësit në gjithë vendet e eurozonës duhet të vendosin këtë kontribut në mënyrë të dukshme në bordet hartuese politike.[4]

Sidoqoftë, është e qartë se qasja e përgjithshme e ekonomistëve ortodoksë vazhdon të jetë e njëjtë: ata kërkojnë ‘ndryshime’ duke përqendruar, edhe më shumë, pushtetin politik dhe ekonomik në duart e elitave europiane dhe në Bruksel me gjithçka që nënkupton ky lloj përqendrimi: përdorimin e inkrimentalizmit për të realizuar integracionizmin europian të popujve. Merkeli do ta përdorë inkrimentalizmin e paraqitur nga ekonomistët ortodoksë për të realizuar objektivin: integrimin europian të popujve. Kujtoj se koalicioni Merkel-Shulc kaloi nga një debat i gjatë në Gjermani qoftë mes dy partive qoftë mes anëtarëve të partive veçmas. Kishte kundërshtarë dhe mbështetës. Për krahasim, në Shqipëri koalicionet krijohen pa debat të brendshëm partiak dhe ndër-partiak: ata krijohen nga kryetarët e partive dhe shpesh në prapaskenë. Kështuqë një lloj ‘demokracie’ ekziston në partitë e Gjermanisë. Së çfarë nuk ekziston, është debati i gjerë akademik që mund të zhvillohet mes ekonomistëve ortodoksë, të cilët tashmë janë mirë-organizuar, dhe filozofëve politikë të traditës aristoteliane, të cilët kanë një qasje kryekëput tjetër për organizimin politik të popujve. Deri sa të kuptohen ndryshimet mes qasjeve do të na duhet shumë kohë dhe mund. Kujtoj se Gjermania ka krijuar traditën Habermasiane në nivel filozofik dhe në nivel ekonomik traditën e Ludvigfonmises, qasjet e të cilëve i kam shqyrtuar në vend tjetër. Këta ndryshojnë me qasjen anglo-saksone për administrimin politik, ekonomik dhe social të popujve. Por të gjithë bashkë nuk kanë asnjë lidhje me traditën aristoteliane. Karakteristika kryesore e tyre është se të gjithë janë ‘elitistë’. Domethënë, popujt administrohen nga elitat ndërsa krijohet një lloj ‘demokracie’.

 


[1]Oportunisto-makiavelistët, Makroni dhe e ardhmja social-ekonomike e Francës.

[2]A German coalition deal to radically reshape Europe, Wolfgang Munchau, FT, 14 January 2018.

[3]Η Μέρκελ «φρενάρει» την Κομισιόν, Eleftherotypia,  2 Ιουνίου 2013.

[4]A Franco-German euro consesus, Martin Sandbu, FT, January 17, 2018.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA