...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta gjeopolitike mes Amerikës dhe BE-së dhe Kosova në udhëkryq

Shpallja e akuzës tre ditë para bisedimeve shkakton tre kriza kryesore: së pari, përkeqëson marrëdhëniet transatlantike: sepse Trampi do të kundërpërgjigjet; së dyti, përkeqëson marrëdhëniet e perëndimit me popullin shqiptar në veçanti dhe popujt e tjerë në përgjithësi: sepse shpallja e akuzës tregoi se gjykata e Hagës nuk është e pavarur nga ndikimet gjeopolitike dhe fakti që nuk është e pavaruar një gjykatë ndërkombëtare —popujt do të mendojnë me të drejtë— ashtu janë dhe gjykatat kombëtare perëndimore; së treti, përkeqëson gjendjen në Kosovë: sepse bisedimet do të pezullohen për një kohë të gjatë kur dihet se qeveria “Hoti” është tejet e brishtë.

Ylli Përmeti

26/06/2020 - 09:31

Zhgradimi i ambasadorit të BE-së në Uashington ose ndryshimi i statusit diplomatik i BE-së nga shtet në organizatë ndërkombëtare nga administrata e Trampit dhe rifitimi i tij pas pak javësh, një lëvizje që nga Brukseli u konsiderua si “poshtërim që reflekton një antipati të përgjithshme të Trampit kundrejt BE-së”, tregon një të vërtetë të madhe që shtypi ose ngurron ta përmendë ose nuk kupton lidhjen mes qasjes së Trampit dhe Obamës në politikën e jashtme: se Trampi mbivendos marrëdhëniet dypalëshe mbi marrëdhëniet shumëpalëshe që përfaqëson BE-ja. Ndryshimi i statusit të ambasadorit të BE-së në Uashington u realizua nga presidenti Obama pas kërkesës së bllokut, sepse, argumentonte blloku në atë kohë, ai meritonte njohje të ngritur sepse që nga viti 2009 kishte patur një përfaqësues të lartë për politikat e jashtme që është gjithashtu zëvendëspresident i Komisionit Europian. Ndërsa David O`Sullivan, ambasadori i BE-së në Uashington, ishte rreshtuar në ceremoni deri në vitin 2016 poshtë emisarëve shtetërorë në Amerikë, vendimi i fundit i Obamës e vendosi atë baras me ta. Kjo ishte e rëndësishme sepse në raste ceremoniale ambasadorët dypalësh (bilateralë) thirren sipas rendit të jatëgjatësisë në postin e tyre. Me ndryshimin e statusit ambasadori i BE-së në Uashington thirret pas 150-plus ambasadorëve bilateralë. Kështu ndodhi në ceremoninë e Bushit. Ishte kjo ngjarje që shkrepi dyshimet e bllokut për ndryshimin e qendrimit amerikan. Por përtej ceremonive qendron qasja e Trampit se Uashingtoni është për marrëdhënie dypalëshe dhe jo shumëpalëshe me gjithçka nënkupton kjo qasje: shpërnjohjen e institucioneve ndërkombëtare me karakter supranacional dhe minimin e globalizmit neoliberal të epokës Klinton, Bush dhe Obama.            

Krizës së BE-së dhe sfidës së Trampit me qasjen e tij ‘dypalëshe’ (bilaterale) në politikën e jashtme, Gjermania dhe Franca, siç tregon “The Times”, iu përgjigjën me një “binjakëzim” të padëgjuar ndonjë herë: me bashkëpunim më të ngushtë në politikat e mbrojtjes, jashtme dhe ekonomike. Ky lloj bashkëpunimi shihet si prototip për të ardhmen e Evropës. Më konkretisht, Angela Merkel dhe Emanuel Makroni nënshkruan një traktat që shtron rrugën për dy shtetet për t`i paraqitur botës një front të bashkuar diplomatik dhe të ngrejnë misione paqëruajtëse në zona konfliktuale. Të dy vendet do të ushtrojnë presion për Gjermaninë të fitojë një ndenjëse të përhershme në këshillin e sigurisë së OKB-së, përkrah Francës, Amerikës, Kinës, Rusisë dhe Britanisë, fuqitë udhëheqëse të aleancës në anën e fituesve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Franca dhe Gjermania synojnë gjithashtu të flasin me një zë në Bruksel, duke hartuar qendrime të përbashkët përpara mbledhjeve kryesore të BE-së në një përpjekje të kthejnë bllokun në një pushtet më vendimtar në skakierën botërore. Marrëveshja përmban klauzola për rajonet e të dy anëve të kufirit për krijimin e ‘Eurodistrikteve’, me shërbime publike të shkrirë ose rrjete publike transporti, të cilët kuptohen si eksperimente për integrim të mëtejshëm të BE-së. Traktati është hartuar të dërgojë një sinjal se Franca dhe Gjermania do të mbajnë lartë vlerat e multilaterizmit në kohën kur rendi botëror i [neo]liberalizmit gjendet nën kërcënim. Makroni dhe Merkeli kanë shprehur frustrimin e tyre në ngritjen e populizmit dhe nacionalizmit, gjithashtu dhe ethet e Evropës në ballë të problemeve si ndryshimet klimatike dhe mërgimi masiv. Në prag të vitit të ri kancelarja gjermane deklaroi se Gjermania do të “qendrojë dhe luftojë” për multilaterizëm dhe ishte gati të merrte më shumë përgjegjësi në botë [përmes këshillit të sigurimit në OKB].

Negociatat për një marrëveshje filluan janarin e kaluar mes diplomatëve nga të dy vendet në shpirtin e traktatit të Elizesë (Ellysée: 1963) i cili vendosi zyrtarisht në anë armiqësitë e ndërsjella shekullore dhe themeloi aleancën franko-gjermane që ka dominuar që nga ajo kohë BE-në për më shumë se një gjysëm shekulli. Traktati u nënshkrua në 22 janar në Aachen, një qytet llixhë i vjetër gjerman afër kufijëve me Belgjikën dhe Holandën ndërsa u ratifikua nga dy parlamaentet në të njëjtën ditë. Vendi është i rëndë me simbolizëm për të dy vendet: Aachen, që njihet si Aix-la-Chapelle në frëngjisht, ishte kryeqyteti imperial i frankëve nën Charlemagne, dhe ka kaluar mes duarve të dy vendeve në disa raste që nga shekulli i 18. Ekstrakti i rrjedhur nga traktati i ri i Aachen-i përshkruan “homogjenizimin” e rregullimeve tregëtare dhe koordinimin e politikës ekonomike mes dy shteteve, i cili udhëhiqet nga një këshill i përbashkët ekspertësh. Teksti bart vulën e dëshirës së Makronit për të përdorur konsesusin franko-gjerman për të mbledhur BE-në për t`u bërë një fuqi botërore më e vetësigurtë në të drejtën e saj. Berlini dhe Parisi do të shkëmbejnë shpesh gjithashtu diplomatët dhe nëpunësit e shtetit. Ministrat nga një vend do të ulen rregullisht në mbledhjet e kabinetit të tjetrit.

Në frontin ushtarak, traktati ruan një ambicie për të formuar një “kulturë të përbashkët dhe zbarkime të përbashkëta jashtë vendit”. Një shabllon i mundshëm për këtë objektiv është forca prej 15,000 ushtarësh e OKB-së në Mali, një ish-koloni franceze që u pushtua pjesërisht nga rebelët e fiseve Touareg dhe grupet e lidhura me al-Qaedan herët në vitin 2012. Ndërsa Franca barti barrën e luftës, forcat e armatosura gjermane kanë furnizuar që nga ajo kohë një nga kontigjentet më të mëdha jo-afrikane, dhe rreth 370 trupa gjermane vazhdojnë të jenë atje sot. Diplomatët e disa vendeve të tjerë anëtarë të BE-së e shohin traktatin me dyshime: sepse një union për herë dhe më i ngushtë mes dy ekonomive më të fuqishme të bllokut mund të krijojë një fuqi të madhe dhe të fuqishme të pankontrollueshme të aftë të shtypë disidencën poshtë rrotave të saj. Synimi i Berlinit për të fituar një vend në këshillin e sigurimit në OKB do të bezdisë disa në Bruksel që mendojnë se vendi duhet t`i jepet BE-së.

Pas daljes së Britanisë nga unioni një vend i vetëm i pesë vendeve kryesore do të mbahet vetëm nga një anëtar i BE-së: Franca...në kohën kur Gjermania filloi një periudhë pune dyvjeçare në këshill në fillim të janarit dhe i është garantuar një vend çdo tetë vjetë për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe gjeopolitike. Por ndërsa projekti mbështetet nga politika qendrore ai kundërshtohet ashpër nga partitë e skajave të majta dhe të djathta: nga e djathta e skajshme gjermane, për shembull, e cila e ka përshkruar atë si një “gërryerje të sovranitetit kombëtar” ndërsa Lepeni e ka konsideruar si një diktat të “pabalancuar” nga Gjermania.  Por pritshmëritë nga kjo marrëveshje janë të pakta jo vetëm për shkak se partitë përkatëse përballen me rezistencë nga partitë e majta dhe të djathta, të cilat shqetësohen për humbjen e sovranitetit, por edhe marrëdhëniet mes Makronit dhe Merkelit janë karakterizuar nga zhgënjime, tensione të ndërsjellë dhe pritshmëri të papërputhshme. 

Përplasjet tregëtare

Kërcënimit të Trampit kundër industrisë automobile europiane, Brukseli iu përgjigj me gadishmëri në dy fronte: edhe do të thellojë lidhjet tregëtare duke eliminuar tarifat mbi automjetet amerikane edhe, nëse nevojitet, do të hakmerret. Trampi është ankuar se tarifa europiane prej 10 për qind mbi automjetet e importuara i jepte manifakturuesve të saj një avantazh në kohën kur vetë Amerika zbaton një tarifë prej 2.5 për qind por imponon taksa më të larta se BE-ja për makineritë e transportit, sepse ka frikë se hapja e tregut do ta vendosë sektorin në konkurrencën e huaj. Për të njëjtën arsye pala amerikane në bisedime kërkoi nga pala europiane të pranonte se sektori i makinerive të transportit do të ruante disa masa proteksioniste. SHBA-ja është destinacioni numër një për eksportet evropiane të automjeteve, me 40 miliard euro automjetesh të transportuara drejt Atlantikut në vitin 2017. Gjatë kërcënimeve dhe bisedimeve nuk mungoi nga pala amerikane ‘shqyrtimi’ se nëse importet e automjeteve përbënin kërcënim të sigurisë kombëtare: nëse po - do të ngrihen taksat. Paralelisht, zyrtarët evropianë përgatitën listën “hakmarrëse” e cila mbulonte disa sektorë duke përfshirë produkte si bagazhe dhe fotokopjues. Tarifat mbi tregun transatlantik në mallra industriale janë tashmë të ulëta, duke qendruar në një mesatare prej 4.2 për qind për mallrat që hyjnë në BE dhe 3.1 për qind ato që hyjnë në Amerikë. Totali i tregut transatlantik në vitin 2017 ishte 600 miliard euro. Pala amerikane kërkoi ulje të mëtejshme meqë volumi i stërmadh tregëtar mes dy ekonomive do të jepte një efekt pozitiv. Por BE-ja refuzoi kërkesën e palës amerikane për të përfshirë agrikulturën në bisedime: sepse Brukseli shqetësohet se Uashingtoni do të përdorë kërcënimin e tarifave për të detyruar BE-në për të negociuar për agrikulturën në kohën kur planet e dërguara nga administrata amerikane në Kongres kërkuan qasje tregëtare të “plotë” për fermat e saj duke prekur standartet e sigurisë së ushqimit të BE-së.  Nga ana tjetër Brukseli kishte përgatitur plane të tjerë për t`u përballur me luftën tregëtare transatlantike. Kështu presindeti i komisionit europian, Juncker, shkoi në Shtëpinë e Bardhë për të shpëtuar nga tarifat industrinë evropiane.

Më konkretisht, bisedimet e tij do të përqendroheshin në uljen e tarifave për mallrat industriale dhe zbutjen e kontrolleve të produkteve në dogana — si pjesë e një axhende më të gjerë bashkëpunimi e pajtuar në takimin e Rose Garden për të mbajtur qipujtë e Trampit ngushtë. Megjithatë, gjithë kjo përpjekje varësh nga konkludimi i departamentit amerikan se nëse tregu i automjeteve përbënte kërcënim për sigurinë amerikane, dhe nga 90 ditët e Trampit për të venduar mbi përfundimet përkatëse në kohën kur vetë Trampi anonte nga tarifat, jo më pak, siç pohon krye-senatori amerikan, Chuck Grassley, për të detyruar (frika e evropianëve ishte e drejtë) BE-në të hapë tregun e saj kundrejt fermerëve amerikanë duke synuar dhe kufizimet e ushqimeve gjenetikisht të ndryshuar, një mish kau të trajtuar me hormone dhe pula të klorinuara dhe duke shtuar një qershi mbi tortë për të ndaluar BE-në “të manipulojë përqindjet e shkëmbimeve monetare”. Por zyrtarët evropianë e bënë të qartë se kjo lëvizje do të ngrinte bisedimet. Një rreze shprese vinte nga gjuha se Uashingtoni “mund të kërkojë të ndjekë negociata me BE-në në faza” duke nënkuptuar ndoshta se pjesët e papranushme të listës mund të mos vendosen në fillim dhe në qendër.  Si përfundim, administrata e Trampit propozoi në fillim të dhjetorit vendosjen e tarifave prej 100 për qind mbi mallrat franceze¬—në më shumë se 2.4 miliard dollarë, duke përfshirë shampanjën por duke përjashtuar verën e gazuar, pasi konkludoi se taksa e shërbimeve elektronike për ndërmarrjet amerikane (Google, Apple, Amazon, dhe Facebook) e vendosur nga Makroni ishte diskriminuese. Propozimi erdhi në fund të një dite të shënuar nga tensione tregëtare mes USA-s dhe aleatëve kyç të saj: filloi me një njoftim se Uashingtoni do të rikthente tarifat mbi metalet nga Argjentina dhe Brazili për t`i ndëshkuar ata për politikat e tyre monetare.

Njëkohësisht zyrtarët amerikanë po shqyrtonin një rreze më të gjerë tarifash ndëshkuese mbi mallrat e BE-së duke përfshirë mallra nga Britania, Franca, Spanja dhe Gjermania, për shkak të subvencioneve të Airbus, manifakturuesi i avionëve, që janë gjykuar si të paligjshme nga OBT-ja. Taksa franceze u vol për shkak të shqetësimeve se grupet teknologjike të USA-s u shmangeshin padrejtësisht taksave në shumë shkëmbime elektronike dhe u vendos si një masë e përkohshme derisa ligje të rinj mund të miratoheshin në një bazë shumëpalëshe përmes OECD. Tensionet mes Trampit dhe Makronit vazhduan në mbledhjen e NATO-s pasi ky i fundit e konsideroi aleancën ushtarake të “vdekur”. Taksat përkatëse i kanë përdorur dhe Italia, Austria dhe Turqia. Si pasojë, ata përballen me kundërpërgjigjen amerikane. Tarifa amerikane përjashtoi çantat e dorës, porcelanin, djathrat, kosin dhe prodhime të tjera franceze. Por administrata amerikane nuk ndaloi me kaq: ajo konsideroi vendosjen e “tarifave ose kufizime” mbi shërbimet franceze. Kjo është një hapësirë tjetër e krijuar përgjatë konsesusit neoliberal. Si rezultat, sektori i teknologjisë amerikane e mirëpriti lëvizjen e administratës së Trampit por shpresonte se një marrëveshje mund të realizohësh përmes OECD. Siç konkuldon FT: “kombinuar me të dhëna të dobëta mbi veprimtarinë e manifakturës në USA, Trampi iu kthye qendrimit agresiv mbi investitorët e frikësuar duke çuar në një rënie në treguesit e aksioneve. Lëvizja për të shuplakosur tarifat mbi çelikun dhe aluminin nga Brazili dhe Argjentina, të cilët Trampi i kishte përjashtuar vitin e kaluar, erdhi pas një ngritje në dollarin amerikan dhe pasi prodhuesit bujqësorë nga ato vende rritën shitjet në Kinë, duke u marrë krahët fermerëve amerikanë”.  Kështuqë, nuk janë vetëm politikat monetare që shqetësojnë Uashingtonin por dhe politikat tregëtare të vendeve përkatëse.                

Përplasja për pulat e klorinuara

Thuajse paralel me këto përplasje - një tjetër u krijua mes Britanisë dhe Amerikës kur kjo e fundit publikoi objektivat e saj për një marrëveshje mes dy vendeve e cila synon të lejojë tregëtinë e ushqimit —më konkretisht, të pulave të klorinuara— në Britani, ku ligjet në fuqi janë përputhur me ligjet evropiane dhe nuk e lejojnë: sepse në Amerikë pulat lahen me ujë tejet të klorinuar - sepse sipas amerikanëve substanca përkatëse ndalon përhapjen e ndotjes mikrobike nga sistemi tretës në mish, një praktikë që është ndaluar në BE qysh në vitin 1997, ku lejohet vetëm larja me ajër ose ujë të ftohtë, sepse BE-ja beson se larja me ujë të klorinuar mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve bakteriale si salmonela në vendet ku thertoret e pista pa standarte do të mbështeten te praktika e ujit të klorinuar si shndotës dhe nuk do të sigurohen për protokollet e tyre bazike higjenike ndërsa nuk mungojnë shqetësimet se kjo lloj “larje” do të përdoret nga ferma më pak të ndershme që përpunojnë mish për të rritur jetën e mishit në rafte duke e bërë atë të duket më i freskët se ç`është në të vërtetë…ku pala amerikane u përpoq ta çmitizonte praktikën përkatëse por u përballë me rezistencë institucionale. 

Por pala amerikane nuk tregon gjithë të vërtetën lidhur me larjen e pulave. Për të njëjtën arsye, britanikët zbulojnë se praktika lidhet me paratë dhe efiçencën e hapësirës. Shumica e fermerëve kujdesen për rritjen e shpendëve të tyre por ndërsa mundësitë për përfitim mund të jenë shumë të ngushta, mirëqenia e kafshëve mënjanohet për të mbajtur kostot poshtë. Në BE, kostua është gjithashtu e rëndësishme por ligji thotë se ajo nuk mund të dalë në dëm të mirëqenies bazike të zogut. Atje ka një sasi minimale hapësire ligjore, ndriçimi dhe ajrimi për pularitë e BE-së. Sa më shumë hapësirë të kenë zogjtë për të lëvizur më pak pulari mund të ndërtohen në një zonë të vetme, e cila me radhë ka një efekt në kostot e prodhimit. Ndërsa në Amerikë nuk ka ligj që ta mbulojë këtë çështje - zogjtë ngucen dhe kanë pak hapësirë, pak dritë dhe pak ajrim. Mungesa e ligjit ulë kostot e prodhimit por rrit rreziqet e sëmundjeve dhe infektimin në një turmë…një raport i Komitetit Shkencor i BE-së mbi Masat Veterinare theksoi se pastrimi kimik mund të jetë efektiv në heqjen e patogjenëve të shkaktuar nga ushqimi në varësi se si përdoret. Frika e vërtetë është se zogjt e ushqyer rëndë mund të mos dezinfektohen mjaftueshëm dhe mbështetja në klorinë mund të çojë në standarte më të varfëra në tërësi. Zyrtarët e BE-së besojnë se industria e ushqimit duhet të rrisë vazhdimisht standartet e higjenës në gjithë hapat e procesit ¬— principi “nga ferma në pirun”, dhe kështu kanë ndaluar larjen e pulave në klorinë si një parandalues kundrejt praktikave të varfëra. Ka patur raporte, duke përfshirë faktet nga “Human Society of the United States” për praktika çnjerëzore dhe johigjenike nga pularitë për shkak të mungesës së ligjit…në kohën kur studimet tregojnë se trajtimi përkatës mund të shkaktojë tumore nëse përqindja e klorinës është e lartë. Autoriteti amerikan i ushqimit vendos kufizime për të parandaluar këtë efekt por atje gjithnjë qendron rreziku se kufizimet mund të shkelen.  Një tjetër çështje me rëndësi të madhe lidhur me këtë çështje është ushqyerja e pulave: pularitë i ushqejnë me koncentrate dhe tejushqejnë shpendët me qëllim rritjen e shpejtë të tyre. Si pasojë, pulat rrënohen mbi peshën e tyre dhe shpenzojnë ditët e fundit të tyre në dhimbje dhe agoni.  Në Britani kjo praktikë ndiqet nga supermarketet e mëdhenj (Tesco, Sainsbury etj.). Ata përdorin, për më shumë, pula gjenetikisht të modifikuara që të rriten shpejtë. Ato fitojnë më shumë se 95 gramë në ditë dhe nevojiten vetëm 35 ditë për rritjen e tyre. Kështu ndërsa në Amerikë nuk përdoret as ligji dhe as virtytet për të mbarështuar shpendë - në Evropë përdoret vetëm ligji! Qartësisht, në BE masat janë të pjesshme ndërsa në Amerikë s’ka masa fare¬—mbizotëron kaosi dhe barbarizmi edhe në këtë çështje. Pavarësisht këtij fakti, ministri amerikan i agrikulturës, Sonny Perdue, këmbnguli gjatë negociatave me kryetaren e komisionit evropian Ursula von der Leyen, për të përfshirë në marrëveshjen e re mes BE-së dhe USA-s pulat amerikane ndërsa BE-ja refuzon të përfshijë agrikulturën në bisedime. Për të njëjtën arsye, ndërhyrja amerikane në ligjin e BE-së shihet pengesë në realizimin e një marrëveshje të shpejtë transatlantike.         

Përplasjet gjeopolitike

Përplasja për Iranin: dy mbledhje me karakter gjeopolitikë u zhvilluan në mes të shkurtit 2019 nga superfuqitë: njëra u zhvillua në Soçi të Rusisë në brigjet e detit të zi, mes Putinit, Ruhanit dhe Erdoganit, për Sirinë, ku mbizotëroi mospajtimi mes Erdoganit dhe Putinit lidhur me planin e Erdoganit për të krijuar një zonë të sigurtë në Siri, një plan që atij iu imponua nga Trampi si rrugëzgjidhje për mosmësymjen e Turqisë në Siri të cilën e kishte paralajmëruar Erdogani: Putini këmbnguli me të drejtë se Erdogani kishte nevojë për miratimin e Asadit—hamendësisht, sepse kështu parashikon e drejta ndërkombëtare. Mbledhja tjetër -paralele- u zhvillua në Varshavë të Polonisë mes Amerikës, Izraelit dhe dhjetë shtete arabe (Arabia Saudite, Bahreni, Jordania, Kuvajti, Moroku, Omani, Emiratet arabe, Egjipti, Tunizia). Qëllimi i saj ishte Irani. Në këtë mbledhje, shtetet arabe u ulën në tryezë me Izraelin—shtet të cilin nuk e njohin! Hera e fundit kur udhëheqësit arabë dhe ai izraelit janë ulur bashkë ka qenë në konferencën e paqes së Madritit në vitin 1991. Mbledhja u bashkëbujtinua nga Amerika dhe Polonia por ishte deklaruar një muaj më parë nga Majk Pompeo, ministri i jashtëm amerikan, gjatë një udhëtimi në shtatë shtetet arabe sunite. Në mbledhje morën pjesë më shumë se 50 përfaqësues nga shtete të tjerë. Si pasojë, mbledhja shënoi, sipas Majk Pensit, “një të ardhme të ndritur” për rajonin e lindjes së mesme, pasi arabët dhe Izraeli “po ndanin bukën bashkë”. Mbledhja u quajtë si “konferenca anti-Iran” pavarësisht se titulli i saj zyrtar ishte “Nxitja e paqes dhe sigurisë për të ardhmen në Lindjen e Mesme”. Kryeministri i Izraelit, Netanjahu, e quajti mbledhjen si “një revolucion në politikën e jashtme izraelite”. Por mbledhja u shmang nga udhëheqësit europianë, kryesisht për shkak të mospajtimit me amerikanët lidhur me Iranin: sepse shumica e vendeve europiane kundërshtojnë vendimin e Trampit për prishjen e marrëveshjes bërthamore dhe rivendosjen e sanksioneve.

Xheremi Hant (Jeremy Hunt), ministri i jashtëm britanik udhëtoi në Varshavë por e la konferencën herët. Franca dhe Gjermania dërguan nëpunës shtetëror dhe zëvendës-ministra të politikës së jashtme. Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë europiane në politikën e jashtme të BE-së, nuk shkoi. Në konferencë nuk shkoi as Palestina, e cila e denoncoi atë si një “komplot amerikan”, as Libani, i cili ka lidhje të ngushta me Iranin. Katari, i cili ka mosmarrëveshje diplomatike me Arabinë Saudite pjesërisht për shkak të marrëdhënieve tregëtare me Iranin, mungoi gjithashtu. Ndërsa Rusia ftesës i tha jo duke zhvilluar një mbledhje paralele në Soçi. Rusia, Irani dhe Turqia kanë qendruar larg perëndimit lidhur me bisedimet për Sirinë përmes procesit paqësor të Astanasë, e cila tashmë është forumi kryesor për bisedime mes Asadit dhe opozitës siriane. Nuk munguan akuzat nga ministri i jashtëm i Iranit, Javad Zarifi, i cili cicëroi se nuk “ishte e rastit” që një sulm terrorist vrau 29 anëtarë të korpusit të ushtrisë revolucionare të Iranit kur konferenca në Varshavë po fillonte. Ndërsa Netanjahu kundër-akuzoi Iranin se ai mbështet terrorizmin në Evropë. Por përtej kësaj retorike rreth bashkimit në të dyja mbledhjet, në fund të ditës ishte e qartë se ndarjet qendruan jo vetëm mes por dhe përgjatë dy kampeve.

Mungesa e udhëheqësve europianë tregoi edhe një herë mospajtim në zemër të aleancës transatlantike. Për pasojë, Pensi fshikulloi partnerët e tij europianë për mospjesëmarrjen e tyre duke thënë se “trishtueshëm, disa nga partnerët tanë europianë nuk kanë qenë bashkëpunues...në fakt, ata kanë krijuar mekanizma për të shkelur sanksionet tona”. Pensi i kërcënoi europianët në një konferencë tjetër në Mynih ku argumentoi se presidenti amerikan po rrezikon sigurinë botërore me qasjen e veprimit i vetëm (“go-it-alone”) në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pensi paralajmëroi Evropën për të mbështetur udhëheqjen amerikane në krizën ndërkombëtare në rritje duke përfshirë dhe kërcënimin që vjen nga teknologjia kineze, kryesisht lidhur me ndërmarrjen e saj të telekomit, Huawei, më konkretisht lidhur me përhapjen e teknologjisë 5G në Evropë, për të cilën evropianët kanë kundër-argumentuar se s`kanë tjetër alternativë...krizën në Venezuelë dhe ambiciet bërthamore të Iranit duke cituar se “perëndimi kurrë nuk do të përçahet...[dhe] civilizimi ynë do të triumfojë”. Kancelarja gjermane në fjalën e saj sulmoi izolacionizmin amerikan duke paralajmëruar për tërheqjen nga Siria dhe Afganistani ndërsa mbrojti institucionet shumëpalëshe që kërcënohen nga politika amerikane. Të njëjtin qendrim pati dhe përfaqësuesi kinez, Yang Jiechi, duke cituar se “gjithë vendet, pavarësisht madhësisë, fuqisë dhe pasurisë, janë të barabartë...përdorimi i kërcënimit sipas dëshirës, hegjemonia ose pushteti politik duhet të refuzohen”. Sergej Lavrovi, ministri i jashtëm rus, sulmoi ambiciet e Nato-s duke cituar se “ne shikojmë të krijohen plasaritje të reja dhe të thellohen të vjetrat”. Pak ditë më vonë kryeministri i Polonisë anuloi një udhëtim për në Jeruzalem lidhur me një takim të vendeve të Evropës qendrore, për shkak të komenteve të ministrit të jashtëm izraelit se “polakët kanë bashkëpunuar me nazistët” ndërkohë që Irani argumentoi në Mynih se përpjekjet e Evropës për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore të 2015-ës po dështojnë ndërsa po rritet numri i iranianëve që mbështesin idenë e rifillimit të programit bërthamor.

Përplasja e BE-së dhe USA-s në Kosovë

Përplasja mes dy blloqeve ekonomike vijoi lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd, e cila kulmoi me akuzën e prokurorit të gjykatës speciale kundrejt Thaçit, Veselit dhe të tjerë që nuk i emëroi. Bisedimet i drejtonte Thaçi. Për këto bisedime u përfshi administrata e Trampit duke nxitur dhe rënien e qeverisë “Kurti”: sepse nuk pajtohësh me politikat dhe qendrimet e saj, kryesisht lidhur me politikën e “ndërsjelltësisë” në raport me Serbinë. Për të njëjtën arsye përplasja politike në Prishtinë u quajt si ‘ndarje’ mes mbështetësve të BE-së (Kurti) dhe mbështetësve të USA-s (Thaçi etj.). Sidoqoftë, bisedimet dështuan pas shpalljes së Thaçit e të tjerëve si “kriminel lufte”: pasi Thaçi anuloi udhëtimin e tij për në Uashington. Pas tij veproi njëlloj dhe kryeministri Hoti, i cili ishte pjesë e bisedimeve bashkë me Thaçin. Pashmangshmërisht njëlloj veproi pas pak orësh dhe Vuçiçi, drejtuesi i bisedimeve të palës serbe. Shpallja e akuzës tre ditë para bisedimeve shkakton tre kriza kryesore: së pari, përkeqëson marrëdhëniet transatlantike: sepse Trampi do të kundërpërgjigjet; së dyti, përkeqëson marrëdhëniet e perëndimit me popullin shqiptar në veçanti dhe popujt e tjerë në përgjithësi: sepse shpallja e akuzës tregoi se gjykata e Hagës nuk është e pavarur nga ndikimet gjeopolitike dhe fakti që nuk është e pavaruar një gjykatë ndërkombëtare —popujt do të mendojnë me të drejtë— ashtu janë dhe gjykatat kombëtare perëndimore; së treti, përkeqëson gjendjen në Kosovë: sepse bisedimet do të pezullohen për një kohë të gjatë kur dihet se qeveria “Hoti” është tejet e brishtë. Qeverinë “Hoti” mund të dobësohet edhe më shumë nëse provohen akuzat në gjykatë dhe arrestohet Thaçi e të tjerë pas tij: sepse ky fakt do të shfrytëzohet nga Serbia dhe mbështetësit e saj...   

*Pjesë nga një studim shumë më i gjerë          

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA