...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta politike e Metës me Ramën dhe amerikanët dhe e ardhmja e tij

Gjykuar nga taktika e Metës —ai ka filluar të ekspozojë amerikanët por dhe evropianët me afera ‘korruptive’— dhe mund të ketë përgjime të tjera të ngjashme, por dhe nga kushtet aktuale —Meta është president i një vendi “sovran”— dhe nga fushata zgjedhore dhe pritshmëritë prej saj, se opozita mund të fitojë zgjedhjet, jo sepse do të manipulohen nga Rama me amerikanët siç pretendon Meta, por sepse populli...

Ylli Përmeti

17/03/2021 - 09:39

Në ditët e para të marsit dhe kur zgjedhjet parlamentare por merrnin karakter zyrtar (regjistroheshin) Meta bëri një deklaratë të nxehtë kur tha se ai i “kapte për veshi” amerikanët e Ramës, nëse preknin votën e lirë, jo si president por si Ilir Meta, duke nënkuptuar se Rama ka mbështetjen e amerikanëve dhe mund të manipulojë bashkë me ta zgjedhjet. Pak ditë më pas Meta kanalizoi në gazetën “Dita” një përgjim të Panaritit, ish-ministrit të bujqësisë, ku përfshihet ish-ambasadori Lu në Shqipëri dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu, sipas të cilit Luja nxiti autoritetet shqiptare që të blinin ekskavatorë nga ndërmarrja amerikane “Caterpillar”. Por ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, u tregua më e zhdërvjellët duke ndërhyrë drejtpërdrejt tek Rama dhe kështu u ble një flotë prej 71 ekskavatorësh të markës “Volvo” nga një ndërmarrje private kroate, të cilën kryeministri e paraqiti në një ceremoni me plotë lavde...por rezultuan difektozë dhe për pasojë Shqipëria vazhdoi të përmbytësh! Për blerjen e flotës përkatëse kontriboi dhe BE-ja me 44 milionë euro. Kështu, si Vlahutini ashtu dhe Rama janë korruptuar për të blerë ekskavatorë difektozë dhe duhet të hetohen.

Në një debat mes Metës dhe Lusë në zyrën e të parit, Meta i ka thënë diplomatit “që të kam të regjistruar duke kërkuar favore për kompanitë që ke interesa”. Më pas ndodhi ngjarja tek zyrat e “Frymës së Re Demokratike” ku Meta ushtroi dhunë verbale dhe fizike ndaj policisë bashkiake të cilën e kishte urdhëruar kryebashkiaku Veliaj për ta bllokuar meqënse, sipas bashkisë, kishte mbaruar afati i marrëveshjes mes palëve. Meta vazhdoi me akuzat e tij ndaj Ramës, amerikanëve dhe evropianëve lidhur me manipulimin e zgjedhjeve.

Investimet problematike amerikane

Duhet thënë se “Dhoma Amerikane”, anëtarët e së cilës përfaqësojnë një bashkim kompanish me 38 mijë punonjës dhe me xhiro të përbashkët sa 21 për qind ose sa rreth ¼ e PPB-së sonë, kërkon ulje taksash dhe ka përgatitur 40 rekomandime për qeverinë për të zgjeruar veprimtarinë e kapitalit të huaj, për transparencë të lartë [...] në prokurime dhe kufizime për zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Dy ndërmarrjet kryesore amerikane, “Exxon Mobil” dhe “Bechtel”, kanë nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë “Rama”: njëra, sipas qeverisë, “për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri” duke përfshirë konvertimin e lëndës djegëse të TEC-it të Vlorës nga naftë në gaz dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e tij...duke synuar shndërrimin e “Vlorës në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm”.

Në fakt, qeveria ose s`është në dijeni ose bën propagandë mashtruese lidhur me argumentin se Vlora do të kthehet në një “hub” ose qendër rajonale për gazin e lëngshëm amerikan: sepse qeveria greke ka krijuar të njëjtën qendër në Selanik në përpjekjen e saj për të përfshirë sa më shumë interesat amerikane në rajon dhe për të mbajtur larg kërcënimet turke. “Bechtel” ndërkohë ka marrë përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin, të cilin e kishte në shënjestër dhe BE-ja por hoqi dorë kur pa se u përfshin amerikanët në të. Siç citon një raport:

“Problemet dhe vonesat u shkaktuan nga ndërhyrja komerciale e një kompanie konstruksioni amerikane. Drejtoria e zgjerimit në BB lëshoi në datë 12.01.2021 duke kontaktuar Bankën e Investimeve Europiane për të ndërprerë menjëherë çdo ndihmë në këtë projekt. Drejtoria e Zgjerimit, fuqimisht këshillon që në të ardhmen asnjë lloj bisedimi të mos zhvillohet me autoritetet shqiptare”.

Për hidrocentralin në fjalë janë zhvilluar shumë protesta nga banorët dhe nga ekologjistët, për mos ndërtimin e tij. Por qeveria “Rama” i shpërfilli ato siç ka shpërfilluar qindra protestat e tjera për hec-et e tjerë që po shkatërrojnë ekosistemin...në kohën kur ka plotë rrugë të tjera —tërësisht ekologjike— për shfrytëzimin e energjisë hidrike dhe kur, dhe më e rëndësishmja, në SHBA digat e hidrocentraleve kanë shkatërruar biodiveristetin e lumenjëve dhe tani mijëra diga (mbi lumin Klamath etj.) përballen me prishjen e kontrolluar për të njëjtën arsye pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve nga organizatat mjedisore! Në SHBA janë hequr mbi 1700 diga duke përfshirë 90 gjatë vitit 2019 (The largest dam-removal in US history, BBC, 10th November 2020).

Një arsye tjetër është e ardhmja e klimës: ajo parashikohet të jetë plotë thatësira dhe lumenjtë në thatësira nuk kanë ujë për kafshët e jo më për digat dhe prodhim energjie. Kujtoj thatësirën e vitit 2017 kur thuajse të gjitha digat u fikën dhe ne importuam energji nga vendet e tjerë. Thatësira si ajo do të jenë më të shpeshta në të ardhmen. Përjashto mundësinë e ndalimit të çlirimeve toksike dhe moti gradualisht balancohet.

Dëftuese është thatësira që ka përfshirë Taivanin, një vend tropikal (në jug) dhe subtropikal (në veri) ku rreshjet janë shumë më të mëdha se rreshjet në vendin tonë. Tajfunet janë të zakonshëm gjatë verës dhe vjeshtës dhe musonet nuk mungojnë. Por vitin e kaluar nuk pati asnjë tajfun dhe pati pak rreshje duke e zhytur ishullin në thatësirën më të madhe të 56 viteve të fundit. Shumë nga rezervuarët e tij kanë më pak se 20% sasi uji dhe në disa niveli i tij ka rënë poshtë 10%. Rezervuarët furnizojnë me ujë industrinë e gjysëmpërçuesve prej 100 miliardë dollarë dhe për pasojë kërcënojnë mbarëvajtjen e saj. Furnizojnë dhe bujqësinë, e cila është goditur fortë nga thatësira.

Por ndërsa përpjekje po bëhen për zvogëlimin e çlirimeve ato janë tejet larg nevojave për të balancuar motin. Duke ditur këtë fakt, por dhe faktin tjetër se investimi në hidrocentral është i madh ku e çon “mushka” investitorin amerikan?! Qoftë edhe nëse hamendësojmë se në marrëveshje përfshihet çështja e thatësirave dhe qeveria pranon të kompensojë humbjet gjatë thatësirave, ku do ta gjejë “kompensimin” kur dihet se populli ynë do të varfërohet më shumë në të ardhmen?!     

Lexo, Kanosja katastrofike e planetit: nga përmbytjet biblike dhe thatësirat shkretuese te përfitimet e elitave dhe dalldisja e popujve

Parë nga këndvështrimi i pushtetit ekonomik, nga nevoja e qeverive tona për mbështetje politike amerikane dhe nga varësia e vendit tonë në raport me SHBA-në, në terma politikë dhe gjeopolitikë, Dhoma Amerikane e Tregëtisë bashkë me ambasadën amerikane aktualisht mund të kërkojë dhe të imponojë çdo kërkesë mbi qeverinë shqiptare. Nuk është e rastit që kërkon transparencë të “lartë” në prokurime publike por jo të “plotë”! Vlen të përmendet, gjithashtu, fakti se gazi amerikan është shumë më i shtrenjtë se gazi i linjave të tjera siç është TAP-i që kalon në Shqipëri dhe vështirë se mund të blihet nga populli i zakonshëm. Nga projekti i TAP-it Italia përfiton më shumë se çdo vend tjetër: sepse do të jetë pikë shpërndarëse për gjithë Evropën. Aktualisht ajo furnizohet nga gjashtë burime (Austria, LNG, Zvicra, Algjeria, Libia etj.). Çmimi i gazit të linjës së TAP-it ra shumë gjatë vitit 2020 por çmimi i tij është përgjithësisht konfidencial.

Shqipëria, Kosova dhe Malizi, aktualisht përdorin energji të ripërtëritshme dhe naftë për energji dhe nevoja ngrohëse. Shqipëria, vendi më i madh nga këta të tre, gjatë vitit 2017 përdori një përzierje mes naftës (63%) dhe hidrocentraleve (rreth 20%). Rreth 12% u gjenerua nga bioenergjitë, 4% nga qymyri dhe vetëm 1.8% nga gazi. Vendi përshkohet nga një rrjet i vjetër gazi prej 400 km me presion të ulët duke lidhur fusha të vogla gazi dhe një përqindje e këtij rrjeti përdoret për të dërguar prodhimin vendor të gazit në ndërmarrjet naftënxjerrëse për veprimtaritë e tyre përpunuese. Por gjatë viteve të fundit, operatori i sistemit të transportit Albgaz  — i cili u nda nga Albpetroli në janar të vitit 2017 — ka planifikuar një zgjerim me pesë fish të sistemit të gazit. Synimet e Albgazit përbëjnë pjesë të një plani më të gjerë gazi të hartuar nga qeveria “Rama” në vitin 2014-të, i cili përfshin gjithashtu ndërtimin e një impianti të ri (CCGT), një magazinë të nëndheshme për magazinimin e gazit në Dumre dhe një linjë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës (ALKOGAP).

Qeveria shqiptare pret që kërkesa për gaz të rritet me rreth 2 bilion metër kubik çdo vit deri në vitin 2040 ndërsa 770 milion kubik prej tij do të përdoren për prodhimin e energjisë. Faza e parë e TAP-it është hartuar që vetëm të kalojë në Shqipëri ndërsa pritet të fitohet një dalje nga linja përkatëse në Fier gjatë fazës së dytë, aktualisht nën ndërtim. Greqia, Bullgaria dhe Greqia fitojnë gaz nga faza e parë e TAP-it. Kështu ata ulin varësinë e tyre nga gazi rus. (Turning on TAP: a shift in the European gas landscape, “S&P Global Platts”, September 2020). Kështuqë gazi amerikan mbetet të përdoret kryesisht në TEC-in e Vlorës për prodhimin e energjisë elektrike të cilën ose do ta eksportojmë ose do ta përdorin vlonjatët me kosto...të lartë sigurisht. Përjashto mundësinë e subvencionimit të gazit amerikan nga kursimet e popullit shqiptar. 

Sidoqoftë, është e qartë se gazi amerikan mund të shitet në sasi të mëdha brenda vendit (në SHBA) ku fuqia blerëse dhe përdorimi i tij është më i madh se sa në vende si Shqipëria dhe Ballkani në përgjithësi. Veçanërisht kështu kur ai konkurrohet nga një sërë linjash në rajon: TAP-i dhe linja të tjera nga Mesdheu dhe Lindja e Mesme pritet të shfaqen. Në rajonin tonë mund të përdoret si energji “luksi” meqë ka cilësi të lartë. Mund të përdoret dhe si “armë” diplomatike: të paktën kështu po e përdor Gjermania aktualisht e cila po përparon linjën e veriut të gazit rus. Për çmimin e tij, ministri rus i energjitikës, ka thënë se është të paktën 30-40 për qind më i lirë se gazi amerikan.

Sidoqoftë, herët a vonë amerikanët do ta kuptojnë se gazi i tyre nuk ka të ardhme në rajonin tonë kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë blerëse dhe konkurrencës së lartë. Kujtoj se Serbia furnizohet me gaz rus dhe për të njëjtën arsye dhe ka krijuar një avantazh shumë të rëndësishëm tregtar me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo është një arsye se pse Serbia është protegoniste në krijimin e “federatës ballkanike” të nxituar nga BE-ja: sepse e di se me avantazhet e saj (këtu përmenda vetëm njërin ndërsa të tjerët mund të lexohen në analizën përkatëse) mund t`i pushtojë ekonomikisht sërish fqinjët e saj dhe veçanërisht Kosovën dhe për pasojë të diktojë politikat dhe të kthejë rrotën e historisë —edhe një herë— në dobi të saj. Për avantazhet përkatës klasa jonë politike e Prishtinës nuk është plotësisht në dijeni ndërsa e Tiranës ka vite që fle gjumë bashkë me të ashtuquajturit “akademikë”!          

Kështu, ndërsa kapitali amerikan konkurron me kapitalin e BE-së për vepra të mëdha infrastrukturore dhe ku fitimet janë të mëdha, qoftë edhe duke diktuar “ofertuesin”, qeveritë tona kanë lejuar veprimtarinë ekonomike amerikane për një arsye të thjeshtë: për të siguruar mbështetje politike afatgjatë nga qeveria amerikane. Domethënë, për arsye ‘pragmatiste’. Qeveria “Rama” e ka nxitur më shumë veprimtarinë ekonomike amerikane që kur filloi të merrte udhë reforma në drejtësi. Për të njëjtën arsye Dhoma Amerikane e Tregëtisë pret zgjerimin e veprimtarisë së saj. Thënë ndryshe, reforma në drejtësi dhe zgjerimi ekonomik amerikan shoqërojnë njëra-tjerën.

Presidenti i ndërmarrjes amerikane, Excelerate Energy, e cila synon futjen e gazit të lëngshëm natyror në Shqipëri dhe rajon, Steven Kobos, tha në një bisedë me VOA-n se “ky burim energjie do të plotësonte nevojat për energji” në vendin tonë dhe do ta kthente atë në një pikë për eksportin e tij në vende të tjera të rajonit” dhe se deri në tremujorin e tretë të këtij viti [2021] pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit [paraprak] për projektin dhe puna pritet të fillojë në vitin 2023”. Si ndërmarrje ata synojnë të kontribojnë në dekarbonizimin e ekosistemit me zhvillimin e impianteve me burim energjie gazin, të cilët do të zëvendësojnë impiantet e rajonit me qymyr. Për përfshirjen e ndërmarrjes përkatëse, tregon presidenti, ka luajtur rol të dobishëm ambasadorja amerikane në Shqipëri, Kim, e cila ka organizuar disa takime me qeverinë “Rama” dhe ndërmarrjen.

Pyetjes se sa mund të konkurrojë gazi amerikan gazin rus, presidenti nuk kishte përgjigje, “sepse kjo ka të bëjë me detajet”. Në bisedë ai përmendi dhe faktin se hidrocentralet varen nga gjendja e mirë e motit dhe nëse ai përshkohet nga thatësirat, ata mund të zëvendësohen nga impiantet e gazit. VOA, si duket, nuk ishte në dijeni për projektin e qeverisë “Rama” lidhur me gazin e TAP-it, as edhe për linjat e tjera që po ndërtohen në Mesdhe, as edhe për faktin se Greqia ka bërë një marrëveshje me amerikanët ku bënë pjesë dhe ndërmarrja në fjalë për ta kthyer vendin e saj në një qendër energjitike të Ballkanit vitin e kaluar, për të cilën vetë VOA ka njoftuar, dhe gazetrja duhet të ishte në dijeni!  

Por është e sigurt se presidenti i ndërmarrjes amerikane është në dijeni të çmimit të gazit rus dhe nuk dëshiron ta përmend për arsyet e tij. Me shumë gjasa, ai është pjesë e përpjekjes amerikane, veçanërisht e ambasadës amerikane, për të krijuar idenë se qeveria “Rama” do të sjellë investime të mëdha amerikane me qëllim që të fitojë zgjedhjet edhe një herë dhe të përparojë reformën në drejtësi: sepse nuk është e vështirë për një drejtor ndërmarrjeje të realizojë një studim paraprak për tregun e gazit në rajon: domethënë, se nga kush konkurrohet dhe sa mundësi ka të blihet nga kërkesa e popujve të rajonit. Me “rrëfimin” e tij ai tregoi dhe të vërtetën tjetër: se hidrocentrali i Skavicës, të cilin kërkon ta zhvillojë ndërmarrja amerikane “Bechtel international, inc”, dhe që u miratua në kuvend në prag të zgjedhjeve, varet nga rreshjet, për të cilat, homologu i tij i Bechtel-it, duhet të jetë dijeni. Në dijeni të këtij fakti, si mund të investojnë amerikanët 550 milionë dollarë?!         

Kështu, reforma në drejtësi kërcënon pikë së pari Metën. Kjo është një arsye se pse Meta ka shënjestruar “amerikanët” e Ramës; sepse një tjetër, është vetë shenjestra amerikane: ajo ka shënjestruar Metën qoftë edhe duke spikatur ata që ekspozon vetë Meta: Dvoranin, i cili, sipas komisionit të Venecias ka shkelur ligjin kur drejtonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi por sipas Departamentit Amerikan ai ka luftuar korrupsionin! Përmendja e faktit se amerikanët kanë investuar në Shqipëri miliona dollarë për reformën në drejtësi, rrjedhimisht, duhet të shoqërohet me përmendjen e faktit tjetër—se sa fitojnë amerikanët në Shqipëri me veprimtarinë e tyre ekonomike: sepse ndryshe do të ishte një gjysmë e vërtetë.

Gjykuar nga taktika e Metës —ai ka filluar të ekspozojë amerikanët por dhe evropianët me afera ‘korruptive’— dhe mund të ketë përgjime të tjera të ngjashme, por dhe nga kushtet aktuale —Meta është president i një vendi “sovran”— dhe nga fushata zgjedhore dhe pritshmëritë prej saj, se opozita mund të fitojë zgjedhjet, jo sepse do të manipulohen nga Rama me amerikanët siç pretendon Meta, megjithëse nga vetë Rama mund të manipulohen, por kryesisht sepse populli ka kujtesë të dobët dhe dhimbjet e vjetra zëvendësohen me dhimbje të reja...Meta me siguri do të vazhdojë të sulmojë amerikanët dhe bashkë me ta dhe Ramën. Veçanërisht kur dihet se Rama po mundohet të shkatërrojë LSI-në me ndihmën e të huajve. Nëse hamendësojmë se zgjedhjet i fiton Rama dhe Meta mban fjalën dhe heq dorë nga presidenca dhe hidhet në opozitë, dhe vazhdon të ngrejë tensionet opozitare, ai rrezikon të shpallet nga amerikanët si ‘terrorist’. Për këtë fakt Meta është në dijeni dhe mund ta zbras në braktisjen e presidencës. Nëse ai nuk e braktis, për arsyen e përmendur, ai do të vazhdojë të ngrejë tensionin politik duke sulmuar si Ramën ashtu dhe të huajt ndërsa në skenarin e fitores së opozitës Meta bëhet me siguri “mbret” dhe reformës në drejtësi i jep karakter tjetër: në vend të hetojë Metën, Berishën, Bashën dhe klasën politike në tërësi siç citohet në Kushtetutë ajo do të hetojë Ramën dhe mbështetësist e tij. 

Meta, thënë ndryshe, nuk ka rrugë tjetër veç të luftojë për të mbijetuar politikisht. Në kushtet aktuale ai ka mundësi të luajë meqë në faj nuk është vetëm ai dhe klasa politike por dhe të huajt. Ndërsa amerikanët kanë vetëm një rrugë: ta hetojnë përmes SPAK-ut. Por edhe nëse e realizojnë këtë objektiv - Meta do ta zhvlerësojë gjykimin e gjykatës duke treguar fajet e të tjerëve, nëse ata nuk hetohen si ai. Meta mund të kërkojë, gjithashtu, hetimin e ambasadores së BE-së por dhe të Lusë lidhur me denoncimin e tij. Nëse realizon këtë objektiv, Meta është edhe shkelës i ligjeve por edhe mbrojtës i tyre. Duke patur parasysh se drejtësia dënon shkeljet por vlerëson dhe përpjekjet për mbrojtjen e ligjit (ai ka mbrojtuar jo pak herë të mirën e përgjitshme me ligjet e padrejtë të Ramës që nuk ka dekretuar) Meta mund të dënohet vetëm me konfiskim pasurie dhe të ndalohet në veprimtari politike por jo me burg.       

Politika “ad-hominem” e Ramës dhe efekti e saj në popull

Rama e ka kthyer arenën e pushtetit politik në sulme “ad-hominem”: kundër disa aspekteve karakteriale të kundërshtarëve se sa kundër argumenteve dhe tërësisë së karakterit. Për këtë lloj sulmi nuk është ai vetëm përgjegjës por dhe kundërshtarët e tij: sepse ata kanë pak argument politik. Kjo taktikë politike buron nga fakti se “retorika politike” si nocion është shtrembëruar nga partitë politike dhe kuptohet si spekulim se sa si dije. Rama ka zgjedhur këtë lloj sulmi —“ad-hominem”— edhe për një arsye tjetër: sepse vetëm kështu mund të ndikojë në pështjellimin e qytetarëve. Argumentet politike —nëse me politikë kuptojmë arsyetim të drejtë lidhur me të kaluarën, të tashmen ose realitetin dhe të ardhmen— i lodhin qytetarët: sepse dihet se ata eksitohen më shumë me sulmet karakteriale. Kjo qasje ka dhe një efekt tjetër: rritjen e urrejtjes dhe përçarjes në popull. Rama vetë është kthyer në një mazokist: në kuptimin që sharjet publike e eksitojnë.

Ky efekt —i eksitimit nga sharjet— është vërtetuar dhe shkencërisht por mund të vërtetohet nga çdonjëri nga ne nëse në rrethin tonë shoqëror fillojmë dhe shajmë si të na vijë për mbarë dhe vërejmë reagimet: kujdes, kur shajmë jo njerëz të zhgënjyer dhe me dhimbje (këta me siguri do të reagojnë dhunshëm) por njerëz që janë të plotësuar në botën materiale dhe pa virtyte: kjo është arsyeja se pse shumë njerëz të ngopur me të mira materiale përfundojnë sado-mazokistë. Ndaj dhe Rama kënaqet me ata që ai sulmon duke u ngjitur nofka të ndryshme, sipas karakterit. Bashkë me të, kënaqet dhe populli meqënse nuk ka mësuar të përdorë arsyetimin dhe nuk e ka ndierë ndonjë herë kënaqësinë e arsyetimit. Kjo është arsyeja se pse shumë reagojnë me kënaqësi kur sulmet karakteriale shpalosen. Por kënaqesi më të madhe ndiejnë pushtetarët: sepse janë të tejngopur me të mira materiale.  

Përmblethtas, “retorika” e Ramës mund të çojë në përçarje më të madhe dhe nuk do të ishte e çuditshme —sidomos kur dihet se çfarë synon ai, pushtetin duke eliminuar një nga kundërshtarët e tij, Metën— të dëshmojmë dhe vrasje gjatë zgjedhjeve apo pas tyre. Lidhur me shfrytëzimin e pushtetit tonë politik ose qeverive tona nga ambasadorët e huaj nuk mund të fajësohen ambasadorët pavarësisht se ata shpesh shkelin misionin e tyre (kjo çështje varet kryesisht nga vendi i tyre i origjinës se nëse do të hetohen kur u shërbejnë korporatave duke shkelur ligjet në fuqi). Por nga populli ynë i cili mbështet integrimin e vendit tonë në globalizmin neoliberal përmes BE-së —një orientim që shkakton në njërën anë varësi pushtetore dhe në anën tjetër mbështetje të pakët popullore për partitë politike: sepse kur partitë politike kanë mbështetje të pakët në popull, ato kërkojnë mbështetje politike nga të huajt. Në këto kushte, ambasadorët e huaj thjesht shfrytëzojnë varësinë e krijuar nga vetë populli shqiptar. Por duke ndihmuar në reforma të rëndësishme si reforma në drejtësi dhe në zgjerimin e investimeve për korporatat e tyre, shumë prej të cilëve (investimeve) janë problematike.       

*Kjo analizë është përditësuar.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA